Monday 27 May 2013

Fabian Zhilla: Pazaret e gjyqësorit me krimin dhe elitën politike

http://www.revistajava.al/kryesore/201341/fabian-zhilla-pazaret-e-gjyqesorit-me-krimin-dhe-eliten-politike
I shumëpërfoluri shtet i së drejtës, gati inekzistenca e plotë e tij, gjykatat dhe vendimet e manipuluara që kanë marrë, gjyqtarët e korruptuar e më tej akoma të paaftë e të përfshirë në afera kriminale, janë bërë objekt i studimeve doktorate të juristit Fabian Zhilla në një prej universiteteve më në zë britanike. Hallkë pas hallke, ai ka trajtuar në tezën e tij të gjithë elementët që kanë ndikuar në krijimin e asaj që quhet sot gjyqësori shqiptar dhe gjithë problematikës që ai paraqet. Në një intervistë për java, të gjitha detajet e studimit dhe konkluzionet e nxjerra
Pragmatistë ose jo, nga qytetari më i ndjeshëm e deri tek ai më indiferenti ndaj asaj se çka ndodh brenda një habitati që është sa i të gjithëve aq edhe i askujt, sidomos kohët e fundit, tema e mospavarësisë së gjyqësorit dhe, më tej akoma, e korrupsionit gjithnjë e në rritje brenda institucioneve që ngrenë kultin e së drejtës, ka qenë objekt i bisedave të gjithkujt. Për të ardhur keq është që, më së shumti, përtacia për të protestuar mbi mungesën e shtetit të së drejtës ecën paralelisht me padrejtësitë dhe vendimet e padrejta e të turpshme të dala nga gjyqësori shqiptar.
I gjithë ky sistem është vënë në fokus të studimeve nga juristi Fabian Zhilla gjatë punimit të tezës së tij të doktoraturës në King’s College University of London. Punimi me të cilin ai do të mbronte titullin e PhD vetëm pak kohë më parë është përpjekur të hedh një vështrim më të thellë të analizës mbi fenomenin duke mos u bazuar thjesht mbi perceptimin e atyre që kanë marrëdhënie direkte më gjyqësorin, por edhe ata që i ndjekin çështjet e institucionit të së drejtës në një mënyrë më të distancuar.
Konkluzionet janë mbresëlënëse. Sipas Zhillës, marrëdhënia midis krimit të organizuar dhe gjyqësorit ka qenë permanente përgjatë të gjithë tranzicionit, paçka që dinamika ka njohur ndryshime sipas situatave të ndryshme politike. “Grupime kriminale, të cilat kryejnë dhe aktivitete të ligjshme dhe me lidhje të forta politike, përkrah ryshfetit përdorin dhe influencat e tyre për të emëruar gjyqtarë në gjykatat e larta. Mendohet që krimi i organizuar të ketë arritur deri aty sa të investojë jo vetëm në rekrutimin e gjyqtarëve, por dhe të investojë në diplomimin e tyre. Sot mund të ketë individë me precedent kriminal të cilët janë diplomuar në drejtësi dhe të kanë krijuar marrëdhënie shoqërore me gjyqtarë apo prokurorë të ardhshëm që në bankat e shkollës...”, shprehet ai gjatë një interviste për “JAVA”.

Ju keni mbrojtur një tezë doktorature së fundi në King’s College University of London. Ku konsiston ky punim, shkurtimisht?
Fillimisht do doja t’ju falënderoja për intervistën, por dhe të gjithë ata që bënë të mundur këtë studim, të cilët për arsye etike nuk mund t’i përmend me emër. Një vend të veçantë zënë familja dhe profesoreshat e mia, për mbështetjen e tyre të pakursyer në çdo drejtim. Për t’iu kthyer pyetjes, studimi im lidhet me faktorët e nxitjes së korrupsionit në gjyqësorin shqiptar dhe marrëdhëniet e tij me krimin e organizuar gjatë periudhës së tranzicionit. Nga pikëpamja metodologjike, ky punim u përpoq ta analizonte fenomenin duke mos u bazuar thjesht në perceptimet e shoqërisë, apo dhe gjyqtarëve në mënyrë të përgjithshme, por u rrek ta analizonte atë në mënyrë të thelluar. Kjo u arrit nëpërmjet një kombinimi mbledhjesh të dhënash, si intervistat, kërkimi në arkiva dhe observimi i seancave gjyqësore në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe në të gjithë rajonet e vendit. Për të pasur një konfigurim sa më të qartë analitik, grupi i të intervistuarve ishte i kombinuar. Të intervistuarit nuk ishin vetëm ata të cilët kishin marrëdhënie direkte me gjyqësorin (gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe politikanë), por dhe ata të cilët ndjekin çështjet e gjyqësorit në një mënyrë më të distancuar (akademikë, gazetarë, analistë dhe NGO).

A është korrupsioni në sistemin e drejtësisë një fiksion, apo një realitet i prekshëm? Çfarë rezultatesh konkrete keni nxjerrë në punimin tuaj në këtë aspekt?
Korrupsioni në sistemin gjyqësor tashmë është jo vetëm një perceptim i konsoliduar në shoqëri por dhe brenda vetë radhëve të gjyqtarëve. Dhe në këtë drejtim punimi im nuk sjell diçka të re. Prej vitesh ka punime dhe statistika të nxjerra si nga organizatat kombëtare por dhe ndërkombëtare të cilat e evidentojnë këtë fenomen. Korrupsioni në gjyqësorin shqiptar është ndër më të lartët në rajon. Mbase ajo që punimi im sjell si diçka të re në këtë studim është shtrirja e korrupsionit në gjyqësor dhe arsyetimi për këtë përhapje. Sipas këtij studimi, korrupsioni është më i përhapur në shkallët më të larta të gjykatave, dhe kryesisht në ato gjykata ku volumi i çështjeve civile dhe penale është më i lartë. Ky punim, gjithashtu, cilëson se sot ka një treg informal të “drejtësisë”, ku gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët e korruptuar janë aktorët kryesorë të cilët ndikojnë në çmimin që i është vënë sot drejtësisë. Një konstatim tjetër interesant i këtij punimi ishte dhe përcaktimi i pavarësisë së gjyqësorit. Në përgjithësi, edhe për kapital politik, korrupsioni në gjyqësor lidhet shpesh me ndikimin e ekzekutivit në sistemin gjyqësor. Ndërkohë që ky problem vazhdon të jetë ende një shqetësim, në fakt, pavarësia në gjyqësor sot ndjehet më e kërcënuar nga lidhjet shoqërore dhe familjare. Ky lloj ridimensionimi i pavarësisë së gjyqësorit ka komercializuar dhe marrëdhëniet midis gjyqësorit dhe elitës politike. Gjyqtarët duket të kenë bërë një pakt të heshtur më këtë shtresë, ku të parët shkëmbejnë (trade off) favoret ndaj politikanëve apo dhe aktorëve të tjerë me influencë (media, biznesmen dhe krim i organizuar) me mbrojtjen që marrin prej tyre. Në këtë drejtim gjyqësori ka fituar një farë pavarësie nga elitat, por kjo pavarësi e ka zhytur atë më shumë në korrupsion. Pra, kjo pjesë e korruptuar e gjyqësorit “negocion/tregton” drejtësinë dhe nuk e zbaton/ekzekuton. Kjo lloj sjellje e gjyqësorit është kthyer në “kulturë” dhe shoqëria duket se tashmë është akomoduar me këtë situatë. Ky fakt shpjegon deri diku pse në përgjithësi çdo individ që i drejtohet gjykatave është i prirur të sillet sikur po i drejtohet një tregu – blej dhe shes “të drejtën e tij”. Megjithatë është për t’u cilësuar se sot korrupsioni duket të ketë marrë një përshkallëzim të frikshëm edhe në prokurori dhe polici.

A ka një lidhje mes korrupsionit të sistemit të drejtësisë dhe krimit të organizuar? Nëse po, cilat janë mënyrat se si shfaqet kjo simbiozë?
Korrupsioni është i lidhur ngushtësisht me krimin e organizuar dhe kjo marrëdhënie është shumë evidente në vendet në zhvillim. Nga ana tjetër, është shumë e vështirë që në një vend si Shqipëria, ku mungesa e statistikave tashmë është kthyer në kulturë institucionale, të gjesh të dhëna të shumta për lidhjen midis krimit të organizuar dhe gjyqtarëve të korruptuar. Për më tepër, vetë natyra e korrupsionit në gjyqësor e bën  të vështirë evidentimin e kësaj lidhje. Sidoqoftë, nga të dhënat e studimit tim, marrëdhënia midis krimit të organizuar dhe gjyqësorit ka qenë permanente përgjatë të gjithë tranzicionit, paçka që dinamika ka njohur ndryshime sipas situatave të ndryshme politike. Sot forma më e përhapur e lidhjes midis gjyqtarëve të korruptuar dhe krimit të organizuar është nëpërmjet ryshfetit, në shumicën e rasteve. Duhet cilësuar se tipologjia e krimit të organizuar ka ndryshuar. Dhe kjo përcakton dhe format e marrëdhënies midis tyre dhe gjyqësorit. Grupime kriminale, të cilat kryejnë dhe aktivitete të ligjshme dhe me lidhje të forta politike, përkrah ryshfetit përdorin dhe influencat e tyre për të emëruar gjyqtarë në gjykatat e larta. Mendohet që krimi i organizuar të ketë arritur deri aty sa të investojë jo vetëm në rekrutimin e gjyqtarëve, por dhe të investojë në diplomimin e tyre. Sot mund të ketë individë me precedent kriminal të cilët janë diplomuar në drejtësi dhe të kanë krijuar marrëdhënie shoqërore me gjyqtarë apo prokurorë të ardhshëm që në bankat e shkollës. Ajo që është për t’u evidentuar është se lidhjet midis krimit të organizuar dhe gjyqtarëve të korruptuar sa vijnë dhe sofistikohen.

Nëse do t’ju pyesnin sot, cila është rruga për të ndërtuar një sistem drejtësie të imunizuar nga fenomeni i korrupsionit, cila do ishte përgjigja juaj?
Kjo është një pyetje, përgjigja e të cilës nuk mund të përmblidhet në pak rreshta. Megjithatë ajo që mund të them në vija të përgjithshme është se politikat e luftës ndaj korrupsionit në sistemin gjyqësor janë afatgjata dhe shumë komplekse, për vetë mbrojtjen kushtetuese që gjyqtarët kanë. Është për t’u cilësuar se miratimi i ligjit për Konferencën Gjyqësore dhe rritja e pagave të gjyqtarëve, përcaktimi i një sistemi vlerësimi, janë hapa cilësorë. Megjithatë, reformat duhet të shtrihen në masat parandaluese të korrupsionit, të cilat lidhen me përmirësimin e statusit social të gjyqtarit i cili nuk lidhet vetëm më një rritje rroge. Sidomos kur kjo rritje page mund të luajë rrol fare minimal, duke pasur parasysh vetë vlerat e larta të mitmarrjes në gjyqësor sot. Një rëndësi e veçantë i duhet kushtuar edhe kritereve të pranimit të studentëve në Shkollën e Magjistraturës dhe përgatitjes se tyre, sidomos nga ana etike, por dhe profesionale. Marrja e masave në lidhje me një përzgjedhje sa më të mirë të studentëve të magjistraturës që në “hyrje” në sistem, do ta bënte me të lehtë luftën ndaj korrupsionit brenda gjyqësorit më pas. Është shumë më e vështirë të largohet një gjyqtar kur ai është në sistem. Zgjatja e kohës nga magjistrat në gjyqtar mund të rishikohet. Mbase magjistratët mund të fillojnë si ndihmës gjyqtar për një farë kohe përpara se të marrin detyrën e gjyqtarit. Sot kemi gjyqtarë në moshë shumë të re dhe pa përvojën e duhur jetësore, kur dihet që këto elementë luajnë një rrol të rëndësishëm, jo vetëm në cilësinë e gjykimit, por dhe besueshmërinë e publikut tek gjyqtarët. Ndërkohë duhet parë mundësia që jo vetëm gjyqtarët e shkallëve të larta të kenë asistentë, por dhe ata të shkallëve të para. Me pak fjalë, reforma në gjyqësor, në kontektstin e luftës së korrupsionit, duhet të konsiderojë si faktorët objektiv dhe ata subjektiv, të cilët shtyjnë gjyqtarët të përfshihen në aferave korruptive.

No comments:

Post a Comment