Tuesday, 21 September 2010

Turizëm apo Turli-zëm

Turizëm apo Turli-zëm

Turizmi është një ndër sektorët më strategjik të proklamuara nga qeverisjet e stakierës së fundit. Megjithatë mjafton të rrugëtosh të ashtëquajturat resortet turistike tradicionale të vijës bregdetare dhe do të kuptosh se të pushuarit si turist në Shqipëri është ende larg standarteve të Komunitetit Evropian. Ky konstatim në fakt nuk qëndron për nivelin e cmimeve. Madje nuk do të ishtë aspak cinike shprehja që shpesh e dëgjon nga pushuesit vendas sipas të cilëve ‘Cmimet janë si të Evropës dhe shërbimet si të Enver Hoxhës’. Në një kohë krize ekonomike edhe vende të njohura në trajtimin e turizmit, në mënyrë profesionale përpiqen të përmirësojnë menaxhimin dhe të ofrojnë shërbime sa më kompetitive. Në Shqipëri kjo ende duket se nuk po gjen udhë. Nëse vazhdohet me këto ritme dhe me këtë cilësi shumë shpejt bregdeti shqiptar do të kthehet në një xhungël turistike ose turli-zëm, e cila do të merret si objekt studimi nga qarqet universitare si shembulli më i keq i menazhimit turistik.

Janë të shumta dilemat që duhet të zgjidhen në lidhje me një menazhim sa më cilësor të turizmit. Është për tu cilësuar se sot ka një strategji 6-vjecare për turizmin, ka një paketë ligjore e cila rregullon drejtpërsëdrejti shërbimet turistike ku një vënd të vecantë i është dhënë dhe mundësive të investimit nëpërmjet koncecionit. Megjithatë, situata turistike nuk është aspak clodhëse, madje acaruese. Ende ka probleme me cështjet e pronësisë gjë që ka sjellë pasiguri në lidhje me investimet afatgjata dhe strategjike. Ka një kaos ndërtimesh me një mungesë infrastrukture dhe organizimi social dhe kulturor. Ka një koncept tepër primitive në lidhje me ambjentet clodhëse të cilat konsistojnë vetëm në hotele apo pallate të betonizuara pa shije dhe pa një arkitekturë të përshtatshme. Në fakt sot turisti shqiptar në zonën e bregdetit po gjen disa qytete bregdetare por jo turistike. Ose ato të paktë nuk po menaxhohen si të tilla. Me pak fjalë edhe nëse ka një politike menaxheriale në lidhje me turizmin duket se ajo ka dështuar në implementimin e saj.

Kush mund të ishin disa nga ndërhyrjet afatshkurtër?

Së pari, duhet mundësuar identifikimi i turizmit ‘alla shqiptar’ me vencantite e tij. . Do të duhej që cfarë do lloj plani urbanistik të konfigurojë karakteristikat kulturore të zonës. Princi Charles së fundi do të humbte një betejë gjyqësore me një kompani investimi nga Dubai për kërkesat e tij deri në paranojë që kjo kompani në investimet e saj në Londër të ruante karakteristikat e qytetit. Pra ndërthurja e elementëve moderne me ato tradicionalë duhet të jetë një kriter ligjor për cdo ndërtim apo plan investimi në zonat e përcaktuara si turistike. Një turist i cili pushon në Velipojë duhet të kuptojë se po pushon aty dhe jo në zonën e Golemit jo vetëm nga tabelat në rrugë.

Së dyti, duhet që në mënyrë urgjente institucionet qëndrore por dhe ato lokale të fillojnë projekte pilot në lidhje me edukimin lokal qoftë në aspektin menaxherial por dhe kulturor të banorëve të zonës. Kjo duhet shoqëruar me politika drastike ambjentale. Resortet natyrore duhen kuptuar si pasuri kombëtare dhe si të tilla duhen mbrojtur jo vetëm nëpërmjet forcës së ligjit por dhe nëpërmjet politikave edukuese.

Së treti, edukimi qytetar në lidhje me mbrojtjen ambjentale duhet të marri një përshkallzim të shpejtë dhe duhet shtrirë në të gjitha moshat. Duhet që në mënyrë permanente të bëhen fushata promocionale në lidhje me rëndësinë e mbrojtjes së ambjentit. Sot, në vëndet e zhvilluara ka programe shkollore ku fëmijve iu mësohen se kush mbetje urbane janë të ciklueshme dhe përfitimi që vjen prej këtij procesi. Duhet pasur parasysh se menazhimi i turizmit është i lidhur ngushtësisht me pastertinë ambientale. Askush nuk do të donte të pushonte në një vend jo të pastër.

Me pak fjalë ajo që sot shoqëria duhet të kuptojë është se menazhimi i turizimit nuk duhet kuptuar vetëm më një grumbull ligjesh dhe politikash që lidhen me një qeveri dhe që këputen nga një tjetër. Menaxhimi turizmit është më shumë se kaq është ambjent natyror i paster, është histori e promovuar si duhet, është shë rbim i kulturuar, dhe mbi të gjitha është mikpritje qytetare. Pra është imperative që procesi i menazhimit të turizmit të fillojë të ngrihet në nivelin e një kulturë qytetare-- në të kundërt do të jetë vonë të kthejmë turli-zmin aktual në turizëm.

Nga Fabian Zhilla

Botuar ne Gazeten Mapo Gusht 2010

No comments:

Post a Comment