Wednesday 2 February 2011

Ndërkombëtarizimi i institucioneve mund të jetë zgjidhja e vetme

Gazeta Shqip 2011-02-02
http://www.gazeta-shqip.com/#/opinion/4a174e4ec395433697653c9919996e8d.html

Protestat e fundit vetëm sa rritën distancën midis klasës politike dhe arritjes së një zgjidhjeje pa kosto sociale. Ato treguan se kjo klasë ka humbur çdo përgjegjësi institucionale përballë shoqërisë së saj. Kjo tanimë është bërë kronike. Ka ardhur koha që ndërkombëtarët të ndërhyjnë institucionalisht, duke marrë role ekzekutive. Sot ndërkombëtarët nuk duhen fshehur pas gishtit. Dhe, ata duhet të ndjehen fajtorë për këtë që ndodh sot në Shqipëri. Sinonimi diplomatik i vazhdueshëm i të gjithë miqve, tanë është se shteti shqiptar ka institucione të konsoliduara dhe të gjitha mundësitë për ta administruar situatën me pjekuri politike. Ky lloj konstatimi, fatkeqësisht rezulton i pavërtetë. Sado diplomatike dhe mirëdashëse, qëndrimi thjesht në rolin e vëzhguesit dhe asistencave në formë ekspertizash, duket se ka dështuar. Ato thjesht e ndërlikojnë dhe më shumë situatën dhe rrisin më shumë konfuzionin në publik. Sot ndërkombëtarët duhet të përfshihen në institucione duke marrë detyra konkrete në bashkëpunim me palën shqiptare. Kjo, për një arsye të thjeshtë - klasa politike ende sillet në formën e një tribuje, ku ligjin e bën i pari i tribusë (partisë), dhe jo shoqëria që ata mëtojnë të përfaqësojnë.

Fatkeqësisht, si mekanizmi i Ramës dhe i Berishës është ta nxjerrin zgjidhjen nga rruga institucionale. Berisha, me teoritë e tij ‘konspirative’ na kujton format e puçizmit enverist, që përdoreshin për të rritur kontrollin ndaj institucioneve. Rama, nga ana tjetër, po ndjek me besnikëri rrugën drejt një revolucioni të tipit bolshevik, duke kërkuar zgjidhje revanshiste, po dhe ky jashtë institucioneve. Këto lloj qasjesh kanë krijuar një anarki politike, karakteristike kjo për shoqëritë post-komuniste. Sipas Nozick, roli i shtetit, dhe këtu ai ka parasysh institucionet, në raste anarkie apo kaosi është minimal dhe fuqia e tij e brishtë. Këto lloj situatash nuk bëjnë gjë tjetër, por vetëm se dobësojnë qeverisjen e shtetit jo nëpërmjet ligjit, por forcës së ‘muskujve’ politik. Situata aktuale nuk është thjesht një kaos politik, por dhe institucional. Sot kemi përplasje midis të tre pushteteve, i cili është përkufizuar më shumë në një eksplozion të brendshëm brenda ekzekutivit dhe rolet markuese që tenton të marrë legjislativi ndaj prokurorisë me komisionin e ngritur hetimor. Cikloni politik nuk ka harruar pa përfshirë dhe përfaqësues të medias, duke inkriminuar kështu çdo mundësi për një transparence publike të pakontestuar.

Kjo situatë duhet të marrë fund dhe zgjidhur nëpërmjet gjuhës institucionale dhe nën një dirigjim ndërkombëtar të përfshirë institucionalisht. Ajo që kjo klasë politike prodhoi tregon se tashmë demokracia institucionale e zgjidhjes së konfliktit i është drejtuar mekanizmit të rrugës, atij jashtë institucioneve, aty ku në fakt nuk ka përgjegjës, por vetëm viktima. Për këtë qëllim, shohim që ka dështuar demokracia në teori dhe ka ardhur koha për demokraci reale. Pra, duhet kaluar nga demokracia në letër në atë të praktikës institucionale. Dhe, në këtë pikë roli i ndërkombëtarëve është vital.

Si mund të arrihet kjo?

Në situatën aktuale, ku elita politike e ka braktisur këtë popull dhe vetëm e përdor atë, asaj i duhet minimizuar kontrolli mbi institucionet e pavarura, si gjykatat dhe prokuroria. Kjo mund të arrihet nëpërmjet transplantimit, jo vetëm të ligjeve, por dhe institucioneve demokratike. Për të sqaruar këtë koncept duhet të sqarojmë fillimisht nevojën për to, por dhe arsyen pse edhe ky proces, fatkeqësisht duhet dirigjuar nga ndërkombëtarët.

Periudha njëzetvjeçare ka qenë periudha e transplantimit ligjor, e cili rezulton të ketë qenë mjaft difektoze. Ky lloj mekanizmi nuk arriti të prodhojë institucione, por në të kundërt, krijoi një distancim midis ligjeve dhe zbatimit të tyre. Mbi të gjitha, krijoi ndarjen e pjesëmarrjes publike të shoqërisë në bërjen e ligjeve. Shoqëria, si rezultat, nuk i kuptonte, por dhe nuk e ndjente veten pjesëmarrëse në ligjbërje. Ligjet ishin diçka që na e impononin ndërkombëtarët, ndaj dhe duhet të ishin ata që të kujdeseshin ndaj klasës politike për zbatimin e tyre. Kjo lloj qasjeje rriti indiferentizmin e shoqërisë ndaj ligjeve, dhe kontrollin publik të zbatimit të tyre. Ligjet, sado demokratike, ishin një gjuhë e huaj për popullin, ato ishin thjesht një ‘organ’ i transplantuar nga jashtë nesh. Ndaj, transplantimi i ligjeve demokratike nuk ishte demokratik, por artificial dhe kjo solli që shoqëria, por dhe shteti nuk u demokratizuan apriori. Në shoqëritë ku post-komunizmi është gati qelizor, siç është dhe rasti Shqipërisë, ‘kirurgjia’ politike duhet të jetë shumë më e sofistikuar për të pasur rezultat. Ky lloj transplantimi difektoz i dirigjuar nga ndërkombëtarët ka bërë që sot establishmenti politik të kontrollojë si institucionet qeverisëse, por dhe mekanizmat opozitarë, deri edhe median. Ajo nuk trembet nga asgjë, dhe kjo shikohet në retorikën e saj dhe marrëdhëniet e saj me sistemin e drejtësisë.

Si rezultat, ajo që kemi sot nevojë është transplantimi i institucioneve demokratike përbri atyre ligjore. Dhe, duke qenë se kjo u iniciua nga të huajt, ajo duhet të vijohet po prej tyre. Këto institucione të transplantuara duhet të jenë si një bimë gjysmë e rritur, e cila të jetë në gjendje t’i rezistojë tokës mjaft shterpë, në kuptimin e vlerave demokratike, siç është dhe ajo në kontekstin shqiptar. Për të shmangur konfuzionin, kjo ide hidhet nga autori jo si forma më e mirë, por si forma më praktike për zgjidhjen e situatës. Pra, duke qenë se publiku nuk ka pasur një pjesëmarrje efektive në ligjbërje, ai e ka të vështirë ta ndjekë procesin e zbatimit të ligjit praktikisht, dhe kjo ka krijuar shumë hapësira për abuzim të tij nga klasa politike. Për këtë qëllim, megjithëse jam shumë kritik ndaj transplantimit artificial si proces, ai duket të ngelet si zgjidhja e vetme në situatën e krijuar. Nënvizoj se duke qenë se ishin ndërkombëtarët ata që ishin më pranë procesit të importimit të ligjit (me gjithë defektet), do të duhet që edhe ta ndjekin zbatimin e tij, por kësaj here në formë ekzekutive, pasi ata zotërojnë si autoritetin politik, por dhe ekspertizën e duhur. Ky proces është ai që ne në këtë shkrim, e quajmë transplantim i institucioneve ndërkombëtare. Ky transplantim duhet të kryhet në organet ligjzbatuese dhe duhet të fillojë me prokurorinë dhe gjykatat.

Ky proces do të përmbushte dy nevojat më të shpejta që ka sot vendi, siç janë goditja e korrupsionit dhe forcimi i sistemit të drejtësisë. Një hibrid midis ekspertëve të huaj në gjykatat e larta dhe në prokurori do të bënte të mundur pavarësinë reale të këtyre institucioneve nga klasa politike, do të rriste efikasitetin e goditjes ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, do të kishte një ndikim të shpejtë në rritjen e profesionalizmit si në prokurori, por dhe gjykata. Nga ana tjetër, për t’iu kthyer argumentit kryesor, kjo do të fillonte të vinte në praktikë demokracinë nga ajo në germën e ligjit, në atë të zbatimit të saj. Në një plan afatshkurtër, ky proces mund të fillonte me drejtimin e grupeve Task-Forcë nga prokurorë të huaj. Pranë gjykatave të larta dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda mund të përfshiheshin për një periudhë afatmesme gjyqtarë të huaj të specializuar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këta duhet të përfshihen në gjykime të kësaj natyre. Sektorë të tjerë ku mund të përfshiheshin ekspertët e huaj janë dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, përfshi këtu dhe policinë hetimore.

Me pak fjalë, prezenca e ekspertëve ndërkombëtare në prokurori dhe gjykata duke kryer detyra praktike dhe jo thjesht të temperuara në role edukative, do të mund, që në një kohë relativisht të shkurtër, të institucionalizojë shtetin ligjor në praktikë, do të prodhonte modelin efikas të munguar të prokurorisë dhe gjykatave, do të rriste në maksimum luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo do të rikthente besimin e shoqërisë ndaj institucioneve ligjzbatuese. Ky hap do të përshpejtonte europianizimin e institucioneve. Dhe mbi të gjitha, ky proces do të ndihmonte shoqërinë shqiptare të dilte nga kllapia e klasës së saj politike dhe do t’i kthente asaj të drejtën për të kontrolluar fatet e veta për një demokracie liberale.