Tuesday 22 March 2011

OMGJ-të politike dhe zgjedhjet vendore në Tiranë

Shkruan:
Fabian Zhilla
22-03-2011 17:03

OMGJ-të politike dhe zgjedhjet vendore në Tiranë

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla&id=791

Mënyra e zgjedhjes së kandidatëve për drejtimin e Tiranës është një tjetër tregues i kontrollit patriarkal të partive politike, i cili shprehet dhe në institucionet publike, qofshin ato në nivelin qendror por dhe lokal. Në kushtet e një normaliteti politik, kandidaturat për drejtimin e Tiranës nga të dy krahët do të duhet të ishin ndryshe për një vend që aspiron Bashkimin Europian. Edhe kësaj here kandidaturat janë një konstrukt personalitetesh që ndërthuren në interesa politike dhe shumë pak në ato komunitare. Me pak fjalë, komunitetit tiranas i ngelet të shohë që do të drejtohet përsëri nga individë me staturë më shumë politike sesa administrative. Tirana edhe në mandatin e ardhshëm do të administrohet më shumë për interesa politike sesa për interesa lokale. Ky lloj formati/drejtimi i panatyrshëm i ngjan një OMGJ (organizma të modifikuar gjenetikisht), e cila të gënjen me formën dhe substancën e saj. Ai është plot look, por pa shije dhe si rrjedhim pa asnjë vlerë ushqyese dhe ndërtuese. Ai rrezikon ta shformojë edhe më tej konceptin e drejtimit e Tiranës nga drejtimi i një qyteti/ metropoli vlerash në një konstelacion interesash politike dhe biznesi. Tirana, pra, ka kohë që është kthyer në një habitat politik më shumë sesa në një ambient civil dhe qytetar. Ky qytet ka një amnezi të thelle në lidhje me një administrim lokal, i cili mendon për qytetarin dhe jo për politikën e ditës. Me kandidaturat e shfaqura aktualisht, tërësisht politike nga të dy krahët, Tirana, në çdo rast, është e destinuar të ngelet ‘qytet-kolateral’, i cili përdoret për të garantuar borxhet politike dhe borxhet e lobit të biznesit. Tirana tashmë është një qytet i cili qëndron peng në bankën e politikës dhe ku në çdo zgjedhje, politike apo vendore, nxirret në ankand. Një kulturë kjo e instaluar tashmë me shumë sukses nga drejtimi OMGJ-ist i Edi Ramës, që me shumë gjasa do të vazhdojë të funksionojë si i tillë në të dy rastet, si nga të majtët, por edhe në rast se ky qytet do të fitohet nga të djathtët. Ky lloj konstatimi shqetësues shihet qartë në shumë analiza që bëhen sot në media, dhe me të drejtë.

Pse kaq skeptikë? Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, sepse sot ka një denatyralizim të koncepteve të funksionimit politik në kontekstin lokal, por dhe në mënyrën sesi zgjidhen kandidatët në këtë kontekst. Hobsi, Loku dhe Ruso do të trembeshin teksa shikonin sesi konceptet e tyre të ‘kontratës sociale’ zbatoheshin në vende si Shqipëria. Në vend që këto ‘kontrata’ kandidatët përkatës t’i lidhnin me qytetarin, ata i lidhin me lidershipin e tyre. Në zgjedhjet vendore të radhës në Tiranë, megjithëse dinamika është pak e ndryshme, thelbi është po i njëjtë - jo natyrshmëria e kandidatëve.

Në rastin e kandidatit të djathtë, ka dy elemente të panatyrshme në figurën e tij. Së pari, karriera e tij politike është e katapultuar nga lidershipi aktual që drejton të djathtën, duke bërë që ai të mos ketë lidhje të fortë më strukturat bazë të forcës politike që ai përfaqëson në nivel lokal. Kjo bën që ai të ketë mangësi në njohjen e problemeve të komunitetit. Ministri Basha nuk ka qenë drejtues i strukturave lokale që lidhen me Tiranën, duke filluar që nga forumi rinor dhe deri te dega e PD-së për Tiranën. Edhe funksionet e tij administrative kanë qenë të nivelit qendror, duke drejtuar ministritë më të mëdha të vendit, siç janë ato të Transporteve apo, së fundi, Ministria e Brendshme. Në këtë kuptim, ministri Basha, me gjithë avantazhet që mund të paraqesë individualisht, është një kandidaturë jo fort e përshtatshme, pasi është tërësisht politike dhe jo me eksperiencë administrative të nivelit lokal. Karriera e tij është shumë e shkëputur nga çështjet thelbësore të komunitetit kryeqytetas në përgjithësi dhe me administrimin lokal në veçanti. Së dyti, ka dhe një tjetër element jo të natyrshëm në këtë kandidaturë, siç është dhe karriera politike e zhvendosur nga lart poshtë, pra nga qeverisja qendrore në atë lokale. Zakonisht, eksperiencat politike ndërtohen duke ndjekur një qasje të kundërt, ku individë të cilët kanë qenë të suksesshëm në administrimin lokal kalojnë në atë qendror. Pra kandidatura e Bashës, në fakt, është një kandidaturë OMGJ, e cila duket të jetë më shumë në funksion të lidershipit të pozitës sesa qytetarit. Pra, kjo kandidaturë nuk është një sjellje e cila premton administrim origjinal, të pavarur dhe me interesa të cilat lidhen vetëm me komunitetin tiranas, por një kandidaturë tërësisht politike dhe mbi këto premisa do t’i ndërtojë edhe politikat e zhvillimit.

Përsa i përket kandidaturës së majtë, analiza është edhe më e thjeshtë. Nëse në rastin e të djathtëve kandidati është OMGJ politike e Berishës, kandidatura e Edi Ramës është OMGJ e ‘berishizmit’. Edhe Rama erdhi në drejtimin e Tiranës pak a shumë në të njëjtën formë që po promovohet dhe Basha. Rama, sikurse Basha, u katapultua politikisht. E filloi karrierën në institucionet qendrore për të zbritur më pas në drejtimin e baskisë, duke e kthyer atë në një burim personal të forcës së tij politike. Duke e përdorur Tiranën si mekanizëm politik, Rama arriti të shartojë disa pushtete në një pushtet të vetëm, siç është dhe drejtimi politik si në nivel lokal por dhe qendror. Ai sot drejton opozitën e bashkuar -në kuptimin politik qendror-, por drejton dhe bashkinë më të madhe në vend -në kuptimin lokal. Kjo lloj kulture hibride, ku administrimi lokal përzihet me atë politik, rrezikon të kthehet në traditë dhe imitohet edhe nga drejtues lokal të tjerë, siç edhe ka filluar.

Pra, formati qeverisës i Ramës është krejtësisht i panatyrshëm për shoqëri që ndërtohen mbi parimin e ndarjes së pushteteve. Mbajtja dhe kontrolli i disa pushteteve nga një individ, e bëjnë Edi Ramën kandidatin më të panatyrshëm tashmë për të riadministruar Tiranën. Edhe beteja elektorale e Ramës i ngjan me shumë betejës për zgjedhje politike sesa atyre lokale, duke demonstruar kështu që ai ka kohë që nuk është më kryebashkiaku i Tiranës. Nuk mund të pretendohet që e gjithë fushata elektorale për zgjedhjet lokale të mbështetet vetëm në shkaqe politike. Administrimi lokal lidhet mbi të gjitha me faktorë të tjerë socialë dhe ekonomikë, të cilët kanë të bëjnë me problemet urbane. Tirana gjithnjë e më shumë po i ngjan lagjeve të tipit China-town, me shumë ngjyra, por të asfiksuara në infrastrukturë dhe të shkatërruara nga ana ambientale. Dhe për këtë Edi Rama nuk mund të akuzojë askënd. Mentaliteti totalitarist i frikës së pushtetit dhe pasigurisë që fatkeqësisht duket se e ka karakterizuar Ramën në riparaqitjen e tij për të disatën herë si kandidat për Tiranën, nuk e bën atë aspak më të ndryshëm nga ‘berishizmi’. Rama ndjek të njëjtin mentalitet qeverisjeje me Berishën, por në nivel lokal dhe partiak. Pra, fatkeqësisht, edhe rikandidimi i Ramës nuk është gjë tjetër veçse një OMGJ e berishizmit. Kandidimet e reja për Tiranën nxjerrin në pah pikërisht një element shumë problematik të politikës shqiptare - imitimi i modeleve negative në politikë. Sot shohim që Rama po ndjek deri diku ‘berishizmin’, duke konvertuar disa pushteteve në një; por dhe Basha nga ana tjetër duket se po imiton modelin e Ramës në karrierën e tij politike. Politika shqiptare ka filluar të prodhojë OMGJ-të e saj.

Me pak fjalë, qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të ndihen skeptikë për këto dy kandidatura. Si Rama apo dhe Basha, nuk pritet të sjellin diçka të re, pasi të dy janë të njëjtë në substancë dhe formë, megjithëse të ndryshëm në ngjyrë. Këto kandidatura janë thjesht disa OMGJ politike të një modeli qeverisës tashmë tejet të konsumuar. Mbase ka ardhur koha për kandidatë të pavarur, për kandidatë bios.

Monday 7 March 2011

Gazeta Mapo
Shkruan: Fabian Zhilla
07-03-2011 10:32
http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla&id=735

Kolonitë politike dhe zgjedhjet vendore
Zgjedhjet vendore po afrojnë dhe reagimi i shumë qytetarëve me të drejtë është: “dhe çfarë pastaj?” Si zakonisht, panorama do të jetë e njëjtë-kemi dy palë në garë, njëra që ‘fiton’ dhe tjetra që bën ‘zhurmë’. Megjithëse zgjedhjet do zhvillohen në maj, jehona e tyre do të ndihet deri në zgjedhjet politike të radhës. Dhe kur të vijnë këto të fundit, do të na duhet të shohim të njëjtin skenar të përsëritet deri në zgjedhjet lokale të mëpasshme dhe kështu telenovela e politikës shqiptare nuk merr fund. Në të gjithë këtë sipar tragjiko-komik qytetari ndihet gjithmonë e më shumë spektator, është ai që fatkeqësisht e gjen veten gjithmonë e më të huaj, është ai që sot politikanët i sheh vetëm në raste zgjedhjesh. Për më tepër, kohëve të fundit është vënë re një tjetër fenomen. Paradoksalisht, për të qenë sa më afër qytetarit, forcat politike janë përpjekur me shumë kujdes që të gjithë periudhën qeverisëse apo opozitarizmin ta paraqesin si periudhë zgjedhjesh. Është e vështirë që shqiptarët të bëjnë ndonjë dallim të dukshëm midis ‘qetësisë’ para dhe pas elektorale. Ne si popull jemi gjithmonë në ‘zgjedhje’, por fatkeqësisht kurrë në ‘zgjidhje’. Dhe megjithëse zgjedhjet lokale po afrohen ne ndihemi skeptikë.

Pyetja që lind është: pse duhet të ndihemi kaq indiferentë ndaj proceseve politikbërëse, ose pse gjendemi në një situatë të tillë?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, do duhet që fillimisht të shpjegojmë se sot struktura politike e përfaqësimit në Shqipëri është krejt jopërfaqësuese. Ka kohë që shqiptarët drejtohen nga pakicat politike. Gjatë dekadës së fundit pjesëmarrja në votime është luhatur në shifrat 45%-50%, me një tendencë të theksuar në zbritje. Kjo do të thotë se shqiptarët prej vitesh drejtohen nga pakicat politike të konsoliduara. Dhe këto pakica përfaqësuese janë partitë politikë. Shoqëria shqiptare në kuptimin politik ka dhe një ndarje tjetër: Sot shqiptarët nuk janë të ndarë vetëm në të majtë dhe në të djathtë, por edhe në ata që i përkasin ‘kolonive’ politike e në ata që nuk i përkasin asnjërës prej tyre.

Kolonitë politikë dhe anëtarët e tyre i ngjajnë pak a shumë përcaktimit që bën Malcolm X, aktivisti i njohur për mbrojtjen e të drejtave të zezakëve në Amerikën e viteve ‘60, për rolin politik të zezakëve në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ky trajtim i Malcolm X-it dhe të tjerë të ngjashëm më të, do të ishin për vite me radhë inspirues për shumë intelektualë amerikane në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Vetë Obama në librin e tij “Dreams from my Father” do të cilësonte se ky përcaktim i Malcolm X-it kishte qenë një inspirim për të në veprimtarinë si aktivist i shoqërisë civile në rrethinat e Chicago-s. Malcolm X-i do t’i kategorizonte zezakët në “zezakët e shtëpisë” (house negro) dhe “zezakët e fushës” (field negro). “Zezakët e shtëpisë” ishin ata që jetonin me drejtuesin e shtëpisë (të bardhët), visheshin si ai, silleshin si ai, madje e donin atë më shumë sesa ai i donte ata. Kurse “zezakët e fushës”, ishin ata të cilët vuanin, ata të cilët shtypeshin megjithëse ishin në shumicë, ishin ata të cilët nuk përfitonin, por keqtrajtoheshin nga pronari i shtëpisë, ndaj zezakët e fushës nuk e donin të zotin e shtëpisë.

Sot, fatkeqësisht, militantët politikë i ngjajnë zezakëve të shtëpisë dhe pjesa tjetër jomilitante apo indiferente, i ngjan “zezakëve të fushës”. Drejtuesit e partive janë realisht të zotët e shtëpisë, janë ata të cilët kanë kolonizuar shoqërinë e tyre.

Ky kolonizim është sa vertikal dhe horizontal. Ai vertikal shtrihet në mënyrë hierarkike, ku autoriteti i drejtuesit të partisë është krejt patriarkal. Renditja përcaktohet jo nga aftësia intelektuale, por nga aftësitë shërbyese, ku kostoja e kompromisit dhe devocioni përcakton gradën dhe afërsinë ndaj shefit të kolonisë. Është aq e fortë lidhja midis drejtuesit të kolonisë dhe aparatçikëve të saj, sa këta të fundit kanë filluar t’i imitojnë shefat e tyre deri në detaj. Beteja për territor midis kolonive politike shtrihet në çdo qelizë, duke filluar nga demonstrimet masive publike deri te përplasjet e sofistikuara në media. Edhe demonstrimet e fundit ishin një gjest i natyrshëm kolonial, ku njëra palë i tregoi ‘muskujt’ kolonisë tjetër. Sot edhe shoqëria civile nuk i ka shpëtuar ‘kolonizimit politik’. Gjithmonë e më shumë shikohet që këto koloni janë më të moderuara, ato kanë televizionet e tyre, median e shkruar, por kanë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët u bëjnë avokatinë. Beteja koloniale më e madhe bëhet për kontrollin e ekzekutivit dhe jo pa qëllim. Në një vend ky tregu i lirë dhe sektori privat janë shumë larg të qenit të konsoliduar, burimi më i madh i vendeve të punës ngelet sektori publik. Ky i fundit nuk shërben vetëm për të punësuar anëtarët e kolonisë, por dhe për t’i përdorur këto institucione për të dobësuar koloninë kundërshtare. Lidhjet sociale brenda kolonisë përcaktohen nga interesa jolegjitime dhe ideologjia që i mban të bashkuar është përfitimi individual nëpërmjet avancimit të kolonisë në pushtet. Kolonia politike, pra, është fytyra e tyre dhe ata janë simbioza e saj. Kultura e tyre është korrupsioni, ndaj dhe për anëtarët e kolonisë kjo është kthyer në rregull dhe e kundërta në përjashtim. Edhe humbja edhe fitorja shikohet nën syrin e turmës koloniale, gjë që mban koloninë të konsoliduar.

Me pak fjalë, zgjedhjet vendore nuk janë gjë tjetër vetëm se një sipar i luftës për autoritet dhe kontroll të kolonive politike në nivel lokal. Pjesa tjetër e qytetarëve janë krejtësisht të papërfaqësuar. Ata kanë shumë pak instrumente reagues, ndaj dhe zëri i tyre është thuajse i pandjeshëm. Fatkeqësisht çdo formë demokratike që këta qytetarë mund të përdorin për t’i dekonstruktuar këto koloni u është ‘sabotuar’. Pra, ‘zgjidhja’ përtej zgjedhjeve vendore, është që fillimisht ky popull të çkolonizohet prej kastës politike. Ky proces duhet të fillojë duke mbështetur çdo iniciativë të shoqërisë civile, e cila është në shërbim të çkolonializmit nga kontrolli politik. Do duhet që protestat të zhvillohen edhe përpara selive të partive politike. Çkolonializmi fillon edhe duke e demonstruar mbështetjen ndaj atyre institucioneve të pavarura që përpiqen t’u minimizojnë pushtetin këtyre kolonive, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në terma afatshkurtër, një zgjidhje që do të ndihmonte çkolonizimin e procesit zgjedhor mund të ishte kërkesa për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Një ndërhyrje mund të ishte një amendim i këtij Kodi, ku të përcaktohet se, në rast se pjesëmarrja e votuesve është nën 45% të shtetasve me të drejtë vote, zgjedhjet të ripërsëriten. Me pak fjalë, nëse zgjedhjet vendore sot dhe ato politike nesër, nuk do të çkolonizohen, ato nuk do të prodhojnë gjë tjetër vetëm se një riformatim kufijsh midis dominancave politike. Shumica e qytetarëve që nuk mbështesin politikat uzurpuese, por ideologjitë të cilat bazohen në një drejtësi sociale, do të duhet që fillimisht të çkolonizojnë procesin zgjedhor dhe më pas të marrin pjesë në votime.

Tuesday 1 March 2011

Saviano: Mafia shqiptare, njësh me italianen
28/02/2011 22:20 marr nga topchannel Albania
http://top-channel.tv/artikull.php?id=205210&ref=lajme
Gjatë rrëfimit në emisionin “Shqip”, gazetari Roberto Saviano ka nënvizuar faktin se në vendet ballkanase, por edhe jashtë rajonit, votat blihen nga krimi i organizuar.
“Italia, Shqipëria, Greqia, etj, kanë një sistem klientelist të ngjashëm. Blihen votat. Të shkëmbesh votat do të thotë: “unë të jap një punë dhe ti më voto”. Kjo e dëmton demokracinë. Të blesh votën do të thotë që për 50 euro t’i blen një votë. Në Itali me 60 mijë euro blihet një vend në Parlament. Në Shqipëri shteti nuk ka punuar pothuajse fare në këtë drejtim. Po ashtu edhe në Turqi. Janë kapitale mafioze që mund të blejnë vota”, ka deklaruar Saviano.

I pyetur mbi zërat për investimet e mafieve të huaja në Shqipëri, gazetari i njohur është shprehur se kjo tashmë nuk përbën më një risi. Sipas tij, përmes kapitaleve kriminale, mafiozët arrijnë të depërtojnë në cdo vend.

“Nëse do të hapësh një fabrikë në Shqipëri, një i huaj i drejtohet një ndërmjetësi mafioz. Nëse e bën pa pikë ndërmjetësi, burokracia është e pafundme. Mua më cudit që ju shqiptarët habiteni. Mjafton të pyesësh cfarëdolloj sipërmarrësi që s’ka frikë të flasë”, ka pohuar Saviano.

Sipas tij, investimet bëhen përmes ndihmës së familjeve mafioze shqiptare, të cilat nga Tirana kontrollojnë cdo qelizë në Shqipëri dhe arrijnë të përhapen jashtë saj.

“Familjet e Tiranës përcaktojnë cdo qelizë në Shqipëri, në Prishtinë, e Nju Jork. Pushteti i mafies shqiptare, për shembull në vendet e ulëta, arrin përmes heroinës”, ka thënë Saviano.

Një pikë e rëndësishme e prekur prej tij është bashkëpunimi që mafia shqiptare ka vendosur me atë italiane, e cila nuk i konsideron shqiptarët elementë të huaj. Përkundrazi, ka theksuar Saviano, italianët kanë shumë besim tek shqiptarët.

“Një hetim i 2009-ës flet për bashkëpunimin mes Ndrangetës dhe mafies shqiptare. Shqiptarët japin 10 kg heroinë për 5 kg kokainë. Pastaj investojnë. Sot shqiptarët konsiderohen italianë, flasin italisht. Kamorra ka anëtarë shqiptarë që nuk i konsideron të huaj. Mafia italiane nuk ka besim tek serbët, tek rusët, etj”, ka deklaruar Saviano.

Duke qendruar tek mafia shqiptare, ajo sipas tij është kthyer në një sipërmarrje që ka si prioritet cimenton dhe investimet në ndërtim.

Saviano vlerëson se shumë shpejt, Shqipëria do të bëhet një vend tërheqës për emigrantët dhe organizatat kriminale do të korrin fitime të mëdha.

“Mafia shqiptare investon gjithcka në cimento, kryesisht në hinterlandin e jugut. Shqipëria është një vend që po shkon pranë pritjes së emigrantëve dhe do të ketë shumë fitim. Mafiet shqiptare kontrollojnë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë duke u përpjekur të shtypin popullsinë shqiptare”, është shprehur Saviano, i cili nga ana tjetër ka paralajmëruar Shqipërinë që të bëjë kujdes nga mafiet italiane që duan të transportojnë plehrat.

“Mafia italiane po sheh mundësinë për të bërë biznes me shqiptarët për transportin e plehrave. Bëni shumë kujdes”, ka thënë ai.

Nuk mund të linte pa prekur edhe cështjen e Kosovës, për të cilën dy vjet më parë shkaktoi shumë polemika me deklaratën se mund të kthehet në Kolumbinë e Evropës.

Sot sipas tij, Kosova është një shtet i rrezikuar nga organizatat mafioze, të cilat përbëhen nga ish-anëtarët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

“UCK-ja është financuar nga kapitale mafioze, për këtë ka hetime në SHBA. Tani UCK s’ekziston më sepse anëtarët e saj janë kthyer në mafiozë. Cështja është se kur kokaina transgjenike do të ketë një cmim të arsyeshëm, atëherë Kosova do të kthehet në një Kolumbi të vogël”, ka deklaruar Saviano.

Një tjetër cështje e prekur prej tij është edhe ajo e marrëdhënieve mes mafies dhe politikës, e cila sipas tij në Shqipëri eshtë një fenomen konkret.

“Politika shqiptare ka kontakte me mafien, nuk mund të mendohet që të mos ketë. Në Shqipëri ka prokurorë guximtarë që izolohen, policë të zotë që shmangen, gazetarë të guximshëm. Por ka edhe një det me korrupsion”, ka shtuar Saviano.