Thursday 3 November 2011

Tre argumente pro rishikimit të ligjit të ‘plehrave’



Fabian Zhilla

Gazeta Mapo 03-11-2011 12:04

Ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, apo i njohur ndryshe në publik si ligji i ‘plehrave’, risolli edhe njëherë në vëmendje një problematikë që tashmë shfaqet rëndom te ne, siç është edhe amullia ligjore që shpesh shoqëron procese shumë të rëndësishme për zhvillimin social si administrimi i mbetjeve urbane. Neni më i kontestuar i këtij ligji është neni 49, i cili lidhet me importimin e mbetjeve urbane në Shqipëri nga vendet e huaja. Shqetësimi i ngritur është se ky nen është i parakohshëm, pasi vendi ynë nuk jep siguri institucionale dhe ligjore që procesi i mbetjeve urbane do menaxhohet mirë. Do të ishin tre argumentet kryesore pse neni 49 duhet rivlerësuar. Argumenti ligjor, institucional dhe ai që lidhet me sigurinë kombëtare.
I
Aktualisht menaxhimi i mbetjeve urbane është larg standardeve të BE-së. Mjafton t’i referohesh Strategjisë Kombëtare për Mbetjet (SKM), të përgatitur nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit te Ujërave më 25 maj 2010, për të vënë re se Shqipëria, në shumicën e rasteve, praktikon formën e fundit të menaxhimit të mbetjeve urbane në hierarkinë e mbetjeve sipas Direktivës 2008/98/ KE (neni 4) atë të asgjësimit, dhe shumë pak atë të riciklimit.
Sipas SKM, “Sistemi i menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme është shumë i dobët dhe pjesa më e madhe e grumbullimit të mbetjeve kryhet nga sektori privat, gjithashtu edhe impiantet e riciklimit janë në pronësi të sektorit privat. Sigurimi i këtyre aktiviteteve dhe sistemi i menaxhimit janë akoma në fillimet e tyre dhe varen nga disponueshmëria e materialeve të riciklueshme me një cilësi të mirë. Në shumicën e rasteve industria e riciklimit varet nga lëndët e para të riciklueshme që importohen në Shqipëri.” (Paragrafi ndodhet në pikën 1 Administrimi i Mbetjeve në Shqipëri - i gjithë dokumenti nuk ka nr. faqesh në fund). Sipas të njëjtit dokument aktualisht ‘mbetjet e rrezikshme depozitohen në të njëjtin vend me ato të parrezikshme’, edhe pse kjo ndalohet me ligjet aktuale. Shqipëria momentalisht është në një rrezik ekstrem ambiental në shkelje flagrante edhe të ligjeve në fuqi.


Duhet cilësuar se në tërësinë e tij ky projektligj përpiqet të rregulloj menaxhimin e mbetjeve urbane dhe të vendosë standardet e kërkuara nga BE-ja në lidhje me to. Por nga ana tjetër duhet pranuar se neni 49 është evaziv dhe i paqartë. Një ndër ekspertët e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave sqaronte në mënyrë të detajuar se importi i mbetjeve të riciklueshme është përbërës thelbësor për zhvillimin e industrisë së riciklimit (‘Panorama’, 2 nëntor 2011). Dhe për këtë jepte një seri argumentesh. Megjithatë, në asnjë nen të projektligjit nuk e gjejmë fjalën ‘mbetje të riciklueshme’. Projektligji jep një sërë definicionesh për tipet e mbetjeve, por nuk ka në të asnjë për mbetjet e riciklueshme. Nëse ky është një term teknik i fshehur diku midis rreshtave të ligjit, ai duhet t’i bëhet i qartë sa komunitetit të biznesit, por dhe publikut më gjerë në një material shoqërues në formë sqaruese, që ndryshe njihet ‘guidance’.


Nëse i kthehemi nenit 49 vërejmë se shprehja e përdorur është ‘importimi i mbetjeve’ dhe jo ‘importimi i mbetjeve të riciklueshme’. Sipas projektligjit ‘mbetje’ definohet si çdo substancë ose objekt të cilin mbajtësi e hedh ose ka ndër mend që ta hedhë, ose i kërkohet që ta hedhë. Në këtë kontekst, termi ‘mbetje’ është gjithë përfshirës dhe forma sesi neni është ndërtuar mund të lërë hapësira interpretimi për importimin edhe të mbetjeve jo të riciklueshme.

II
Mungesa e infrastrukturës dhe kapaciteteve njerëzore është një tjetër problem që shoqëron problematikën që mund të prodhojë eksportimi i mbetjeve në përgjithësi (kjo sipas nenit aktual). Sipas SKM më sipër, në lidhje me mbetjet urbane, deri në vitin 2010 ishin rreth 60 kompani private që merreshin me riciklimin e mbetjeve, por jo të gjitha të licencuara nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Parimet e tregut të lirë nuk duhen ngatërruar me parimet e një tregu të shthurur. Në këtë drejtim roli negociues i ministrive të linjës është shumë i rëndësishëm, duke u kërkuar fillimisht firmave aplikuese të plotësojnë standardet teknike dhe potencialet njerëzore përpara se të aplikojnë. Është e çuditshme të dëgjosh se këto firma gjenden përballë një situate të vështirë, pasi nuk sigurojnë lëndë të parë për riciklimin e mbetjeve. A nuk duhej marrë parasysh prej tyre ky handicap në tregun shqiptar qysh në krye të herës? Nga ana tjetër, qeveria shqiptare fare mirë mund të jepte me pak licenca dhe t’ua jepte atyre kompanive që mund të siguronin teknologjinë e duhur në këtë drejtim. Nuk duhet të harrojmë se është po problem i ministrive përkatëse apo bashkive që sot qytetarët nuk janë të edukuar me ndarjen e mbetjeve në të ciklueshme dhe të pa ciklueshme. Sot mungojnë kontenierët e veçuar të cilët do t’u mundësonin atyre ta bënin këtë ndarje praktikisht. Kjo mundej fare mirë t’u caktohej kompanive të cilat do të merrnin përsipër menaxhimin e mbetjeve, e cila është një industri goxha fitimprurëse.

Ajo që është shqetësuese dhe që është vënë re në raste projektesh të ngjashme si ajo e minierës së Bulqizës, është se niveli i inspektimeve të ministrive të linjës lë shumë për të dëshiruar. Dhe kjo nënvizon një fakt shumë të rëndësishëm, siç është ai se ky treg është ende i pa rregulluar mirë, duke krijuar kështu hapësira për element korruptiv në procesin e licencimit apo dhënë mundësi përfshirjes së mafies italiane, që njihet tashmë si një ndër ‘investitorët’ më të fuqishëm në këtë biznes. Dhe këtu dalim në argumentin e tretë që lidhet me sigurinë kombëtare.


III
Tashmë përfshirja e mafies italiane në projekte që lidhën me mbetjet urbane dhe ato toksike është kthyer në shqetësim në të gjithë BE-në dhe kjo nuk është më një legjendë urbane apo subjekt i filmave. Ajo që tashmë quhet eko-mafia, ka kohë që është përfshirë në projekte të kësaj natyre. Mafia italiane fiton rreth 20 miliardë Euro në vit nga biznesi i ‘menaxhimit’ të mbetjeve urbane. Këtu duhet sjellë në vëmendje dhe skandali i njohur në Itali në vitin 2008, me emrin skandali ‘Mocarela’, ku sipas analizave të bëra djathit italian më të njohur të picave, ‘mozzarella di bufala’ , u gjetën sasi të larta dioxine dhe kjo si rrjedhojë e qumështit të ndotur nga mbetjet toksike në Campania, Napoli.



Gjurmët e përfshirjes së mafies italiane në këtë lloj ‘biznesi’, duke shfrytëzuar fondet e BE-së, është kthyer së fundi në një shqetësim publik në Rumani. Ndotja në zonat rurale si Glina (Rumani), ku mbetjet urbane janë groposur, është shumë herë më e lartë se edhe në metropolin rumun, Bukureshtin. Sot kompani të ‘njohura’ ndërkombëtarisht në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane dyshohet të kenë lidhje të forta me mafien italiane. Çdo investitor i huaj do të hezitonte të investonte në projekte të cilat lidhen me prodhimet bujqësore, aq oportune për tregun shqiptar, nëse do të vlerësonte riskun ambiental apo dhe riskun e sigurisë kombëtare si rreziqe me një kosto të pallogaritshme. Këto janë risqe që çdo investitor strategjik i vlerëson me përparësi të jashtëzakonshme.







E parë si në pikëpamjen ligjore, institucionale, por dhe në këndvështrimin e mbrojtjes së sigurisë kombëtare, neni 49 i këtij ligji duhet të amendohet. Në të njëjtën kohë, ekzekutivi duhet të nisë një seri inspektimesh dhe të bëjë më transparent dhënien e licencave në lidhje me administrimin e mbetjeve urbane. Lëshimi i licencave në këtë sektor duhet të përfshijë një gamë të gjerë institucionesh të cilat merren me investigimin e krimit të organizuar dhe pastrimin e parave.



Monday 17 October 2011

Organised crime and judicial corruption in the Western Balkans: Are customary norms playing any role?





Journal of Financial Crime
ISSN: 1359-0790
Online from: 1993
Subject Area: Accounting and Finance
Content: Latest Issue
Latest Issue RSS
Previous Issues
Document Information: Title: Organised crime and judicial corruption in the Western Balkans: Are customary norms playing any role?

Author(s): Fabian Zhilla, (School of Law, King's College London, London, UK)

Citation: Fabian Zhilla, (2011) "Organised crime and judicial corruption in the Western Balkans: Are customary norms playing any role?", Journal of Financial Crime, Vol. 18 Iss: 4, pp.387 - 404

Keywords: Albania, Corruption, Customary norms, Judicial corruption, Law enforcement, Legal personnel, Money laundering, Organized crime, Western Balkans

Article type: Research paper

DOI: 10.1108/13590791111173713 (Permanent URL)

Publisher: Emerald Group Publishing Limited

Acknowledgements: The author thanks Dr Mary Vogel, Reader in Law and Democratic Transformation, School of Law, King's College, for her comments and fruitful suggestions on the structure of the paper and the line of argument. This paper would have not been completed without her commitment and encouragement.

Abstract:

Purpose – The purpose of this paper is to explore the interplay between customary norms and organised crime and consider their implications for judicial corruption.



Design/methodology/approach – This paper analyses the links between judicial corruption and organised crime in the Western Balkans generally, and focuses on the role of customary norms in Albania in particular. The paper takes stock from secondary sources and a series of semi-structured expert interviews with judges, prosecutors, and lawyers in Albania.



Findings – This study explains that the impact of customary norms in the interplay between organised crime and judicial corruption in the Western Balkans generally, and in Albania more specifically, although not frequently used, is real and that it carries significant consequences.



Research limitations/implications – Due to differences among cultures in the Western Balkans, findings based on Albania are suggestive only for similar societies and indicate areas for future research.



Originality/value – The paper demonstrates that mechanisms of customary norms such as vendetta and blood feud killings can neutralise the judiciary and law enforcement agencies when they have been manipulated by organised crime out of their social context for criminal purposes.





Tuesday 4 October 2011

Reforma në Gjyqësor duhet të fillojë nga Magjistratura



Fabian Zhilla

04-10-2011 11:48
http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla&id=1474

Rreth dy javë më parë (13 shtator) u zhvillua konkursi për pranimin në Shkollën e Magjistraturës për gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm. Si shumë lajme të rëndësishme, por të cilat nuk janë për konsum politik, edhe kjo ngjarje kaloi pa u evidentuar në shtypin e ditës. Në fakt, në vetvete, mosdhënia rëndësi një ngjarjeje të tillë nga opinioni publik është një tjetër tregues i ndjeshmërisë së ulët publike ndaj gjyqësorit.



Për t’iu kthyer problematikës, ka kohë që në qarqet e gjyqtarëve qarkullon ideja se Magjistratura nuk po rekruton juristët më të mirë në vend. Miti se magjistratët janë gjyqtarët më të kualifikuar dhe më të pakomprometuarit në sistem duket se tashmë ka rënë. Nëse dje kishte një shpresë se me futjen e magjistratëve sistemi gjyqësor do të pësonte një ndryshim pozitiv, kjo hipotezë tashmë duket se është vështirë të provohet. Sot më shumë se 1/3 e gjyqtarëve janë magjistrat. Ata kanë mundësi të jenë një masë kritike e mjaftueshme për të dhënë disa sinjale të forta në publik, se gjyqësori ka nisur të përmirësohet. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur, duke ngritur kështu pikëpyetje të mëdha në atë nëse projekti i Shkollës së Magjistraturës ka funksionuar si duhet ose jo.



Raportet e fundit në lidhje me gjyqësorin, siç është Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA ) 2010, tregojnë se besimi i publikut në gjyqësor sa vjen dhe bie. Korrupsioni në gjyqësor shihet të jetë shumë problematik dhe kjo e konfirmuar dhe nga vetë gjyqtarët, sipas të njëjtit vëzhgim. Në raportin analitik të Komisionit të Europës për Shqipërinë në vitin 2010 nënvizohet se gjyqësori ende vuan nga problemet e pavarësisë, transparencës dhe korrupsionit të lartë. Gjithashtu, pritet që edhe raporti i fundit i vlerësimit për marrjen e statusit në Bashkimin Europian (BE) të nënvizojë të njëjtën problematikë.



Ndër shumë faktorë për korrupsionin në gjyqësor, një ndër ta është edhe niveli i ulët profesional, por dhe cilësia e juristëve të rekrutuar për të qenë gjyqtarë dhe prokurorë. Dhe në këtë drejtim roli i Shkollës së Magjistraturës është mjaft kritik, pasi pranimi i juristëve defektozë, si nga pikëpamja profesionale por dhe etike në sistemin gjyqësor, e bën shumë të vështirë largimin e tyre më pas, kjo për vetë imunitetin e zgjeruar që gëzon gjyqtari sot.



Në një shkrim të botuar në Facebook disa ditë ma parë, një ndër konkurrentët e këtij viti për pranimin në Shkollën e Magjistraturës, do ta niste ‘denoncimin’ e tij me fjalët ‘Përshëndetje! "KORRUPSIONI në MAGJISTRATURË ndryshon formë, por jo përmbajtje me KORRUPSIONIN E ADMINISTRATËS PUBLIKE".



Duke qenë se shkrimi është anonim dhe vjen nga dikush që ka një konflikt interesi me problematikën që ngre, sigurisht faktet e paraqitura prej tij duhen marrë me rezervë, por nga ana tjetër kjo s’do të thotë të neglizhohen. Për këtë qëllim po paraqesim vetëm disa nga problematikat e këtij denoncimi, duke shmangur emrat e përveçëm, për të ruajtur kështu etikën gazetareske dhe për t’u dhënë mundësi strukturave drejtuese të Shkollës së Magjistraturës, por edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, të mbajnë shënimet e tyre. Është në detyrën tonë si komentatorë dhe studiues t’u gjejmë ‘veshë’ dhe ‘sy’ problemeve të këtij karakteri, kur ato lihen në heshtje.



‘Denoncimi’ në fjalë nxirrte në pah se në provimin e fundit procesi u shoqërua nga probleme të shumta që linin të kuptohej se ky proces ishte i komprometuar. Aty thuhej se në vlerësimin e tezave të provimit personat e caktuar kishin konflikt interesi, pasi ndër konkurrentët kishte nga ata që kishin lidhje të afërta familjare me vlerësuesit e tezave, si p.sh një vlerësuesi i binte të gjykonte dhe tezat e ‘vajzës dhe nipit të tij’. Një problem tjetër i nënvizuar ishte se për vlerësimin e tezave nuk ishin caktuar ekspertët e fushës. P.sh për teza që kishin të bënin me të Drejtën Kushtetuese ishin caktuar pedagogë të specializuar p.sh në të Drejtën Familjare. Një problem tjetër i ngritur ishte edhe kufizimi i pjesëmarrjes së studentëve konkurrues deri në tri herë dhe jo në mënyrë të njëpasnjëshme (Rregullore e Brendshme e Shkollës së Magjistraturës neni 5). Kjo, sipas ‘denoncuesit’, është diskriminim, në shkelje të Kushtetutës, shkelje e të drejtës themelore të arsimit të lartë dhe studimeve pasuniversitare mbi bazën e aftësive dhe konkurrencës së ndershme.



Duhet përmendur se Komisioni i Vlerësimit i Magjistraturës, i ngritur për provimin aktual, u ka dhënë mundësinë konkurrentëve të skualifikuar të paraqiten dhe të tërheqin përgjigjet dhe procesverbalet e çdo anëtari të komisionit me vlerësimet përkatëse. Gjithashtu, konkurruesve jo fitues u është dhënë e drejta për ankim vetëm për procedurën e provimit. Me pak fjalë, të paktën në dukje, Shkolla e Magjistraturës u ka vënë në dispozicion konkurrentëve të gjitha instrumentet e nevojshme për të verifikuar shqetësimet e tyre. Mbetet për t’u parë sa transparent është ky proces, kur vetë administrimi i provimit duket se ka lënë hapësira serioze për të dyshuar.



Sidoqoftë, ajo që është për t’u evidentuar është se Shkolla e Magjistraturës ka nevojë për një rikonceptim të organizimit të saj, duke filluar që nga procedurat e rekrutimit të stafit pedagogjik, por dhe ndërtimit të kurrikulumit të ‘Trajnimit Fillestar’ (programi 3-vjeçar), por dhe ‘Trajnimit të Vazhdueshëm’. Në politikën e tij arsimore ky institucion duhet të shkëputet nga kontrolli i politikës dhe të krijojë një pavarësi akademike dhe profesionale. Sipas ligjit nr.8136 i vitit 1991, i ndryshuar, me ligjin nr.9414 në vitin 2005, kjo shkollë drejtohet nga Këshilli Drejtues, ku rreth 60-70% e anëtarëve janë funksionarë të zgjedhur duke kaluar nga filtri politik, si p.sh Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm apo funksionarët e zgjedhur nga Ministria e Drejtësisë etj. (Ligji për Shkollën e Magjistraturës neni 6). Vetë drejtori i shkollës zgjidhet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) me propozimin e Këshillit Drejtues të shkollës, duke formuar kështu një qark të mbyllur, ku kriteret e përzgjedhjes, shumë të përgjithshme, i referohen më shumë anës praktike të kandidatit sesa asaj akademike. Duhet pasur parasysh që Shkolla e Magjistraturës në një të tretën e saj ka një dimension akademik, i cili duke parë nivelin e ulët profesional të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të nënvizuar thuajse në çdo raport ndërkombëtar, ka nevojë të zgjerohet.



Përveç një pavarësie institucionale, Shkolla e Magjistraturës duhet të rishikojë kriteret e përzgjedhjes së pedagogëve të brendshëm por dhe të jashtëm. Nuk është ende e qartë nëse stafi pedagogjik i zgjedhur përfaqëson juristët më cilësor ndër juristët shqiptarë. Sot ka shumë akademikë shqiptarë të cilët kanë doktoruar në universitete mjaft prestigjioze në Perëndim, të cilët mundej fare mirë të ishin pjesë e stafit në mënyrë të përhershme apo dhe të pjesshme. Këtu duhen përfshirë edhe ekspertë të cilët kanë një eksperiencë të konsiderueshme pune në institucionet ndërkombëtare.



Kriteri i gjuhëve europiane është një tjetër mungesë e rëndësishme për stafin pedagogjik. Nëse është bërë një hap cilësor te studentët, ku gjuhët si anglishtja dhe frëngjishtja janë futur si kriter pranimi vetëm në provimin e këtij viti, ky kriter duket se nuk figuron për pedagogët e brendshëm apo dhe të jashtëm (Rregullore e Brendshme e Shkollës së Magjistraturës neni 5). Duhet pasur parasysh që për të gjithë magjistratët e sotëm, gjyqtarë dhe prokurorë aktualisht në sistemin gjyqësor, kriteri i gjuhës së mësipërme ka munguar, duke krijuar kështu një handikap të rëndësishëm në përgatitjen e tyre profesionale në lidhje me trendin e zhvillimit të së drejtës shqiptare drejt harmonizimit më të drejtën evropiane, por dhe atë ndërkombëtare me gjerë. Nga ana tjetër edhe kriteri aktual i gjuhës nuk përcakton nivelin e notës apo nuk specifikon llojin e testit kombëtar apo ndërkombëtar.



Për më tepër, është e pakuptueshme pse një gjyqtar apo prokuror nuk ka nevojë të konkurrojë për t’u pranuar si pedagog (Ligji për Shkollën e Magjistraturës neni 8), kur dihet fare mirë se sot standardet e eksperiencës praktike në gjykata lënë shumë për të dëshiruar. Tashmë dihet se gjyqtarët dhe prokurorët në praktikën e tyre të punës zhvillojnë më shumë aftësi të karakterit praktik sesa akademik apo analitik.



Një tjetër element që kjo shkollë duhet të rishikojë në mënyrë urgjente, është kurrikulumi dhe materialet mësimore të përdorura aktualisht. Shumë gjyqtarë pranojnë se tekstet e përdorura janë po ato të përdorura në fakultetin juridik shtetëror dhe magjistratët thjesht bëjnë një rifreskim mekanik në mënyrë të përshpejtuar të dijeve të marra në shkollën e lartë. Literatura e përdorur është e pa përditësuar dhe në shumë libra të saj ilustrimet i referohen shembujve të marra nga një kontekst tjetër juridik, siç ishte ai i periudhës komuniste. I njëjti shqetësim është edhe me pedagogët të cilët i përkasin një metodologjie dhe arsimi tashmë të vjetruar për kohën.



Edhe vetë programi i ‘Trajnimit të Vazhdueshëm’ duket se ka humbur eficencën e tij. Në kushtet kur KLD nuk i jep peshën e duhur trajnimeve apo progresit profesional në lidhje me promovimet, kjo ka bërë që gjyqtarët dhe prokurorët të humbur interesin. Shpesh edhe cilësia e trajnimit të ofruar është jashtë kontekstit dhe nuk u përgjigjet kërkesave të gjyqtarëve, pasi këto programe nuk mbështeten mbi analiza dhe statistika studimore. Shkolla e Magjistraturës duhet të ngrejë një departament kërkimor i cili duhet të merret me sondazhe dhe kërkime të vazhdueshme në bashkëpunim me gjyqtarët, prokurorët por dhe avokatët, në lidhje me atë se çfarë janë nevojat e tyre dhe çfarë aftësish kanë nevojë të përditësohen. Shpesh trajnuesit janë nën nivelin dhe eksperiencën e gjyqtarëve.



Nga ana tjetër, Shkollës së Magjistraturës i mungon një program i qartë në lidhje me zhvillimin e aftësive kërkimore, aq të rëndësishme për gjyqtarët dhe prokurorët e një shteti që aspiron t’i përshtatet një konteksti juridik shumë të larmishëm, siç është ai i BE-së. Sot çdo shkollë normale juridike në Perëndim ka në kurikulumin e saj metodologji kërkimore si lëndë të detyrueshme. Këto lëndë trajtohen sipas shkallës së formimit që nga arsimi i lartë deri në programet pas universitare apo dhe ato të një natyre specifike. Është e vështirë të imagjinohet që gjyqtarët shqiptarë, të cilët do marrin nesër kompetencat e një gjyqtari europian, t’i përgjigjen me profesionalizëm sfidave juridike të këtij standardi (BE) pa pasur aftësitë e duhura kërkimore. Edhe në lidhje me të Drejtën Europiane sot si teksti por dhe niveli i mësimdhënies kanë nevojë të shihen.



Dhe përfundimisht, Shkolla e Magjistraturës duhet të analizojë me kujdes mënyrën e provimit të pranimit. Disa sugjerime mund të ishin rifutja e provimit me gojë, verifikimi më i kujdesshëm i integritetit të kandidatëve dhe rritja e kritereve që lidhen me aftësitë kërkimore dhe analitike. Aktualisht, nga 450 pikë të mundshme eseja vlerësohet vetëm me 40 pikë dhe testi i inteligjencës me 30 pikë. Pjesën më të madhe e zë ana teorike me 350 pikë (Rregullore e Brendshme e Shkollës së Magjistraturës neni 10). Procedura e administrimit të provimit duhet të jetë gjithashtu më transparente, duke përfshirë në proces dhe personalitete jashtë stafit akademik të përhershëm por dhe atij të jashtëm. Një formë mund të ishte vlerësimi i provimeve nga dy komisione të pavarura. Rritja e transparencës, por dhe përfshirja e sa më shumë ekspertëve të tretë në procesin e vlerësimit, do të shmangte mundësitë e korrupsionit apo ndërhyrjeve informale.



Duhet cilësuar se në fillimet e saj Shkolla e Magjistraturës solli një hap cilësor në ngritjen profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke sjellë një frymë të re në stilistikën e argumentimit të çështjeve ligjore. Por tashmë duket se kjo strukturë arsimore është konsumuar dhe nuk po i përgjigjet më sfidave të kohës. Shqetësimi i ngritur është se edhe ky institucion, si shumë të tjerë në Shqipëri, ka filluar të pësojë një erozion i cili rrezikon ta dëmtojë seriozisht që në gjenezë sistemin gjyqësor. Për këtë qëllim reformat në gjyqësor duhet të përfshijnë dhe Shkollën e Magjistraturës. Një mungesë vëmendjeje ndaj këtij institucioni do të bënte që, siç do të thoshte një gjyqtar, ‘të binte dhe kalaja e fundit e gjyqësorit’.



*Doktorant King’s College-London.



Monday 19 September 2011

Mbrojtja e Gjyqtarëve, jo vetëm fizike

Gazeta Mapo
Shkruan:  Fabian Zhilla

19-09-2011 10:51

Vrasja e gjyqtarit Konomi risolli në vëmendje edhe njëherë dobësinë e shtetit përballë krimit të organizuar, por nga ana tjetër tregoi edhe njëherë sesa i pambrojtur është gjyqësori shqiptar. Në përgjithësi kjo vrasje e kanalizoi problemin te mungesa e sigurisë fizike të gjyqtarëve. E gjithë polemika publike duket se është fokusuar në këtë drejtim. Por a e zgjidh vetëm siguria fizike problemin e mbrojtjes së gjyqtarëve?



Në fakt kjo ngjarje e dhimbshme rikonfirmoi se gjyqtarët janë krejtësisht të ekspozuar ndaj krimit të organizuar. Kjo problematikë vërehet në vonesën e zbardhjes së çështjeve të kësaj natyre, duke pasur parasysh këtu vrasjen e deputetit Xhindi, të pazgjidhur tashmë që nga viti 2009. Ka kaluar më shumë se një javë nga vrasja e gjyqtarit Konomi dhe akoma nuk ka një pistë apo emra konkret të dyshuar për krimin.



Një tjetër tregues negativ në lidhje me mbrojtjen e gjyqtarëve është dhe reagimi i vakët institucional dhe publik ndaj një fenomeni të tillë. Ndërkohë që opinion publik ka qenë mjaft aktiv, ai institucional lë shumë për të dëshiruar. Ashtu siç tashmë është kthyer në modë, në raste vrasjesh të tilla, deklaratat post mortum të qeveritarëve, me një refren të huazuar nga fushatat elektorale, thjesht ngelen boshe dhe pa substancë. Akoma më patetike janë dhe deklaratat e njëpasnjëshme të aktorëve me lidhje të drejtpërdrejtë me gjyqësorin, si Presidenti i Republikës, ministri i Drejtësisë, dhe zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD). Nga ana tjetër, edhe më skandaloz është reagimi i vetë komunitetit të gjyqtarëve. Përveç një reagimi të kuruar mirë teknikisht të Kryetarit të gjykatës së rrethit Vlorë, ende nuk kemi një reagim të Kryetares së Konferencës së Gjyqtarëve, si një ndër forumet më të larta përfaqësuese të gjyqtarëve. Ky lloj reagimi apatik i vetë aktorëve të prekur drejtpërsëdrejti nga kjo ngjarje tregon se gjyqësori shqiptar fatkeqësisht ka kohë që është lënë në mëshirë të fatit.



Në fakt kjo sjellje u duk edhe në mbledhjen e fundit të KLD-së, kryetar i së cilës është President i Republikës dhe ku një ndër anëtarët e saj është dhe ministri i Drejtësisë. Sipas asaj që raportohet në media rreth kësaj mbledhjeje, KLD ka vendosur se duhet ‘kërkuar më shumë siguri për jetën e gjykatësve’, pasi në një vit e gjysmë rreth 10 gjyqtarë kanë kërkuar mbrojtjen e jetës dhe 15 janë kërcënuar fizikisht (Gazeta ‘Shqip’ 17 shtator 2011). Dhe për të arritur deri në këtë vendim, KLD-së do t’i duhej që një gjyqtar të vritej në mënyrë spektakolare nga krimi i organizuar, për të kuptuar që gjyqësori ka nevojë të mbrohet.



Si duket, KLD-së nuk i ka mjaftuar fakti se për rreth 20 vite shumica e gjyqeve në gjykatat kryesore si ajo e Tiranës dhe Durrësit zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve dhe ku ata kanë një ekspozim të drejtpërdrejtë me palët. Pothuajse çdo raport vëzhgimi nga ndërkombëtarët në mënyrë të përsëritur e ka vënë në pah këtë lloj problematike. Sot gjyqtarët mundet fare lehtë të ofendohen, por dhe sulmohen fizikisht gjatë apo jashtë seancës gjyqësore, pa pasur asnjë mundësi sigurie fizike.



Akoma dhe me problematike është situata me ata gjyqtarë që detyrohen të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin. Në mungesë të një transporti të veçantë për këtë kategori gjyqtarësh, dhe në mungesë të fondeve në këtë drejtim, shumica e tyre përdor transportin publik, ku nuk është çudi të ndajë rrugën me familjarët apo miqtë e dikujt që e ka dënuar më burgim të përjetshëm.



Nga ana tjetër, ta përkufizosh sot sigurinë e gjyqtarëve vetëm në sigurinë e tyre fizike, është jo vetëm jo profesionale por tallëse. Mbase siguria fizike e tyre mund të renditet si një ndër pikat e fundit në listën e gjatë të problemeve që lidhen me sigurinë e gjyqtarëve. Gjyqtarët fillimisht janë të pasiguruar nga klasa politike, e cila prej 20 vitesh u cakton një buxhet qesharak, i cili nuk kalon 1% të buxhetit të shtetit. Rrogat e gjyqtarëve shqiptarë, sipas një raporti vlerësimi të Transparency International 2011, janë më të ulëtat në rajon. Një gjyqtari shqiptar sot nuk i ofrohet as siguria sociale që u afrohet atyre dhe në vende të ngjashme me problematikat tona si Argjentina, ku gjyqtarëve u ofrohen kredi të buta, bursa studimi për familjarët, asistencë dhe asistenca profesionale. Edhe në vende si Gana apo Kenia statusi i gjyqtarit është më i lartë se në Shqipëri, vend ky i yni dhe anëtar i NATO-s.



Siguria e gjyqësorit nuk duhet nisur thjesht nga siguria fizike, por nga sigurimi i një statusi dinjitoz social në shoqëri. Kjo do t’u mundësonte gjyqtarëve shqiptarë komfortin e duhur për dhënien e drejtësisë dhe fitimin e respektit dhe mbrojtjes nga shoqëria. Një status social i garantuar do të konsolidonte sistemin gjyqësor, duke i dhënë atij mundësinë për të qenë më efikas ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.



Me pak fjalë, siguria e gjyqtarëve nuk fillon me sigurinë fizike të tyre, por mbase mbaron me të. Siguria e gjyqësorit duhet të jetë një reformë e cila duhet të fillojë që nga rritja e profesionalizmit, përmirësimi i infrastrukturës, rritja e rrogave, promovimi i bazuar në meritokraci, dhe siguria fizike. Kjo paketë masash duhet të shoqërohet me qëndrime sa më aktive të organizmave përfaqësues në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të gjyqtarëve, si Konferenca e Gjyqtareve apo dhe dy shoqatat joqeveritare përkatëse. Në mungesë të një reforme të thellë në lidhje me gjyqësorin, rritja e sigurisë fizike nuk do të arrijë t’u sigurojë dot gjyqtarëve mbrojtjen e duhur nga krimi i organizuar dhe jo vetëm.


http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla &id=1414

Monday 18 July 2011



Tuesday 31 May 2011

Zgjidhja: Rikthimi nga Republikë “Kryeministrore” në Parlamentare


http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla&id=1030


Fatkeqësisht, vëmendja e forcave politike për trazirat post-zgjedhore është fokusuar vetëm te vendimi përfundimtar i Kolegji Zgjedhor në lidhje me Tiranën. Megjithatë, ky nuk është aspak problemi kryesor, por thjesht një ndër pasojat e shumta. Sot problemi kryesor janë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Opozita duhet të iniciojë një aksion politik dhe të kërkojë rishikimin e Kushtetutës dhe përmirësimin e saj, të paktën në cilësinë juridike të vitit 1998. Çfarëdolloj aksioni tjetër opozitar do të ishte i komprometuar politikisht dhe do të ishte thjesht demagogjia e radhës.


Në fakt problematika e ndryshimeve kushtetuese nuk është e re. Polemikat në lidhje me pasojat e jashtëzakonshme, në kuptimin konstitucional por dhe për handikapet politike që ato do të prodhonin, janë trajtuar qysh në krye të herës. Ndryshimet e kryera në vitin 2008 u miratuan me 115 vota pro dhe 17 vota kundër. Ndër të tjera, kryeministri Berisha do të shprehej se ‘ndryshimet në Kushtetutë do të shmangin, njëherë e përgjithmonë, krizat në Shqipëri’ ndërsa Ilir Meta nënvizonte se këto ndryshime nuk do të prodhonin gjë tjetër, por ‘Kushtetutën Sali-Rama’. Rama, duke i kthyer përgjigje Metës, e konsideronte çështjen e ndryshimeve kushtetuese një ‘çështje të mbyllur...[pasi votimi nga Parlamenti] është shprehje e popullit sovran’. Por, siç e gjithë historia politike nga viti 2009 e në vazhdim tregon, krizat politike nuk janë shmangur dhe kjo çështje jo vetëm që nuk është mbyllur, por sa vjen dhe shpërfytyrohet më tej.


Pse ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dështuan të shmangin destabilizimin politik, duke tronditur rëndë edhe atë stabilitet politiko-juridik të krijuar nga kjo Kushtetutë deri në vitin 2008? Përgjigjja është e thjeshtë: ato e çdemokratizuan sistemin qeverisës, duke e kthyer atë nga një republikë parlamentare në “republikë kryeministrore”. Të dyja palët, dhe kryesisht Partia Socialiste, nga ku kishin burimin propozimet, kanë përgjegjësi të padiskutueshme ligjore dhe politike. Ato u nisën thjesht nga interesa të ngushta partiake, pakti i të cilave ishte që pushteti absolut do t’i transferohej asaj force politike që do të merrte shumicën. Gjë e cila rezultoi të jetë fatale për socialistët si “pësonjës” dhe, mbi të gjitha, për demokracinë në Shqipëri.


Cilat ishin pra, këto ndryshime që e shndërruan regjimin qeverisës nga parlamentar në “kryeministror”?


Së pari, ndryshimi i vetë sistemit zgjedhor nga një sistem miks në proporcional rajonal, duke i ligjëruar kryetarit të partisë mundësinë për të propozuar listën emërore të deputetëve në listat zgjedhore. Kjo manovër rriti autoritetin e kryetarit të partisë dhe prishi balancat demokratike brenda saj, duke i dhënë de jure këtij të fundit (pasi kryetarët e partisë dhe me sistemin miks e kishin këtë kontroll de fakto) rol gati monarkik në parti. Kjo lloj qasje bie në kundërshtim edhe me nenin 9/1 të Kushtetutës, i cili parashikon që ‘Organizimi i tyre (partive politike) duhet të përputhet me parimet demokratike’. Pra, fuqizimi i pushtetit të Kryeministrit të ardhshëm filloi që në qelizë, që në partinë e tij politike.


Së dyti, forcimi i rolit të Kryeministrit filloi brenda legjislativit dhe për këtë, qeverisja e tij, duhet të sigurohej në dy aspekte; a) qoftë nga ndonjë ndryshim i papritur brenda grupit të shumicës së tij parlamentare apo dhe b) nga ndonjë goditje frontale që mund t’i bëhej atij nga opozita. Për të shmangur këto dy momente u ndryshuan nenet 104 dhe 105.


Në nenin 104 Kushtetuta kishte krijuar një mekanizëm parlamentar (mocionin e besimit), ku Kryeministri në raste pakënaqësie, provonte apo testonte legjitimitetin e tij në Kuvend. Neni 104, i pandryshuar, vinte në rrezik çdo tentativë të Kryeministrit për të testuar veten, pasi, në rast se nuk miratohej, qeveria e tij rrëzohej dhe Presidenti emëronte një kryeministër të ri. Kjo e bënte Kryeministrin shumë vulnerabël në raste krizash politike, pasi balancat brenda koalicionesh mund të ndryshoheshin shpejt. Kujtojmë se ndër 17 deputetët që kundërshtuan ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, 9 prej tyre ishin të koalicionit të djathtë. Ky mekanizëm kontrolli i Kuvendit mbi Kryeministrin dhe qeverinë, është element i mirënjohur në sistemet e qeverisjes të republikave parlamentare. Në fakt, neni 104, i ndryshuar, e deformoi këtë mekanizëm duke e kthyer në armën më të fortë të Kryeministrit, si ndaj deputetëve të tij ashtu edhe ndaj aleatëve të vegjël. Ndryshimet kushtetuese, në mënyrë të paprecedentë për një republikë parlamentare, i dhanë kompetencën Kryeministrit për të shpërndarë Kuvendin. Konkretisht, Kryeministri, në rast se do të dojë të provojë besimin e tij në Kuvend, dhe nuk votohet/pëlqehet nga më shume se gjysma e gjithë deputetëve (71 deputetë), është ai që brenda 48 orëve i kërkon Presidentit shpërndarjen e Kuvendit. Pra, ky mekanizëm parlamentar nga një instrument kontrolli i Kuvendit ndaj Kryeministrit është kthyer në një instrument kontrolli të tij ndaj Kuvendit.


Neni 105 ka të bëjë me mocionin e mosbesimit dhe është një mjet i cili zakonisht u krijon mundësi koalicioneve opozitare për të kontrolluar ose balancuar pushtetin qeverisës. Nëse në rastin e parë opozita ishte në pozicion pasiv, mocioni i mosbesimit e vë atë në pozita aktive, duke shmangur mundësinë e varësisë ndaj aksioneve politike të Kryeministrit. Sipas nenit 105, para ndryshimeve, nëse mocioni i mosbesimit i paraqitur nga një e pesta e deputetëve miratohej nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri bashkë me qeverinë binte, dhe Kuvendi në një fazë të dytë, brenda 15 ditëve, zgjidhte një Kryeministër tjetër. Në nenin 105, të ndryshuar, kjo mundësi është zhdukur, duke përfshirë dy fazat e mësipërme politiko-juridike krejt të veçanta, në një të vetme. Sipas ndryshimeve, propozimi për mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit dhe qeverisë së tij, është bashkuar me propozimin për Kryeministrin e ri. Pra, ‘Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri’. Bashkimi i të dy proceseve, krejtësisht të ndarë para ndryshimeve kushtetuese, në një të vetëm, në fakt, e neutralizon mocionin e mosbesimit si mekanizëm parlamentar për të rrëzuar një qeveri, si dhe mandej për t’i lënë kohë Kuvendit, 15 ditë, për të krijuar një tjetër mazhorancë, sepse ajo gjë i kërkohet atë ditë, madje me të njëjtin votim. Nga ana tjetër, kjo është e pamundur të kryhet, si juridikisht ashtu edhe politikisht, në të njëjtin Kuvend, pasi, siç e përmendëm dhe më sipër, Kryeministri ka të drejtën që të kërkojë një mocion besimi (qoftë me parë, qoftë edhe atë ditë), dhe nëse ai nuk miratohet nga më pak se gjysma e deputetëve, atëherë Kuvendi shpërndahet automatikisht. Siç shikohet, pas ndryshimeve kushtetuese, edhe me këtë instrument juridik, nuk është Kuvendi që kontrollon Kryeministrin por, çuditërisht për një republikë parlamentare, është Kryeministri që e kontrollon atë, madje duke pasur mundësinë edhe për ta shpërndarë.


Së treti, këtyre ndryshimeve iu shtuan edhe ndryshimi i nenit 87, që lidhet me zgjedhjen e Presidentit duke dobësuar një tjetër mekanizëm kontrolli të opozitës ndaj Kryeministrit. Kështu, në rast se opozita nuk bie dakord për zgjedhjen e Presidentit, shumica mund ta zgjedhë atë me shumicë të thjeshtë votash. Ndryshimi i këtij neni jo vetëm solli dobësimin e kontrollit të legjislativit ndaj ekzekutivit, por eliminoi edhe një “valvul shkarkuese” që mbetej për bashkëpunim politik midis shumicës dhe opozitës, sepse qeveria mund të rrezikohej me anën e zgjedhjeve të parakohshme, nëse nuk arrihej në zgjedhjen e Presidentit konsensual. Ndërsa më parë, Presidenti duhet të zgjidhej me 84 deputetë, ndryshe Kuvendi shpërndahej, tani mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë (71 deputetë). Pra, ai numër votash që i duhen qeverisë që të qeverisë. Pas zhdukjes nga Kushtetuta të të gjithë këtyre instrumenteve për të kontrolluar qeverinë, ajo çfarë i ka mbetur sot opozitës është vetëm të pengojë votimin e cilësuar për disa ligje specifike sipas nenit 81 të Kushtetutës. Në këtë situatë, ky mekanizëm, duke qenë i vetmi mjet bllokues politik për opozitën, në fakt s’bën gjë tjetër, veçse shkatërron funksionin legjislativ të Kuvendit.


Me pak fjalë, opozita duhet të angazhohet për rikthimin e sistemit qeverisës shqiptar nga një “republikë kryeministrore” në republikë parlamentare. “Republika kryeministrore” e instaluar sot në Shqipëri, nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ka shkatërruar jo vetëm parimin e “kontrollit dhe balancimit midis tre pushteteve”, por ka ‘minuar’ tërësisht edhe themelet e shtetit të së drejtës. Për ta kryer këtë mision, Opozita duhet të ulet, në negociata me shumicën, me propozime konkrete. Përfundimisht, nëse ky sistem kushtetues nuk ndryshon, opozita e sotme por dhe ajo e nesërmja, nuk ka asnjë mundësi për të bërë një opozitë institucionale, dhe si rrjedhim format e saj do të ngelen primitive, pa rezultat, dhe aspak të denja për një vend që aspiron integrimin europian.

Tuesday 22 March 2011

OMGJ-të politike dhe zgjedhjet vendore në Tiranë

Shkruan:
Fabian Zhilla
22-03-2011 17:03

OMGJ-të politike dhe zgjedhjet vendore në Tiranë

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla&id=791

Mënyra e zgjedhjes së kandidatëve për drejtimin e Tiranës është një tjetër tregues i kontrollit patriarkal të partive politike, i cili shprehet dhe në institucionet publike, qofshin ato në nivelin qendror por dhe lokal. Në kushtet e një normaliteti politik, kandidaturat për drejtimin e Tiranës nga të dy krahët do të duhet të ishin ndryshe për një vend që aspiron Bashkimin Europian. Edhe kësaj here kandidaturat janë një konstrukt personalitetesh që ndërthuren në interesa politike dhe shumë pak në ato komunitare. Me pak fjalë, komunitetit tiranas i ngelet të shohë që do të drejtohet përsëri nga individë me staturë më shumë politike sesa administrative. Tirana edhe në mandatin e ardhshëm do të administrohet më shumë për interesa politike sesa për interesa lokale. Ky lloj formati/drejtimi i panatyrshëm i ngjan një OMGJ (organizma të modifikuar gjenetikisht), e cila të gënjen me formën dhe substancën e saj. Ai është plot look, por pa shije dhe si rrjedhim pa asnjë vlerë ushqyese dhe ndërtuese. Ai rrezikon ta shformojë edhe më tej konceptin e drejtimit e Tiranës nga drejtimi i një qyteti/ metropoli vlerash në një konstelacion interesash politike dhe biznesi. Tirana, pra, ka kohë që është kthyer në një habitat politik më shumë sesa në një ambient civil dhe qytetar. Ky qytet ka një amnezi të thelle në lidhje me një administrim lokal, i cili mendon për qytetarin dhe jo për politikën e ditës. Me kandidaturat e shfaqura aktualisht, tërësisht politike nga të dy krahët, Tirana, në çdo rast, është e destinuar të ngelet ‘qytet-kolateral’, i cili përdoret për të garantuar borxhet politike dhe borxhet e lobit të biznesit. Tirana tashmë është një qytet i cili qëndron peng në bankën e politikës dhe ku në çdo zgjedhje, politike apo vendore, nxirret në ankand. Një kulturë kjo e instaluar tashmë me shumë sukses nga drejtimi OMGJ-ist i Edi Ramës, që me shumë gjasa do të vazhdojë të funksionojë si i tillë në të dy rastet, si nga të majtët, por edhe në rast se ky qytet do të fitohet nga të djathtët. Ky lloj konstatimi shqetësues shihet qartë në shumë analiza që bëhen sot në media, dhe me të drejtë.

Pse kaq skeptikë? Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, sepse sot ka një denatyralizim të koncepteve të funksionimit politik në kontekstin lokal, por dhe në mënyrën sesi zgjidhen kandidatët në këtë kontekst. Hobsi, Loku dhe Ruso do të trembeshin teksa shikonin sesi konceptet e tyre të ‘kontratës sociale’ zbatoheshin në vende si Shqipëria. Në vend që këto ‘kontrata’ kandidatët përkatës t’i lidhnin me qytetarin, ata i lidhin me lidershipin e tyre. Në zgjedhjet vendore të radhës në Tiranë, megjithëse dinamika është pak e ndryshme, thelbi është po i njëjtë - jo natyrshmëria e kandidatëve.

Në rastin e kandidatit të djathtë, ka dy elemente të panatyrshme në figurën e tij. Së pari, karriera e tij politike është e katapultuar nga lidershipi aktual që drejton të djathtën, duke bërë që ai të mos ketë lidhje të fortë më strukturat bazë të forcës politike që ai përfaqëson në nivel lokal. Kjo bën që ai të ketë mangësi në njohjen e problemeve të komunitetit. Ministri Basha nuk ka qenë drejtues i strukturave lokale që lidhen me Tiranën, duke filluar që nga forumi rinor dhe deri te dega e PD-së për Tiranën. Edhe funksionet e tij administrative kanë qenë të nivelit qendror, duke drejtuar ministritë më të mëdha të vendit, siç janë ato të Transporteve apo, së fundi, Ministria e Brendshme. Në këtë kuptim, ministri Basha, me gjithë avantazhet që mund të paraqesë individualisht, është një kandidaturë jo fort e përshtatshme, pasi është tërësisht politike dhe jo me eksperiencë administrative të nivelit lokal. Karriera e tij është shumë e shkëputur nga çështjet thelbësore të komunitetit kryeqytetas në përgjithësi dhe me administrimin lokal në veçanti. Së dyti, ka dhe një tjetër element jo të natyrshëm në këtë kandidaturë, siç është dhe karriera politike e zhvendosur nga lart poshtë, pra nga qeverisja qendrore në atë lokale. Zakonisht, eksperiencat politike ndërtohen duke ndjekur një qasje të kundërt, ku individë të cilët kanë qenë të suksesshëm në administrimin lokal kalojnë në atë qendror. Pra kandidatura e Bashës, në fakt, është një kandidaturë OMGJ, e cila duket të jetë më shumë në funksion të lidershipit të pozitës sesa qytetarit. Pra, kjo kandidaturë nuk është një sjellje e cila premton administrim origjinal, të pavarur dhe me interesa të cilat lidhen vetëm me komunitetin tiranas, por një kandidaturë tërësisht politike dhe mbi këto premisa do t’i ndërtojë edhe politikat e zhvillimit.

Përsa i përket kandidaturës së majtë, analiza është edhe më e thjeshtë. Nëse në rastin e të djathtëve kandidati është OMGJ politike e Berishës, kandidatura e Edi Ramës është OMGJ e ‘berishizmit’. Edhe Rama erdhi në drejtimin e Tiranës pak a shumë në të njëjtën formë që po promovohet dhe Basha. Rama, sikurse Basha, u katapultua politikisht. E filloi karrierën në institucionet qendrore për të zbritur më pas në drejtimin e baskisë, duke e kthyer atë në një burim personal të forcës së tij politike. Duke e përdorur Tiranën si mekanizëm politik, Rama arriti të shartojë disa pushtete në një pushtet të vetëm, siç është dhe drejtimi politik si në nivel lokal por dhe qendror. Ai sot drejton opozitën e bashkuar -në kuptimin politik qendror-, por drejton dhe bashkinë më të madhe në vend -në kuptimin lokal. Kjo lloj kulture hibride, ku administrimi lokal përzihet me atë politik, rrezikon të kthehet në traditë dhe imitohet edhe nga drejtues lokal të tjerë, siç edhe ka filluar.

Pra, formati qeverisës i Ramës është krejtësisht i panatyrshëm për shoqëri që ndërtohen mbi parimin e ndarjes së pushteteve. Mbajtja dhe kontrolli i disa pushteteve nga një individ, e bëjnë Edi Ramën kandidatin më të panatyrshëm tashmë për të riadministruar Tiranën. Edhe beteja elektorale e Ramës i ngjan me shumë betejës për zgjedhje politike sesa atyre lokale, duke demonstruar kështu që ai ka kohë që nuk është më kryebashkiaku i Tiranës. Nuk mund të pretendohet që e gjithë fushata elektorale për zgjedhjet lokale të mbështetet vetëm në shkaqe politike. Administrimi lokal lidhet mbi të gjitha me faktorë të tjerë socialë dhe ekonomikë, të cilët kanë të bëjnë me problemet urbane. Tirana gjithnjë e më shumë po i ngjan lagjeve të tipit China-town, me shumë ngjyra, por të asfiksuara në infrastrukturë dhe të shkatërruara nga ana ambientale. Dhe për këtë Edi Rama nuk mund të akuzojë askënd. Mentaliteti totalitarist i frikës së pushtetit dhe pasigurisë që fatkeqësisht duket se e ka karakterizuar Ramën në riparaqitjen e tij për të disatën herë si kandidat për Tiranën, nuk e bën atë aspak më të ndryshëm nga ‘berishizmi’. Rama ndjek të njëjtin mentalitet qeverisjeje me Berishën, por në nivel lokal dhe partiak. Pra, fatkeqësisht, edhe rikandidimi i Ramës nuk është gjë tjetër veçse një OMGJ e berishizmit. Kandidimet e reja për Tiranën nxjerrin në pah pikërisht një element shumë problematik të politikës shqiptare - imitimi i modeleve negative në politikë. Sot shohim që Rama po ndjek deri diku ‘berishizmin’, duke konvertuar disa pushteteve në një; por dhe Basha nga ana tjetër duket se po imiton modelin e Ramës në karrierën e tij politike. Politika shqiptare ka filluar të prodhojë OMGJ-të e saj.

Me pak fjalë, qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të ndihen skeptikë për këto dy kandidatura. Si Rama apo dhe Basha, nuk pritet të sjellin diçka të re, pasi të dy janë të njëjtë në substancë dhe formë, megjithëse të ndryshëm në ngjyrë. Këto kandidatura janë thjesht disa OMGJ politike të një modeli qeverisës tashmë tejet të konsumuar. Mbase ka ardhur koha për kandidatë të pavarur, për kandidatë bios.

Monday 7 March 2011

Gazeta Mapo
Shkruan: Fabian Zhilla
07-03-2011 10:32
http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla&id=735

Kolonitë politike dhe zgjedhjet vendore
Zgjedhjet vendore po afrojnë dhe reagimi i shumë qytetarëve me të drejtë është: “dhe çfarë pastaj?” Si zakonisht, panorama do të jetë e njëjtë-kemi dy palë në garë, njëra që ‘fiton’ dhe tjetra që bën ‘zhurmë’. Megjithëse zgjedhjet do zhvillohen në maj, jehona e tyre do të ndihet deri në zgjedhjet politike të radhës. Dhe kur të vijnë këto të fundit, do të na duhet të shohim të njëjtin skenar të përsëritet deri në zgjedhjet lokale të mëpasshme dhe kështu telenovela e politikës shqiptare nuk merr fund. Në të gjithë këtë sipar tragjiko-komik qytetari ndihet gjithmonë e më shumë spektator, është ai që fatkeqësisht e gjen veten gjithmonë e më të huaj, është ai që sot politikanët i sheh vetëm në raste zgjedhjesh. Për më tepër, kohëve të fundit është vënë re një tjetër fenomen. Paradoksalisht, për të qenë sa më afër qytetarit, forcat politike janë përpjekur me shumë kujdes që të gjithë periudhën qeverisëse apo opozitarizmin ta paraqesin si periudhë zgjedhjesh. Është e vështirë që shqiptarët të bëjnë ndonjë dallim të dukshëm midis ‘qetësisë’ para dhe pas elektorale. Ne si popull jemi gjithmonë në ‘zgjedhje’, por fatkeqësisht kurrë në ‘zgjidhje’. Dhe megjithëse zgjedhjet lokale po afrohen ne ndihemi skeptikë.

Pyetja që lind është: pse duhet të ndihemi kaq indiferentë ndaj proceseve politikbërëse, ose pse gjendemi në një situatë të tillë?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, do duhet që fillimisht të shpjegojmë se sot struktura politike e përfaqësimit në Shqipëri është krejt jopërfaqësuese. Ka kohë që shqiptarët drejtohen nga pakicat politike. Gjatë dekadës së fundit pjesëmarrja në votime është luhatur në shifrat 45%-50%, me një tendencë të theksuar në zbritje. Kjo do të thotë se shqiptarët prej vitesh drejtohen nga pakicat politike të konsoliduara. Dhe këto pakica përfaqësuese janë partitë politikë. Shoqëria shqiptare në kuptimin politik ka dhe një ndarje tjetër: Sot shqiptarët nuk janë të ndarë vetëm në të majtë dhe në të djathtë, por edhe në ata që i përkasin ‘kolonive’ politike e në ata që nuk i përkasin asnjërës prej tyre.

Kolonitë politikë dhe anëtarët e tyre i ngjajnë pak a shumë përcaktimit që bën Malcolm X, aktivisti i njohur për mbrojtjen e të drejtave të zezakëve në Amerikën e viteve ‘60, për rolin politik të zezakëve në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ky trajtim i Malcolm X-it dhe të tjerë të ngjashëm më të, do të ishin për vite me radhë inspirues për shumë intelektualë amerikane në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Vetë Obama në librin e tij “Dreams from my Father” do të cilësonte se ky përcaktim i Malcolm X-it kishte qenë një inspirim për të në veprimtarinë si aktivist i shoqërisë civile në rrethinat e Chicago-s. Malcolm X-i do t’i kategorizonte zezakët në “zezakët e shtëpisë” (house negro) dhe “zezakët e fushës” (field negro). “Zezakët e shtëpisë” ishin ata që jetonin me drejtuesin e shtëpisë (të bardhët), visheshin si ai, silleshin si ai, madje e donin atë më shumë sesa ai i donte ata. Kurse “zezakët e fushës”, ishin ata të cilët vuanin, ata të cilët shtypeshin megjithëse ishin në shumicë, ishin ata të cilët nuk përfitonin, por keqtrajtoheshin nga pronari i shtëpisë, ndaj zezakët e fushës nuk e donin të zotin e shtëpisë.

Sot, fatkeqësisht, militantët politikë i ngjajnë zezakëve të shtëpisë dhe pjesa tjetër jomilitante apo indiferente, i ngjan “zezakëve të fushës”. Drejtuesit e partive janë realisht të zotët e shtëpisë, janë ata të cilët kanë kolonizuar shoqërinë e tyre.

Ky kolonizim është sa vertikal dhe horizontal. Ai vertikal shtrihet në mënyrë hierarkike, ku autoriteti i drejtuesit të partisë është krejt patriarkal. Renditja përcaktohet jo nga aftësia intelektuale, por nga aftësitë shërbyese, ku kostoja e kompromisit dhe devocioni përcakton gradën dhe afërsinë ndaj shefit të kolonisë. Është aq e fortë lidhja midis drejtuesit të kolonisë dhe aparatçikëve të saj, sa këta të fundit kanë filluar t’i imitojnë shefat e tyre deri në detaj. Beteja për territor midis kolonive politike shtrihet në çdo qelizë, duke filluar nga demonstrimet masive publike deri te përplasjet e sofistikuara në media. Edhe demonstrimet e fundit ishin një gjest i natyrshëm kolonial, ku njëra palë i tregoi ‘muskujt’ kolonisë tjetër. Sot edhe shoqëria civile nuk i ka shpëtuar ‘kolonizimit politik’. Gjithmonë e më shumë shikohet që këto koloni janë më të moderuara, ato kanë televizionet e tyre, median e shkruar, por kanë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët u bëjnë avokatinë. Beteja koloniale më e madhe bëhet për kontrollin e ekzekutivit dhe jo pa qëllim. Në një vend ky tregu i lirë dhe sektori privat janë shumë larg të qenit të konsoliduar, burimi më i madh i vendeve të punës ngelet sektori publik. Ky i fundit nuk shërben vetëm për të punësuar anëtarët e kolonisë, por dhe për t’i përdorur këto institucione për të dobësuar koloninë kundërshtare. Lidhjet sociale brenda kolonisë përcaktohen nga interesa jolegjitime dhe ideologjia që i mban të bashkuar është përfitimi individual nëpërmjet avancimit të kolonisë në pushtet. Kolonia politike, pra, është fytyra e tyre dhe ata janë simbioza e saj. Kultura e tyre është korrupsioni, ndaj dhe për anëtarët e kolonisë kjo është kthyer në rregull dhe e kundërta në përjashtim. Edhe humbja edhe fitorja shikohet nën syrin e turmës koloniale, gjë që mban koloninë të konsoliduar.

Me pak fjalë, zgjedhjet vendore nuk janë gjë tjetër vetëm se një sipar i luftës për autoritet dhe kontroll të kolonive politike në nivel lokal. Pjesa tjetër e qytetarëve janë krejtësisht të papërfaqësuar. Ata kanë shumë pak instrumente reagues, ndaj dhe zëri i tyre është thuajse i pandjeshëm. Fatkeqësisht çdo formë demokratike që këta qytetarë mund të përdorin për t’i dekonstruktuar këto koloni u është ‘sabotuar’. Pra, ‘zgjidhja’ përtej zgjedhjeve vendore, është që fillimisht ky popull të çkolonizohet prej kastës politike. Ky proces duhet të fillojë duke mbështetur çdo iniciativë të shoqërisë civile, e cila është në shërbim të çkolonializmit nga kontrolli politik. Do duhet që protestat të zhvillohen edhe përpara selive të partive politike. Çkolonializmi fillon edhe duke e demonstruar mbështetjen ndaj atyre institucioneve të pavarura që përpiqen t’u minimizojnë pushtetin këtyre kolonive, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në terma afatshkurtër, një zgjidhje që do të ndihmonte çkolonizimin e procesit zgjedhor mund të ishte kërkesa për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Një ndërhyrje mund të ishte një amendim i këtij Kodi, ku të përcaktohet se, në rast se pjesëmarrja e votuesve është nën 45% të shtetasve me të drejtë vote, zgjedhjet të ripërsëriten. Me pak fjalë, nëse zgjedhjet vendore sot dhe ato politike nesër, nuk do të çkolonizohen, ato nuk do të prodhojnë gjë tjetër vetëm se një riformatim kufijsh midis dominancave politike. Shumica e qytetarëve që nuk mbështesin politikat uzurpuese, por ideologjitë të cilat bazohen në një drejtësi sociale, do të duhet që fillimisht të çkolonizojnë procesin zgjedhor dhe më pas të marrin pjesë në votime.

Tuesday 1 March 2011

Saviano: Mafia shqiptare, njësh me italianen
28/02/2011 22:20 marr nga topchannel Albania
http://top-channel.tv/artikull.php?id=205210&ref=lajme
Gjatë rrëfimit në emisionin “Shqip”, gazetari Roberto Saviano ka nënvizuar faktin se në vendet ballkanase, por edhe jashtë rajonit, votat blihen nga krimi i organizuar.
“Italia, Shqipëria, Greqia, etj, kanë një sistem klientelist të ngjashëm. Blihen votat. Të shkëmbesh votat do të thotë: “unë të jap një punë dhe ti më voto”. Kjo e dëmton demokracinë. Të blesh votën do të thotë që për 50 euro t’i blen një votë. Në Itali me 60 mijë euro blihet një vend në Parlament. Në Shqipëri shteti nuk ka punuar pothuajse fare në këtë drejtim. Po ashtu edhe në Turqi. Janë kapitale mafioze që mund të blejnë vota”, ka deklaruar Saviano.

I pyetur mbi zërat për investimet e mafieve të huaja në Shqipëri, gazetari i njohur është shprehur se kjo tashmë nuk përbën më një risi. Sipas tij, përmes kapitaleve kriminale, mafiozët arrijnë të depërtojnë në cdo vend.

“Nëse do të hapësh një fabrikë në Shqipëri, një i huaj i drejtohet një ndërmjetësi mafioz. Nëse e bën pa pikë ndërmjetësi, burokracia është e pafundme. Mua më cudit që ju shqiptarët habiteni. Mjafton të pyesësh cfarëdolloj sipërmarrësi që s’ka frikë të flasë”, ka pohuar Saviano.

Sipas tij, investimet bëhen përmes ndihmës së familjeve mafioze shqiptare, të cilat nga Tirana kontrollojnë cdo qelizë në Shqipëri dhe arrijnë të përhapen jashtë saj.

“Familjet e Tiranës përcaktojnë cdo qelizë në Shqipëri, në Prishtinë, e Nju Jork. Pushteti i mafies shqiptare, për shembull në vendet e ulëta, arrin përmes heroinës”, ka thënë Saviano.

Një pikë e rëndësishme e prekur prej tij është bashkëpunimi që mafia shqiptare ka vendosur me atë italiane, e cila nuk i konsideron shqiptarët elementë të huaj. Përkundrazi, ka theksuar Saviano, italianët kanë shumë besim tek shqiptarët.

“Një hetim i 2009-ës flet për bashkëpunimin mes Ndrangetës dhe mafies shqiptare. Shqiptarët japin 10 kg heroinë për 5 kg kokainë. Pastaj investojnë. Sot shqiptarët konsiderohen italianë, flasin italisht. Kamorra ka anëtarë shqiptarë që nuk i konsideron të huaj. Mafia italiane nuk ka besim tek serbët, tek rusët, etj”, ka deklaruar Saviano.

Duke qendruar tek mafia shqiptare, ajo sipas tij është kthyer në një sipërmarrje që ka si prioritet cimenton dhe investimet në ndërtim.

Saviano vlerëson se shumë shpejt, Shqipëria do të bëhet një vend tërheqës për emigrantët dhe organizatat kriminale do të korrin fitime të mëdha.

“Mafia shqiptare investon gjithcka në cimento, kryesisht në hinterlandin e jugut. Shqipëria është një vend që po shkon pranë pritjes së emigrantëve dhe do të ketë shumë fitim. Mafiet shqiptare kontrollojnë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë duke u përpjekur të shtypin popullsinë shqiptare”, është shprehur Saviano, i cili nga ana tjetër ka paralajmëruar Shqipërinë që të bëjë kujdes nga mafiet italiane që duan të transportojnë plehrat.

“Mafia italiane po sheh mundësinë për të bërë biznes me shqiptarët për transportin e plehrave. Bëni shumë kujdes”, ka thënë ai.

Nuk mund të linte pa prekur edhe cështjen e Kosovës, për të cilën dy vjet më parë shkaktoi shumë polemika me deklaratën se mund të kthehet në Kolumbinë e Evropës.

Sot sipas tij, Kosova është një shtet i rrezikuar nga organizatat mafioze, të cilat përbëhen nga ish-anëtarët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

“UCK-ja është financuar nga kapitale mafioze, për këtë ka hetime në SHBA. Tani UCK s’ekziston më sepse anëtarët e saj janë kthyer në mafiozë. Cështja është se kur kokaina transgjenike do të ketë një cmim të arsyeshëm, atëherë Kosova do të kthehet në një Kolumbi të vogël”, ka deklaruar Saviano.

Një tjetër cështje e prekur prej tij është edhe ajo e marrëdhënieve mes mafies dhe politikës, e cila sipas tij në Shqipëri eshtë një fenomen konkret.

“Politika shqiptare ka kontakte me mafien, nuk mund të mendohet që të mos ketë. Në Shqipëri ka prokurorë guximtarë që izolohen, policë të zotë që shmangen, gazetarë të guximshëm. Por ka edhe një det me korrupsion”, ka shtuar Saviano.

Wednesday 2 February 2011

Ndërkombëtarizimi i institucioneve mund të jetë zgjidhja e vetme

Gazeta Shqip 2011-02-02
http://www.gazeta-shqip.com/#/opinion/4a174e4ec395433697653c9919996e8d.html

Protestat e fundit vetëm sa rritën distancën midis klasës politike dhe arritjes së një zgjidhjeje pa kosto sociale. Ato treguan se kjo klasë ka humbur çdo përgjegjësi institucionale përballë shoqërisë së saj. Kjo tanimë është bërë kronike. Ka ardhur koha që ndërkombëtarët të ndërhyjnë institucionalisht, duke marrë role ekzekutive. Sot ndërkombëtarët nuk duhen fshehur pas gishtit. Dhe, ata duhet të ndjehen fajtorë për këtë që ndodh sot në Shqipëri. Sinonimi diplomatik i vazhdueshëm i të gjithë miqve, tanë është se shteti shqiptar ka institucione të konsoliduara dhe të gjitha mundësitë për ta administruar situatën me pjekuri politike. Ky lloj konstatimi, fatkeqësisht rezulton i pavërtetë. Sado diplomatike dhe mirëdashëse, qëndrimi thjesht në rolin e vëzhguesit dhe asistencave në formë ekspertizash, duket se ka dështuar. Ato thjesht e ndërlikojnë dhe më shumë situatën dhe rrisin më shumë konfuzionin në publik. Sot ndërkombëtarët duhet të përfshihen në institucione duke marrë detyra konkrete në bashkëpunim me palën shqiptare. Kjo, për një arsye të thjeshtë - klasa politike ende sillet në formën e një tribuje, ku ligjin e bën i pari i tribusë (partisë), dhe jo shoqëria që ata mëtojnë të përfaqësojnë.

Fatkeqësisht, si mekanizmi i Ramës dhe i Berishës është ta nxjerrin zgjidhjen nga rruga institucionale. Berisha, me teoritë e tij ‘konspirative’ na kujton format e puçizmit enverist, që përdoreshin për të rritur kontrollin ndaj institucioneve. Rama, nga ana tjetër, po ndjek me besnikëri rrugën drejt një revolucioni të tipit bolshevik, duke kërkuar zgjidhje revanshiste, po dhe ky jashtë institucioneve. Këto lloj qasjesh kanë krijuar një anarki politike, karakteristike kjo për shoqëritë post-komuniste. Sipas Nozick, roli i shtetit, dhe këtu ai ka parasysh institucionet, në raste anarkie apo kaosi është minimal dhe fuqia e tij e brishtë. Këto lloj situatash nuk bëjnë gjë tjetër, por vetëm se dobësojnë qeverisjen e shtetit jo nëpërmjet ligjit, por forcës së ‘muskujve’ politik. Situata aktuale nuk është thjesht një kaos politik, por dhe institucional. Sot kemi përplasje midis të tre pushteteve, i cili është përkufizuar më shumë në një eksplozion të brendshëm brenda ekzekutivit dhe rolet markuese që tenton të marrë legjislativi ndaj prokurorisë me komisionin e ngritur hetimor. Cikloni politik nuk ka harruar pa përfshirë dhe përfaqësues të medias, duke inkriminuar kështu çdo mundësi për një transparence publike të pakontestuar.

Kjo situatë duhet të marrë fund dhe zgjidhur nëpërmjet gjuhës institucionale dhe nën një dirigjim ndërkombëtar të përfshirë institucionalisht. Ajo që kjo klasë politike prodhoi tregon se tashmë demokracia institucionale e zgjidhjes së konfliktit i është drejtuar mekanizmit të rrugës, atij jashtë institucioneve, aty ku në fakt nuk ka përgjegjës, por vetëm viktima. Për këtë qëllim, shohim që ka dështuar demokracia në teori dhe ka ardhur koha për demokraci reale. Pra, duhet kaluar nga demokracia në letër në atë të praktikës institucionale. Dhe, në këtë pikë roli i ndërkombëtarëve është vital.

Si mund të arrihet kjo?

Në situatën aktuale, ku elita politike e ka braktisur këtë popull dhe vetëm e përdor atë, asaj i duhet minimizuar kontrolli mbi institucionet e pavarura, si gjykatat dhe prokuroria. Kjo mund të arrihet nëpërmjet transplantimit, jo vetëm të ligjeve, por dhe institucioneve demokratike. Për të sqaruar këtë koncept duhet të sqarojmë fillimisht nevojën për to, por dhe arsyen pse edhe ky proces, fatkeqësisht duhet dirigjuar nga ndërkombëtarët.

Periudha njëzetvjeçare ka qenë periudha e transplantimit ligjor, e cili rezulton të ketë qenë mjaft difektoze. Ky lloj mekanizmi nuk arriti të prodhojë institucione, por në të kundërt, krijoi një distancim midis ligjeve dhe zbatimit të tyre. Mbi të gjitha, krijoi ndarjen e pjesëmarrjes publike të shoqërisë në bërjen e ligjeve. Shoqëria, si rezultat, nuk i kuptonte, por dhe nuk e ndjente veten pjesëmarrëse në ligjbërje. Ligjet ishin diçka që na e impononin ndërkombëtarët, ndaj dhe duhet të ishin ata që të kujdeseshin ndaj klasës politike për zbatimin e tyre. Kjo lloj qasjeje rriti indiferentizmin e shoqërisë ndaj ligjeve, dhe kontrollin publik të zbatimit të tyre. Ligjet, sado demokratike, ishin një gjuhë e huaj për popullin, ato ishin thjesht një ‘organ’ i transplantuar nga jashtë nesh. Ndaj, transplantimi i ligjeve demokratike nuk ishte demokratik, por artificial dhe kjo solli që shoqëria, por dhe shteti nuk u demokratizuan apriori. Në shoqëritë ku post-komunizmi është gati qelizor, siç është dhe rasti Shqipërisë, ‘kirurgjia’ politike duhet të jetë shumë më e sofistikuar për të pasur rezultat. Ky lloj transplantimi difektoz i dirigjuar nga ndërkombëtarët ka bërë që sot establishmenti politik të kontrollojë si institucionet qeverisëse, por dhe mekanizmat opozitarë, deri edhe median. Ajo nuk trembet nga asgjë, dhe kjo shikohet në retorikën e saj dhe marrëdhëniet e saj me sistemin e drejtësisë.

Si rezultat, ajo që kemi sot nevojë është transplantimi i institucioneve demokratike përbri atyre ligjore. Dhe, duke qenë se kjo u iniciua nga të huajt, ajo duhet të vijohet po prej tyre. Këto institucione të transplantuara duhet të jenë si një bimë gjysmë e rritur, e cila të jetë në gjendje t’i rezistojë tokës mjaft shterpë, në kuptimin e vlerave demokratike, siç është dhe ajo në kontekstin shqiptar. Për të shmangur konfuzionin, kjo ide hidhet nga autori jo si forma më e mirë, por si forma më praktike për zgjidhjen e situatës. Pra, duke qenë se publiku nuk ka pasur një pjesëmarrje efektive në ligjbërje, ai e ka të vështirë ta ndjekë procesin e zbatimit të ligjit praktikisht, dhe kjo ka krijuar shumë hapësira për abuzim të tij nga klasa politike. Për këtë qëllim, megjithëse jam shumë kritik ndaj transplantimit artificial si proces, ai duket të ngelet si zgjidhja e vetme në situatën e krijuar. Nënvizoj se duke qenë se ishin ndërkombëtarët ata që ishin më pranë procesit të importimit të ligjit (me gjithë defektet), do të duhet që edhe ta ndjekin zbatimin e tij, por kësaj here në formë ekzekutive, pasi ata zotërojnë si autoritetin politik, por dhe ekspertizën e duhur. Ky proces është ai që ne në këtë shkrim, e quajmë transplantim i institucioneve ndërkombëtare. Ky transplantim duhet të kryhet në organet ligjzbatuese dhe duhet të fillojë me prokurorinë dhe gjykatat.

Ky proces do të përmbushte dy nevojat më të shpejta që ka sot vendi, siç janë goditja e korrupsionit dhe forcimi i sistemit të drejtësisë. Një hibrid midis ekspertëve të huaj në gjykatat e larta dhe në prokurori do të bënte të mundur pavarësinë reale të këtyre institucioneve nga klasa politike, do të rriste efikasitetin e goditjes ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, do të kishte një ndikim të shpejtë në rritjen e profesionalizmit si në prokurori, por dhe gjykata. Nga ana tjetër, për t’iu kthyer argumentit kryesor, kjo do të fillonte të vinte në praktikë demokracinë nga ajo në germën e ligjit, në atë të zbatimit të saj. Në një plan afatshkurtër, ky proces mund të fillonte me drejtimin e grupeve Task-Forcë nga prokurorë të huaj. Pranë gjykatave të larta dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda mund të përfshiheshin për një periudhë afatmesme gjyqtarë të huaj të specializuar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këta duhet të përfshihen në gjykime të kësaj natyre. Sektorë të tjerë ku mund të përfshiheshin ekspertët e huaj janë dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, përfshi këtu dhe policinë hetimore.

Me pak fjalë, prezenca e ekspertëve ndërkombëtare në prokurori dhe gjykata duke kryer detyra praktike dhe jo thjesht të temperuara në role edukative, do të mund, që në një kohë relativisht të shkurtër, të institucionalizojë shtetin ligjor në praktikë, do të prodhonte modelin efikas të munguar të prokurorisë dhe gjykatave, do të rriste në maksimum luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo do të rikthente besimin e shoqërisë ndaj institucioneve ligjzbatuese. Ky hap do të përshpejtonte europianizimin e institucioneve. Dhe mbi të gjitha, ky proces do të ndihmonte shoqërinë shqiptare të dilte nga kllapia e klasës së saj politike dhe do t’i kthente asaj të drejtën për të kontrolluar fatet e veta për një demokracie liberale.

Tuesday 11 January 2011

Arsimi Parauniversitar midis Laicizmit Politik dhe Multikulturalizmit
http://revistamapo.com/forum.php?id=2718
Projektligji për arsimin parauniversitar ka nxitur një debat publik në lidhje me mardhëniet midis publikimit të simboleve fetare dhe institucioneve publike. Në fakt, kjo inisiativë ligjore ka risjellë për të disatën herë, diçka që tani duket të jetë kthyer thuajse në diskutim kronik--ndarja e kufijve midis fesë dhe shtetit. Sipas pikës 4 të nenit 36 të këtij projektligji, në institucionet arsimore parauniversitare, do të ‘ndalohet ekspozimi i simboleve fetare...., përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare’. Vetë projektligji nuk bën një përcaktim se çfarë ka parasysh ligjvënësi me simbol fetar, duke e lënë interpretimin e tij shumë evaziv dhe me mundësi të larta abuzimi.
Shqetësimi i ngritur është se ky nen, megjithëse juridikisht në pamje të parë duket se nuk ka të bëjë me nxënësit, është përsëri i paqartë. Vetë Ministri Tafaj ka lënë të nënkuptohet një gjë të tillë. Ky i fundit , në emisionin ‘Studio e Hapur’ në televizionin ALSAT, dt.12/12/2010, do të shprehej se ‘simbolet [fetare] kanë të bëjnë natyrisht me mjedisin por kur bëhet fjalë për personin atëherë ligji parashikon një rregullore në shkollë dhe kjo rregullore të jetë e zbatueshme nga të gjithë”. Nga ana tjetër, kjo pikë në mënyrë të qartë, diskriminon ato mësuese femra të cilat mbajnë shami qofshin këto muslimane apo dhe të krishtera, në rastin e murgeshave. Diskriminon dhe ata pedagog që mbajnë një kryq apo simbolika të tjera fetare të shfaqura publikisht në paraqitjen e tyre.
Ky nen dhe qëndrimi i Ministrit Tafaj në këtë kontekst, ka tre probleme thelbësore: mungesa e kohezionit në politikat arsimore; konfuzioni politik; dhe keqperceptimi mbi multikulturalizmin dhe laicizmin.
Cilat janë këto probleme?
Problemi i parë lidhet me mungesën e kohezionit të politikave në arsim. Një ndër synimet kryesore dhe të trumbetuara si një avangardë e reformave në arsimin shqiptar nga mazhoranca aktuale, ka qenë, ndër të tjera, dhe ndikimi i politikave anglofone në arsimin parauniversitar shqiptar. Kujtojmë këtu iniciativën e nisur në këtë aspekt nga ish ministri i arsimit Pollo dhe deklaratat e vetë Kryeministrit Berisha gjatë kohës së vizitës së Kryetarit të Unionit të Anglofonisë Botërore në Shqipëri, Lordit Watson, shtator 2009.
Nga ana tjetër, Ministria Arsimit dhe e Shkencës (MASH), aktualisht, ka ftuar ekspert britanik për konsulencë në lidhje me reformat e arsimit në vend. Në këtë aspekt, ka një konfuzion midis asaj që predikohet në publik dhe asaj që zhvillohet në praktikë. Neni i mësipërm është një tregues i mungesës së kohezionit të strategjive në arsim. Siç dihet, në sistemet paraunivesitare të sferës anglo-saksone nuk egzistojnë ndalime në lidhje me paraqitjen fetare si të nxënësve ashtu edhe të mësuesve. Në rastin e simboleve fetare, ndalimi i tyre bëhet vetëm në ambientet e institucionit arsimor dhe jo më gjerë. Diversiteti kulturor dhe fetar është një ndër asetet me të rëndësishëm që sistemet arsimore anglo-saksone reklamojnë. Ata shpesh ‘mburren’ me këtë vlerë, duke e shprehur këtë element si faktor dallues dhe cilësor nga sistemet e tjera ekuivalente.
Problemi i dytë lidhet me koincidencën e këtij projektligji me aksionet politike së fundmi të të dy forcave politike me qëllim përfitimin e votave të elektoratit ‘fetar’. Këto fillimisht filluan me ‘ofertën’ e Ramës për ngritjen e xhamisë së madhe në qendër të Tiranës, deklaratë e cila u pasua nga replikat me nota ‘fetare’ të Olldashit. Vetë Kryeministri Berisha do të priste në zyrën e tij përfaqësuesit më të lartë të Komunitetit Musliman Shqiptar. Megjithatë, oferta e Ramës u duk që kësaj here ishte më e besueshme dhe kjo mbase krijoj shqetësime të natyrshme për mazhorancën. Këta të fundit duhet të bënin diçka më serioze sesa thjesht të mjaftoheshin me takime formale më përfaqësuesit e komuniteteteve fetare.
Në këtë aspekt, një ndër shqetësimet e ngritura, është se ky nen mund të jetë përdorur si instrument politik nga mazhoranca. Pika 4 e nenit 36 duket se prek më shumë komunitetin e besimtarëve musliman, kjo pasi ai diskriminon pikërisht nxënëset dhe mësueset e mbuluara. Kështu që, në të kundërt me ‘ofertën’ e Ramës bërë muslimanëve kryeqytetas, mekanizmi balancues i mazhorancës është i një forme tjetër--forma e presionit ligjor nën emrin e laicitetit. Shqetësimi legjitim është se, këta të fundit, mundet fare mirë ta kushtëzojnë abrogimin e nenit të shumpërfolur me kapitalizmin e votave të besimtarëve musliman në veçanti dhe elektoratit fetar në përgjithësi. I menjëhershëm ka qenë kundërshtimi për këtë nen i Komunitetit Musliman Shqiptar por dhe i arkipeshkvit të Tiranës dhe Durrësit, z. Rrok Mirdita.
Nga ana tjetër, dyshimi se ky nen mund të ketë insinuata politike, lidhet edhe me faktin se ai bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi që u miratua një vit me parë nga vetë kjo mazhorancë. Kështu që ligjërisht ai mund të rrëzohet fare lehtë. Për më shumë, mazhorancës aktuale nuk do t’i interesonte të hapte një sagë të një natyre tjetër juridike me Strasburgun, siç është ajo e diskriminimit për arsye fetare. Ajo tashmë ka një ‘faturë’ shumë të shtrenjtë financiare për të paguar për çështje pronash. Hapja e një sipari tjetër në këtë drejtim do të ishte katastrofë sa politike por dhe financiare për qeverisjen aktuale.
Problemi tretë dhe me thelbësor, është keqperceptimi që ka MASH, në këtë rast e përfaqësuar nga z. Tafaj, në lidhje me marrëdhëniet midis institucioneve publike dhe simboleve fetare. Ministri Tafaj në emisionin e cituar më sipër-- kur u pyet nga znj. Elsa Ballauri, në lidhje me atë se si do të implementohej ky ligj, kur dihet se kjo lloj qasje mund të ketë karakter diskriminues për personat që kanë veshje sipas një prej besimeve fetare-- do të shprehej se ‘‘gjendja është e qartë[...]shkollat publike ne i kemi shkolla pa shami’.
Me pak fjalë, ajo që Ministri Tafaj nënkuptoi në qëndrimin e tij, ishte se konstrukti social dhe kulturor i brezit të ri do të zhvillohet nëpërmjet një qasje tërësisht hermetike, dhe në të kundërt me trendin kulturor global. Sipas tij, ai është i destinuar të ndërtohet mbi baza përjashtuese dhe dalluese. Pra, nxënësi shqiptar, megjithëse të nesërmen do të jetë një shtetas evropian i cili mund të ndajë jetën, profesionin apo shumëçka me dikë tjetër (feje, ideologjie, ngjyre), do duhet që në gjenezë të edukimit të tij të sintetizojë botëkuptimin mbi ndasitë/segregimin dhe jo respektimin e të ndryshmes.
Në fakt, ajo që Ministri Tafaj u përpoq të shpjegonte është, në një farë mase, dhe reflektimi që ka sot në përgjithësi elita post-komuniste shqiptare, qoftë kjo akademike por dhe politike. Fatkeqësisht, ndjehet një nervozizëm në mjediset intelektuale të cilët e shohin laicitetin si antitezë të fetares. Është shumë e paqartë dhe jo konstruktive mënyra sesi artikulohen nocionet e laicizimit në Shqipëri. Për të shmangur këtë konfuzion dhe për të qenë në kohezion më metodologjitë arsimore anlgo-saksone të pretenduara nga MASH dhe mazhoranca, do të ishte mirë që edhe interpreptimet per laicizmin të merreshin prej tyre. Kjo do të shmangte inkonsistencën midis vlerave dhe ligjeve që i mishërojnë ato.
Për më tepër, në kontekstin shqiptar, modeli laicizmit anglo-sakson do të ishte më efikas dhe funksional. Të njëjtin mendim ndan dhe studiuesi për çështjet fetare në Shqipëri z. Besnik Sinani. Edhe vetë bazat e shtetit laik shqiptar nuk janë hedhur duke e parë fenë jashtë sferës publike. Sinani, në këtë kontekst, argumenton se ‘eksperienca jonë e paktë republikane nuk është ngjizur mbi ekzekutimin e klerikëve, por me bekimin, ndihmesën, e pjesëmarrjen e tyre, siç është parë në shpalljen e pavarësisë e gjer tek qeveria jetëshkurtër e Nolit.’ (Shekulli 29/04/2009).
Nga ana tjetër, laiciteti nuk duhet kuptuar si mekanizëm konservues nën pretekstin e neutralitetit përjashtues. Në të kundërt, ai duhet të jetë një instrument social integrues për kulturat dhe besimet e ndryshme. Sociologë të njohur në lidhje me këtë problematikë janë kritikë të formave asnjanësuese të stisura nën petkun e laicizmit. Profesori i Universitetit të Yale, Jeffrey Alexander, nënvizon se mekanizmat që e përdorin laicitetin si platformë ideologjike për t’u mbrojtur nga traditat e reja kulturore apo dhe fetare, janë të dështuara dhe nuk kanë sjellë efekte pozitive në shoqëritë liberale. Ai cilëson se multikulturalizmi dhe gjithpërfshirja duhet të jenë qëllimet dhe objektivat të cilat duhet të orientojnë shoqëritë e sotme demokratike. Ai kundërshton me forcë çdo politikë të natyrave izoluese për traditat dhe fetë/ideologjitë e ndryshme nga ato të maxhorancës dominante.
Profesor Alexander shprehet se demokracitë liberale në vend të ‘mureve izoluese’, për t’u mbrojtur nga grupet e tjera kulturore, duhet të promovojnë komunikimin dhe integrimin. Shteti duhet të krijojë hapësirat e mundshme për këtë qëllim dhe jo të sillet ‘armiqësisht’ dhe në forma ‘militare’ me të ‘kundërtit’.
Në këtë drejtim, përfaqësimi i laicizmit përjashtues në institucionet publike, i cili përpiqet të politizohet në pikën 4 të nenit 36 të projektligjit në fjalë dhe të sintetizohet në opinionin e mësipërm të Ministrit Tafaj, rrezikon të zhvlerësojë sistemin e edukimit nga një ndër vlerat më kryesore, siç është ajo e respektit për kulturën, fenë dhe mendimin e tjetrit. Kjo lloj qasje në arsimin parauniversitar rrezikon të prodhoje një shoqëri me identitete të steriotipizuara dhe me deformime sociale.
Në këtë aspekt, politikat e arsimit në të gjitha nivelet duhet të bazohen në multikultularizëm dhe jo në ‘laicizmin’ diskriminues. Kjo do t’i ndihmojë më shumë të rinjtë shqiptarë për t’u integruar më lehtë në globalizmin e vlerave. Ky lloj mentaliteti emacipues do t’i bëjë ata më të gatshëm për t’u përballur me qytetarinë evropiane.