Tuesday 3 July 2012

Kur Gjyqësori vepron si “korporatë”





FABIAN ZHILLA
Para disa ditësh, në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Ina Rama bëri një deklaratë gati tronditëse për korrupsionin në Drejtësi, ku siç ajo shprehej, tashmë ky është një “fenomen korporativ”. Ka kohë që organi i Prokurorisë ngre një shqe-tësim gati permanent në lidhje me problemet që has në luftën kundër korrupsionit në Gjyqësor.
Më të spikaturat janë ato që lidhen me pengesat procedurale që sjell imuniteti i gjyqtarëve apo deri diku dhe sjellje gati arrogante të sistemit gjyqësor për t’i marrë seriozisht çështjet që lidhen me korrupsionin e zyrtarëve të profilit të lartë apo dhe të atyre që vijnë nga rrethi i gjyqtarëve. Por në këtë prononcim të fundit, Ina Rama ishte edhe më e drejtpërdrejtë, duke lënë të nënkuptohej se tashmë korrupsioni në Gjyqësor ka marrë përmasa të frikshme, duke u bërë kështu më i organizuar.
Termi “korporativ” në literaturën që lidhet me studimet e korrupsionit në përgjithësi, nënkupton një fazë jashtëzakonisht të avancuar të korrupsionit në një institucion publik. Ai ndodh atëherë kur institucioni, në rastin tonë sistemi gjyqësor, krijon një farë autonomie që vjen si rezultat i ligjit, por dhe i pushtetit që gjeneron vetë institucioni për shkak të funksionit të tij. Ky i fundit e keqpërdor këtë lloj pushteti  për qëllime jo legjitime. Në përgjithësi, kur institucioni publik merr trajtat e një sistemi korporativ, ai funksionon në një mënyrë gati hierarkike dhe të organizuar. Është atëherë kur, në rastin konkret, sistemi gjyqësor mund të kontrollohet nga një elitë gjyqtarësh që kanë lidhje të forta brenda sistemit por dhe jashtë tij, me elitën politike, ekonomike, por dhe atë kriminale. Fatkeqësisht, në Shqipëri, është shpesh e vështirë të dallosh një elitë kriminale nga ajo ekonomike apo politike, ndaj kjo e bën më të lehtë për elitën e korruptuar brenda Gjyqësorit të krijojë lidhjet e ngushta me “aktorët” e duhur jashtë sistemit.
Pra, sistemi korporativ në Gjyqësor mund të ndodhë atëherë kur elita drejtuese e administron atë për interesa të korporatës, e cila merr përsipër të mbrojë punonjësit e saj (gjyqtarët) për qëllime përfitimi të paligjshme në shkëmbim të solidaritetit dhe besnikërisë që këta të fundit i ofrojnë korporatës. Sistemi gjyqësor mund të marrë, pra kështu, përmasat e një korporate private në kuptimin e korrupsionit, në ato raste kur shërbimet publike apo vendimet e gjykatës trajtohen si shërbime private dhe hidhen në treg si të tilla në përfitim të korporatës dhe punonjësve të saj dhe jo në shërbim të publikut. Pra, gradualisht mund të krijohet një kulturë ose një marrëveshje e pashkruar midis anëtarëve të korporatës, të cilët përfitojnë prej saj mbrojtjen në shkëmbim të fitimit të paligjshëm. Kjo sigurisht u sjell “përfitime” të dyja palëve.
Ky lloj dimensioni i frikshëm i korrupsionit në Gjyqësor duket se del qartë nga definicioni që Ina Rama i bëri së fundi termit “korporativ” në deklaratën e saj. Ajo cilëson se “gjyqtarët nuk japin vendime për kolegët e tyre apo dhe për përfaqësues të tjerë të sistemit të Drejtësisë, me logjikën se po dënuan ata, do të dënojnë dhe veten e tyre”.
Në literaturë, ndryshe ky lloj korrupsioni njihet edhe si korrupsion institucional “institutional corruption”. Një ndër karakteristikat më të spikatura të korrupsionit institucional, qoftë ky publik apo privat, është se në pamje të parë veprimet apo masat e tij duken të ligjshme, kur në fakt qëllimi final i tyre është përfitimi jo i ligjshëm. Mbrojtja pra, që sistemi gjyqësor i bën gjyqtarit, është krejtësisht një veprim normal pasi lidhet me mbrojtjen e pavarësisë së Gjyqësorit nga influencat e legjislativit, ekzekutivit apo dhe të elitave kriminale dhe ekonomike. Megjithatë, kjo lloj mbrojtjeje, sipas nënkuptimit të deklaratës së Ina Ramës, duket se ka marrë përmasa kriminale, të cilat e kanë nxjerrë sistemin gjyqësor jashtë funksionit të tij.
Pra, sot është e vështirë të besohet se një gjyqtar që procedohet për korrupsion, të gjykohet i fajshëm nga kolegët e tij, të cilët pluskojnë brenda një rrethi tashmë vicioz korruptiv. Korporatizmi i Gjyqësorit rrezikon të ridimensionojë gjithashtu dhe solidaritetin e gjyqtarëve, të cilët mund të unifikohen jo për të mbrojtur pavarësinë e Gjyqësorit, por për të mbrojtur korporatën dhe punonjësit e saj përballë përgjegjësisë publike, por dhe detyrimit ligjor. Korporatizmi pra rrezikon ta kthejë sistemin e Drejtësisë, fatkeqësisht, në një sistem që legjitimon padrejtësinë. Dhe kjo, pa dyshim sjell humbjen e besimit të shoqërisë ndaj Gjyqësorit dhe e shtyn atë t’u drejtohet formave të dhunshme të zgjidhjeve të konflikteve, duke rritur kështu konfliktin social në shoqëri. Ndaj nuk është më surprizë pse gjakmarrja apo hakmarrja vazhdojnë të jenë ende prezente si në zonat rurale, por dhe ato urbane.
Me pak fjalë, dimensioni “korporativ” tregon se korrupsioni në sistemin gjyqësor sot nuk duket të jetë një korrupsion banal. Ai nuk duket të lidhet thjesht me një ryshfet të rëndomtë apo bakshish, që dikush i jep një gjyqtari meqë ky i fundit i mbaroi një hall. Me sa duket, ai shkon përtej këtyre përmasave. Korrupsioni në Gjyqësor sot duket të lidhet me trajta të mirorganizuara dhe shumë të sofistikuara. Dhe ky konstatim nuk vjen nga një qytetar apo gazetar i thjeshtë, por vjen nga drejtuesja më e lartë e institucionit, direkt përgjegjëse për luftën ndaj korrupsionit, siç është edhe Prokurorja e Përgjithshme.
Përfundimisht, deklarata e fundit e Ina Ramës nënkupton se niveli i korrupsionit në Gjyqësor jo vetëm është rritur, por ai tashmë e ka konvertuar sistemin e Drejtësisë në një sistem që jo vetëm nuk e lufton korrupsionin, por e stimulon atë në formë të organizuar, në një formë “korporative”.