Tuesday, 21 September 2010

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian+Zhilla&id=119

Shkruan:
Fabian Zhilla
02-09-2010 11:26

Prokurorisë i duhet një precedent pozitiv

Pas një serie replikash të kastës politike në lidhje me korrupsionin, institucionet ligjzbatuese u detyruan të prishin pushimet e verës. Në një muaj krejt të pazakontë në historikun shqiptar të betejës anti-korrupsion, Prokuroria thërret në radhë deputetë të majtë e të djathtë për të dhënë versionet e tyre në lidhje me akuzat e ndërsjella. Është sa inkurajuese të shohësh që politikës i kërkohen shpjegime dhe përgjegjësi nga Prokuroria, por dhe dekurajuese në të njëjtën kohë që kjo e fundit, dhe jo vetëm, reagon vetëm pas një tragji-komedie mediatike, e cila dirigjohet nga vetë politika.

Do të ishte ende herët të dilej në një konkluzion për rezultatin e hetimeve, por një gjë është e rëndësishme për t’u evidentuar - organi i akuzës në përgjithësi ka dështuar në hetimin e ngjarjeve që lidhen me korrupsionin politik. Kjo për një arsyen e thjeshtë se çështjet që lidhen me korrupsionin politik ndizen dhe veniten po prej autorëve të tyre - politikanëve.

Edhe në rastet konkrete ishin politikanë ata që përmendën fakte dhe madje disa prej tyre dhe i proklamuan mediatikisht. Madje, mund të thuash pa hezitim se, nëse klasa politike ka bërë një hop pozitiv në lidhje me problematikën e shfaqur, Prokuroria lë ende për të dëshiruar. Akuza që lidhen me korrupsionin e lejeve të ndërtimit kanë kohë që artikulohen dhe presin përgjigje nga publiku. E reja e vetme e kësaj furtune të radhës nuk ishin vetëm disa emra të rinj politikanësh por ishte mekanizmi i ri korruptiv-koncesionet. Pra, kjo ngjarje, si shumë të tjera të para saj, kanë subjekt të njëjtë por mekanizma të ndryshëm korruptiv. Me pak fjalë, kemi disa politikanë të rinj dhe të vjetër që akuzohen për të njëjtën gjë - korrupsion. Shqetësimet që lindin janë se a do të trajtohen çështjet e reja korruptive si ato të vjetrat? A do të vazhdojë Prokuroria të shfajësohet në moseficencën e saj pas alibisë së imunitetit të deputetëve. Bilanci i Prokurorisë në këtë aspekt nuk është fare inkurajues. Ende nuk kemi sot një politikan të dënuar për korrupsion. Me pak fjalë, Prokuroria nuk po arrin ende të krijojë një precedent të suksesshëm në këtë drejtim. Dhe për t’u ndryshuar lipset që ky institucion, por dhe institucione të tjera ligjzbatuese, së paku të ndryshojnë disa gjëra në thelb.

Pikësëpari, këto organizma duhet të krijojnë një pavarësi jo vetëm institucionale nga politika por dhe profesionale. Duhet që rastet të cilat lidhen me dyshime të rënda të korrupsionit politik të mos pritet të pronësohen nga politika. Kjo e fundit më pas, me të gjitha gjasat, siç edhe përvoja tregon, do të përpiqet të ruajë pronësinë e këtyre çështjeve. Kjo do të thotë që e gjithë hallka e hetimit, e cila varet nga faktet dhe dëshmitë, të kontrollohet nga iniciuesit e saj. Kjo padyshim e vendos në një pozitë shumë të disfavorshme Prokurorinë, pasi ajo e ka të vështirë të zhvillojë hetimet në konfidencialitet të plotë, kjo si pasojë e zhurmës politike të krijuar.

Pikësëdyti, Prokuroria dhe jo vetëm, duhet t’i shmanget lojës së politikës dhe të kryejë funksionin e saj ligjor. Ajo nuk duhet të bjerë në kurthet politike, të cilat realisht nuk duket të kenë si qëllim goditjen e korrupsionit, por atë të kundërshtarit politik. Klasës politike i intereson vetëm publiciteti i ngjarjes me qëllim zhvlerësimin politik. Në shumicën e rasteve kjo e fundit është treguar shumë e kujdesshme që politikanët të shantazhohen politikisht, por jo të dënohen. Nga ana tjetër, organet ligjzbatuese në përgjithësi dhe Prokuroria në veçanti, me dashje ose jo, kanë arritur të bien në këtë grackë. Shohim shpesh politikanë që përdorin godinën e Prokurorisë dhe të Gjykatës për konferencat e shtypit, por s’kemi parë asnjë prokuror të prononcohet publikisht për dosje të përfunduara.

Organet ligjzbatuese kanë të gjithë platformën ligjorë dhe instrumentet e duhura që në çfarëdolloj rasti të korrupsionit politik ku ka indicie serioze, të mbledhin fakte. Këto të fundit do të shërbenin të paktën për fazën paraprake të ngritjes së akuzës. Ajo që publiku pret dhe që ndihet skeptik është përfundimi. Sa efikase do të tregohet Prokuroria dhe, jo vetëm në rastet e fundit, apo dhe ajo do të luajë lojën e saj politike?

Për të thyer këtë tabu, organeve ligjzbatuese në përgjithësi dhe Prokurorisë në veçanti i duhet një precedent pozitiv. Ngjarjet e fundit mund të jenë një rast i mirë për ta provuar këtë gjë.

No comments:

Post a Comment