Monday 27 May 2013

Demokracia në pazar





FABIAN ZHILLA
Me gjithë paradën mediatike të listave partiake në publik, pakkush i kushtoi vëmendje prezencës së rritur të numrit të kandidatëve që vijnë nga fusha e biznesit.  Referuar gazetës “Panorama” (9 maj 2013), lista e PS përfshin rreth 20 kandidatë nga 14 në vitin 2009 dhe PD 10. Më pas nuk mbeten dhe aleatët më të afërt të partive të mëdha, si PR, PDIU dhe LSI. Me pak fjalë, rreth 30% e deputetëve të  Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë pritet të vijnë atje për cilësi të cilat lidhen kryesisht më pushtetin financiar. Ajo që mund të konstatohet nga ky indikator është ndryshimi i tendencës në legjislaturën e ardhshme. Nga një Parlament me deputetë të “fortë” po kalojmë gradualisht në Parlament me deputetë kryesisht “biznesmenë”.  Pyetja që shtrohet është: pse është bërë kaq i kërkueshëm ky format deputeti sot dhe lidhja e tyre me “pazarin” e demokracisë?
Një nga faktorët është vetë sistemi zgjedhor (proporcional me lista të mbyllura), i cili prish lidhjen direkte midis të zgjedhurit dhe zgjedhësit. Ky disbalancim dobëson një ndër kriteret e demokracisë, siç është përgjegjësia e të zgjedhurit (deputetit) ndaj zgjedhësve. Në sistemin aktual deputeti është përgjegjës ndaj kryetarit të partisë (pasi ai bën “emërimin e tij”) dhe jo ndaj elektoratit. Sipas Ackerman dhe Kunicova, sistemi zgjedhor i një proporcionali me lista të mbyllura e bën shumë të vështirë për qytetarin të monitorojë politikanët dhe, nga ana tjetër, ul rëndësinë e rolit të performancës për ata politikan që duan të rikandidojnë. Ky sistem zgjedhor zhvlerëson profilin e kandidatit, ndaj dhe fushata elektorale fokusohet më shumë në projektet dhe CV-në e forcës politike, sesa të kandidatëve.
Kjo ka bërë që kryetarët e partive të kërkojnë kandidatë që “mbledhin” vota, dhe jo ata që gjenerojnë elektorat. Këta të fundit do të ishin kandidatë të lidhur ngushtësisht me komunitetin dhe me performancë pozitive dhe me profil publik. Do të ishin kandidatë të cilët përfaqësonin interesat e shoqërisë, të cilat i përpunonin ato sipas programeve politike dhe i konfiguronin ato në ligje.
Por, në një situatë kur besueshmëria ndaj klasës politike është shumë e ulët, kandidatët e llojit të dytë nuk përbëjnë siguri për kryetarët e partive politike. Dhe kjo ka sjellë nevojën e kandidatëve të llojit të parë, të atyre që sigurojnë “mbledhje” votash. Duke u nisur sidomos nga zgjedhjet lokale të 2011-s, shikojmë se fenomeni i blerjes së votës gradualisht po kthehet në institucion, duke ndryshuar kështu dhe kulturën e komunikimit midis elektoratit dhe të zgjedhurve të tij. Shoqëria, duke qenë e zhgënjyer nga premtimet e politikanëve, ka filluar të sillet krejtësisht në mënyrë pragmatiste, duke komercializuar votën (shitur partive politike), pra duke e nxjerrë në treg “përfaqësinë” e saj. Në këtë drejtim, forcat politike kanë nevojë për mekanizma të ndërmjetëm që “shitblerja” e demokracisë të jetë sa më likuide. Dhe për këtë arsye roli i deputetëve “biznesmenëve” është bërë i nevojshëm për vetë financat që ata emetojnë. Këta lloj deputetësh kanë marrë rolin e bankave në “tregun” e demokracisë shqiptare. Në njërën anë ata pranojnë “depozitat” (pastrojnë paratë) e politikanëve të korruptuar, dhe në anën tjetër ata japin “kredi” për blerjen e votave apo influencave në momentet e zgjedhjeve.
Kjo lloj marrëdhënie midis të përfaqësuarve dhe të zgjedhurve ka sjellë që forma e marrjes së pushtetit të marrë një deformim të ri nga ai nëpërmjet forcës (vjedhje votash, presion, përfshirja e krimit të organizuar) në blerje të tij.
Sot kemi një “pazar” të demokracisë ku partitë politike ua “blejnë” shtetasve të tyre pushtetin me shumicë për t’ua “shitur” më pas me pakicë, nëpërmjet ryshfeteve që u marrin për shërbimet publike që ofrojnë. Dhe ky lloj deformimi ka sjellë rritjen e kërkesës për deputet “biznesmen”.
Rrezikshmëria më e madhe që sjell dalja në “pazar” e demokracisë është ulja e reagimit të shoqërisë ndaj korrupsionit dhe mospërgjegjshmëria e klasës politike ndaj zgjedhësve të saj. Duke qenë se qytetari “përfaqësimin” e tij e ka shitur, ai ka humbur të drejtën për t’i kërkuar llogari klasës politike. Dhe kjo sjell një lloj legjitimimi të korrupsionit politik, e cila vërehet në apatinë në rritje të shoqërisë shqiptare ndaj fenomeneve korruptive.
Një anë tjetër negative e kësaj lloj demokracie është sofistikimi i korruptimit të procesit zgjedhor. Nëse vjedhja e votës, dhuna, presioni politik mund të ishin forma të cilat mund të evidentoheshin, blerja e votës e bën këtë proces të duket krejt normal dhe i qetë. Ky lloj sofistikimi është një alibi e fortë për elitën politike në marrëdhëniet me ndërkombëtarët, duke iu siguruar këtyre të fundit stabilitetin politik, për të cilin ndërkombëtarët duken të jenë më shumë të interesuar sesa cilësia e demokracisë.
Sidoqoftë, rreziku më i madh i daljes së demokracisë në “pazar” është rënia e shoqërisë në një rreth vicioz ku qytetari korrupton demokracinë nëpërmjet shitjes së votës dhe ku demokracia e korruptuar korrupton qytetarin. Duke qenë se ka ende kohë për të shmangur këtë fenomen, është imperative që të shmanget shitja e votës dhe demokracisë t’i ruhet përfaqësimi real. Në të kundërt, numri i biznesmenëve në Parlament do të rritet ndjeshëm duke e kthyer Parlamentin në një bursë interesash financiare dhe jo në një institucion që përfaqëson interesat e shoqërisë.

No comments:

Post a Comment