Tuesday, 21 September 2010

Kush do ta fitoje betejen e vjeshtes

Kush do ta fitojë betejën e vjeshtës?

Sinori i mundësisë së vizmarrjes për në vjeshtë mund të sfumohët nga beteja institucionalë që pritet të ndodhin po në të njëjtën përiudhë. Beteja politike rrezikon të përshkallzohet edhe pas verës. Dje gjykatat dhe sot SHISH, bursa politike e shtatorit duket se treguesit nuk do t’i ketë shumë pozitiv. Të gjithë aktorët e këtij skenari i kanë zhvendosur aksionet politike për në këtë periudhë. Pozita vendos që diskutimin për ligjin e SHISH ta kryej në vjeshtë, ndërkohë që dhe insitucioni i Presidentit vendos të njëjtën kohë për të ofruar propozimet për në gjykatat e larta.

Ndërkaq edhe negociatat për cështjen e kutive janë lënë jo rastësisht për në të njëjtën periudhë. Pra në mënyrë simetrike krizat institucionalë (emërimet në gjykatat e larta dhe ligji për SHISH) janë zhvendosur për tu trajtuar pikërisht në të njëjtin vektor me atë politik (negociatat për cështjen e kutive). Të krijohet ideja që të gjitha palët i kanë dhënë kohë vetes për të rritur vlerat e aksioneve të tyre. Qasjet pragmantiste nuk po bëjnë gjë tjetër vetëm se po rrisin ndjeshëm kostot politike të vizmarrjes dhe jo vetëm. Ky element tashmë është shprehur qartë nga ndërkombtarët. Sidoqoftë sjelljet e fundit të ekzekutivit duket se do t’i kushtojnë më shumë këtij të fundit. Nëse Kryeministri nuk rikonkstrukton mardhëniet e tij me presidentin ka shumë gjasa që të dalë më i humbur në betejën e vjeshtës.

Pse?

Pozita tashmë ka tre forca opozitare të cilat sa vijnë dhe po konsolidohen duke rrezikuar të sjellin dhe trafik votash. Tashmë precedenti është krijuar.

Së pari, ka një opozitë institucionale e cila dirigjohet nga institucioni i Presidentit. Ky i fundit ka në dorë propozimin e emrave të gjyqëtarëve dhe shpalljen e ligjit për SHISH në rast se pozita i kalon. Në të kundërt, Presidenti mundet fare lehtë të mos japë pëlqimin për emrin e propozuar nga ekzekutive për kreun e SHISH. Do të ishte shumë e vështirë që Kryeministri të ekuivalentonte negociatat e rreth 10 kandidaturave për në gjykatat e larta me 1 të kreut të SHISH. Nga ana tjetër, cdo lëvizje e Kryeministrit për ndonjë rikompozimi te mundshëm qeveritar do të ishte e kondicionuar nga sjelljet e Presidentit.

Së dyti, kohëve të fundit, opozita politike ka pësuar një dinamikë të vecantë. Përvec betejës për kutitë e cila dirigjohet nga blloku i socialistëve, tashmë edhe brenda koalicionit të djathtë mardhëniet nuk duken rozë. LSI, PDU, PR dhe një numër deputetësh të djathtë kanë dhënë shenja se nuk janë një pozitë unitare. Ky porozitet i pozitës pa dyshim që ndikon në sjelljet e opozitës dhe me shumë gjasa do të bëjë që kjo e fundit të rrisi stekën e saj të kërkesave.

Së treti, ligji i SHISH risolli në domainin politik dhe një opozitë ndërkombëtare. Këta të fundit kanë kohë që janë shumë të ndjeshëm ndaj menazhimit të disa institucioneve kyce si gjyqsori dhe prokuroria. Thuajse në mënyrë permanente cështjet e korrupsionit në gjyqsor dhe krimit te organizuar janë kthyer deri në plagjaturë, në refren të cdo ndërkombëtari. Në lidhje me SHISH këta të fundit duket se nuk do të tërhiqen. Dhe kjo lloj sjellje i ka filluar kostot për egzektuivin. Nëse ky i fundit nuk rishikon qasjen institucionale në lidhje me emërimin e kreut të SHISH, ky veprim mundet fare lehtë ti kthehet në një ‘kalë troje’ brenda koalicionit.

Me pak fjalë nëse egzekutivi dhe shefi i saj nuk rishikojnë sjelljen politike, fragmentet opozitare mund të kalcifikohen në një. Dhe nuk është cudi që Kryeministri nuk do të ketë mundësi as të rikompozojë dot dhe qeverinë e tij. Për të shkuar më tej, tek ajo që shumë shqiptarë janë të ndjeshëm, mundet që edhe vizmarrja të pësojë një shtyrje tjetër gjashtmujorëshe.

Nga Fabian Zhilla

Botuar ne Gazeten Mapo Korrik 2007

No comments:

Post a Comment