Fabjan Zhilla
Apologjia e Ramës
Pak ditë më parë, kryetari i opozitës do të bënte njëfarë apologjie duke pranuar se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 ishin një hap fals dhe me kosto jo të pakëta për opozitën aktuale, por mbi të gjitha për funksionimin e shtetin ligjor në tërësi. Vektori i ndryshuar i veprimit politik të opozitës, duke vendosur në qendër të restaurimin e garancive kushtetuese dhe rishikimin e kodit zgjedhor, mbase për të parën herë, mbas drejtimit të saj nga Rama, e bëjnë atë një opozitë institucionale dhe funksionale. Do të duhej që opozita të priste dhe humbjen e kryetarit të saj, për të kuptuar se sipas parimeve të shtetit ligjor, garancia e zgjidhjes institucionale është e varur pandashmërisht nga cilësitë kushtetuese. Një kushtetutë difektoze dhe një sistem zgjedhor, i menaxhuar tërësisht politikisht, jo vetëm që shfazojnë pushtetet balancuese të ekzekutivit, siç është sistemi gjyqësor, por mbi të gjitha nxjerrin jashtë funksionit dhe pushtetin legjislativ, duke e kthyer pjesëmarrjen e opozitës në të në një hije të pozitës.
Sidoqoftë, megjithëse shumë vonë, Rama nëpërmjet apologjisë së tij krijoi një precedent pozitiv për kulturën politike shqiptare. Pranimi i gabimit, në lidhje me fajet institucionale prej opozitës, por dhe iniciativa për t’i ndrequr ato, është një akt që në historinë e politikës post-komuniste shqiptare mungonte. Për këtë qëllim, veprimi i fundit i Ramës duhet parë pozitivisht në dy drejtime, si në atë institucional, por dhe politik. Kjo lloj qasje e re e opozitës duke filluar me një ‘pardon’, por dhe duke përmbysur hierarkinë e prioriteteve të aksionit të saj opozitar me rregullimet ligjore dhe pjesëmarrjen në institucione, duhet parë me optimizëm.
Nga ana tjetër, në mënyrë të habitshme, e kundërta ndodh me reagimin patetik të pozitës. Kujtojmë se ndryshimet e kodit zgjedhor, sistemit zgjedhor, ato kushtetuese, por dhe arritja e konsensusit për bërjen e ligjit, për organizmin e sistemit gjyqësor, i cili ende lë shumë për të dëshiruar, u arritën pas një ‘flirtimi’ gati dy vjeçar midis të dy forcave kryesore politike. Ato ndryshime u bënë pas një kontestimi jo të vogël nga partitë e vogla, si të majta por dhe të djathta, gjë që detyroi Berishën tu premtonte krerëve të këtyre të fundit, mandate deputetësh në parlamentin e ri. Pra do të ishte e pandershme që këto ndryshime t’i faturoheshin vetëm Ramës. Në to nuk kontribuoi me jo më pak zell dhe Berisha. Duhet cilësuar gjithashtu se një ndër partitë më kundërshtuese ndaj këtyre ndryshimeve, e cila mori dhe flamurin e mbrojtjes së kushtetutës, ishte LSI. Shumëkush do të priste që kjo forcë ta përshëndeste këtë qasje të opozitës dhe jo të reagonte në mënyrë bizantine dhe nënçmuese. Të paktën LSI-së, moralisht, ky reagim nuk i takonte. Ky akti i saj, siç ndodh rëndom me pragmatizmin feudal të forcave politike shqiptare, tregon se aksionet e LSI për mbrojtjen e kushtetutës në vitin 2008, kanë qenë një bllof politik. Dhe reagimi i Berishës, për të mos pranuar ndryshimet kushtetuese, ishte gjithashtu në inkoherencë me ftesat e tij, bërë opozitës për bashkëpunim në lidhje me reformën zgjedhore.
Gjithkush në publik, thirrjet e maxhorancës, drejtuar opozitës së fundi, i lexoi si mesazhe pozitive dhe shpresëdhënës për një vjeshtë të mbarë në politikën shqiptare. Dhe maxhoranca do duhet të jetë koherente në qëndrimet e saj. Qasja e bashkëpunimit midis forcave politike për përmirësimin e rendit kushtetues, të kodit zgjedhor, si dhe kryerjen e reformave në gjyqësor, do të ishin në përputhje dhe me 12 rekomandimet e Këshillit të Europës. Në thelb të këtyre rekomandimeve qëndron pikërisht hemorragjia e stërzgjatur e demokracisë në Shqipëri, që vjen si rezultat i mosfunksionimit të institucioneve kushtetuese dhe bashkëpunimit funksional midis forcave politike në këtë drejtim. Për këtë qëllim, pozita do të duhet ta shikojë në këtë prizëm ‘pardonin’ dhe aksionin e ri të opozitës për ndryshimet kushtetuese e më gjerë. Maxhoranca duhet të dalë përtej pragmatizmit të ngushtë politik dhe të sillet si një maxhorancë e përgjegjshme, e cila jo vetëm i beson, por dhe i zbaton parimet e shtetit ligjor.
Berisha duhet të kuptojë që me iniciativën për ndryshimet kushtetuese, Rama ka formuar një kauzë reale. Përmirësimi i kushtetutës është një kauzë që i shërben mbi të gjitha shtetit të së drejtës dhe gjithë shqiptarëve. Është një kauzë e cila ofron, të paktën ligjërisht, garanci kushtetuese për individin dhe shoqërinë. Në këtë aspekt, aksioni kushtetues i opozitës duhet vlerësuar nga maxhoranca me seriozitet sa institucional, por dhe politik. Ato nuk duhen parë si dobësi nga koalicioni qeverisës, por vlerësuar me përgjegjshmëri në interes të vendit dhe integrimit të tij në Bashkimin Europian.
No comments:
Post a Comment