Monday 19 September 2011

Mbrojtja e Gjyqtarëve, jo vetëm fizike

Gazeta Mapo
Shkruan:  Fabian Zhilla

19-09-2011 10:51

Vrasja e gjyqtarit Konomi risolli në vëmendje edhe njëherë dobësinë e shtetit përballë krimit të organizuar, por nga ana tjetër tregoi edhe njëherë sesa i pambrojtur është gjyqësori shqiptar. Në përgjithësi kjo vrasje e kanalizoi problemin te mungesa e sigurisë fizike të gjyqtarëve. E gjithë polemika publike duket se është fokusuar në këtë drejtim. Por a e zgjidh vetëm siguria fizike problemin e mbrojtjes së gjyqtarëve?



Në fakt kjo ngjarje e dhimbshme rikonfirmoi se gjyqtarët janë krejtësisht të ekspozuar ndaj krimit të organizuar. Kjo problematikë vërehet në vonesën e zbardhjes së çështjeve të kësaj natyre, duke pasur parasysh këtu vrasjen e deputetit Xhindi, të pazgjidhur tashmë që nga viti 2009. Ka kaluar më shumë se një javë nga vrasja e gjyqtarit Konomi dhe akoma nuk ka një pistë apo emra konkret të dyshuar për krimin.



Një tjetër tregues negativ në lidhje me mbrojtjen e gjyqtarëve është dhe reagimi i vakët institucional dhe publik ndaj një fenomeni të tillë. Ndërkohë që opinion publik ka qenë mjaft aktiv, ai institucional lë shumë për të dëshiruar. Ashtu siç tashmë është kthyer në modë, në raste vrasjesh të tilla, deklaratat post mortum të qeveritarëve, me një refren të huazuar nga fushatat elektorale, thjesht ngelen boshe dhe pa substancë. Akoma më patetike janë dhe deklaratat e njëpasnjëshme të aktorëve me lidhje të drejtpërdrejtë me gjyqësorin, si Presidenti i Republikës, ministri i Drejtësisë, dhe zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD). Nga ana tjetër, edhe më skandaloz është reagimi i vetë komunitetit të gjyqtarëve. Përveç një reagimi të kuruar mirë teknikisht të Kryetarit të gjykatës së rrethit Vlorë, ende nuk kemi një reagim të Kryetares së Konferencës së Gjyqtarëve, si një ndër forumet më të larta përfaqësuese të gjyqtarëve. Ky lloj reagimi apatik i vetë aktorëve të prekur drejtpërsëdrejti nga kjo ngjarje tregon se gjyqësori shqiptar fatkeqësisht ka kohë që është lënë në mëshirë të fatit.



Në fakt kjo sjellje u duk edhe në mbledhjen e fundit të KLD-së, kryetar i së cilës është President i Republikës dhe ku një ndër anëtarët e saj është dhe ministri i Drejtësisë. Sipas asaj që raportohet në media rreth kësaj mbledhjeje, KLD ka vendosur se duhet ‘kërkuar më shumë siguri për jetën e gjykatësve’, pasi në një vit e gjysmë rreth 10 gjyqtarë kanë kërkuar mbrojtjen e jetës dhe 15 janë kërcënuar fizikisht (Gazeta ‘Shqip’ 17 shtator 2011). Dhe për të arritur deri në këtë vendim, KLD-së do t’i duhej që një gjyqtar të vritej në mënyrë spektakolare nga krimi i organizuar, për të kuptuar që gjyqësori ka nevojë të mbrohet.



Si duket, KLD-së nuk i ka mjaftuar fakti se për rreth 20 vite shumica e gjyqeve në gjykatat kryesore si ajo e Tiranës dhe Durrësit zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve dhe ku ata kanë një ekspozim të drejtpërdrejtë me palët. Pothuajse çdo raport vëzhgimi nga ndërkombëtarët në mënyrë të përsëritur e ka vënë në pah këtë lloj problematike. Sot gjyqtarët mundet fare lehtë të ofendohen, por dhe sulmohen fizikisht gjatë apo jashtë seancës gjyqësore, pa pasur asnjë mundësi sigurie fizike.



Akoma dhe me problematike është situata me ata gjyqtarë që detyrohen të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin. Në mungesë të një transporti të veçantë për këtë kategori gjyqtarësh, dhe në mungesë të fondeve në këtë drejtim, shumica e tyre përdor transportin publik, ku nuk është çudi të ndajë rrugën me familjarët apo miqtë e dikujt që e ka dënuar më burgim të përjetshëm.



Nga ana tjetër, ta përkufizosh sot sigurinë e gjyqtarëve vetëm në sigurinë e tyre fizike, është jo vetëm jo profesionale por tallëse. Mbase siguria fizike e tyre mund të renditet si një ndër pikat e fundit në listën e gjatë të problemeve që lidhen me sigurinë e gjyqtarëve. Gjyqtarët fillimisht janë të pasiguruar nga klasa politike, e cila prej 20 vitesh u cakton një buxhet qesharak, i cili nuk kalon 1% të buxhetit të shtetit. Rrogat e gjyqtarëve shqiptarë, sipas një raporti vlerësimi të Transparency International 2011, janë më të ulëtat në rajon. Një gjyqtari shqiptar sot nuk i ofrohet as siguria sociale që u afrohet atyre dhe në vende të ngjashme me problematikat tona si Argjentina, ku gjyqtarëve u ofrohen kredi të buta, bursa studimi për familjarët, asistencë dhe asistenca profesionale. Edhe në vende si Gana apo Kenia statusi i gjyqtarit është më i lartë se në Shqipëri, vend ky i yni dhe anëtar i NATO-s.



Siguria e gjyqësorit nuk duhet nisur thjesht nga siguria fizike, por nga sigurimi i një statusi dinjitoz social në shoqëri. Kjo do t’u mundësonte gjyqtarëve shqiptarë komfortin e duhur për dhënien e drejtësisë dhe fitimin e respektit dhe mbrojtjes nga shoqëria. Një status social i garantuar do të konsolidonte sistemin gjyqësor, duke i dhënë atij mundësinë për të qenë më efikas ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.



Me pak fjalë, siguria e gjyqtarëve nuk fillon me sigurinë fizike të tyre, por mbase mbaron me të. Siguria e gjyqësorit duhet të jetë një reformë e cila duhet të fillojë që nga rritja e profesionalizmit, përmirësimi i infrastrukturës, rritja e rrogave, promovimi i bazuar në meritokraci, dhe siguria fizike. Kjo paketë masash duhet të shoqërohet me qëndrime sa më aktive të organizmave përfaqësues në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të gjyqtarëve, si Konferenca e Gjyqtareve apo dhe dy shoqatat joqeveritare përkatëse. Në mungesë të një reforme të thellë në lidhje me gjyqësorin, rritja e sigurisë fizike nuk do të arrijë t’u sigurojë dot gjyqtarëve mbrojtjen e duhur nga krimi i organizuar dhe jo vetëm.


http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla &id=1414