Fabian Zhilla
OMGJ-të politike dhe zgjedhjet vendore në Tiranë
http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla&id=791
Mënyra e zgjedhjes së kandidatëve për drejtimin e Tiranës është një tjetër tregues i kontrollit patriarkal të partive politike, i cili shprehet dhe në institucionet publike, qofshin ato në nivelin qendror por dhe lokal. Në kushtet e një normaliteti politik, kandidaturat për drejtimin e Tiranës nga të dy krahët do të duhet të ishin ndryshe për një vend që aspiron Bashkimin Europian. Edhe kësaj here kandidaturat janë një konstrukt personalitetesh që ndërthuren në interesa politike dhe shumë pak në ato komunitare. Me pak fjalë, komunitetit tiranas i ngelet të shohë që do të drejtohet përsëri nga individë me staturë më shumë politike sesa administrative. Tirana edhe në mandatin e ardhshëm do të administrohet më shumë për interesa politike sesa për interesa lokale. Ky lloj formati/drejtimi i panatyrshëm i ngjan një OMGJ (organizma të modifikuar gjenetikisht), e cila të gënjen me formën dhe substancën e saj. Ai është plot look, por pa shije dhe si rrjedhim pa asnjë vlerë ushqyese dhe ndërtuese. Ai rrezikon ta shformojë edhe më tej konceptin e drejtimit e Tiranës nga drejtimi i një qyteti/ metropoli vlerash në një konstelacion interesash politike dhe biznesi. Tirana, pra, ka kohë që është kthyer në një habitat politik më shumë sesa në një ambient civil dhe qytetar. Ky qytet ka një amnezi të thelle në lidhje me një administrim lokal, i cili mendon për qytetarin dhe jo për politikën e ditës. Me kandidaturat e shfaqura aktualisht, tërësisht politike nga të dy krahët, Tirana, në çdo rast, është e destinuar të ngelet ‘qytet-kolateral’, i cili përdoret për të garantuar borxhet politike dhe borxhet e lobit të biznesit. Tirana tashmë është një qytet i cili qëndron peng në bankën e politikës dhe ku në çdo zgjedhje, politike apo vendore, nxirret në ankand. Një kulturë kjo e instaluar tashmë me shumë sukses nga drejtimi OMGJ-ist i Edi Ramës, që me shumë gjasa do të vazhdojë të funksionojë si i tillë në të dy rastet, si nga të majtët, por edhe në rast se ky qytet do të fitohet nga të djathtët. Ky lloj konstatimi shqetësues shihet qartë në shumë analiza që bëhen sot në media, dhe me të drejtë.
Pse kaq skeptikë? Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, sepse sot ka një denatyralizim të koncepteve të funksionimit politik në kontekstin lokal, por dhe në mënyrën sesi zgjidhen kandidatët në këtë kontekst. Hobsi, Loku dhe Ruso do të trembeshin teksa shikonin sesi konceptet e tyre të ‘kontratës sociale’ zbatoheshin në vende si Shqipëria. Në vend që këto ‘kontrata’ kandidatët përkatës t’i lidhnin me qytetarin, ata i lidhin me lidershipin e tyre. Në zgjedhjet vendore të radhës në Tiranë, megjithëse dinamika është pak e ndryshme, thelbi është po i njëjtë - jo natyrshmëria e kandidatëve.
Në rastin e kandidatit të djathtë, ka dy elemente të panatyrshme në figurën e tij. Së pari, karriera e tij politike është e katapultuar nga lidershipi aktual që drejton të djathtën, duke bërë që ai të mos ketë lidhje të fortë më strukturat bazë të forcës politike që ai përfaqëson në nivel lokal. Kjo bën që ai të ketë mangësi në njohjen e problemeve të komunitetit. Ministri Basha nuk ka qenë drejtues i strukturave lokale që lidhen me Tiranën, duke filluar që nga forumi rinor dhe deri te dega e PD-së për Tiranën. Edhe funksionet e tij administrative kanë qenë të nivelit qendror, duke drejtuar ministritë më të mëdha të vendit, siç janë ato të Transporteve apo, së fundi, Ministria e Brendshme. Në këtë kuptim, ministri Basha, me gjithë avantazhet që mund të paraqesë individualisht, është një kandidaturë jo fort e përshtatshme, pasi është tërësisht politike dhe jo me eksperiencë administrative të nivelit lokal. Karriera e tij është shumë e shkëputur nga çështjet thelbësore të komunitetit kryeqytetas në përgjithësi dhe me administrimin lokal në veçanti. Së dyti, ka dhe një tjetër element jo të natyrshëm në këtë kandidaturë, siç është dhe karriera politike e zhvendosur nga lart poshtë, pra nga qeverisja qendrore në atë lokale. Zakonisht, eksperiencat politike ndërtohen duke ndjekur një qasje të kundërt, ku individë të cilët kanë qenë të suksesshëm në administrimin lokal kalojnë në atë qendror. Pra kandidatura e Bashës, në fakt, është një kandidaturë OMGJ, e cila duket të jetë më shumë në funksion të lidershipit të pozitës sesa qytetarit. Pra, kjo kandidaturë nuk është një sjellje e cila premton administrim origjinal, të pavarur dhe me interesa të cilat lidhen vetëm me komunitetin tiranas, por një kandidaturë tërësisht politike dhe mbi këto premisa do t’i ndërtojë edhe politikat e zhvillimit.
Përsa i përket kandidaturës së majtë, analiza është edhe më e thjeshtë. Nëse në rastin e të djathtëve kandidati është OMGJ politike e Berishës, kandidatura e Edi Ramës është OMGJ e ‘berishizmit’. Edhe Rama erdhi në drejtimin e Tiranës pak a shumë në të njëjtën formë që po promovohet dhe Basha. Rama, sikurse Basha, u katapultua politikisht. E filloi karrierën në institucionet qendrore për të zbritur më pas në drejtimin e baskisë, duke e kthyer atë në një burim personal të forcës së tij politike. Duke e përdorur Tiranën si mekanizëm politik, Rama arriti të shartojë disa pushtete në një pushtet të vetëm, siç është dhe drejtimi politik si në nivel lokal por dhe qendror. Ai sot drejton opozitën e bashkuar -në kuptimin politik qendror-, por drejton dhe bashkinë më të madhe në vend -në kuptimin lokal. Kjo lloj kulture hibride, ku administrimi lokal përzihet me atë politik, rrezikon të kthehet në traditë dhe imitohet edhe nga drejtues lokal të tjerë, siç edhe ka filluar.
Pra, formati qeverisës i Ramës është krejtësisht i panatyrshëm për shoqëri që ndërtohen mbi parimin e ndarjes së pushteteve. Mbajtja dhe kontrolli i disa pushteteve nga një individ, e bëjnë Edi Ramën kandidatin më të panatyrshëm tashmë për të riadministruar Tiranën. Edhe beteja elektorale e Ramës i ngjan me shumë betejës për zgjedhje politike sesa atyre lokale, duke demonstruar kështu që ai ka kohë që nuk është më kryebashkiaku i Tiranës. Nuk mund të pretendohet që e gjithë fushata elektorale për zgjedhjet lokale të mbështetet vetëm në shkaqe politike. Administrimi lokal lidhet mbi të gjitha me faktorë të tjerë socialë dhe ekonomikë, të cilët kanë të bëjnë me problemet urbane. Tirana gjithnjë e më shumë po i ngjan lagjeve të tipit China-town, me shumë ngjyra, por të asfiksuara në infrastrukturë dhe të shkatërruara nga ana ambientale. Dhe për këtë Edi Rama nuk mund të akuzojë askënd. Mentaliteti totalitarist i frikës së pushtetit dhe pasigurisë që fatkeqësisht duket se e ka karakterizuar Ramën në riparaqitjen e tij për të disatën herë si kandidat për Tiranën, nuk e bën atë aspak më të ndryshëm nga ‘berishizmi’. Rama ndjek të njëjtin mentalitet qeverisjeje me Berishën, por në nivel lokal dhe partiak. Pra, fatkeqësisht, edhe rikandidimi i Ramës nuk është gjë tjetër veçse një OMGJ e berishizmit. Kandidimet e reja për Tiranën nxjerrin në pah pikërisht një element shumë problematik të politikës shqiptare - imitimi i modeleve negative në politikë. Sot shohim që Rama po ndjek deri diku ‘berishizmin’, duke konvertuar disa pushteteve në një; por dhe Basha nga ana tjetër duket se po imiton modelin e Ramës në karrierën e tij politike. Politika shqiptare ka filluar të prodhojë OMGJ-të e saj.
Me pak fjalë, qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të ndihen skeptikë për këto dy kandidatura. Si Rama apo dhe Basha, nuk pritet të sjellin diçka të re, pasi të dy janë të njëjtë në substancë dhe formë, megjithëse të ndryshëm në ngjyrë. Këto kandidatura janë thjesht disa OMGJ politike të një modeli qeverisës tashmë tejet të konsumuar. Mbase ka ardhur koha për kandidatë të pavarur, për kandidatë bios.
No comments:
Post a Comment