Fabian Zhilla
Kulti i individit ka sjellë dobësimin e
presionit shoqëror bazuar në institucionet sociale si familja, lidhjet
farefisnore, shoqërore dhe institucionet fetare. Në
momentin që morali komunitar në zonat rurale po dekonstruktohet nga
efektet e modernizimit, apo izolohet si diçka e vjetër dhe e
prapambetur, dhe nuk plotësohet nga një presioni modern konstruktiv
(shoqëria civile), apo nuk trajtohet nga pikëpamja kulturore nëpërmjet
shkollimit, pasojat janë këto që shohim. Është e disata vrasje me
subjekt nderin: ajo e Aishes, por dhe të tjera së fundmi, në një hark të
shkurtër kohor në zonat rurale me përmasa tragjike. Forma dhe shkaqet
janë shprehje e një frustracioni kulturor që tashmë ka kapur përmasat e
tragjedisë dhe po kthehet në fenomen mjaft shqetësues. Pyetja është si
duhet të reagojmë, në mënyrë që të adresojmë si duhet problemet sociale
pa hapur të tjera?
Protesta e shoqërisë civile në lidhje me aktin mizor ndaj Aishes
ishte jashtëzakonisht pozitive, për faktin se më në fund solli një
maturim të reagimit shoqëror. Kemi kaluar nga protesta me orientim
politik në protesta që lidhen me motive sociale. Dhe kjo formë tashmë po
kalon në prirje.
Megjithatë, edhe kjo protestë dhe trajtimi nga opinion publik në
media, ishin deri diku të paqarta në adresimin e problemit. Kjo pa
dyshim edhe për faktin se ngjarja ishte shumë emocionale. Nuk dilte
shumë qartë nëse protestohej ndaj aktit vrasës, apo ndaj aktit të babait
që ndihej i ofenduar nga lidhja e së bijës, që kishte ‘cenuar nderin e
tij dhe familjes’. Pra shoqëria civile, me të drejtë protestoi ndaj
krimit dhe jo viktimës, duke pasur parasysh Aishen. Megjithatë, trysnia
mediatike dhe ajo e shoqërisë civile krijoji një viktimë tjetër, që
ishte babai i Aishes. Përveç orëve të zgjatura pa shkak
në polici, presionit psikologjik, atij i duhej të përballohej dhe me
paragjykimin mediatik. Shumë nuk i kursyen dhe steriotipe si ‘taliban’ e
të ngjashme. Dikush e pyeste dhe për ngjyrën e fustanit që Aishja
kishte veshur atë natë dhe nëse ai do të hakmerrej me Kanun. A mund të
quhen dhe këto lloj qasjesh të shoqërisë civile dhe medias në tërësi si
akte që nuk dënojnë krimin por viktimën.
Nëpërmjet kësaj proteste, por dhe reagimit mediatik, padashur u
krijua një konflikt midis dy faktorëve mjaft të rëndësishëm në
parandalimin e krimit në shoqëri, siç janë shoqëria civile dhe
institucionet sociale. Ai që ndryshe quhet dhe konflikt kulturor.
Sipas kriminologut të njohur Edwin Sutherland, konflikti kulturor
sjell dobësimin e institucioneve sociale aq të rëndësishëm për shoqëritë
në tranzicion. Kjo lloj situate i hap rrugë kriminalitetit. Sutherland
cilëson se në rast të dobësimit të rolit të mekanzimave tradicionalë në
shoqëri, individët kanë tendencën t’i drejtohen akteve të dhunshme për
zgjidhjen e konflikteve, dhe kjo sjell krimin. Në vende ku ka një
mosbesim të publikut ndaj shtetit situata bëhet dhe më problematike.
Thorsten Sellin, gjithashtu, argumenton që konflikti kulturor është
një zhvillim natyral i procesit të diferencimit social për shoqëritë në
tranzicion. Por ky i fundit gjeneron një numër të pakufizuar grupimesh
sociale, ku secili përkufizon dhe interpreton në mënyrë të pavarur
marrëdhëniet njerëzore, duke gjeneruar shpesh injorancë apo dhe
keqkuptim të vlerave shoqërore të grupimeve të tjera. Transformimi pra
nga një formë kulture homogjene dhe e mirëintegruar në një formë kulture
heterogjene dhe të pa integruar, shoqërohet, sipas Sellin, me situata
konfliktuale dhe keqkuptimesh. Dhe në rastin konkret kjo mund të rrisë
distancimin kulturor dhe konflikt të kodeve të sjelljes midis zonave
rurale dhe atyre urbane.
Në ngjarjen e Aishes, shoqëria civile dhe mediat përkufizuan sipas
interpretimit të tyre se çfarë është krim dhe viktimë, pa marrë parasysh
kontekstin rural të ngjarjes, duke prodhuar një dëm kolateral, ose një
farë dënimi kolektiv të të gjithë komunitetit në Xhafzotaj apo të të
ngjashmëve.
Në këtë lloj konteksti mbase do duhet që reagimet civile dhe ato të
opinionit publik në përgjithësi të jenë më të sofistikuara dhe më të
mirorientuara. Një përplasje kulturore në emër të ‘modernitetit’ midis
formave urbane të të kuptuarit të marrëdhënieve njerëzore me ato rurale
mund të sjellë izolimin dhe margjinalizimin e këtyre të fundit. Kjo do
sjellë padyshim një emancipim të çorientuar që i përket konteksteve të
tjera kulturale. Modele që po e konfuzojnë më shumë shoqërinë. Pra kodet
e sjelljes urbane të transplantuara artificialisht në ato rurale mund
të sjellin rritjen e konfuzionit, frustracionit dhe si rrjedhim rritjen e
kriminalitetit në këto të fundit.
Një qasje e shoqërisë civile dhe mediave pa marrë parasysh kontekstin
rural, mund të sjellë dhe izolimin e formave reaguese në zonat rurale
sipas traditave të mira për shkak të paragjykimit. Si në rastin e
Nazmije Vishës dhe të Aishe Vatës, komuniteti ishte në dijeni të
marrëdhënieve të tyre, por nuk reagonte. Ky fakt tregon se edhe në zonat
rurale ka një farë hutimi dhe apatie. Presioni social është deformuar
dhe tradita zbatohet dhe interpretohet në mënyre individuale dhe jashtë
institucioneve tradicionale shoqërore (familja, lidhjet farefisnore,
shoqërore, institucionet fetare, doket dhe zakonet). Gjë të cilën e
shohim dhe te gjakmarrja apo hakmarrja. Pra informaliteti ka prekur dhe
traditat. Po formohet një individ konfuz, i cili nuk njeh mirë as
institucionet moderne, por as ato tradicionale. Në zonat rurale ky
fenomen është edhe me alarmant.
Në këtë kontekst, ndërkohë që kemi një avancim mjaft pozitiv të
shoqërisë civile në lidhje me reagimin ndaj problemeve sociale, ajo që
meriton vëmendje në protesta që lidhen me ngjarje të ngjashme me atë të
Aishes është konstruktiviteti i mesazheve që përcillen prej saj. Duhet
pasur kujdes nga efektet anësore të këtyre protestave dhe reagimeve
mediatike, të cilat mund të sjellin krijimin e steriotipeve, rritjen e
frustracionit dhe izolimin kulturor të komuniteteve në zonat rurale.
Gjithashtu, duhet treguar vëmendje që këto protesta apo opinioni publik
të promovojë integrimin kulturor të këtyre komuniteteve, duke ruajtur
kohezionin nëpërmjet rolit të institucioneve shtetërore dhe mbrojtjes së
institucioneve sociale dhe traditave të mira.
*Doktorant në King’s College-Britani.http://www.mapo.al/2012/10/23/aisha-e-nazimja-si-duhet-te-reagojme/http://www.mapo.al/2012/10/23/aisha-e-nazimja-si-duhet-te-reagojme/
No comments:
Post a Comment