Wednesday 6 October 2010

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian%20Zhilla&id=235
Shkruan:
Fabian Zhilla
06-10-2010 09:39

Gjykata Administrative brenda thonjëzave politike

Mosvotimi i ligjit për Gjykatën Administrative në seancën parlamentare të së enjtes tregoi dhe një herë se klasa politike ka mangësi në konceptimin e përgjegjësive të saj. Toni i përdorur nga figurat kryesore të të dy kampeve gjatë debatit parlamentar të bën skeptik për zgjidhjen e shpejtë të këtij problemi. Është krijuar një precedent negativ në lidhje me reformat kryesore si p.sh. formimi i Gjykatës Administrative. Ajo përpiqet t’i shmangë ato, duke i nxjerrë në periferi dhe shfaqur problematika më “të prekshme” për publikun, si lufta ndaj korrupsionit, liria e votës, liberalizimi i vizave etj. Por, në të vërtetë, të tilla probleme përmirësohen vetëm nëpërmjet institucioneve të pavarura siç do të ishte dhe Gjykata Administrative. Opozita e sotme me sjelljen e saj në seancën e të enjtes nuk bëri gjë tjetër vetëm se i përgatiti alibinë opozitës së nesërme në raste të ngjashme. Pse sot ngurrohet të votohet ligji përkatës nga opozita? Pse pozita nuk mori në konsideratë propozimet e opozitës që në mars? Përse kërkohet me kaq ngulm kalimi i ligjit pa amendimet përkatëse? Cilat janë qëllimet politike të të dyja palëve, të cilat fshihen pas këtij ngërçi institucional? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, duhet fillimisht të kuptojmë rolin e Gjykatës Administrative në kuptimin politik.

Së pari, Gjykata Administrative është një ndër mekanizmat kontrollues të akteve administrative në nivelin qendror dhe lokal. Kështu, çdo akt administrativ i qeverisë apo i qeverisjes vendore mund t’i nënshtrohet kontrollit nga kjo gjykatë. Kjo mund të bëhet në rastet kur akti administrativ normativ apo individual bie ndesh me Kushtetutën, aktet ndërkombëtare edhe me ligjet e Parlamentit. Pra, kjo gjykatë ka një rol përcaktues në lidhje me kontrollin e ligjshmërisë së ekzekutivit. Ajo fare mirë mund të kthehet në një barrierë ‘administrative’ për çdo lloj përçartjeje ligjore të ekzekutivit. Kontrollin e ekzekutivit e ka luajtur deri diku me sukses Gjykata Kushtetuese, por ky rol ka marrë pa dashur edhe ngjyrime politike. Gjykata Administrative ka funksione më praktike dhe u përgjigjet më shpejt kërkesave të tregut. Pra, nëse Gjykata Kushtetuese ka një kontroll mbi ekzekutivin, por dhe legjislativin në planin makro dhe sporadik, Gjykata Administrative ka kontroll në nivelin mikro në lidhje me çështjet e ditës.

Së dyti, kjo gjykatë minimizon pushtetin ekzekutiv, duke prishur balancat e forcës midis pushtetit dhe individit. Ky i fundit përfiton një avantazh më shumë kontrolli ndaj pushtetit ekzekutiv. Kështu, çdo akt administrativ që prek qoftë individin por dhe biznesin në marrëdhëniet e tij me shtetin, do të kalojë përmes kësaj gjykate. Pra, qytetarëve u shtohet dhe një mjet tjetër juridik më efikas ndaj organeve shtetërore në të dy nivelet. Këtu do të përfshiheshin sidomos ato akte individuale që cenojnë direkt interesat e qytetarëve, si lejet apo licencat e ndryshme, shpronësimet, gjobat, taksat, tatimet, doganat etj.

Së treti, kjo gjykatë mundet fare mirë që nëpërmjet akteve të saj të godasë korrupsionin në administratën publike në mënyrë indirekte. Çdo ankesë e cila mund të lidhet me keqmenaxhimin e ofrimit të shërbimeve, siç janë sidomos rastet e licencave apo dhe gjobat selektive që vendosen shpesh nga subjektet shtetërore, mundet fare mirë të gjejnë përgjigje në këtë gjykatë. Ky institucion luan dhe rolin e gjykatës së shkallës së dytë, në lidhje me vendimet administrative që jo pak herë lënë për të dëshiruar për cilësinë e tyre. Kjo gjykatë, duke qenë një gjykatë e specializuar, do të ndikojë në rritjen e cilësisë së akteve administrative, me pasojë shfuqizimin e tyre. Gjykata Administrative bën të mundur evitimin e ndikimit politik në vendimet administrative. Pra, Gjykata Administrative nuk është vetëm një gjykatë e specializuar, e cila do të përshpejtonte shumë gjyqe të rëndësishme. Nuk është thjesht një mekanizëm i cili ndihmon zhvillimin e tregut. Vendimet e kësaj gjykate nuk i sjellin shoqërisë vetëm përfitime në kuptimin ekonomik. Por kjo gjykatë luan dhe një rol mjaft të rëndësishëm politik, siç është kontrolli ligjor i akteve administrative të ekzekutivit apo dhe i abuzimeve të administratës publike. Me pak fjalë, ngritja e kësaj gjykate dobëson rolin e pushtetit ekzekutiv. Janë pikërisht këto arsyet të cilat e bëjnë klasën politike dhe sidomos opozitën t’i shmanget këtij procesi. Pse? Sepse kasta politike është shumë më pragmatiste dhe shumë më pak e interesuar për drejtësinë sociale. Kështu, opozita përpiqet të shmangë miratimin e ligjit në këtë moment, sepse ajo humbet rastin për të emëruar gjyqtarët që do t’i shërbenin më shumë kësaj force. Nga ana tjetër dhe pozita, nisur nga kushtet oportune aktuale, përpiqet të përshpejtojë miratimin e ligjit me të njëjtin objektiv. Shqetësimi i politikës, pra, duket se nuk është te ligji per se, por se cila forcë politike do bëjë ekzekutimin e tij.