Monday 20 December 2010

Disa kontradikta në Projektligjin për Arsimin Parauniversitar

Shkruan:
Fabian Zhilla
20-12-2010 11:43

Disa kontradikta në Projektligjin për Arsimin Parauniversitar

Gjatë këtyre ditëve Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar projektligjin për arsimin parauniversitar, për konsultim me publikun. Ky projektligj është kontestuar jo pak në media për paqartësitë që mund të prodhojë. Kritika kryesore qëndron në atë se nene të këtij projektligji bien në kundërshtim me nene të veçanta të ligjit tashmë të aprovuar, Ligjin Kundër Diskriminimit. Parimisht, shqetësimi i ngritur në media deri diku qëndron, por në një pikëpamje tjetër juridike. Media e ka komentuar pikën 4 të nenit 36 të projektligjit, i cili ndalon ekspozimin e simboleve fetare në ambientet e institucioneve arsimore, si ndalim ndaj shamisë apo mjekrës për nxënësit praktikantë të besimit musliman. Në analizën juridike të mëposhtme, ndahet një qëndrim tjetër kritik.

Fillimisht, duhet cilësuar se ky projektligj është përpjekur të sjelli disa risi pozitive. Ai rrit gamën e të drejtave të nxënësve të shkollave të sistemit parauniversitar, si p.sh. mbrojtja ndaj keqtrajtimeve fizike apo edhe mbrojtja dhe administrimi i të dhënave personale. Gjithashtu, ky projektligj penalizon çdo keqpërdorim të nxënësve për shkaqe politike apo çdo forme indoktrinimi fetar të paparashikuar në programin arsimor. Stimulon arsimin duke ndaluar punësimin e fëmijëve gjatë periudhës së arsimit të detyrueshëm. Gjithashtu, njeh si të ligjshëm dhe arsimimin në kushtet e shtëpisë ose siç njihet ndryshe, në literaturën ndërkombëtare, si ‘home schooling’.

Sidoqoftë, ky projektligj krijon një handikap të ri, i cili, me të drejtë, kohëve të fundit është konsideruar nga media si një përplasje midis tij dhe Ligjit Kundër Diskriminimit. Që në nenin 1, ky i fundit, ndalon çdo lloj diskriminimi, qoftë ky i drejtpërdrejtë apo i tërthortë që bëhet për shkaqe të ndryshme, ndër të tjera edhe fetare. Në nenin 3 të tij ka një sërë përkufizimesh të detajuara për format e diskriminimit, si ato të drejtpërdrejta, të tërthorta apo dhe rastet kur ai përdoret në formën e viktimizimit. Ky ligj ka një nen të plotë i cili i kushtohet mbrojtjes ndaj diskriminimit për çështje fetare.

Shqetësimi i shprehur në media lidhet me një kontradiktë juridike midis nenit 10 të Ligjit Kundër Diskriminimit dhe nenit 36 pika 4 të projektligjit në fjalë. Në fakt, projektligji është kujdesur që të ketë një nen specifik (neni 6) kundër diskriminimit të nxënësve për shkaqe fetare. Pra, ky projektligj realisht nuk krijon përplasje në këtë aspekt. Duhet pasur parasysh se neni 36 është një dispozitë e karakterit administrativ, pasi është i renditur nën Kapitullin III, i cili ka të bëjë me mënyrën e funksionimit të sistemit parauniversitar. Sipas parimeve themelore të teknikës legjislative, neni dhe çdo paragraf i tij duhet të jenë në funksion dhe në një rrjedhë logjike me qëllimin e Kreut përkatës të ligjit.

Në këtë aspekt, duke qenë se në këtë Kre (Kreu III) flitet për formën administrative, kuptimi i nenit 36 pika 4 ka të bëjë me ndalimin e vendosjes në ambientet e institucioneve arsimore të simboleve fetare, siç mund të jetë kryqi apo dhe gjysmëhëna. Ky nen nuk mund të ketë lidhje me paraqitjen e jashtme të nxënësve, qoftë ajo mbulesa e kokës (e përdorur si nga muslimanet dhe të krishterat) apo mbajtja e kryqit publikisht. Një interpretim i kundërt do ta bënte këtë pikë të nenit 36 kontradiktore, jo vetëm me nenin 6 të tij apo dhe nenin 10 të Ligjit Kundër Diskriminimit, por mbi të gjitha me nenet 18 dhe 24 të Kushtetutës. Kjo do ta bënte këtë nen automatikisht antikushtetues dhe si rrjedhim nul.

Në fakt, shqetësimi i ngritur mediatikisht se pika 4 e nenit 36 të këtij projektligji është konfliktuale, mund jetë i drejtë, por në një këndvështrim tjetër juridik. Kjo pikë e nenit mund të krijojë probleme në lidhje me punësimin e mësuesve praktikantë të feve të ndryshme dhe që kanë një paraqitje fetare. Pyetja që ngrihet në këtë kontekst është: a do të konsiderohet ‘ekspozim i simbolit fetar’ një kryq që mbahet i varur në qafë publikisht nga një mësues/e gjatë orës së mësimit?

Nga ana tjetër, është e paqartë se çfarë ka parasysh ligjvënësi me termin simbol fetar. Pasi, p. sh., mbulesa e kokës për femrat muslimane apo dhe të krishtera në rastin e murgeshave, sipas doktrinave përkatëse fetare, nuk konsiderohet simbol, por pjesë e domosdoshme e veshjes femërore. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë emblemë identifikuese, propagandistike, por thjesht për një mbulim të mëtejshëm të trupit, sipas një pikëpamjeje më konservatore për privatësinë dhe intimen.

Në rast se neni 36 pika 4 ka parasysh këtë kategori mësuesish, atëherë kjo do të krijonte padyshim përplasje me nenin 12 dhe 13 të Ligjit kundër Diskriminimit. Këto nene mbrojnë çdo individ i cili diskriminohet për shkaqe fetare në lidhje me punësimin. Nga ky këndvështrim, neni 36 pika 4 mund të krijonte përplasje edhe me nenin 49 të Kushtetutës, i cili mbron të drejtën e çdo shtetasi për të zgjedhur profesionin dhe vendin e punës që ai kërkon. Kjo, duke respektuar të drejtat e tij fetare të përcaktuara nga neni 24 i Kushtetutës. Është pikërisht kjo pikëpamje juridike që e bën pikën 4 të nenit 36 të kontestueshme.

Si mund të evitohet ky konfuzion?

Projektligji është ende në fazën e konsultimit dhe ende nuk ka kaluar për diskutim në Këshillin e Ministrave dhe Parlament. Për këtë arsye, mundësia për rishikim është e hapur. Disa sugjerime të cilat mund të merren në konsideratë janë:

1-Në nenin 3, i cili ka të bëjë me përkufizimet, të bëhej përkufizimi i termave ‘indoktrinim fetar’ dhe ‘simbole fetare’. Gjithashtu të bëhet i qartë dallimi me praktikat fetare. Të përkufizohet në mënyrë më të plotë termi “institucion arsimor”. Të sqarohet gjithashtu nëse ky përkufizim përfshin vetëm ambientet fizike apo edhe personat që ushtrojnë aktivitet në të, përfshirë këtu nxënësit dhe mësuesit. Po në këtë drejtim të rihartohet pika 4 e nenit 36, duke sqaruar nëse bëhet fjalë për shfaqje në ambientet e institucioneve arsimore apo edhe për shfaqje nga ana e nxënësve dhe mësuesve.

2-Të hartohet një nen i veçantë në lidhje me ndalimin e ekspozimit të simboleve fetare. Po në këtë nen të bëhet një përcaktim i qartë, në pika të veçanta, për rastet që ka parasysh ky nen.

3- Ky projektligj mund të shoqërohet edhe me një material/guidë shpjeguese për çdo nen, në atë se çfarë ka parasysh legjislatori. Zakonisht këto guida nuk kanë karakter detyrues, por ndihmojnë në një kuptim më të qartë dhe zbatim të ligjit. Kjo mund të publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përkatëse, për konsultim publik, dhe për të shmangur çdo keqkuptim nga institucionet dhe individët që preken nga ky ligj.

Në këtë aspekt, projektligji për arsimin parauniversitar është një dokument juridik i cili përbën një prurje cilësore në lidhje me rregullimin e këtij sektori. Megjithatë, kontestimet e bëra nga media për paqartësitë që neni 36 pika 4 mund të prodhojë, nga një pikëpamje tjetër juridike, janë të drejta. Për këtë qëllim, duke qenë se Ministria e Arsimit dhe e Shkencës është në procesin e Konsultimit të Jashtëm, do të ishte e këshillueshme që sugjerimet e bëra në këtë analizë të merreshin seriozisht. Kjo do të shmangte çdo përplasje ligjore midis këtij projektligji dhe Kushtetutës apo dhe ligjit tashmë të aprovuar në lidhje me mbrojtjen ndaj diskriminimit.

Friday 3 December 2010


Shkruan:
Fabjan Zhilla
03-12-2010 10:35

Krimi dhe një plan për adoleshentët

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabjan%20Zhilla&id=434

Së fundmi, dhuna dhe krimi kishin një të veçantë shqetësuese - moshën. Ata në moshë ishin adoleshentë, por ajo që bënë ishte një krim i rëndë. Dikush qëlloi shokun e tij dhe një tjetër vrau një shofer taksie. Ky i fundit, duke imituar një film. Nën ombrellën e polemikave politike, pak vend u jepet problemeve sociale që kanë ngërthyer këtë vend. Sjelljet agresive dhe ato kriminale, të kryera nga adoleshentët, janë shumë shqetësuese. Ato lidhen me ndërtimin e një brezi dhe kanë lidhje me të ardhmen e vendit.

Ky fenomen, pak i artikuluar nga mediat, duhet analizuar me shumë kujdes. Sot në gjimnazet e Tiranës, sipas citimeve të mediave, konfliktet midis adoleshentëve janë në rritje. Jo vetëm kaq, por në këto ambiente duket se droga dhe alkooli frekuentohen haptazi. Sjelljet shqetësuese dhe në gjimnaze qendrore, dhe jo vetëm në ato periferike, tregon që problemi nuk është sporadik, por i përgjithshëm.

Ajo që është me problematike në fakt, është indiferentizmi ose rëndësia e pakët që i jepet këtij fenomeni nga institucionet përgjegjëse. Ndër masat e propozuara, që rëndom qarkullojnë nga burime gazetareske, është rritja e numrit të policëve nëpër shkolla dhe caktimi i patrullave specifike për çdo shkollë të mesme. Me pak fjalë, ky shtet apo dhe organet lokale, kanë menduar ta zgjidhin këtë problem duke i konsideruar gjimnazet si ‘institucione riedukimi’ të survejuara me policë. Kjo, padyshim, jo vetëm që nuk e zgjidh problemin por e intensifikon atë. Ajo denatyralizon qëllimin e shkollës si institucion edukues, por dhe rolin e atyre që edukojnë dhe edukohen. Kjo lloj qasje sipërfaqësore nuk bën gjë tjetër por vetëm se i bën adoleshentët të ndihen të steriotipizuar dhe të inkriminuar padrejtësisht.

Sot trajtimi i problemeve sociale që lidhen me rininë në përgjithësi dhe adoleshentët në veçanti është shumë periferik. Për këto dëgjohet rrallë në media. Ato trajtohen më së shumti në raporte OJQ-sh, pa asnjë peshë publike, pasi ato ju serviren vetëm donatorëve.

Nga ana tjetër, është e vështirë të gjesh ndonjë pasazh në projektet e forcave politike në këtë drejtim. Edhe organet lokale dhe drejtuesit e tyre nuk janë më pak fajtorë; madje ata duhet të ndihen deri diku më përgjegjës. Në rastin e gjimnazeve kryeqytetase, si qeveria qendrore ashtu dhe Bashkia e Tiranës duket se kanë dështuar haptazi. Kjo pasi politizimi frenetik dhe gati gjenetik u ka zënë frymën çështjeve sociale kaq akute sa kjo.

Është tronditës fakti që mosha e kryerjes së krimit, dhe përdorimit të drogës, të ulet në kufijtë e adoleshencës. Ky është një brez që po përgatitet për të qenë shtetas i Europës së Bashkuar. Nëse do të trajtohet me neglizhencë, ky brez do të jetë i paaftë për të përballuar problemet që lidhen me konkurrencën sa ekonomike por dhe sociale në BE. Ky brez i patrajtuar siç duhet, rrezikon të kthehet në një kontingjent kriminal për krimin e organizuar.

Cilët mund të ishin disa nga hapat më urgjente?

Së pari, do të ishte e nevojshme që qeveria të ngrinte një task forcë për ta analizuar këtë problem në rrënjë. Kjo, pasi qeveria përbëhet nga disa ministri, të cilat kanë lidhje direkte ose indirekte me këtë fenomen, si Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Turizmit, Rinisë, Kulturës dhe Sporteve. Kjo task force duhet të konkludojë me një raport të detajuar për shkaqet dhe faktorët që çojnë gjimnazistët në këto sjellje, duke ofruar dhe disa zgjidhje objektive.

Së dyti, bashkitë nuk mund të tregohen indiferente, por të hartojnë një plan të qartë për krijimin e programeve kulturore dhe sportive, në mënyre specifike për këtë moshë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Rinisë, Kulturës dhe Sporteve këto bashki do duhet që të inkurajojnë financiarisht federatat sportive dhe t’u krijojnë atyre infrastrukturën e nevojshme për të ushtruar aktivitete sportive në ambientet shkollore duke përfshire këtu dhe ciklin e ulët shkollor.

Së treti, çdo minibashki duhet të ngrejë një departament të veçantë në lidhje me çështjet e adoleshentëve me probleme. Dhe kjo duhet të jetë në sinkron me rajonet e policisë, shkollat e ciklit të ulët dhe të mesëm, që përfshihen në juridiksionin e tyre. Këto minibashki duhet të bashkëpunojnë me OJQ-të, por dhe institucionet fetare që operojnë në zonën që ato mbulojnë. Ky lloj koordinimi do të bënte që trajtimi i problemit të ishte me efikas dhe të shtrihej nga vendbanimi deri tek institucionet e edukimit. Pra, ky problem duhet trajtuar me një përfshirje sa më të gjerë komunitare.

Pa një program të detajuar dhe të sinkronizuar, ky problem rrezikon të kthehet në fenomen. Ata adoleshentë që kryen këto krime janë viktimat dhe si të tillë duhen trajtuar. Kjo shoqëri, e cila sot lëngon skajshëm nga kanceri politik, i cili po e diskrediton atë nga çdo aspekt tjetër shpirtëror, social apo kulturor, mëton të reflektojë thellë. Adoleshentët nuk duhen vetëm për të mbushur garat elektorale, mbajtur posterat, zbukuruar fotografitë e ‘udhëheqësve’, por mbi të gjitha duhen trajtuar si një ndër pjesët më vitale të shoqërisë. Ne duhet të kujdesemi që ata të mos jenë kontingjent i burgjeve, por i kulturës dhe zhvillimit. Vetëm atëherë do duhet të ndihemi si një shoqëri e realizuar. Ngjarjet aktuale fatkeqësisht nuk na bëjmë të ndihemi shumë optimist.

Wednesday 17 November 2010

Wednesday 10 November 2010

Shkruan:
Fabian Zhilla
10-11-2010 13:58

Reforma në Gjyqësor

Komisioni parlamentar i Ligjeve, i dominuar nga mazhoranca, vazhdon të rrëzojë kandidaturat e propozuara nga Presidenti për në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese. Kjo këmbëngulje prej më shumë se 6 muajsh shfaq disa probleme politike. Problemi i parë lidhet me individualizmin e konfliktit midis mazhorancës dhe institucionit të Presidentit. Problemi tjetër është sjellja indiferente e opozitës në këtë drejtim. Kjo e fundit është mjaftuar me polemika jo konstruktive në Komisionin e Ligjeve dhe me deklarata sporadike thuajse në zhdukje në publik. Pra, në fakt, megjithëse në opozitë, kjo e fundit duket se e ndien veten të shfajësuar nga ajo që ndodh, duke përdorur të njëjtën alibi që përdor edhe për apatinë e saj në rastin e reformave të tjera të rëndësishme ligjore.

Por problemi më i madh në të gjithë këtë ‘telenovelë’ është kompleks dhe bashkëfajësues për të dy kahet politikë. Kjo klasë e sheh pushtetin gjyqësor si ‘fëmijën e njerkës’. Ka ngelur në mëshirën e dëshirave momentale dhe pragmatiste të liderëve të partive. Është kthyer në një pronë politike që merr dhe humbet vlerë vetëm kur ‘pronarët’ e saj duan.

Në këtë drejtim, për sa kohë gjyqësori, de fakto, do të ngelet në pronësinë e politikës, shoqëria shqiptare do të duhet të përgatitet për t’u ballafaquar me një gjyqësor apatik në vazhdimësi. Shqiptarët do të duhet që, fatkeqësisht, të besojnë se gjyqtarët janë thjesht disa punonjës administrate pa status dhe në kërkim të ryshfeteve. Kur në fakt gjyqtarët duhet të jenë ushtrues të njërit prej pushteteve më të rëndësishme në shtetin e së drejtës-atij të dhënies së drejtësisë. Shqiptarëve nuk u ngelet gjë tjetër vetëm se ta shohin drejtësinë si mall dhe sistemin gjyqësor si treg, ku oferta më e mirë është ajo që përcakton kahun e të drejtës.

Pra, zgjidhja e problemit të gjyqësorit duhet të filloj pikërisht nga ndryshimi i konceptit që ka sot politika në lidhje më të. Sistemi gjyqësor nuk është as pronë e ekzekutivit por dhe as e legjislativit. Sistemi gjyqësor duhet të drejtohet dhe administrohet vetëm në bazë të parimeve kushtetuese, të cilat garantojnë një pavarësi juridike, organizative, funksionale por dhe financiare të tij. Megjithëse Kushtetuta ka një sërë nenesh të rëndësishme në këtë drejtim, ajo që vërehet praktikisht është se e drejta e disponimit dhe e shfrytëzimit të gjykatave të larta është në duart e ekzekutivit.

Cilat do të ishin atëherë disa nga reformat afatshkurtra që do ta bënin gjyqësorin de fakto të pavarur? Reforma të cilat do t’i kthenin atij dinjitetin dhe pushtetin real që i takon.

Idetë për to mund të jenë të shumta, por duke qenë se formati i këtij shkrimi nuk na lejon shumë hapësirë në këtë drejtim, ato do të përqendrohen vetëm te dy. Kjo do të bëhet duke hedhur ide të bazuara në përvojat më të mira ndërkombëtare në lidhje me reformat e sistemit gjyqësor për shoqëritë në tranzicion. Duke u nisur nga eksperienca jo e mirë aktuale e marrëdhënieve të gjyqësorit me dy pushtetet e tjera, dy do të ishin reformat që sugjerohen, të cilat në një situatë afatshkurtër do të jepnin efekte pozitive.

Së pari, gjyqtarët (përfshi këtu dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese) duhet të zgjidhen nga një trupë e cila në përbërjen e saj nuk duhet të ketë asnjë përfaqësues politik. Në këtë mënyrë shmangen problemet si ky që po ndodh aktualisht midis Presidentit dhe mazhorancës. Dy pushtetet e tjera mund ta kontrollojnë gjyqësorin nëpërmjet ligjeve organike për këtë qëllim, dhe jo nëpërmjet kontrollit administrativ që i bëhet këtij të fundit thuajse në çdo hallkë të tij. Ky proces duhet të fillojë që nga ligji për organizmin e Konferencës Kombëtare të Gjyqtareve (në rastin e gjykatave të ulëta) dhe deri tek amendimet përkatëse, kur është rasti i ligjeve që lidhen me Këshillin e Lartë të Drejtësisë (KLD-në), apo zgjedhjen e gjyqtarëve në gjykatat e larta. Ky hap nuk i lë hapësirë asnjë force politike në të ardhmen të shprehë rezervat e veta, siç po ndodh rëndom. Vërtet ka aspekte ku sistemi gjyqësor mund të përdorë mekanizma të tjerë vetërregullues, siç është dhe rasti i Kodit të Etikës. Megjithatë, në shoqëritë në tranzicion, pa eksperiencë në çështjet e vetërregullimit, e mira është që instrumentet e përzgjedhjes, emërimit dhe organizimit të gjyqtarëve të jenë të përcaktuara me ligj. Nga ana tjetër, gjyqtarët duhet të jenë patjetër pjesëmarrës në bërjen e këtyre ligjeve, përndryshe, sipas teorive bashkëkohore, ligji nuk gëzon legjitimitet dhe mund të jetë lehtësisht i cenueshëm.

Së dyti, duhet minimizuar kontrolli politik në lidhje me buxhetin që u caktohet gjykatave, e sanksionuar kjo e drejtë fare qartë edhe nga Kushtetuta. Sot ka një institucion i cili pretendon se e mbulon këtë funksion, siç është dhe Zyra për Administrimin e Pushtetit Gjyqësor (ZAPGJ). Por asaj duhet që fillimisht t’i jepen më shumë kompetenca dhe të jetë realisht e pavarur në çdo drejtim. Zgjedhja dhe emërimet për këtë institucion duhet të bëhen nga Konferenca Kombëtare e Gjyqtarëve, që për fat të keq, edhe pse institucion Kushtetues, ende nuk ka mundur të funksionojë normalisht për shkak të mungesës së ligjit. Nga ana tjetër, buxheti i përcaktuar për gjyqësorin nuk duhet të kalojë nëpërmjet Ministrisë së Financave, por të paraqitet në Parlament drejtpërsëdrejti nga Zyra e mësipërme. ZAPGJ duhet të jetë institucioni që të gëzojë të drejtën jo vetëm për të paraqitur, por dhe për të mbrojtur buxhetin në Kuvend. Po ashtu, edhe ekzekutimi i këtij buxheti më pas, duhet të autorizohet dhe administrohet vetëm nga ZAPGJ dhe nga asnjë institucion tjetër.

Reformat e mësipërme, por dhe të tjera, duhet të jenë prioritet i ekzekutivit. Dhe në mungesë të tij duhet të jetë opozita ajo që duhet t’i shfaqë dhe t’i mbrojë ato nëpërmjet aksioneve konkrete politike. Beteja për votën e lirë dhe ajo kundër korrupsionit, nuk do të fitoheshin plotësisht nëse nuk fitohet beteja për një gjyqësor të pavarur. Në këtë drejtim, asnjë kah politik nuk mund të ketë një alibi të besueshme.

Tuesday 2 November 2010

Revista mapo

Jasin Kadi “përplas” BE-në me OKB-në

31.10.2010 09:20

http://revistamapo.com/forum.php?id=2594

Jasin Kadi, ky emër mjaft i lakuar nga media dhe drejtësia shqiptare, dhe jo vetëm prej tyre, fiton pas më shumë se tetë vjetësh çështjen në Gjykatën e Përgjithshme të Bashkimit Evropian ose e njohur ndryshe dhe si Shkalla e Parë (The General Court). Kjo gjykatë, me vendimin e saj, një muaj më parë i njohu të drejtën Jasin Kadit për të hequr sekuestron preventive të vendosur ndaj pronave të tij. Ai fitoi, gjithashtu, të drejtën e nxjerrjes së emrit të tij nga lista e personave të lidhur me terrorizmin. Kjo gjykatë kërkoi mosaplikimin e vendimeve përkatëse të Komisionit Evropian nr. 1190/2008 dhe të Këshillit të Evropës nr. 881/2002 ndaj Jasin Kadit dhe bizneseve të tij. Të dyja këto vendime janë dhënë në zbatim të Rezolutës nr. 1390/2002 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që lidhen me ngrirjen e aseteve të bashkëpunëtorëve me grupet terroriste. Lista bashkëngjitur kësaj rezolute, identike me atë të SHBA-së, u bë e aplikueshme dhe në juridiksionin e Bashkimit Evropian (BE), gjithashtu, dhe për çdo vend anëtar të OKB-së, ku bën pjesë dhe Shqipëria.
Kjo Gjykatë, pas një analize prej më shumë se 30 faqesh, cilëson se pronat e Jasin Kadit janë “ngrirë” pa pasur asnjë provë bindëse. Kjo ka bërë që këtij individi t’i cenohet e drejta e gëzimit të pronës në mënyrë të lirë. Nga ana tjetër, sipas kësaj Gjykate, Jasin Kadit nuk i është vënë në dispozicion asnjë nga provat që ai të kishte mundësinë për të bërë një mbrojtje efektive. Në vendimin e saj, kjo Gjykatë cilëson se vendosja e emrit të Jasin Kadit në listën e OKB-së është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara. Provat e përdorura janë bazuar në artikuj gazetash të dorës së dytë si USA Today, të shkruara nga Jack Kelley, person të cilit kjo gazetë në vitin 2004 i kërkoi të jap dorëheqjen, pasi akuzohej se “kishte fabrikuar një sërë historish me profile të larta”.
Vendimi i Gjykatës Europiane nuk gjeti asnjë hapësirë në mediat shqiptare, megjithë kompleksitetin e saj sa akademik, por dhe politik që mbart. Cili është interesi i kësaj çështjeje për realitetin akademik dhe politik shqiptar?
Nga pikëpamja akademike, ky vendim gjykate i njohur ndryshe dhe si Kadi 2, pasi Jasin Kadi është gjykuar nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (The European Court of Justice) në vitin 2008, ka hapur një debat të konsiderueshëm akademik në lidhje me një “përplasje” të mundshme të kompetencave të OKB-së dhe të BE-së. Thënë me fjalë më të thjeshta, me këtë vendim, institucionet e BE-së mund t’i njohin të drejtën vetes për të kontrolluar ligjshmërinë e rezolutave të OKB-së ose vendimeve të institucioneve që në “hierarkinë” e ligjeve, sipas së drejtës ndërkombëtare, qëndrojnë me lart se ato. Nga ana tjetër, kjo Gjykatë, nëpërmjet këtij vendimi, bën një kontroll juridik të sanksioneve të OKB-së në lidhje me përputhshmërinë e tyre me të drejtat e njeriut sipas Traktateve të BE-së për këtë qëllim. Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian, në çështjen e parë për Jasin Kadin, cilësoi se pretendimi i këtij të fundit në lidhje me procesin e ndjekur nga Këshillit i Sanksioneve të OKB-së ishte në shkelje me parimin themelor të të drejtave të njeriut. Parimi i shkelur, sipas kësaj Gjykate, ishte e drejta që i ishte mohuar Jasin Kadit për t’u dëgjuar në një gjykatë të pavarur, si dhe për një proces të rregullt ligjor/gjyqësor. Me një gjuhë të artikuluar, Gjykata e Përgjithshme e BE-së është përpjekur ta arsyetojë “përplasjen” midis BE-së dhe OKB-së. Dhënia të drejtë Jasin Kadit, nuk ka bërë gjë tjetër, por ka sjellë në vëmendje se rezolutat e Kombeve të Bashkuara mund të kontrollohen juridikisht nga gjykatat kombëtare apo rajonale. Çdo shtet anëtar, aktualisht, gëzon të drejtën e implementimit të këtyre rezolutave sipas ligjeve të brendshme. Sipas zërave akademikë, gjykatat e shteteve anëtare, duke u mbështetur në këtë vendim, mund të kontestojnë rezolutat e Kombeve të Bashkuara apo dhe institucioneve superiore si organet e BE-së, me arsyetimin se këto vendime janë dhënë në kundërshtim më standardet e të drejtave të njeriut të këtyre vendeve. Nga ana tjetër, çdo shtet mund të pretendojë se ka standarde të ndryshme të të drejtave të njeriut ose më superiore se ato të këtyre institucioneve. Sidoqoftë, këto shqetësime mund të kenë më shumë implikime jashtë BE-së sesa brenda saj. Çdo vendim apo ankim i bërë në gjykatat kombëtare të shteteve anëtare të BE-së do të duhet t’i referohet Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian (Gjykata e Lartë). Vendimet e kësaj të fundit janë detyruese për vendet anëtare, e cila është dhe shkalla e fundit e gjykimit në lidhje me të drejtën europiane.
Nga pikëpamja juridike, në Shqipëri, ndaj shtetasit Jasin Kadi ka ende çështje që janë në gjykim, thuajse për të njëjtat arsye juridike dhe fakte. Në këtë drejtim, duket se ky vendim i Gjykatës së BE-së ka vlerë të veçantë, pasi i vendos qartësisht “piketat” juridike mbi të cilat duhet të mbështetet edhe gjyqësori shqiptar në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe të ngjashmeve me të.
Nga pikëpamja politike, ky vendim mund të ketë pasoja për ligje si ai i tipit “Anti-Mafia”. Sikurse dhe rasti Kadi 2 tregon, se çdo individi apo subjekti që i janë sekuestruar pronat bazuar në supozime apo indice të paprovuara mundet fare mirë t’i godasë ato në gjykatë me pretendimin se ato janë lëshuar në shkelje të së drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe konkretisht të së drejtës për t’u dëgjuar në një gjykatë të pavarur. Vendimi i Gjykatës së Përgjithshme Evropiane ( Shkalla e Parë) mund të shërbejë si arsyetim në këtë drejtim dhe mund t’i hapë hapësira një trupi gjykues për ta çuar këtë ligj përpara Gjykatës Kushtetuese, si një ligj jo në përputhje me parimet bazë të të drejtave kushtetuese. Ky vendim shfaq edhe një herë së BE-ja ka mekanizmat e nevojshëm ligjor për të kontrolluar ligjshmërinë e vendimeve politike që merren jo vetëm nga institucionet brenda saj, por dhe nga institucione ndërkombëtare. Institucionet shqiptare duhet ta lexojnë drejt këtë vendim dhe të kuptojnë rëndësinë e kontrollit të ligjshmërisë të çdo lloj vendimi politik, qoftë ky edhe nga institucionet ndërkombëtare.
Sidoqoftë, është për t’u cilësuar se vendimi i Gjykatës së Përgjithshme pritet të apelohet në Gjykatën e Drejtësisë. Nëse kjo ndodh, vendimi përfundimtar do të jetë ai, i cili juridikisht do të ketë forcën e precedentit. Megjithatë, çështja Kadiu 2 arriti të ngrejë një polemikë të rëndësishme juridike dhe politike. Ai arriti të përballë BE-në me OKB-në në të dyja këto dimensione. Ky vendim, nga ana tjetër, pritet të ketë pasoja sa juridike dhe politike edhe në vendet anëtare të BE-së, por dhe në shtete si Shqipëria.

Wednesday 6 October 2010

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian%20Zhilla&id=235
Shkruan:
Fabian Zhilla
06-10-2010 09:39

Gjykata Administrative brenda thonjëzave politike

Mosvotimi i ligjit për Gjykatën Administrative në seancën parlamentare të së enjtes tregoi dhe një herë se klasa politike ka mangësi në konceptimin e përgjegjësive të saj. Toni i përdorur nga figurat kryesore të të dy kampeve gjatë debatit parlamentar të bën skeptik për zgjidhjen e shpejtë të këtij problemi. Është krijuar një precedent negativ në lidhje me reformat kryesore si p.sh. formimi i Gjykatës Administrative. Ajo përpiqet t’i shmangë ato, duke i nxjerrë në periferi dhe shfaqur problematika më “të prekshme” për publikun, si lufta ndaj korrupsionit, liria e votës, liberalizimi i vizave etj. Por, në të vërtetë, të tilla probleme përmirësohen vetëm nëpërmjet institucioneve të pavarura siç do të ishte dhe Gjykata Administrative. Opozita e sotme me sjelljen e saj në seancën e të enjtes nuk bëri gjë tjetër vetëm se i përgatiti alibinë opozitës së nesërme në raste të ngjashme. Pse sot ngurrohet të votohet ligji përkatës nga opozita? Pse pozita nuk mori në konsideratë propozimet e opozitës që në mars? Përse kërkohet me kaq ngulm kalimi i ligjit pa amendimet përkatëse? Cilat janë qëllimet politike të të dyja palëve, të cilat fshihen pas këtij ngërçi institucional? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, duhet fillimisht të kuptojmë rolin e Gjykatës Administrative në kuptimin politik.

Së pari, Gjykata Administrative është një ndër mekanizmat kontrollues të akteve administrative në nivelin qendror dhe lokal. Kështu, çdo akt administrativ i qeverisë apo i qeverisjes vendore mund t’i nënshtrohet kontrollit nga kjo gjykatë. Kjo mund të bëhet në rastet kur akti administrativ normativ apo individual bie ndesh me Kushtetutën, aktet ndërkombëtare edhe me ligjet e Parlamentit. Pra, kjo gjykatë ka një rol përcaktues në lidhje me kontrollin e ligjshmërisë së ekzekutivit. Ajo fare mirë mund të kthehet në një barrierë ‘administrative’ për çdo lloj përçartjeje ligjore të ekzekutivit. Kontrollin e ekzekutivit e ka luajtur deri diku me sukses Gjykata Kushtetuese, por ky rol ka marrë pa dashur edhe ngjyrime politike. Gjykata Administrative ka funksione më praktike dhe u përgjigjet më shpejt kërkesave të tregut. Pra, nëse Gjykata Kushtetuese ka një kontroll mbi ekzekutivin, por dhe legjislativin në planin makro dhe sporadik, Gjykata Administrative ka kontroll në nivelin mikro në lidhje me çështjet e ditës.

Së dyti, kjo gjykatë minimizon pushtetin ekzekutiv, duke prishur balancat e forcës midis pushtetit dhe individit. Ky i fundit përfiton një avantazh më shumë kontrolli ndaj pushtetit ekzekutiv. Kështu, çdo akt administrativ që prek qoftë individin por dhe biznesin në marrëdhëniet e tij me shtetin, do të kalojë përmes kësaj gjykate. Pra, qytetarëve u shtohet dhe një mjet tjetër juridik më efikas ndaj organeve shtetërore në të dy nivelet. Këtu do të përfshiheshin sidomos ato akte individuale që cenojnë direkt interesat e qytetarëve, si lejet apo licencat e ndryshme, shpronësimet, gjobat, taksat, tatimet, doganat etj.

Së treti, kjo gjykatë mundet fare mirë që nëpërmjet akteve të saj të godasë korrupsionin në administratën publike në mënyrë indirekte. Çdo ankesë e cila mund të lidhet me keqmenaxhimin e ofrimit të shërbimeve, siç janë sidomos rastet e licencave apo dhe gjobat selektive që vendosen shpesh nga subjektet shtetërore, mundet fare mirë të gjejnë përgjigje në këtë gjykatë. Ky institucion luan dhe rolin e gjykatës së shkallës së dytë, në lidhje me vendimet administrative që jo pak herë lënë për të dëshiruar për cilësinë e tyre. Kjo gjykatë, duke qenë një gjykatë e specializuar, do të ndikojë në rritjen e cilësisë së akteve administrative, me pasojë shfuqizimin e tyre. Gjykata Administrative bën të mundur evitimin e ndikimit politik në vendimet administrative. Pra, Gjykata Administrative nuk është vetëm një gjykatë e specializuar, e cila do të përshpejtonte shumë gjyqe të rëndësishme. Nuk është thjesht një mekanizëm i cili ndihmon zhvillimin e tregut. Vendimet e kësaj gjykate nuk i sjellin shoqërisë vetëm përfitime në kuptimin ekonomik. Por kjo gjykatë luan dhe një rol mjaft të rëndësishëm politik, siç është kontrolli ligjor i akteve administrative të ekzekutivit apo dhe i abuzimeve të administratës publike. Me pak fjalë, ngritja e kësaj gjykate dobëson rolin e pushtetit ekzekutiv. Janë pikërisht këto arsyet të cilat e bëjnë klasën politike dhe sidomos opozitën t’i shmanget këtij procesi. Pse? Sepse kasta politike është shumë më pragmatiste dhe shumë më pak e interesuar për drejtësinë sociale. Kështu, opozita përpiqet të shmangë miratimin e ligjit në këtë moment, sepse ajo humbet rastin për të emëruar gjyqtarët që do t’i shërbenin më shumë kësaj force. Nga ana tjetër dhe pozita, nisur nga kushtet oportune aktuale, përpiqet të përshpejtojë miratimin e ligjit me të njëjtin objektiv. Shqetësimi i politikës, pra, duket se nuk është te ligji per se, por se cila forcë politike do bëjë ekzekutimin e tij.

Wednesday 29 September 2010

Nacionalizmi përmes fesë

Nacionalizmi përmes fesë

http://www.mapo.al/index.php?z=lexo&category=0&id=2608&titulli=nacionalizmi-permes-fese


SHKRUAN: Fabian Zhilla 29-09-2010 15:17 Gazeta Mapo

Një i ri aksidentohet nё jug tё Shqipёrisё dhe shkaku, sipas disa versioneve ende të pa konfirmuara nё njё vendim gjykate, ishte moskomunikimi nё gjuhën shqipe por nё një gjuhё tё huaj. Kjo ngjarje çuditёrisht detyroi shumё politikane tё akuzojnë, por dhe tё shfajёsohen, por nxiti dhe shumё analistё tё shpalosin polemikat e tyre. Gazetat u mbushën me komente dhe kjo ngjarje u bё subjekt dhe i disa emisioneve televizive. Por çfarë kishte tё veçantë nё tё gjithё kёtё ‘aksident’, qё tё ndizeshin kaq shumë qirinj? Cila qe kjo gjuhë qё provokoi gjithё kёtё debat? Kjo ishte gjuha greke. Motivi, jo i aksidentit, pasi kёtё ende nuk e dimë, por i tё gjithё kësaj polemike politike, ёshtё njё shkasë që lidhet me Greqinё. Sipas tё indinjuarve, shkasa ishte keqkuptimi gjuhësor ku dikush kish folur shqip dhe tjetri greqisht. Si tё mësuar me ‘grindje’ tё kësaj natyre, nuk na bёnё përshtypje show off-t e Bollanos, zyrtarëve tё PBDNJ-së apo dhe emocionet politike tё disa deputetёve grekë. Po ajo qё tё bёn përshtypje ёshtё paradoksi qё ka prodhuar kjo ngjarje. Nё njёrёn anё PBDNJ pretendon se motivet e ‘krimit’ lidhen me ndjenja nacionaliste shqiptare. Dhe nga ana tjetër Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri Sianidhi, nё meshёn e mbajtur pёr tё ndjerin, e paraqiti ngjarjen si martirizim pёr hir tё krishtërimit. Ai e rreshtoi viktimën Guma nё radhёn e martirёve ortodoksë tё rёnё nё Shqipёri qё nga ‘sundimi turk’(“Gazeta Shqiptare”, 24/09/2010). Pra, bakgroundi i meshës kishte tone të nacionalizmit grek. Leksiku i Metropolitit tё Gjirokastёr tё çon nё njё silogjizëm tё thjeshtё, atё se kush vdes pёr hir tё gjuhës greke ёshtё martir i krishterimit. Ky silogjizëm tё rifreskon, qoftё edhe pa dashje, tezat e hershme tё Megalidesё, sipas sё cilës çdo ortodoks ёshtё grek. Pra, kushdo që vdes për diçka që lidhet me kozmografinë greke vdes në emër të të gjithë ortodoksisë. Nё fakt, feja sipas literaturës ёshtё njё ndёr përbërësit kryesorë tё nacionalizmit modern. Sipas Rieffer (2003), shumё nga lëvizjet nacionaliste tё shekullit 20-tё kanё pasur njё motiv tё fortё religjioz. Smith (1999) nënvizon se feja ёshtё përdorur gjerёsisht si mekanizёm nё konsolidimin e nacionalizmit modern polak, irlandez dhe izraelit. Nga ana tjetër, Spohn (2003) cilëson se nacionalizmi modern ka kombinuar me shumё efikasitet fenё dhe kombin pёr ngritjen e tij. Ai gjithashtu nёnvizon se pёrzierja fe - komb ёshtё përdorur edhe si një mekanizёm mbrojtёs ndaj qasjeve tё fundit tё globalizmit. Ndёrsa nacionalizmi fetaro-etnik nё Ballkan ka rrёnjё tё hershme historike. Ivekovic (2002) nёnvizon se besimet fetare nё Ballkan janё imponuar qёllimisht nё projekte etniko-nacionale. Ai shprehet se ‘politizimi i fesё ёshtё ndjekur nga konfesizimi i jetёs publike, duke garantuar privilegje pёr ata qё dominonjnё zgjedhjet politike’. Dhe kjo lloj qasje vazhdon tё jetё eminente dhe nё vende tё cilat i janё bashkuar Komunitetit Europian prej kohёsh, siç ёshtё dhe shteti grek. Nё kёtё shtet kjo pёrzierje ka lujatur njё rol tё rёndёsishёm jo vetёm nё sjelljet me fqinjёt, por edhe nё politikat e emigracionit, atё qё Triandafyllidou dhe Veikou (2002) do ta cilёsonin si ‘Hierarkia e grekëzimit’. Sipas tyre, edhe politikat e emigracionit tё shtetit modern grek do tё bazoheshin nё kritere nacionale dhe fetare, ku prioritet do t’i jipej tё ashtёquajturve grekё Pontic (tё cilёt vinin nga bregu lindor i Detit tё Zi) dhe atyre qё vinin nga ‘Vorio Epiri’. Kёta tё fundit definoheshin si ‘shtetas shqiptar kryesisht nga jugu i Shqipёrisë, me origjinё greke dhe me fe ortodokse’.

Cili ёshtё shqetёsimi?

Pikёsёpari, pёrdorimi i fesё ortodokse nё interes tё nacionalizmit grek do tё krijonte fillimisht pakёnaqёsi brenda komunitetin ortodoks shqiptar me kombёsi shqiptare. Grekëzimi i ortodoksëve shqiptarë apo e anasjellta do tё nxirrte Kishёn ortodokse shqiptare nga funksioni i saj fetar dhe do ta kthente atë nё njё makineri propagandistike pёr shtetin fqinj. Ortodoksёt me kombёsi shqiptare me tё drejtё do ta shihnin Kishёn ortodokse jo mё si njё kult besimi, por si njё ‘pёrfaqёsi diplomatike’ tё njё shteti tё huaj.

Pikёsёdyti, lidhja e martirizimit fetar me gjuhёn do t’i sillte mjaft probleme njё shoqёrie e cila rrethohet nga shumё fqinjё, tё cilёt janё shumё të ndjeshëm nё çёshtjet e kombit dhe fesё. Paramendo çfarё pasigurie mund tё prodhojё kjo brenda shtetasve shqiptarë tё cilёt flasin gjuhё si serbo-kroatishtja. Nga ana tjetër, një ngjarje e tillë sporadike, por e ngritur në fenomen, mund tё shkaktojë efektin domino. Nё rast se një shqiptar mund të ‘aksidentohet/vritet’ nё Greqi se flet shqip mundet fare mirë tё politizohet dhe tё konsiderohet dhe ai si martir i fesë që përfaqëson, p.sh. fenë myslimane ose atё katolike. Kjo mund të ndodhë edhe me shtetasit maqedonas.

Shqiptarëve sot e tutje, mbase do t’u duhet tё tregohen mjaft tё kujdesshёm, tashmё, dhe nё aksidentet rrugore nё tё cilat makina e aksidentuar mund te jete me targa greke. Edhe ky artifakt fare mirё mund tё interpretohet si ‘martirizim pёr shkak tё gjuhёs ose fesё’.

Pёr kёtё qёllim, prononcimet e klerit ortodoks duhet tё jenё shumё mё tё kujdesshme nё ngjarje tё kёsaj natyre. Besimet fetare kanё njё rol tё rёndёsishёm nё kohezionin social. Shoqёria shqiptare me njё maxhorancё tё theksuar muslimane ka treguar se ёshtё shёmbull i harmonisё fetare ne Europё. Pёrfshirja e fesё nё çёshtjet e nacionalizmit do ta prishte kёtё harmoni dhe do tё krijonte pasiguri dhe konflikte tё paqёna. Nё meshёn e tё ndjerit Guma, Metropoliti i Gjirokastrёs ndёr tё tjera u duk sikur bёri dhe njё kryqёsizim tё nacionalizmit grek.

Tuesday 21 September 2010

Sinqeriteti Presidentit

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian%20Zhilla&id=181
Shkruan:
Fabian Zhilla
21-09-2010 12:39

Sinqeritet i Presidentit

Nё takimin e tij tё radhës nё Kёshillin e Lartё tё Drejtёsisё, Presidenti Topi do tё risillte nё vёmendje problematikёn qё ka ngёrthyer gjyqёsorin shqiptar. Ai do tё pёrdorte disa fjalё kyçe tё cilat herё tё duket sikur tingёllojnё individualisht pёr gjyqtaret dhe herё pёr tё gjithё sistemin. Fjali si “sistemi i drejtёsisё duhet të jetë më i vëmendshëm, më i kujdesshëm, më profesional, duhet të demonstrojë më shumë protagonizëm … [dhe se ] “sistemi i drejtësisë nuk mund të rrijë si spektator”, janё padyshim fraza tё cilat nёnvizojnё pёr tё disatёn herё nё gojёn e Presidentit se ku ёshtё situata e gjyqёsorit sot.

Megjithatё, ajo qё zakonisht i mungon retorikёs sё institucionit qё ky President përfaqëson, ёshtё se nuk mjafton vetёm identifikimi i problemit por dhe i mbajtjes sё pёrgjegjёsisё pёr tё. Nё shumicёn e prononcimeve tё kёtij insitucioni tё krijohet ideja se ai nuk ёshtё njё institucion publik, por njё shoqatё jo-qeveritare qё monitoron gjyqёsorin. Presidenti nё shumё raste merr dhe karakter akademik, duke i trajtuar gjyqtarёt si studentё tё cilёt kanё nёvojё tё mёsojnё sesi duhet tё sillen me publikun dhe si tё mbrojnё veten e tyre ndaj sulmeve politike. Por, a duhet edhe Presidenti tё ndihet fajtor pёr kёtё situatё? Pa dyshim qё po dhe ato janё sa institucionale por dhe morale. Lex non distinguitur nos non distinguere debemus (ligji nuk favorizon dikё prandaj dhe ne jemi tё detyruar tё mos favorizojmё).

Sё pari, ligjёrisht Presidenti ka tё gjitha mundёsitё pёr tё ushtruar njё kontroll nё strategjitё e sistemit gjyqёsor. Sipas Kushtetutёs, Presidenti emёron anёtarёt dhe kryetarin e Gjykatёs Kushtetuese dhe atё tё Gjykatёs sё Lartё; Gjykata Kushtetuese nuk mund tё vihet nё lёvizje pa kёrkesёn e Presidentit; Ai ёshtё gjithashtu kryetar i Kёshillit tё Lartё tё Drejtesisё (KLD); ky Kёshill me propozimin e Presidentit zgjedh zёvendёskryetarin, i cili dhe e menaxhon atё praktikisht; Presidenti emёron gjithashtu dhe Prokurorin e Pёrgjithshёm (nenet 125-149). Pra nёpёrmjet emёrimeve nё gjykatat mё tё larta, Institucioni i Presidentit i ka tё gjitha mundёsitё pёr tё ushtruar politikat apo vizionet e tij nё sistemin e drejtёsisё. KLD-ja, e cila drejtohet prej tij, ka jo vetёm rol organizativ, por dhe inspektiv. Pra, Presidenti ligjёrisht dhe institucionalisht ka mundёsi objektive pёr tё ndryshuar diçka nё mёnyrё themelore nё sistemin e drejtёsisё.

Sё dyti, koha nё dispozicion qё ka pasur ky President ka qenё plotёsisht e mjaftueshme pёr tё realizuar tё paktёn njё politikё rrёnjёsore nё lidhje me luftёn ndaj korrupsionit dhe instalimin e meritokracisё nё drejtёsi. Janё rreth 4 vjet qё Presidenti Topi kryeson KLD-në dhe nё mandatin e tij numri i emёrimeve tё gjyqtarёve, por dhe ndryshimet nё sistemin gjyqёsor nё pёrgjithёsi, kanё qёnё nga mё dinamiket. Kujtojmё kёtu mbylljen dhe hapjen e disa gjykatave nё vend si dhe emёrimet sё fundi nga KLD tё shumё gjyqtarёve nё disa gjykata apeli tё rёndёsishme apo dhe ato tё karrierёs. Nёn mandatin e kёtij Presidenti ende nuk ёshtё arritur tё pёrfundohet njё sistem vlerёsimi pёr gjyqtarёt, i ngelur nё faza eksperimentale. Ende KLD-ja e kryesuar prej tij i emёron gjyqёtarёt nё kushte anonimiteti. Megjithёse Konferenca Gjyqёsore Kombёtare ka dёshtuar nё funksionimin e saj, ende nuk ka njё ndryshim nё ligjin e saj pёrkatёs. Mungon njё strategji e qartё nё lidhje me luftёn ndaj korrupsionit nё sistemin e drejtёsisё, e cila tё jetё e iniciuar nga Presidenti me ndihmёn e komunitetit tё gjyqtarёve. Me pak fjalё, Presidenti nuk mund tё shfajësohet publikisht duke kritikuar gjyqtarёt nё mbledhjet e KLD-së apo sa herё pёruron ndonjё ambient tё ri gjykate. Ky institucion duhet tё pranojё pёrgjegjёsitё e tij pёr dёshtimin e sistemit tё drejtёsisё dhe tё tregohet i sinqertё. Nuk mund tё mёsosh gjyqtarёt si tё sillen me politikanёt, kur vetё Presidenti bёn politikё me ta. Pёr atё qё sot ndodh nё gjyqësor, Presidenti duhet tё marrë pёrgjegjёsitë e tij.

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian+Zhilla&id=164
Shkruan:
Fabian Zhilla
16-09-2010 12:17

Krimi ekonomik dhe konflikti i interesit politik

Ndryshimet e koalicionit qeverisës hapën siparin e një diskutimi të ri në lidhje me brishtësinë e qeverisjes aktuale, duke asnjanësuar një aspekt pozitiv në këtë rokadë: Akuzat që lidhen me ish-ministrin e Ekonomisë, Prifti. Pra, nëse kjo lëvizje është bërë pikërisht për të pastruar koalicionin nga ’mëkate’ që lidhen me krimin ekonomik, atëherë duhet mirëpritur. Por nëse ato lidhen me trafik kontrolli brenda koalicionit qeverisës, atëherë analiza e ndryshimeve të fundit humbet çdo lloj interesi pozitiv. Është shumë e rëndësishme të evidentohet se krimi ekonomik është aktualisht një ndër krimet më problematikë në arenën ndërkombëtare. Vetë fakti që ai kryhet nga njerëz me pozitë dhe pushtet dhe jo vetëm, e bën luftën ndaj këtij krimi mjaft të vështirë.

Krimi ekonomik sot është një ndër krimet më shqetësuese edhe për vende me institucione tradicionalisht të konsoliduara siç janë ShBA dhe Komuniteti Europian. Vetëm në vitin 2004 në Mbretërinë e Bashkuar biznesi vendas do të humbte rreth 40 bilionë Paund ose rreth 100 milionë Paund në ditë nga krimi ekonomik (BBC 17/10/2004). Ekonomia gri në vende si Spanja dhe Italia përbën rreth 20 % të GDP-së. Ndërsa në ShBA vetëm vlera e aseteve të konfiskuara si rezultat i pastrimit të parave për vitin 2001 shkonte në rreth 386 milionë Dollarë. (Reuter dhe Truman 2004).

Për këtë arsye lufta ndaj krimit ekonomik kërkon mbi të gjitha një aksion politik dhe më pas institucional. Nuk mund të pretendosh që të drejtosh ekonominë e vendit sipas parimeve të tregut të lirë, kur vetë klasa politike është iniciuese e monopoleve apo oligopoleve. Kur shumica e bizneseve që kontrollojnë ekonominë e vendit kanë lidhje të forta me kastën politike. Kur për çdo ndërtim do të duhet të mendosh për taksën ‘politike’. Do të tregoheshim naivë nëse do ta quanim të fituar betejën ndaj krimit ekonomik dhe korrupsionit pa një angazhim të sinqertë të të gjithë klasës politike.

Krimi ekonomik në Shqipëri ka njohur një rritje shqetësuese pikërisht për vetë klimën korruptive që e karakterizon këtë shoqëri. Sipas statistikave më të fundit të Policisë së Shtetit, që datojnë vitin 2008, vetëm gjatë atij viti janë goditur 40 grupe, 11 grupe më shumë se në vitin 2006 dhe 29 më shumë se në vitin 2005. Është për t’u theksuar se ky është vetëm numri i organizatave të goditura dhe jo i atyre që operojnë në vend. Megjithatë, në të gjithë këtë bilanc të dhënash nuk figuron asnjë figurë e lartë publike qoftë nga pozita por dhe opozita. Me pak fjalë, nëse ka disa arritje modeste në luftën ndaj krimit ekonomik ‘jo politik’, kjo nuk ndodh në atë ‘politik’. Pse ndodh kjo?

Së pari, klasa politike është në konflikt të hapur interesi me çfarëdo lloj iniciative apo reforme që lidhet me luftën kundër krimit ekonomik. Nuk mund të presësh nga qeveritarë apo opozitarë, të cilët lakohen rëndom për përfshirje në biznese të dyshimta, që të ndërmarrin hapa konkretë në luftën kundër krimit ekonomik.

Së dyti, institucionet të cilat merren me luftën ndaj krimit ekonomik janë krejtësisht të varura nga ekzekutivi. Si Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave pranë Ministrisë së Financave dhe Drejtoria e Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë janë nën kontrollin e ekzekutivit. Edhe Task Forca e ngritur për këtë qëllim nuk ka infrastrukturën e duhur si në njerëz dhe mjete për të investiguar këtë krim kaq kompleks.

Për këtë shkak, ndryshimet e fundit qeveritare nuk përbëjnë ndonjë interes të veçantë nëse përfundojnë këtu. Ajo çfarë publiku pret me ngulm është se si do të përfundojnë çështjet e nisura për korrupsion dhe krim ekonomik. Sot ky është imperativi moral qeverisës. Ka një tregues për të kuptuar nëse ndryshimet e fundit kanë si qëllim luftën ndaj krimit ekonomik. Dhe ky do të ishte që këto ndryshime të vazhdonin edhe brenda kampit blu.

Si duhet tё reagojmё

Si duhet tё reagojmё

Nё njё vend ku elita e tij politike akuzohet nё mёnyrё permanente pёr afera korruptive dilema e ekzistencializmit social tё tij ёshtё madhore. Mark Warren do tё cilёsonte se qeveritё duhen pikёrisht nё atё çast kur individёt humbin besimin tek njёri tjetri. Çfarё duhet thёnё tё bёjmё kur kemi humbur besimin dhe tek qeverisja? Sic shihet metastazat e korrupsionit kanё pёrfshirё si pushtetin lokal dhe atё qёndror. Ushtarё tё tё dy kampeve ngulçojnё tё shfaqin virgjёrinё e tyre ndёrkohё qё numri i klientёve ‘shfrytёzues’ ju rritet pёrnatё. Sjelljet teatrale e kllounёve tё moralit tё cilёt mbajnё mbi supe dhjetra dosje janё vёrtet patetike. Ekranet e mediave nxihen nga politikanё qё herё sillen si prokurorё e hetues dhe herё si teologё tё demokracisё. Kjo situatё pёrcёlluese po bёn qё publiku tё bezdiset deri nё neveri. Po bёn qё shumkush tё bomardohet deri nё shurdhim mё ekuinoksin politike-korrupsion. Publiku jo mё i çuditur me faktet sesa me sjelljet traumatike tё inxhiniereve tё korrupsionit , po pёrpiqet t’i gjej njё zgjidhje vetes. Ajo qё duket se tё gjithe ne pёrpiqemi tё bёjmё ёshtё injorimi i asaj qё ndodh. Ёshtё tё tregohemi pёrbuzёs ndaj asaj qё shohim e dёgjojmё. Pёrpiqemi tё mos i krijojmё audiencё kёsaj shfaqeje tё mirazhtё tё puritanizmit politik. Nuk duam mё tё mashtrohemi me moralizёm tё pamoralshёm. Nuk duam tё dёgjojmё mё histori grabitjesh. Pёrpiqemi tё mos ta ndjejmё veten pjesё e kёtij skenari. Por a ёshtё kjo mёnyra mё e mirё se si duhet tё reagojmё? A do tё na ndihmonte vёrtet tё bёrit indiferent nё situata tё tilla ku korrupsioni vallzon ‘bally dancing’?

Studiues tё ndryshёm tё korrupsionit mendojnё sё njё ndёr faktorёt me rezultativ ёshtё oponenca kolektive e cila pёrfshin shumё aktorё jo qeveritarё. Duke filluar qё nga qytetari mё i thjeshtё, shoqёria civile, kastat akademike, mediat, komunitetet fetare, dhe deri tek bisneset private.

Profesor Lambsdorf (2008) cilёson se njё ndёr mёnyrat me efikase tё luftёs kundёr korrupsionit ёshtё presioni publik deri nё gjenezё. Aktorёt e korrupsionit vuajnё nga paranoja e mungesёs sё besimit tek kundёrshtarёt e tyre. Dhe sipas Lambsdorf ёshtё pikёrisht kjo ‘thembra e akilit’ e cila duhet shfrytёzuar nga publiku pёr tё denoncuar aktet korruptive. Ajo qё po ndodh sot me klasёn politike nuk ёshtё as mё shumё dhe as mё pak njё krizё mosbesimi midis tё korruptuarve.

Shoqёria civile nga ana tjetёr duhet tё sinkronizojё mё publikun. Politika nё shoqёrite tranzitorё e pёrdor korrupsionin si mjet kontrolli. Ajo pёrpiqet sipas Prof. Khan (1998)qё nё shoqёri tё tilla ku shoqёria civile nuk pёrfaqёson shtresёn e mesme, t’i neutralizojё ato nёpёrmjet krijimit tё njё konkurence pёr grante apo benefite tё llojeve te ndryshme. Nё kёtё aspekt duke iu kthyer teorisё sё ‘paranojёs’ tё Prof. Lambsdorf, shoqёria civile nuk duhet tё komportojё sic ka ndodhur deri tani por tё luajё rolin e saj klasik tё proklamuar nga Antonio Gramsci qё nё vitin 1920 –tё mbikqyri shtetin duke mbrojtur interesat e publikut.

Roli i bisnesit privat ёshtё gjithashtu shumё i rёndesishёm nё kёtё proçes. Megjithёse qёllimi i kёtij tё fundit ёshtё maksimizimi fitimit kjo s’do tё thotё se ai mund tё arrihet vetёm duke deformuar tregun e lirё nёpёrmjet lidhjeve me politikёn. Elita politika nё aktivitetin e saj korruptiv partnerin mё tё ngushtё ka bisnesin privat. Sipas raportit mё tё fundit tё Transparency International The Global Corruption Report 2009, nё Britaninё e Madhe rreth 40% e tregut kontrollohet nga kompani me lidhje tё forta me politikёn dhe kjo marrdhёnie shkon deri nё 80% nё tregun Rus. Pёr kёtё qёllim sektori privat nuk duhet tё tregohet indiferent por tё shmangi pёrfitimit e padrejta duke ulur kёshtu mundёsitё e kastёs politike pёr tё pastruar pёrfitimet e paligjshme. Sipas raportit tё mёsipёrm shumica e drejtuesve tё bisneseve e sheh favorizimin pёr shkaqe korruptive, si njё ndёr faktorёt mё negative nё zhvillimin e bisnesit tё tyre, kjo krahasuar edhe me infrastrukturёn difektoze apo dhe me korrupsionin nё gjyqsor.

Po ashtu aktorё tё tjerё publikё sipas Hofstede (1997) si media, akademikёt por dhe komunitetet fetare zёnё njё rol primar nё denoncimin e korrupsionit politik. Apatia e kёtyre segmentёve tё rёndёsishёm shoqёrorё nuk bёn gjё tjetёr vetёm se krijon atё qё Hofstede do ta cilёsontё si karakterstike tё shoqёrive me korrupsion tё lartё –distancimi I qeverisjes qёndrore nga shoqёria. Sa mё e lartё tё jetё kjo distancё aq mё i vёshtirё kontrolli i publikut mbi qeverisjen e tij. Nё njё vend ku institucione si gjykata dhe prokuroria ndihen tё mpira nga pushteti politik, shoqёrise I duhet tё reagojё mё tё gjithё substancёn e saj. Kjo materie pёrfshin cdo element qё nuk lidhet drejt pёr sё drejti me qeverisjen.

Me pak fjalё nёse shoqёria civile sё bashku me mediat, akademikёt por dhe komunitetet fetare do tё luanin rolin moral nё betejёn kundёr korrupsionit, roli bisnesit privat do tё ishte ai i kufizimit tё burimeve financiare. Megjithatё tё gjithё kёta aktorё kaq tё rёndёsishёm do tё duhet tё dakortonin nё njё parim atё tё tё qёnit proaktiv nё kёtё fushatё. Indiferenca, apatia, mos pёrfillja e asaj qё ndodh nuk do tё na ndihmonte. Tashmё ky fenomen por rrezikon tё kthehet nё fobi pёr shoqёrinё shqiptare. Duke mos reaguar nuk do tё bёjmё gjё tjetёr por vetёm se do ta oksigjenojmё mё shumё korrupsionin politik i cili po na mbyt tё gjithёve. Nuk duhet qё elita politike ta dirigjojё shoqёrinё nё fatalizmin se korrupsioni tek Shqiptarёt ёshtё cёshtje kulturore. Gёnjёshtra me e madhe qё nuk do tё duhet tё besojmё ёshtё pikёrisht kjo. Dhe pёr kёtё nuk duhet tё tregohemi indiferent por tё reagojmё kolektivisht.

Nga Fabian Zhilla

Botuar ne Gazeten Mapo Shtator 2010

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian+Zhilla&id=119

Shkruan:
Fabian Zhilla
02-09-2010 11:26

Prokurorisë i duhet një precedent pozitiv

Pas një serie replikash të kastës politike në lidhje me korrupsionin, institucionet ligjzbatuese u detyruan të prishin pushimet e verës. Në një muaj krejt të pazakontë në historikun shqiptar të betejës anti-korrupsion, Prokuroria thërret në radhë deputetë të majtë e të djathtë për të dhënë versionet e tyre në lidhje me akuzat e ndërsjella. Është sa inkurajuese të shohësh që politikës i kërkohen shpjegime dhe përgjegjësi nga Prokuroria, por dhe dekurajuese në të njëjtën kohë që kjo e fundit, dhe jo vetëm, reagon vetëm pas një tragji-komedie mediatike, e cila dirigjohet nga vetë politika.

Do të ishte ende herët të dilej në një konkluzion për rezultatin e hetimeve, por një gjë është e rëndësishme për t’u evidentuar - organi i akuzës në përgjithësi ka dështuar në hetimin e ngjarjeve që lidhen me korrupsionin politik. Kjo për një arsyen e thjeshtë se çështjet që lidhen me korrupsionin politik ndizen dhe veniten po prej autorëve të tyre - politikanëve.

Edhe në rastet konkrete ishin politikanë ata që përmendën fakte dhe madje disa prej tyre dhe i proklamuan mediatikisht. Madje, mund të thuash pa hezitim se, nëse klasa politike ka bërë një hop pozitiv në lidhje me problematikën e shfaqur, Prokuroria lë ende për të dëshiruar. Akuza që lidhen me korrupsionin e lejeve të ndërtimit kanë kohë që artikulohen dhe presin përgjigje nga publiku. E reja e vetme e kësaj furtune të radhës nuk ishin vetëm disa emra të rinj politikanësh por ishte mekanizmi i ri korruptiv-koncesionet. Pra, kjo ngjarje, si shumë të tjera të para saj, kanë subjekt të njëjtë por mekanizma të ndryshëm korruptiv. Me pak fjalë, kemi disa politikanë të rinj dhe të vjetër që akuzohen për të njëjtën gjë - korrupsion. Shqetësimet që lindin janë se a do të trajtohen çështjet e reja korruptive si ato të vjetrat? A do të vazhdojë Prokuroria të shfajësohet në moseficencën e saj pas alibisë së imunitetit të deputetëve. Bilanci i Prokurorisë në këtë aspekt nuk është fare inkurajues. Ende nuk kemi sot një politikan të dënuar për korrupsion. Me pak fjalë, Prokuroria nuk po arrin ende të krijojë një precedent të suksesshëm në këtë drejtim. Dhe për t’u ndryshuar lipset që ky institucion, por dhe institucione të tjera ligjzbatuese, së paku të ndryshojnë disa gjëra në thelb.

Pikësëpari, këto organizma duhet të krijojnë një pavarësi jo vetëm institucionale nga politika por dhe profesionale. Duhet që rastet të cilat lidhen me dyshime të rënda të korrupsionit politik të mos pritet të pronësohen nga politika. Kjo e fundit më pas, me të gjitha gjasat, siç edhe përvoja tregon, do të përpiqet të ruajë pronësinë e këtyre çështjeve. Kjo do të thotë që e gjithë hallka e hetimit, e cila varet nga faktet dhe dëshmitë, të kontrollohet nga iniciuesit e saj. Kjo padyshim e vendos në një pozitë shumë të disfavorshme Prokurorinë, pasi ajo e ka të vështirë të zhvillojë hetimet në konfidencialitet të plotë, kjo si pasojë e zhurmës politike të krijuar.

Pikësëdyti, Prokuroria dhe jo vetëm, duhet t’i shmanget lojës së politikës dhe të kryejë funksionin e saj ligjor. Ajo nuk duhet të bjerë në kurthet politike, të cilat realisht nuk duket të kenë si qëllim goditjen e korrupsionit, por atë të kundërshtarit politik. Klasës politike i intereson vetëm publiciteti i ngjarjes me qëllim zhvlerësimin politik. Në shumicën e rasteve kjo e fundit është treguar shumë e kujdesshme që politikanët të shantazhohen politikisht, por jo të dënohen. Nga ana tjetër, organet ligjzbatuese në përgjithësi dhe Prokuroria në veçanti, me dashje ose jo, kanë arritur të bien në këtë grackë. Shohim shpesh politikanë që përdorin godinën e Prokurorisë dhe të Gjykatës për konferencat e shtypit, por s’kemi parë asnjë prokuror të prononcohet publikisht për dosje të përfunduara.

Organet ligjzbatuese kanë të gjithë platformën ligjorë dhe instrumentet e duhura që në çfarëdolloj rasti të korrupsionit politik ku ka indicie serioze, të mbledhin fakte. Këto të fundit do të shërbenin të paktën për fazën paraprake të ngritjes së akuzës. Ajo që publiku pret dhe që ndihet skeptik është përfundimi. Sa efikase do të tregohet Prokuroria dhe, jo vetëm në rastet e fundit, apo dhe ajo do të luajë lojën e saj politike?

Për të thyer këtë tabu, organeve ligjzbatuese në përgjithësi dhe Prokurorisë në veçanti i duhet një precedent pozitiv. Ngjarjet e fundit mund të jenë një rast i mirë për ta provuar këtë gjë.

Efektet negative tё akuzave politike pёr korrupsion

Efektet negative tё akuzave politike pёr korrupsion

Ta thuash sot se njё politikan ёshtё i korruptuar duket se nuk pёrbёn mё lajm dhe kjo ёshtё risia mё negative e rradhёs qё klasa politike po i servir publikut. Tё ashtёquajturave denoncime publike tё akteve korruptive qё politikanёt nё mёnyre tё vazhdueshme po i bёjnё njёri tjetrit duket se nuk po funksiononjnё. Dhe kjo pёr faj tё tyre. Ky lloj formati I ‘vox politikёs’, ku shumё akuzohet dhe askush nuk dёnohet, nuk po bёn gjё tjetёr vetёm se po diskretiton dhe njё ndёr mekanizmat mё tё rёndёsishёm tё funksionimit tё demokracisё--transparencёn.

Pёr mё shumё se tre muaj retorika politike ёshtё e veshur me akuza tё ndёrsjellta ku tё dy palёt akuzojnё pёr afera tё frikshme korruptive. Opozita i ka decentralizuar akuzat e saj duke pretenduar se forca nё pushtet ёshtё kthyer nё njё mekanizёm qё pasuron familjen politke kryeministrore. Ndёrsa pala nё pozitё, i ka centralizuar akuzat vetёm tek kryetari I opozitёs. Planimetria e zhvillimit ёshtё po ajo--njёra palё akuzon tjetrёn dhe tjetra i pёrgjigjet po me akuzё. Por nga ana tjetёr, tё dy palёt shkёputen pёr njё moment nga qёllimi i pretenduar, i cili ёshtё lufta ndaj korrupsionit dhe vijojnё me atё qё duket tё jetё insinuate reale e ngjarjes -- tё pasurit gjithmon tension politik. Pa dyshim qё ka dhe njё sinkron institucional sesi do tё vijohet beteja por me pak veçori--opozita preferon tё mbush sertarёt e prokurorisё me dosje dhe pozita ka zgjedhur ndёr tё tjera mekanizmin e komisioneve parlamentare pёr tё cilёn ka kaluar çfarё do lloj parashikimi nё numrin e madh e tyre qё inicion pёr tё tilla raste. Megjithatё, fabula ёshtё siguruar tё ketё njё ‘happy end’; nё fund asnjё politikan nuk ёshtё i destinuar tё dёnohet ligjёrisht.

Megjithatё, natyrshёm lind pyetja se kush ёshtё problematika qё prodhon ky lloj shantazhimi politik? A rrezikon ky lloj procesi i paefektshёm tё shurdhojё publikun duke e bёrё atё tё ndjehet krejtёsisht indiferent pёr tё tilla situata?

Nё pamje tё parё kjo pёrplasje politike nuk pёrbёn problem, madje duhet inkurajuar , por mos efikasiteti i saj rrezikon tё prodhojё dy efekte tё kundёrta :

Sё pari, apatinё institucionale nё luftёn ndaj korrupsionit. Sot janё me dhjetra akuzat pёr korrupsion dhe pёr shpifje qё presin tё trajtohen nga prokuroria dhe tё gjykohen nё gjykatat pёrkatёse. Por ajo qё po ndodh ёshtё se te dyja kёto institucionё kanё njё reagim tёrёsisht sifilik nё kёtё drejtim. Gjyqet ose mbyllen pёr shkaqe banale sic janё rastet e shkeljeve tё afateve proçeduriale ose prokuroria i mbyll hetimet pёr mungesё provash. Me pak fjalё, duket se ka njё mos pёrgjegjshmёri nga ana e kёtyre insititucioneve nё lidhje me procesin e luftёs ndaj korrupsionit sidomos kur ka tension politik. Dhe kjo vjen si rrezultat se si prokuroria ashtu edhe gjykatat kanё kuptuar se klasa politike nuk e ka marrё seriozisht kёtё proces. Akuzat e ndёrsjellta politike pёr korrupsion marrin njё intensitet tё caktuar nё faza pikantё pёr jetёn politike dhe zhduken nga radari i tyre kur kjo piku politik mbaron. Pikёrisht mos ndjekja e akuzave deri nё finalizmin e tyre nё gjykata ka sjellё qё kёto tё fundit tё tregohen skeptike . Kjo lloj situate e pёrsёritur ka prodhuar njё sjellje apatike tё prokurorisё dhe gjykatave kur flitet pёr raste korruptivё qё lidhen me tё ‘paprekshmit’.

Sё dyti, apatinё e publikut nё lidhje me denoncimin e akteve korruptive. Nёse nё mёnyrё permanente shoqёria do tё bombardohet nga korrupsioni marramёndas i disa funksionarёve kyç nё politik dhe do t’i shohi ata tё riciklohёn normalisht, pa dyshim kjo do tё sjellё uljen e sensivitetit tё shoqёrisё ndaj akteve korruptive. Tashmё shumё studime serioze kanё arritur nё konkluzionin se apatia shoqёrore ndaj luftёs anti-korrupsion ёshtё njё ndёr faktorёt determinant nё rritjen e nivelit tё korrupsionit nё atё vend. Njё shoqёri qё ёshtё dorёzuar dhe ka pranuar se tё merresh me politikё ёshtё normale qё tё korruptohesh ka shumё pak gjasa tё pёrmirёsohet nё kёtё drejtim.

Me pak fjalё, kjo sjellje politike me sipar korrupsionin nё vend qё tё rrisi transparencёn dhe tё ndihmojё publikun nё zgjedhjen e politikanёve me integritet dhe vizionarё po rrezikon tё prodhojё efektin e kundёrt. Kjo lloj komedie politike po rrit indeferentizmin shoqёror por dhe institucional ndaj fenomenit tё korrupsionit. Gradualisht korrupsioni politik po prodhon njё virus qё po i rreziston dy antibiotikёve mё tё rёndёsishёm ndaj tij sic janё lufta institucionale dhe reagimi shoqёror. Nёse kjo do tё ndodhё shumё shpejt shoqёria shqiptare nuk do tё ketё mё shёrim nga korrupsioni.

Nga Fabian Zhilla

Botuar ne Gazeten Mapo Gusht 2010

Anglishtja zgjidhje pёr Himarёn

Anglishtja zgjidhje pёr Himarёn

Ngjarja e Himarёs sjell dhe njё herё nё vёmendje se edhe çёshtje banale si provokimet me karakter etnik (tё paktёn kёshtu ёshtё lёnё tё kutpohet nga retorika politike) mund tё kthehen nё tragjedi. Po nga ana tjetёr janё po aq banale dhe arkaike mёnyra sesi klasa politike dhe shoqёria i trajton ato. Ajo qё ndodhi ёshtё pa dyshim njё krim. Çdo jetё njerёzore e cila merret me pa tё drejtё qoftё kjo e njё himarioti, vlonjati, greku apo shqiptari, ёshtё e papranueshme. Nuk mund tё justifikohet absolutisht veprimi ekstrem i tё riut qё kreu kёtё akt.

Por nga ana tjetёr dhe politizimi i ngjarjes ёshtё i pajustifikueshёm. Nё tё tilla ngjarje, janё organet kompetente qё shprehen dhe japin versionet zyrtare. Krimeve tё kёsaj natyre, dhe sidomos kur mendohet qё motivet mund tё jenё dhe me karakter etnik, shtete me qytetёrim tё konsoliduar, iu japin kohёn e nevojshme institucioneve tё specializuara. Nё vend tё retorikave politike do tё ishtё mё mirё qё problemeve permanente t’iu gjeheshin zgjidhje.

Po kush ishte problemi qё risolli nё vёmendje kjo ngjarje dhe kush mund tё jetё njё zgjidhje?

Sipas medias, motivi mё i lakuar nё kёtё ngjarje mendohet tё ketё qenё çёshtja e pёrdorimit tё gjuhёs greke dhe keqkuptimi qё solli ky komunikim. Dhe ajo qё ёshtё mё shqetёsuese ёshtё se ky problem arriti tё prodhojё njё krim. Pra nёse deri dje shteti shqiptar kishte mbyllur njё sy ndaj ankesave tё pushuesve shqiptarё nё Himarё, sot atij i duhet tё mendojё seriozisht njё zgjidhje. Nёse nё njё territor shqiptar gjuha zyrtare ёshtё edhe njё gjuhё e huaj si greqishtja dhe banorёt e zonёs preferojnё tё pёrdorin vetёm kёtё gjuhё komunikimi me turistёt, atёherё duhet gjetur njё zgjidhje e cila lidhet po me gjuhёn. Nё kёtё drejtim njё variant i cili mund tё jetё dhe sui generis, karakteristike kjo pёr shtete si Shqipёria, ёshtё qё nё zonёn e Himarёs pёrveç shqipes dhe greqishtes formalisht dhe informalisht, gjuhё zyrtare tё jetё dhe anglishtja. Edhe pse me nota tё theksuara sarkazme kjo mund tё jetё njё zgjidhje nё shuarjen e grindjeve. Pse?

Sё pari, anglishtja ёshtё gjuhё ndёrkombёtare dhe si e tillё ёshtё neutrale dhe nuk do tё paragjykohej si element nacionalist nga tё dy palёt. Pёrkundrazi kjo do tё shёrbejё si urё komunikimi midis vendasve qё flasin greqisht dhe vendasve qё flasin shqip. Mund tё jetё njё mekanizёm psikologjik i cili mund t’i ndihmojё palёve tё kapёrcejnё kufijtё emocional gjuhёsor. Njё kafe e kёrkuar nga klienti nё gjuhёn angleze dhe e pёrcjellё nё po tё njёjtёn gjuhё nga kamarieri do tё shmangi butaforinё etnike. Bile do ta bёnte situatёn mё romantike dhe do t’i ndihmonte palёt tё ndiheshin mё perёndimorё.

Sё dyti, anglishtja edhe si gjuhё e turizmit, do tё detyronte banorёt e zonёs qё ta mёsojnё dhe ta praktikojnё atё mё gjerёsisht. Ky mekanizёm do t’i shёrbejё Himarёs pёr tё qenё mё atraktive edhe pёr turistёt jo shqip folёs. Pёr mё tёpёr, edhe pёr pushuesit shqiptarё, ky fakt mund tё jetё njё motiv mё shumё pёr tё mёsuar anglishten. Nga ana tjetёr duke mёsuar anglishten tё dyja palёt do tё mёsojnё dhe kulturёn e munguar tё komunikimit.

Sё treti, eksperimentimi i gjuhёs angleze nё Himarё, nёse rezulton i suksesshёm, mund tё na shёrbejё pёr raste tё ngjashme nё zona tё tjera turistike nё Shqipёri ku vendasit flasin gjuhё tё huaj. Ky shembull mund tё kontribuojё edhe pёr fqinjёt tanё tё cilёt kanё jo pak probleme tё kёsaj natyre.

Dhe sё fundi, kjo do tё pёrmirёsonte urat e komunikimit midis drejtuesve lokalё me ato qendrorё. Paramendoni kryetarin e Bashkisё sё Himarёs tё komunikojё me Kryeministrin nё gjuhёn angleze. Nga ana tjetёr nё njё rast konflikti nё Himarё, kur palёt tё kenё komunikuar nё gjuhёn angleze, edhe retorika klasёs politike do tё jetё e kursyer nga ngjyrimet etnike. Pёr mё tepёr dhe diplomatikisht do tё jemi mё tё mbrojtur. Nё raste tё ngjashme fqinji jugor do tё ndihet mё i qetё. Mё sё shumti ajo qё mund tё na ndodhё mund tё jetё njё reagim i ambasadёs Angleze, i cili nё cdo rast do tё jetё njё reagim shumё mё cilёsor.

Me pak fjalё, nё ato situata kur banaliteti kapёrcen cdo kufi je i detyruar tё mendosh edhe pёr zgjidhje cinike. Pёr tё shmangur konflikte etnike sa herё qё do tё na duhet tё pushojmё apo dhe kalojmё nё Himarё do tё ishte mё mirё tё komunikonim nё gjuhёn angleze.

Nga Fabian Zhilla

Botuar ne Gazeten Mapo Gusht 2010

Turizëm apo Turli-zëm

Turizëm apo Turli-zëm

Turizmi është një ndër sektorët më strategjik të proklamuara nga qeverisjet e stakierës së fundit. Megjithatë mjafton të rrugëtosh të ashtëquajturat resortet turistike tradicionale të vijës bregdetare dhe do të kuptosh se të pushuarit si turist në Shqipëri është ende larg standarteve të Komunitetit Evropian. Ky konstatim në fakt nuk qëndron për nivelin e cmimeve. Madje nuk do të ishtë aspak cinike shprehja që shpesh e dëgjon nga pushuesit vendas sipas të cilëve ‘Cmimet janë si të Evropës dhe shërbimet si të Enver Hoxhës’. Në një kohë krize ekonomike edhe vende të njohura në trajtimin e turizmit, në mënyrë profesionale përpiqen të përmirësojnë menaxhimin dhe të ofrojnë shërbime sa më kompetitive. Në Shqipëri kjo ende duket se nuk po gjen udhë. Nëse vazhdohet me këto ritme dhe me këtë cilësi shumë shpejt bregdeti shqiptar do të kthehet në një xhungël turistike ose turli-zëm, e cila do të merret si objekt studimi nga qarqet universitare si shembulli më i keq i menazhimit turistik.

Janë të shumta dilemat që duhet të zgjidhen në lidhje me një menazhim sa më cilësor të turizmit. Është për tu cilësuar se sot ka një strategji 6-vjecare për turizmin, ka një paketë ligjore e cila rregullon drejtpërsëdrejti shërbimet turistike ku një vënd të vecantë i është dhënë dhe mundësive të investimit nëpërmjet koncecionit. Megjithatë, situata turistike nuk është aspak clodhëse, madje acaruese. Ende ka probleme me cështjet e pronësisë gjë që ka sjellë pasiguri në lidhje me investimet afatgjata dhe strategjike. Ka një kaos ndërtimesh me një mungesë infrastrukture dhe organizimi social dhe kulturor. Ka një koncept tepër primitive në lidhje me ambjentet clodhëse të cilat konsistojnë vetëm në hotele apo pallate të betonizuara pa shije dhe pa një arkitekturë të përshtatshme. Në fakt sot turisti shqiptar në zonën e bregdetit po gjen disa qytete bregdetare por jo turistike. Ose ato të paktë nuk po menaxhohen si të tilla. Me pak fjalë edhe nëse ka një politike menaxheriale në lidhje me turizmin duket se ajo ka dështuar në implementimin e saj.

Kush mund të ishin disa nga ndërhyrjet afatshkurtër?

Së pari, duhet mundësuar identifikimi i turizmit ‘alla shqiptar’ me vencantite e tij. . Do të duhej që cfarë do lloj plani urbanistik të konfigurojë karakteristikat kulturore të zonës. Princi Charles së fundi do të humbte një betejë gjyqësore me një kompani investimi nga Dubai për kërkesat e tij deri në paranojë që kjo kompani në investimet e saj në Londër të ruante karakteristikat e qytetit. Pra ndërthurja e elementëve moderne me ato tradicionalë duhet të jetë një kriter ligjor për cdo ndërtim apo plan investimi në zonat e përcaktuara si turistike. Një turist i cili pushon në Velipojë duhet të kuptojë se po pushon aty dhe jo në zonën e Golemit jo vetëm nga tabelat në rrugë.

Së dyti, duhet që në mënyrë urgjente institucionet qëndrore por dhe ato lokale të fillojnë projekte pilot në lidhje me edukimin lokal qoftë në aspektin menaxherial por dhe kulturor të banorëve të zonës. Kjo duhet shoqëruar me politika drastike ambjentale. Resortet natyrore duhen kuptuar si pasuri kombëtare dhe si të tilla duhen mbrojtur jo vetëm nëpërmjet forcës së ligjit por dhe nëpërmjet politikave edukuese.

Së treti, edukimi qytetar në lidhje me mbrojtjen ambjentale duhet të marri një përshkallzim të shpejtë dhe duhet shtrirë në të gjitha moshat. Duhet që në mënyrë permanente të bëhen fushata promocionale në lidhje me rëndësinë e mbrojtjes së ambjentit. Sot, në vëndet e zhvilluara ka programe shkollore ku fëmijve iu mësohen se kush mbetje urbane janë të ciklueshme dhe përfitimi që vjen prej këtij procesi. Duhet pasur parasysh se menazhimi i turizmit është i lidhur ngushtësisht me pastertinë ambientale. Askush nuk do të donte të pushonte në një vend jo të pastër.

Me pak fjalë ajo që sot shoqëria duhet të kuptojë është se menazhimi i turizimit nuk duhet kuptuar vetëm më një grumbull ligjesh dhe politikash që lidhen me një qeveri dhe që këputen nga një tjetër. Menaxhimi turizmit është më shumë se kaq është ambjent natyror i paster, është histori e promovuar si duhet, është shë rbim i kulturuar, dhe mbi të gjitha është mikpritje qytetare. Pra është imperative që procesi i menazhimit të turizmit të fillojë të ngrihet në nivelin e një kulturë qytetare-- në të kundërt do të jetë vonë të kthejmë turli-zmin aktual në turizëm.

Nga Fabian Zhilla

Botuar ne Gazeten Mapo Gusht 2010

Shteti ligjor në lupën e 2010-ës

Shteti ligjor në lupën e 2010-ës

Mos funksionimi i të tre pushteteve në një demokraci tranzicionale e vendos të ardhmen social-ekonomike të një vendi në një pikëpyetje serioze. Nëse pushtete si legjislativi dhe gjyqësori nuk ruajnë në balancë ekzekutivin, demokracia institucionale rrezikon të kalojë në kolaps. Viti 2010 mund të konsiderohet një vit problematik në lidhje me funksionimin disporpocional të tre pushteteve. Madje, ajo që duhet cilësuar është se në periudhën më intensive të këtij viti (janar – korrik), demokracia institucionale ka funksionuar vetëm në aspektin administrativ. Dy pushtetet e tjera sikurse legjislativi dhe gjyqësori kanë qenë thuajse të sfazuar. Për këtë qëllim shteti ligjor për këtë periudhë ka funksionuar me 1/3 e tij, dhe me shumë gjasa dhe kështu do të vazhdojë dhe në periudhën e mbetur.

Ku qëndron problemi?

Së pari, pushteti legjislativ, i bojkotuar nga opozita ka qenë thuajse inegzistent dhe pa frymëmarrjen e duhur të debatit. Zigzaget politike të lidershipit të së majtës, duke mos përcaktuar një strukturë të qartë aksioni politik, bën që institucionalizimi debatit parlamentar të jetë ineficient. Forca maxhoritare e kartonit ishte thjesht një element procedural dhe e ktheu parlamentin në një aneks të ekzekutivit. Diskutimi, cilësojmë diskutimi dhe jo zhurma në sensin opozitar, mungonte dhe oferta politike gjithashtu. Legjislativi për një kohë relativisht të gjatë u komportua nën tenda populiste. Recetat opozitare ishin teatrale dhe me shumë dietë politike. Shumica e ligjeve kaluan pa një opozitë në parlament. Por dhe kur kjo e fundit ishte prezent, mungonte analiza, kritika dhe së fundi dhe zgjidhja për problemet që prekeshin. Nga ana tjetër ekzekutivi duke shfrytëzuar maxhorancën politike arriti të sfumoj numerikisht çdo përpjekje opozitare. Në këtë mënyrë parlamenti doli thuajse jashtë funksionimit. Çdo iniciativë ligjorë që në disa raste nuk mbante as markën e ekzekutivit, do të përballej më një opozitë parlamentare të improvizuar në zyra partish apo bashki opozitare. Në këtë mënyrë dhe modeli ‘quasi’ revolucionar i parlamentarizmit që opozita u përpoq të promovonte, rezultoi aspak serioz. Me pak fjalë pushteti legjislativ në sesionin e parë parlamentar të këtij viti iu dha me ‘qera’ atij ekzekutiv nga forcat opozitare.

Së dyti, pushteti gjyqësor, një pushtet aq i rëndësishëm në lidhje me drejtësinë sociale është thuajse në prag kolapsi. Organet të cilat vënë në lëvizje pushtetin gjyqësor siç janë Konferenca Gjyqësore, Këshilli i Lartë i Drejtësisë(KLD) dhe Institucioni Presidentit janë krejtësisht në një mungese konvergimi me njëri tjetrin. Pra, sot i gjithë sistemi që vë në lëvizje dhe menaxhon gjyqësorin është tërësisht poroz. Thuajse në çdo hallke ai funksionon me mungesa të theksuara. Është për t’u cilësuar se Konferencës Gjyqësore i mungon një ligj rregullues. KLD-së i mungojnë 5 anëtare, Gjykatës së Larte 4 dhe Gjykatës Kushtetuese po aq duke shtuar këtu dhe problemin e drejtuesit të saj. Një nga problematikat kryesore është roli sfazues që ka marrë Institucioni i Presidentit në lidhje me gjyqësorin. Ky i fundit duhet të kishte marrë të gjitha masat që gjyqësori të ruante qëndrueshmërinë numerike, aq i rëndësishëm për fuqinë dhe eficencën e këtij të fundit. Mos propozimi në kohë i emrave, mungesa e elasticitetit në negociatat me dy forcat politike, por dhe shkelja e afateve kushtetuese, ka çuar që problemet në gjyqësor te jenë permanente. Nga ana tjetër përplasjet e personalizuara të presidencës me maxhorancën në lidhje me rrëzimin e 50% të gjyqtarëve të propozuar nuk ishin pa kosto për gjyqësorin. Kjo si në aspektin financiar, nëpërmjet shkurtimit të buxhetit por dhe në shijen e hidhur që lanë seancat dëgjimore në publik. Me pak fjalë edhe gjyqësori iu dha kryesisht me ‘qera’ ekzekutivit nga Institucioni i Presidentit.

Ky vit në të shumtën e tij tregoi se demokracia institucionale lë ende shumë për të dëshiruar. Shoqëria shqiptare shpenzon për institucionet e saj që ato të funksionojnë. Nëse ndër parimet themelore të shtetit ligjor është dhe ndarja dhe balancimi pushteteve, ky mekanizëm duket te ketë çaluar në fazën e parë të 2010-ës. Si rrjedhim legjislativi dhe gjyqësori nuk arritën të luajnë rrolin balancues që pritej. Ato, fatkeqësisht duket se janë lëshuar me qera nga opozita dhe Presidenca.

Nga Fabian Zhilla

Botouar ne Gazeten Mapo Korrik 2010