Monday 27 May 2013

Demokracia në pazar





FABIAN ZHILLA
Me gjithë paradën mediatike të listave partiake në publik, pakkush i kushtoi vëmendje prezencës së rritur të numrit të kandidatëve që vijnë nga fusha e biznesit.  Referuar gazetës “Panorama” (9 maj 2013), lista e PS përfshin rreth 20 kandidatë nga 14 në vitin 2009 dhe PD 10. Më pas nuk mbeten dhe aleatët më të afërt të partive të mëdha, si PR, PDIU dhe LSI. Me pak fjalë, rreth 30% e deputetëve të  Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë pritet të vijnë atje për cilësi të cilat lidhen kryesisht më pushtetin financiar. Ajo që mund të konstatohet nga ky indikator është ndryshimi i tendencës në legjislaturën e ardhshme. Nga një Parlament me deputetë të “fortë” po kalojmë gradualisht në Parlament me deputetë kryesisht “biznesmenë”.  Pyetja që shtrohet është: pse është bërë kaq i kërkueshëm ky format deputeti sot dhe lidhja e tyre me “pazarin” e demokracisë?
Një nga faktorët është vetë sistemi zgjedhor (proporcional me lista të mbyllura), i cili prish lidhjen direkte midis të zgjedhurit dhe zgjedhësit. Ky disbalancim dobëson një ndër kriteret e demokracisë, siç është përgjegjësia e të zgjedhurit (deputetit) ndaj zgjedhësve. Në sistemin aktual deputeti është përgjegjës ndaj kryetarit të partisë (pasi ai bën “emërimin e tij”) dhe jo ndaj elektoratit. Sipas Ackerman dhe Kunicova, sistemi zgjedhor i një proporcionali me lista të mbyllura e bën shumë të vështirë për qytetarin të monitorojë politikanët dhe, nga ana tjetër, ul rëndësinë e rolit të performancës për ata politikan që duan të rikandidojnë. Ky sistem zgjedhor zhvlerëson profilin e kandidatit, ndaj dhe fushata elektorale fokusohet më shumë në projektet dhe CV-në e forcës politike, sesa të kandidatëve.
Kjo ka bërë që kryetarët e partive të kërkojnë kandidatë që “mbledhin” vota, dhe jo ata që gjenerojnë elektorat. Këta të fundit do të ishin kandidatë të lidhur ngushtësisht me komunitetin dhe me performancë pozitive dhe me profil publik. Do të ishin kandidatë të cilët përfaqësonin interesat e shoqërisë, të cilat i përpunonin ato sipas programeve politike dhe i konfiguronin ato në ligje.
Por, në një situatë kur besueshmëria ndaj klasës politike është shumë e ulët, kandidatët e llojit të dytë nuk përbëjnë siguri për kryetarët e partive politike. Dhe kjo ka sjellë nevojën e kandidatëve të llojit të parë, të atyre që sigurojnë “mbledhje” votash. Duke u nisur sidomos nga zgjedhjet lokale të 2011-s, shikojmë se fenomeni i blerjes së votës gradualisht po kthehet në institucion, duke ndryshuar kështu dhe kulturën e komunikimit midis elektoratit dhe të zgjedhurve të tij. Shoqëria, duke qenë e zhgënjyer nga premtimet e politikanëve, ka filluar të sillet krejtësisht në mënyrë pragmatiste, duke komercializuar votën (shitur partive politike), pra duke e nxjerrë në treg “përfaqësinë” e saj. Në këtë drejtim, forcat politike kanë nevojë për mekanizma të ndërmjetëm që “shitblerja” e demokracisë të jetë sa më likuide. Dhe për këtë arsye roli i deputetëve “biznesmenëve” është bërë i nevojshëm për vetë financat që ata emetojnë. Këta lloj deputetësh kanë marrë rolin e bankave në “tregun” e demokracisë shqiptare. Në njërën anë ata pranojnë “depozitat” (pastrojnë paratë) e politikanëve të korruptuar, dhe në anën tjetër ata japin “kredi” për blerjen e votave apo influencave në momentet e zgjedhjeve.
Kjo lloj marrëdhënie midis të përfaqësuarve dhe të zgjedhurve ka sjellë që forma e marrjes së pushtetit të marrë një deformim të ri nga ai nëpërmjet forcës (vjedhje votash, presion, përfshirja e krimit të organizuar) në blerje të tij.
Sot kemi një “pazar” të demokracisë ku partitë politike ua “blejnë” shtetasve të tyre pushtetin me shumicë për t’ua “shitur” më pas me pakicë, nëpërmjet ryshfeteve që u marrin për shërbimet publike që ofrojnë. Dhe ky lloj deformimi ka sjellë rritjen e kërkesës për deputet “biznesmen”.
Rrezikshmëria më e madhe që sjell dalja në “pazar” e demokracisë është ulja e reagimit të shoqërisë ndaj korrupsionit dhe mospërgjegjshmëria e klasës politike ndaj zgjedhësve të saj. Duke qenë se qytetari “përfaqësimin” e tij e ka shitur, ai ka humbur të drejtën për t’i kërkuar llogari klasës politike. Dhe kjo sjell një lloj legjitimimi të korrupsionit politik, e cila vërehet në apatinë në rritje të shoqërisë shqiptare ndaj fenomeneve korruptive.
Një anë tjetër negative e kësaj lloj demokracie është sofistikimi i korruptimit të procesit zgjedhor. Nëse vjedhja e votës, dhuna, presioni politik mund të ishin forma të cilat mund të evidentoheshin, blerja e votës e bën këtë proces të duket krejt normal dhe i qetë. Ky lloj sofistikimi është një alibi e fortë për elitën politike në marrëdhëniet me ndërkombëtarët, duke iu siguruar këtyre të fundit stabilitetin politik, për të cilin ndërkombëtarët duken të jenë më shumë të interesuar sesa cilësia e demokracisë.
Sidoqoftë, rreziku më i madh i daljes së demokracisë në “pazar” është rënia e shoqërisë në një rreth vicioz ku qytetari korrupton demokracinë nëpërmjet shitjes së votës dhe ku demokracia e korruptuar korrupton qytetarin. Duke qenë se ka ende kohë për të shmangur këtë fenomen, është imperative që të shmanget shitja e votës dhe demokracisë t’i ruhet përfaqësimi real. Në të kundërt, numri i biznesmenëve në Parlament do të rritet ndjeshëm duke e kthyer Parlamentin në një bursë interesash financiare dhe jo në një institucion që përfaqëson interesat e shoqërisë.

Doktoraturat shqiptare, mes sistemit evropian dhe anglo-sakson





 13 May 2013
FABIAN ZHILLA, Pedagog, Canadian Institute of Technology

 Doktoraturat në Shqipëri ndërtohen sipas sistemit amerikan dhe zbatohen si në Evropë. Ekziston një vakum konceptual që e bën sistemin të pazbatueshëm

http://www.gazetafenix.com/2013/05/doktoraturat-shqiptare-mes-sistemit-evropian-dhe-anglo-sakson/


Fabian ZhillaMegjithëse përfshirja e programeve doktorale duhet parë si një hap pozitiv në arsimin shqiptar, duhet cilësuar se një keqmenaxhim i tyre mund të sjellë efekte të kundërta në lidhje me qëllimet dhe objektivat e tyre duke sjellë zhvlersimin dhe komercializimin e tyre.
Studimet e ciklit të tretë, apo siç njihen ndryshe programet e doktoraturës, sipas ligjit aktual, janë një eksperiencë relativisht e re për institucionet e larta arsimore dhe si të tilla kanë problematika të cilat kërkojnë kohën e tyre të zgjidhen. Nëse i referohemi ligjit për arsimin e lartë ai është shumë i përgjithshëm në lidhje me organizimin e programit doktoral. Në ligj përcaktohet vetëm afati (i cili nuk duhet të jetë më pak se 3 vjet) dhe numri i kreditëve që një doktorant duhet të plotësojë në përgatitjen teorike (60 kredite).
Ligji iu lë dorë të lirë universiteteve të përcaktojnë kriteret e klasifikimit për ata studentë të cilët konsiderohen se kanë përmbushur pjesën teorike dhe janë të aftë të përgatisin tezën e tyre. Nga pikëpamja formale pra, universiteteve, iu kërkohet vetëm që të kenë një program teorik për çdo fakultet dhe një afat minimal për përfundimin e doktoraturës.
Struktura e programeve doktorale, sipas ligjit, është konfiguruar sipas programeve të universiteteve në Amerikën e Veriut (SHBA dhe Kanada). Duhet cilësuar se ky format është më i përshtatshmi për studentin shqiptar pasi ndjek dy faza, fazën përgatitore (teorike) dhe më pas atë praktike (përgatitja e tezës). Megjithatë, ajo që sot praktikohet në universitetet shqiptare i ngjan më shumë versioneve të programeve doktorale në Europë, ku doktoranti është krejtësisht i lirë dhe kontaktet me supervizorin janë shumë të rralla.
Në përgjithësi, sot doktorantët ndjekin thjesht disa kurse krejt formale metodologjike (shpesh janë të njëjtat kurse që bëhen në programin master), marrin një provim në fund të vitit të parë dhe më pas, në një vit ose dy vjet, përfundojnë tezën. Pra koha e shpenzuar për përgatitjen tezës është vetëm dy vjet, kur në Europë është minimumi tre. Ndërkohë studimet doktorale në Amerikën e Veriut shkojne mesatarisht nga 5 vjet, pasi dy vitet e para janë krejtësisht të lidhura me përgatitjen teorike dhe metodologjike. Megjithatë është krejt normale që një doktorant të mbarojë studimet doktorale në USA dhe në Kanada brenda një periudhe 7 vjeçare.
Pra nga pikëpamja teorike ne ndjekim sistemin e Amerikës së Veriut kurse nga ana praktike i afrohemi atij europian, përjashto Britaninë e Madhe.
Në këtë drejtim programet doktorale kanë një handikap konceptual. Dhe ky vakum vjen si rezultati i mungesës së të doktoruarve në Amerikën e Veriut apo dhe në Britaninë e Madhe (e cila ka ngjashmëri dhe ka filluar të adaptojë sistemin amerikan). Pjesa më e madhe e stafeve akademike të cilët mbajnë titujt Profesor apo Profesor i Asocuar (kjo dhe për shkak të kritereve të vendosura në ligj), kanë doktoruar sipas sistemit lindor, dhe nuk janë të familjarizuar me sistemin amerikan. Nga ana tjetër numri më i madh i doktorantëve, të cilët kanë doktoruar jashtë vendit, zakonisht vjen nga vende të cilat nuk kanë ngjashmëri me sistemin anglo-sakson siç janë Italia apo vendet e Europës Lindore.
Kjo mungesë e eksperiencës anglo-saksonë në stafet akademike, të cilat janë jo vetëm pjesë përbërëse e pregatitjes teorike të doktorantit por dhe ndjekës të tezës së tyre, bën që programet doktorale të vuajnë pikërisht në atë që është dhe mekanizmi kyç i tyre, profesoriati.
Nëse do të shtojmë këtu dhe numrin e madh të studentëve që po pranohen në programet e doktoraturës dhe kohën e shkurtër të përfundimit të tyre (rreth 3 vjet), këto programe humbin dhe qëllimin kryesor të tyre siç është kërkimi shkencor serioz.
Disa zgjidhje afatshkurtra do të ishin politika më atraktuese nga Ministria e Arsimit në lidhje me thithjen e individëve të cilët kanë doktoruar në Amerikën e Veriut dhe Britaninë e Madhe, duke ju përshpejtuar atyre marrjen e titujve akademikë, dhe mbi të gjitha, integrimin e tyre në programet doktorale në universitetet shtetërore.

Fabian Zhilla: Pazaret e gjyqësorit me krimin dhe elitën politike

http://www.revistajava.al/kryesore/201341/fabian-zhilla-pazaret-e-gjyqesorit-me-krimin-dhe-eliten-politike
I shumëpërfoluri shtet i së drejtës, gati inekzistenca e plotë e tij, gjykatat dhe vendimet e manipuluara që kanë marrë, gjyqtarët e korruptuar e më tej akoma të paaftë e të përfshirë në afera kriminale, janë bërë objekt i studimeve doktorate të juristit Fabian Zhilla në një prej universiteteve më në zë britanike. Hallkë pas hallke, ai ka trajtuar në tezën e tij të gjithë elementët që kanë ndikuar në krijimin e asaj që quhet sot gjyqësori shqiptar dhe gjithë problematikës që ai paraqet. Në një intervistë për java, të gjitha detajet e studimit dhe konkluzionet e nxjerra
Pragmatistë ose jo, nga qytetari më i ndjeshëm e deri tek ai më indiferenti ndaj asaj se çka ndodh brenda një habitati që është sa i të gjithëve aq edhe i askujt, sidomos kohët e fundit, tema e mospavarësisë së gjyqësorit dhe, më tej akoma, e korrupsionit gjithnjë e në rritje brenda institucioneve që ngrenë kultin e së drejtës, ka qenë objekt i bisedave të gjithkujt. Për të ardhur keq është që, më së shumti, përtacia për të protestuar mbi mungesën e shtetit të së drejtës ecën paralelisht me padrejtësitë dhe vendimet e padrejta e të turpshme të dala nga gjyqësori shqiptar.
I gjithë ky sistem është vënë në fokus të studimeve nga juristi Fabian Zhilla gjatë punimit të tezës së tij të doktoraturës në King’s College University of London. Punimi me të cilin ai do të mbronte titullin e PhD vetëm pak kohë më parë është përpjekur të hedh një vështrim më të thellë të analizës mbi fenomenin duke mos u bazuar thjesht mbi perceptimin e atyre që kanë marrëdhënie direkte më gjyqësorin, por edhe ata që i ndjekin çështjet e institucionit të së drejtës në një mënyrë më të distancuar.
Konkluzionet janë mbresëlënëse. Sipas Zhillës, marrëdhënia midis krimit të organizuar dhe gjyqësorit ka qenë permanente përgjatë të gjithë tranzicionit, paçka që dinamika ka njohur ndryshime sipas situatave të ndryshme politike. “Grupime kriminale, të cilat kryejnë dhe aktivitete të ligjshme dhe me lidhje të forta politike, përkrah ryshfetit përdorin dhe influencat e tyre për të emëruar gjyqtarë në gjykatat e larta. Mendohet që krimi i organizuar të ketë arritur deri aty sa të investojë jo vetëm në rekrutimin e gjyqtarëve, por dhe të investojë në diplomimin e tyre. Sot mund të ketë individë me precedent kriminal të cilët janë diplomuar në drejtësi dhe të kanë krijuar marrëdhënie shoqërore me gjyqtarë apo prokurorë të ardhshëm që në bankat e shkollës...”, shprehet ai gjatë një interviste për “JAVA”.

Ju keni mbrojtur një tezë doktorature së fundi në King’s College University of London. Ku konsiston ky punim, shkurtimisht?
Fillimisht do doja t’ju falënderoja për intervistën, por dhe të gjithë ata që bënë të mundur këtë studim, të cilët për arsye etike nuk mund t’i përmend me emër. Një vend të veçantë zënë familja dhe profesoreshat e mia, për mbështetjen e tyre të pakursyer në çdo drejtim. Për t’iu kthyer pyetjes, studimi im lidhet me faktorët e nxitjes së korrupsionit në gjyqësorin shqiptar dhe marrëdhëniet e tij me krimin e organizuar gjatë periudhës së tranzicionit. Nga pikëpamja metodologjike, ky punim u përpoq ta analizonte fenomenin duke mos u bazuar thjesht në perceptimet e shoqërisë, apo dhe gjyqtarëve në mënyrë të përgjithshme, por u rrek ta analizonte atë në mënyrë të thelluar. Kjo u arrit nëpërmjet një kombinimi mbledhjesh të dhënash, si intervistat, kërkimi në arkiva dhe observimi i seancave gjyqësore në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe në të gjithë rajonet e vendit. Për të pasur një konfigurim sa më të qartë analitik, grupi i të intervistuarve ishte i kombinuar. Të intervistuarit nuk ishin vetëm ata të cilët kishin marrëdhënie direkte me gjyqësorin (gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe politikanë), por dhe ata të cilët ndjekin çështjet e gjyqësorit në një mënyrë më të distancuar (akademikë, gazetarë, analistë dhe NGO).

A është korrupsioni në sistemin e drejtësisë një fiksion, apo një realitet i prekshëm? Çfarë rezultatesh konkrete keni nxjerrë në punimin tuaj në këtë aspekt?
Korrupsioni në sistemin gjyqësor tashmë është jo vetëm një perceptim i konsoliduar në shoqëri por dhe brenda vetë radhëve të gjyqtarëve. Dhe në këtë drejtim punimi im nuk sjell diçka të re. Prej vitesh ka punime dhe statistika të nxjerra si nga organizatat kombëtare por dhe ndërkombëtare të cilat e evidentojnë këtë fenomen. Korrupsioni në gjyqësorin shqiptar është ndër më të lartët në rajon. Mbase ajo që punimi im sjell si diçka të re në këtë studim është shtrirja e korrupsionit në gjyqësor dhe arsyetimi për këtë përhapje. Sipas këtij studimi, korrupsioni është më i përhapur në shkallët më të larta të gjykatave, dhe kryesisht në ato gjykata ku volumi i çështjeve civile dhe penale është më i lartë. Ky punim, gjithashtu, cilëson se sot ka një treg informal të “drejtësisë”, ku gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët e korruptuar janë aktorët kryesorë të cilët ndikojnë në çmimin që i është vënë sot drejtësisë. Një konstatim tjetër interesant i këtij punimi ishte dhe përcaktimi i pavarësisë së gjyqësorit. Në përgjithësi, edhe për kapital politik, korrupsioni në gjyqësor lidhet shpesh me ndikimin e ekzekutivit në sistemin gjyqësor. Ndërkohë që ky problem vazhdon të jetë ende një shqetësim, në fakt, pavarësia në gjyqësor sot ndjehet më e kërcënuar nga lidhjet shoqërore dhe familjare. Ky lloj ridimensionimi i pavarësisë së gjyqësorit ka komercializuar dhe marrëdhëniet midis gjyqësorit dhe elitës politike. Gjyqtarët duket të kenë bërë një pakt të heshtur më këtë shtresë, ku të parët shkëmbejnë (trade off) favoret ndaj politikanëve apo dhe aktorëve të tjerë me influencë (media, biznesmen dhe krim i organizuar) me mbrojtjen që marrin prej tyre. Në këtë drejtim gjyqësori ka fituar një farë pavarësie nga elitat, por kjo pavarësi e ka zhytur atë më shumë në korrupsion. Pra, kjo pjesë e korruptuar e gjyqësorit “negocion/tregton” drejtësinë dhe nuk e zbaton/ekzekuton. Kjo lloj sjellje e gjyqësorit është kthyer në “kulturë” dhe shoqëria duket se tashmë është akomoduar me këtë situatë. Ky fakt shpjegon deri diku pse në përgjithësi çdo individ që i drejtohet gjykatave është i prirur të sillet sikur po i drejtohet një tregu – blej dhe shes “të drejtën e tij”. Megjithatë është për t’u cilësuar se sot korrupsioni duket të ketë marrë një përshkallëzim të frikshëm edhe në prokurori dhe polici.

A ka një lidhje mes korrupsionit të sistemit të drejtësisë dhe krimit të organizuar? Nëse po, cilat janë mënyrat se si shfaqet kjo simbiozë?
Korrupsioni është i lidhur ngushtësisht me krimin e organizuar dhe kjo marrëdhënie është shumë evidente në vendet në zhvillim. Nga ana tjetër, është shumë e vështirë që në një vend si Shqipëria, ku mungesa e statistikave tashmë është kthyer në kulturë institucionale, të gjesh të dhëna të shumta për lidhjen midis krimit të organizuar dhe gjyqtarëve të korruptuar. Për më tepër, vetë natyra e korrupsionit në gjyqësor e bën  të vështirë evidentimin e kësaj lidhje. Sidoqoftë, nga të dhënat e studimit tim, marrëdhënia midis krimit të organizuar dhe gjyqësorit ka qenë permanente përgjatë të gjithë tranzicionit, paçka që dinamika ka njohur ndryshime sipas situatave të ndryshme politike. Sot forma më e përhapur e lidhjes midis gjyqtarëve të korruptuar dhe krimit të organizuar është nëpërmjet ryshfetit, në shumicën e rasteve. Duhet cilësuar se tipologjia e krimit të organizuar ka ndryshuar. Dhe kjo përcakton dhe format e marrëdhënies midis tyre dhe gjyqësorit. Grupime kriminale, të cilat kryejnë dhe aktivitete të ligjshme dhe me lidhje të forta politike, përkrah ryshfetit përdorin dhe influencat e tyre për të emëruar gjyqtarë në gjykatat e larta. Mendohet që krimi i organizuar të ketë arritur deri aty sa të investojë jo vetëm në rekrutimin e gjyqtarëve, por dhe të investojë në diplomimin e tyre. Sot mund të ketë individë me precedent kriminal të cilët janë diplomuar në drejtësi dhe të kanë krijuar marrëdhënie shoqërore me gjyqtarë apo prokurorë të ardhshëm që në bankat e shkollës. Ajo që është për t’u evidentuar është se lidhjet midis krimit të organizuar dhe gjyqtarëve të korruptuar sa vijnë dhe sofistikohen.

Nëse do t’ju pyesnin sot, cila është rruga për të ndërtuar një sistem drejtësie të imunizuar nga fenomeni i korrupsionit, cila do ishte përgjigja juaj?
Kjo është një pyetje, përgjigja e të cilës nuk mund të përmblidhet në pak rreshta. Megjithatë ajo që mund të them në vija të përgjithshme është se politikat e luftës ndaj korrupsionit në sistemin gjyqësor janë afatgjata dhe shumë komplekse, për vetë mbrojtjen kushtetuese që gjyqtarët kanë. Është për t’u cilësuar se miratimi i ligjit për Konferencën Gjyqësore dhe rritja e pagave të gjyqtarëve, përcaktimi i një sistemi vlerësimi, janë hapa cilësorë. Megjithatë, reformat duhet të shtrihen në masat parandaluese të korrupsionit, të cilat lidhen me përmirësimin e statusit social të gjyqtarit i cili nuk lidhet vetëm më një rritje rroge. Sidomos kur kjo rritje page mund të luajë rrol fare minimal, duke pasur parasysh vetë vlerat e larta të mitmarrjes në gjyqësor sot. Një rëndësi e veçantë i duhet kushtuar edhe kritereve të pranimit të studentëve në Shkollën e Magjistraturës dhe përgatitjes se tyre, sidomos nga ana etike, por dhe profesionale. Marrja e masave në lidhje me një përzgjedhje sa më të mirë të studentëve të magjistraturës që në “hyrje” në sistem, do ta bënte me të lehtë luftën ndaj korrupsionit brenda gjyqësorit më pas. Është shumë më e vështirë të largohet një gjyqtar kur ai është në sistem. Zgjatja e kohës nga magjistrat në gjyqtar mund të rishikohet. Mbase magjistratët mund të fillojnë si ndihmës gjyqtar për një farë kohe përpara se të marrin detyrën e gjyqtarit. Sot kemi gjyqtarë në moshë shumë të re dhe pa përvojën e duhur jetësore, kur dihet që këto elementë luajnë një rrol të rëndësishëm, jo vetëm në cilësinë e gjykimit, por dhe besueshmërinë e publikut tek gjyqtarët. Ndërkohë duhet parë mundësia që jo vetëm gjyqtarët e shkallëve të larta të kenë asistentë, por dhe ata të shkallëve të para. Me pak fjalë, reforma në gjyqësor, në kontektstin e luftës së korrupsionit, duhet të konsiderojë si faktorët objektiv dhe ata subjektiv, të cilët shtyjnë gjyqtarët të përfshihen në aferave korruptive.