Thursday 3 November 2011

Tre argumente pro rishikimit të ligjit të ‘plehrave’



Fabian Zhilla

Gazeta Mapo 03-11-2011 12:04

Ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, apo i njohur ndryshe në publik si ligji i ‘plehrave’, risolli edhe njëherë në vëmendje një problematikë që tashmë shfaqet rëndom te ne, siç është edhe amullia ligjore që shpesh shoqëron procese shumë të rëndësishme për zhvillimin social si administrimi i mbetjeve urbane. Neni më i kontestuar i këtij ligji është neni 49, i cili lidhet me importimin e mbetjeve urbane në Shqipëri nga vendet e huaja. Shqetësimi i ngritur është se ky nen është i parakohshëm, pasi vendi ynë nuk jep siguri institucionale dhe ligjore që procesi i mbetjeve urbane do menaxhohet mirë. Do të ishin tre argumentet kryesore pse neni 49 duhet rivlerësuar. Argumenti ligjor, institucional dhe ai që lidhet me sigurinë kombëtare.
I
Aktualisht menaxhimi i mbetjeve urbane është larg standardeve të BE-së. Mjafton t’i referohesh Strategjisë Kombëtare për Mbetjet (SKM), të përgatitur nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit te Ujërave më 25 maj 2010, për të vënë re se Shqipëria, në shumicën e rasteve, praktikon formën e fundit të menaxhimit të mbetjeve urbane në hierarkinë e mbetjeve sipas Direktivës 2008/98/ KE (neni 4) atë të asgjësimit, dhe shumë pak atë të riciklimit.
Sipas SKM, “Sistemi i menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme është shumë i dobët dhe pjesa më e madhe e grumbullimit të mbetjeve kryhet nga sektori privat, gjithashtu edhe impiantet e riciklimit janë në pronësi të sektorit privat. Sigurimi i këtyre aktiviteteve dhe sistemi i menaxhimit janë akoma në fillimet e tyre dhe varen nga disponueshmëria e materialeve të riciklueshme me një cilësi të mirë. Në shumicën e rasteve industria e riciklimit varet nga lëndët e para të riciklueshme që importohen në Shqipëri.” (Paragrafi ndodhet në pikën 1 Administrimi i Mbetjeve në Shqipëri - i gjithë dokumenti nuk ka nr. faqesh në fund). Sipas të njëjtit dokument aktualisht ‘mbetjet e rrezikshme depozitohen në të njëjtin vend me ato të parrezikshme’, edhe pse kjo ndalohet me ligjet aktuale. Shqipëria momentalisht është në një rrezik ekstrem ambiental në shkelje flagrante edhe të ligjeve në fuqi.


Duhet cilësuar se në tërësinë e tij ky projektligj përpiqet të rregulloj menaxhimin e mbetjeve urbane dhe të vendosë standardet e kërkuara nga BE-ja në lidhje me to. Por nga ana tjetër duhet pranuar se neni 49 është evaziv dhe i paqartë. Një ndër ekspertët e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave sqaronte në mënyrë të detajuar se importi i mbetjeve të riciklueshme është përbërës thelbësor për zhvillimin e industrisë së riciklimit (‘Panorama’, 2 nëntor 2011). Dhe për këtë jepte një seri argumentesh. Megjithatë, në asnjë nen të projektligjit nuk e gjejmë fjalën ‘mbetje të riciklueshme’. Projektligji jep një sërë definicionesh për tipet e mbetjeve, por nuk ka në të asnjë për mbetjet e riciklueshme. Nëse ky është një term teknik i fshehur diku midis rreshtave të ligjit, ai duhet t’i bëhet i qartë sa komunitetit të biznesit, por dhe publikut më gjerë në një material shoqërues në formë sqaruese, që ndryshe njihet ‘guidance’.


Nëse i kthehemi nenit 49 vërejmë se shprehja e përdorur është ‘importimi i mbetjeve’ dhe jo ‘importimi i mbetjeve të riciklueshme’. Sipas projektligjit ‘mbetje’ definohet si çdo substancë ose objekt të cilin mbajtësi e hedh ose ka ndër mend që ta hedhë, ose i kërkohet që ta hedhë. Në këtë kontekst, termi ‘mbetje’ është gjithë përfshirës dhe forma sesi neni është ndërtuar mund të lërë hapësira interpretimi për importimin edhe të mbetjeve jo të riciklueshme.

II
Mungesa e infrastrukturës dhe kapaciteteve njerëzore është një tjetër problem që shoqëron problematikën që mund të prodhojë eksportimi i mbetjeve në përgjithësi (kjo sipas nenit aktual). Sipas SKM më sipër, në lidhje me mbetjet urbane, deri në vitin 2010 ishin rreth 60 kompani private që merreshin me riciklimin e mbetjeve, por jo të gjitha të licencuara nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Parimet e tregut të lirë nuk duhen ngatërruar me parimet e një tregu të shthurur. Në këtë drejtim roli negociues i ministrive të linjës është shumë i rëndësishëm, duke u kërkuar fillimisht firmave aplikuese të plotësojnë standardet teknike dhe potencialet njerëzore përpara se të aplikojnë. Është e çuditshme të dëgjosh se këto firma gjenden përballë një situate të vështirë, pasi nuk sigurojnë lëndë të parë për riciklimin e mbetjeve. A nuk duhej marrë parasysh prej tyre ky handicap në tregun shqiptar qysh në krye të herës? Nga ana tjetër, qeveria shqiptare fare mirë mund të jepte me pak licenca dhe t’ua jepte atyre kompanive që mund të siguronin teknologjinë e duhur në këtë drejtim. Nuk duhet të harrojmë se është po problem i ministrive përkatëse apo bashkive që sot qytetarët nuk janë të edukuar me ndarjen e mbetjeve në të ciklueshme dhe të pa ciklueshme. Sot mungojnë kontenierët e veçuar të cilët do t’u mundësonin atyre ta bënin këtë ndarje praktikisht. Kjo mundej fare mirë t’u caktohej kompanive të cilat do të merrnin përsipër menaxhimin e mbetjeve, e cila është një industri goxha fitimprurëse.

Ajo që është shqetësuese dhe që është vënë re në raste projektesh të ngjashme si ajo e minierës së Bulqizës, është se niveli i inspektimeve të ministrive të linjës lë shumë për të dëshiruar. Dhe kjo nënvizon një fakt shumë të rëndësishëm, siç është ai se ky treg është ende i pa rregulluar mirë, duke krijuar kështu hapësira për element korruptiv në procesin e licencimit apo dhënë mundësi përfshirjes së mafies italiane, që njihet tashmë si një ndër ‘investitorët’ më të fuqishëm në këtë biznes. Dhe këtu dalim në argumentin e tretë që lidhet me sigurinë kombëtare.


III
Tashmë përfshirja e mafies italiane në projekte që lidhën me mbetjet urbane dhe ato toksike është kthyer në shqetësim në të gjithë BE-në dhe kjo nuk është më një legjendë urbane apo subjekt i filmave. Ajo që tashmë quhet eko-mafia, ka kohë që është përfshirë në projekte të kësaj natyre. Mafia italiane fiton rreth 20 miliardë Euro në vit nga biznesi i ‘menaxhimit’ të mbetjeve urbane. Këtu duhet sjellë në vëmendje dhe skandali i njohur në Itali në vitin 2008, me emrin skandali ‘Mocarela’, ku sipas analizave të bëra djathit italian më të njohur të picave, ‘mozzarella di bufala’ , u gjetën sasi të larta dioxine dhe kjo si rrjedhojë e qumështit të ndotur nga mbetjet toksike në Campania, Napoli.



Gjurmët e përfshirjes së mafies italiane në këtë lloj ‘biznesi’, duke shfrytëzuar fondet e BE-së, është kthyer së fundi në një shqetësim publik në Rumani. Ndotja në zonat rurale si Glina (Rumani), ku mbetjet urbane janë groposur, është shumë herë më e lartë se edhe në metropolin rumun, Bukureshtin. Sot kompani të ‘njohura’ ndërkombëtarisht në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane dyshohet të kenë lidhje të forta me mafien italiane. Çdo investitor i huaj do të hezitonte të investonte në projekte të cilat lidhen me prodhimet bujqësore, aq oportune për tregun shqiptar, nëse do të vlerësonte riskun ambiental apo dhe riskun e sigurisë kombëtare si rreziqe me një kosto të pallogaritshme. Këto janë risqe që çdo investitor strategjik i vlerëson me përparësi të jashtëzakonshme.







E parë si në pikëpamjen ligjore, institucionale, por dhe në këndvështrimin e mbrojtjes së sigurisë kombëtare, neni 49 i këtij ligji duhet të amendohet. Në të njëjtën kohë, ekzekutivi duhet të nisë një seri inspektimesh dhe të bëjë më transparent dhënien e licencave në lidhje me administrimin e mbetjeve urbane. Lëshimi i licencave në këtë sektor duhet të përfshijë një gamë të gjerë institucionesh të cilat merren me investigimin e krimit të organizuar dhe pastrimin e parave.