Tuesday 31 May 2011

Zgjidhja: Rikthimi nga Republikë “Kryeministrore” në Parlamentare


http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla&id=1030


Fatkeqësisht, vëmendja e forcave politike për trazirat post-zgjedhore është fokusuar vetëm te vendimi përfundimtar i Kolegji Zgjedhor në lidhje me Tiranën. Megjithatë, ky nuk është aspak problemi kryesor, por thjesht një ndër pasojat e shumta. Sot problemi kryesor janë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Opozita duhet të iniciojë një aksion politik dhe të kërkojë rishikimin e Kushtetutës dhe përmirësimin e saj, të paktën në cilësinë juridike të vitit 1998. Çfarëdolloj aksioni tjetër opozitar do të ishte i komprometuar politikisht dhe do të ishte thjesht demagogjia e radhës.


Në fakt problematika e ndryshimeve kushtetuese nuk është e re. Polemikat në lidhje me pasojat e jashtëzakonshme, në kuptimin konstitucional por dhe për handikapet politike që ato do të prodhonin, janë trajtuar qysh në krye të herës. Ndryshimet e kryera në vitin 2008 u miratuan me 115 vota pro dhe 17 vota kundër. Ndër të tjera, kryeministri Berisha do të shprehej se ‘ndryshimet në Kushtetutë do të shmangin, njëherë e përgjithmonë, krizat në Shqipëri’ ndërsa Ilir Meta nënvizonte se këto ndryshime nuk do të prodhonin gjë tjetër, por ‘Kushtetutën Sali-Rama’. Rama, duke i kthyer përgjigje Metës, e konsideronte çështjen e ndryshimeve kushtetuese një ‘çështje të mbyllur...[pasi votimi nga Parlamenti] është shprehje e popullit sovran’. Por, siç e gjithë historia politike nga viti 2009 e në vazhdim tregon, krizat politike nuk janë shmangur dhe kjo çështje jo vetëm që nuk është mbyllur, por sa vjen dhe shpërfytyrohet më tej.


Pse ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dështuan të shmangin destabilizimin politik, duke tronditur rëndë edhe atë stabilitet politiko-juridik të krijuar nga kjo Kushtetutë deri në vitin 2008? Përgjigjja është e thjeshtë: ato e çdemokratizuan sistemin qeverisës, duke e kthyer atë nga një republikë parlamentare në “republikë kryeministrore”. Të dyja palët, dhe kryesisht Partia Socialiste, nga ku kishin burimin propozimet, kanë përgjegjësi të padiskutueshme ligjore dhe politike. Ato u nisën thjesht nga interesa të ngushta partiake, pakti i të cilave ishte që pushteti absolut do t’i transferohej asaj force politike që do të merrte shumicën. Gjë e cila rezultoi të jetë fatale për socialistët si “pësonjës” dhe, mbi të gjitha, për demokracinë në Shqipëri.


Cilat ishin pra, këto ndryshime që e shndërruan regjimin qeverisës nga parlamentar në “kryeministror”?


Së pari, ndryshimi i vetë sistemit zgjedhor nga një sistem miks në proporcional rajonal, duke i ligjëruar kryetarit të partisë mundësinë për të propozuar listën emërore të deputetëve në listat zgjedhore. Kjo manovër rriti autoritetin e kryetarit të partisë dhe prishi balancat demokratike brenda saj, duke i dhënë de jure këtij të fundit (pasi kryetarët e partisë dhe me sistemin miks e kishin këtë kontroll de fakto) rol gati monarkik në parti. Kjo lloj qasje bie në kundërshtim edhe me nenin 9/1 të Kushtetutës, i cili parashikon që ‘Organizimi i tyre (partive politike) duhet të përputhet me parimet demokratike’. Pra, fuqizimi i pushtetit të Kryeministrit të ardhshëm filloi që në qelizë, që në partinë e tij politike.


Së dyti, forcimi i rolit të Kryeministrit filloi brenda legjislativit dhe për këtë, qeverisja e tij, duhet të sigurohej në dy aspekte; a) qoftë nga ndonjë ndryshim i papritur brenda grupit të shumicës së tij parlamentare apo dhe b) nga ndonjë goditje frontale që mund t’i bëhej atij nga opozita. Për të shmangur këto dy momente u ndryshuan nenet 104 dhe 105.


Në nenin 104 Kushtetuta kishte krijuar një mekanizëm parlamentar (mocionin e besimit), ku Kryeministri në raste pakënaqësie, provonte apo testonte legjitimitetin e tij në Kuvend. Neni 104, i pandryshuar, vinte në rrezik çdo tentativë të Kryeministrit për të testuar veten, pasi, në rast se nuk miratohej, qeveria e tij rrëzohej dhe Presidenti emëronte një kryeministër të ri. Kjo e bënte Kryeministrin shumë vulnerabël në raste krizash politike, pasi balancat brenda koalicionesh mund të ndryshoheshin shpejt. Kujtojmë se ndër 17 deputetët që kundërshtuan ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, 9 prej tyre ishin të koalicionit të djathtë. Ky mekanizëm kontrolli i Kuvendit mbi Kryeministrin dhe qeverinë, është element i mirënjohur në sistemet e qeverisjes të republikave parlamentare. Në fakt, neni 104, i ndryshuar, e deformoi këtë mekanizëm duke e kthyer në armën më të fortë të Kryeministrit, si ndaj deputetëve të tij ashtu edhe ndaj aleatëve të vegjël. Ndryshimet kushtetuese, në mënyrë të paprecedentë për një republikë parlamentare, i dhanë kompetencën Kryeministrit për të shpërndarë Kuvendin. Konkretisht, Kryeministri, në rast se do të dojë të provojë besimin e tij në Kuvend, dhe nuk votohet/pëlqehet nga më shume se gjysma e gjithë deputetëve (71 deputetë), është ai që brenda 48 orëve i kërkon Presidentit shpërndarjen e Kuvendit. Pra, ky mekanizëm parlamentar nga një instrument kontrolli i Kuvendit ndaj Kryeministrit është kthyer në një instrument kontrolli të tij ndaj Kuvendit.


Neni 105 ka të bëjë me mocionin e mosbesimit dhe është një mjet i cili zakonisht u krijon mundësi koalicioneve opozitare për të kontrolluar ose balancuar pushtetin qeverisës. Nëse në rastin e parë opozita ishte në pozicion pasiv, mocioni i mosbesimit e vë atë në pozita aktive, duke shmangur mundësinë e varësisë ndaj aksioneve politike të Kryeministrit. Sipas nenit 105, para ndryshimeve, nëse mocioni i mosbesimit i paraqitur nga një e pesta e deputetëve miratohej nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri bashkë me qeverinë binte, dhe Kuvendi në një fazë të dytë, brenda 15 ditëve, zgjidhte një Kryeministër tjetër. Në nenin 105, të ndryshuar, kjo mundësi është zhdukur, duke përfshirë dy fazat e mësipërme politiko-juridike krejt të veçanta, në një të vetme. Sipas ndryshimeve, propozimi për mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit dhe qeverisë së tij, është bashkuar me propozimin për Kryeministrin e ri. Pra, ‘Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri’. Bashkimi i të dy proceseve, krejtësisht të ndarë para ndryshimeve kushtetuese, në një të vetëm, në fakt, e neutralizon mocionin e mosbesimit si mekanizëm parlamentar për të rrëzuar një qeveri, si dhe mandej për t’i lënë kohë Kuvendit, 15 ditë, për të krijuar një tjetër mazhorancë, sepse ajo gjë i kërkohet atë ditë, madje me të njëjtin votim. Nga ana tjetër, kjo është e pamundur të kryhet, si juridikisht ashtu edhe politikisht, në të njëjtin Kuvend, pasi, siç e përmendëm dhe më sipër, Kryeministri ka të drejtën që të kërkojë një mocion besimi (qoftë me parë, qoftë edhe atë ditë), dhe nëse ai nuk miratohet nga më pak se gjysma e deputetëve, atëherë Kuvendi shpërndahet automatikisht. Siç shikohet, pas ndryshimeve kushtetuese, edhe me këtë instrument juridik, nuk është Kuvendi që kontrollon Kryeministrin por, çuditërisht për një republikë parlamentare, është Kryeministri që e kontrollon atë, madje duke pasur mundësinë edhe për ta shpërndarë.


Së treti, këtyre ndryshimeve iu shtuan edhe ndryshimi i nenit 87, që lidhet me zgjedhjen e Presidentit duke dobësuar një tjetër mekanizëm kontrolli të opozitës ndaj Kryeministrit. Kështu, në rast se opozita nuk bie dakord për zgjedhjen e Presidentit, shumica mund ta zgjedhë atë me shumicë të thjeshtë votash. Ndryshimi i këtij neni jo vetëm solli dobësimin e kontrollit të legjislativit ndaj ekzekutivit, por eliminoi edhe një “valvul shkarkuese” që mbetej për bashkëpunim politik midis shumicës dhe opozitës, sepse qeveria mund të rrezikohej me anën e zgjedhjeve të parakohshme, nëse nuk arrihej në zgjedhjen e Presidentit konsensual. Ndërsa më parë, Presidenti duhet të zgjidhej me 84 deputetë, ndryshe Kuvendi shpërndahej, tani mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë (71 deputetë). Pra, ai numër votash që i duhen qeverisë që të qeverisë. Pas zhdukjes nga Kushtetuta të të gjithë këtyre instrumenteve për të kontrolluar qeverinë, ajo çfarë i ka mbetur sot opozitës është vetëm të pengojë votimin e cilësuar për disa ligje specifike sipas nenit 81 të Kushtetutës. Në këtë situatë, ky mekanizëm, duke qenë i vetmi mjet bllokues politik për opozitën, në fakt s’bën gjë tjetër, veçse shkatërron funksionin legjislativ të Kuvendit.


Me pak fjalë, opozita duhet të angazhohet për rikthimin e sistemit qeverisës shqiptar nga një “republikë kryeministrore” në republikë parlamentare. “Republika kryeministrore” e instaluar sot në Shqipëri, nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ka shkatërruar jo vetëm parimin e “kontrollit dhe balancimit midis tre pushteteve”, por ka ‘minuar’ tërësisht edhe themelet e shtetit të së drejtës. Për ta kryer këtë mision, Opozita duhet të ulet, në negociata me shumicën, me propozime konkrete. Përfundimisht, nëse ky sistem kushtetues nuk ndryshon, opozita e sotme por dhe ajo e nesërmja, nuk ka asnjë mundësi për të bërë një opozitë institucionale, dhe si rrjedhim format e saj do të ngelen primitive, pa rezultat, dhe aspak të denja për një vend që aspiron integrimin europian.