Wednesday 24 October 2012

Aisha e Nazimja, si duhet të reagojmë

Fabian Zhilla
Kulti i individit ka sjellë dobësimin e presionit shoqëror bazuar në institucionet sociale si familja, lidhjet farefisnore, shoqërore dhe institucionet fetare. Në momentin që morali komunitar në zonat rurale po dekonstruktohet nga efektet e modernizimit, apo izolohet si diçka e vjetër dhe e prapambetur, dhe nuk plotësohet nga një presioni modern konstruktiv (shoqëria civile), apo nuk trajtohet nga pikëpamja kulturore nëpërmjet shkollimit, pasojat janë këto që shohim. Është e disata vrasje me subjekt nderin: ajo e Aishes, por dhe të tjera së fundmi, në një hark të shkurtër kohor në zonat rurale me përmasa tragjike. Forma dhe shkaqet janë shprehje e një frustracioni kulturor që tashmë ka kapur përmasat e tragjedisë dhe po kthehet në fenomen mjaft shqetësues. Pyetja është si duhet të reagojmë, në mënyrë që të adresojmë si duhet problemet sociale pa hapur të tjera?
Protesta e shoqërisë civile në lidhje me aktin mizor ndaj Aishes ishte jashtëzakonisht pozitive, për faktin se më në fund solli një maturim të reagimit shoqëror. Kemi kaluar nga protesta me orientim politik në protesta që lidhen me motive sociale. Dhe kjo formë tashmë po kalon në prirje.
Megjithatë, edhe kjo protestë dhe trajtimi nga opinion publik në media, ishin deri diku të paqarta në adresimin e problemit. Kjo pa dyshim edhe për faktin se ngjarja ishte shumë emocionale. Nuk dilte shumë qartë nëse protestohej ndaj aktit vrasës, apo ndaj aktit të babait që ndihej i ofenduar nga lidhja e së bijës, që kishte ‘cenuar nderin e tij dhe familjes’. Pra shoqëria civile, me të drejtë protestoi ndaj krimit dhe jo viktimës, duke pasur parasysh Aishen. Megjithatë, trysnia mediatike dhe ajo e shoqërisë civile krijoji një viktimë tjetër, që ishte babai i Aishes. Përveç orëve të zgjatura pa shkak në polici, presionit psikologjik, atij i duhej të përballohej dhe me paragjykimin mediatik. Shumë nuk i kursyen dhe steriotipe si ‘taliban’ e të ngjashme. Dikush e pyeste dhe për ngjyrën e fustanit që Aishja kishte veshur atë natë dhe nëse ai do të hakmerrej me Kanun. A mund të quhen dhe këto lloj qasjesh të shoqërisë civile dhe medias në tërësi si akte që nuk dënojnë krimin por viktimën.
Nëpërmjet kësaj proteste, por dhe reagimit mediatik, padashur u krijua një konflikt midis dy faktorëve mjaft të rëndësishëm në parandalimin e krimit në shoqëri, siç janë shoqëria civile dhe institucionet sociale. Ai që ndryshe quhet dhe konflikt kulturor.
Sipas kriminologut të njohur Edwin Sutherland, konflikti kulturor sjell dobësimin e institucioneve sociale aq të rëndësishëm për shoqëritë në tranzicion. Kjo lloj situate i hap rrugë kriminalitetit. Sutherland cilëson se në rast të dobësimit të rolit të mekanzimave tradicionalë në shoqëri, individët kanë tendencën t’i drejtohen akteve të dhunshme për zgjidhjen e konflikteve, dhe kjo sjell krimin. Në vende ku ka një mosbesim të publikut ndaj shtetit situata bëhet dhe më problematike.
Thorsten Sellin, gjithashtu, argumenton që konflikti kulturor është një zhvillim natyral i procesit të diferencimit social për shoqëritë në tranzicion. Por ky i fundit gjeneron një numër të pakufizuar grupimesh sociale, ku secili përkufizon dhe interpreton në mënyrë të pavarur marrëdhëniet njerëzore, duke gjeneruar shpesh injorancë apo dhe keqkuptim të vlerave shoqërore të grupimeve të tjera. Transformimi pra nga një formë kulture homogjene dhe e mirëintegruar në një formë kulture heterogjene dhe të pa integruar, shoqërohet, sipas Sellin, me situata konfliktuale dhe keqkuptimesh. Dhe në rastin konkret kjo mund të rrisë distancimin kulturor dhe konflikt të kodeve të sjelljes midis zonave rurale dhe atyre urbane.
Në ngjarjen e Aishes, shoqëria civile dhe mediat përkufizuan sipas interpretimit të tyre se çfarë është krim dhe viktimë, pa marrë parasysh kontekstin rural të ngjarjes, duke prodhuar një dëm kolateral, ose një farë dënimi kolektiv të të gjithë komunitetit në Xhafzotaj apo të të ngjashmëve.
Në këtë lloj konteksti mbase do duhet që reagimet civile dhe ato të opinionit publik në përgjithësi të jenë më të sofistikuara dhe më të mirorientuara. Një përplasje kulturore në emër të ‘modernitetit’ midis formave urbane të të kuptuarit të marrëdhënieve njerëzore me ato rurale mund të sjellë izolimin dhe margjinalizimin e këtyre të fundit. Kjo do sjellë padyshim një emancipim të çorientuar që i përket konteksteve të tjera kulturale. Modele që po e konfuzojnë më shumë shoqërinë. Pra kodet e sjelljes urbane të transplantuara artificialisht në ato rurale mund të sjellin rritjen e konfuzionit, frustracionit dhe si rrjedhim rritjen e kriminalitetit në këto të fundit.
Një qasje e shoqërisë civile dhe mediave pa marrë parasysh kontekstin rural, mund të sjellë dhe izolimin e formave reaguese në zonat rurale sipas traditave të mira për shkak të paragjykimit. Si në rastin e Nazmije Vishës dhe të Aishe Vatës, komuniteti ishte në dijeni të marrëdhënieve të tyre, por nuk reagonte. Ky fakt tregon se edhe në zonat rurale ka një farë hutimi dhe apatie. Presioni social është deformuar dhe tradita zbatohet dhe interpretohet në mënyre individuale dhe jashtë institucioneve tradicionale shoqërore (familja, lidhjet farefisnore, shoqërore, institucionet fetare, doket dhe zakonet). Gjë të cilën e shohim dhe te gjakmarrja apo hakmarrja. Pra informaliteti ka prekur dhe traditat. Po formohet një individ konfuz, i cili nuk njeh mirë as institucionet moderne, por as ato tradicionale. Në zonat rurale ky fenomen është edhe me alarmant.
Në këtë kontekst, ndërkohë që kemi një avancim mjaft pozitiv të shoqërisë civile në lidhje me reagimin ndaj problemeve sociale, ajo që meriton vëmendje në protesta që lidhen me ngjarje të ngjashme me atë të Aishes është konstruktiviteti i mesazheve që përcillen prej saj. Duhet pasur kujdes nga efektet anësore të këtyre protestave dhe reagimeve mediatike, të cilat mund të sjellin krijimin e steriotipeve, rritjen e frustracionit dhe izolimin kulturor të komuniteteve në zonat rurale. Gjithashtu, duhet treguar vëmendje që këto protesta apo opinioni publik të promovojë integrimin kulturor të këtyre komuniteteve, duke ruajtur kohezionin nëpërmjet rolit të institucioneve shtetërore dhe mbrojtjes së institucioneve sociale dhe traditave të mira.
*Doktorant në King’s College-Britani.http://www.mapo.al/2012/10/23/aisha-e-nazimja-si-duhet-te-reagojme/http://www.mapo.al/2012/10/23/aisha-e-nazimja-si-duhet-te-reagojme/