Tuesday, 21 September 2010

Shteti ligjor në lupën e 2010-ës

Shteti ligjor në lupën e 2010-ës

Mos funksionimi i të tre pushteteve në një demokraci tranzicionale e vendos të ardhmen social-ekonomike të një vendi në një pikëpyetje serioze. Nëse pushtete si legjislativi dhe gjyqësori nuk ruajnë në balancë ekzekutivin, demokracia institucionale rrezikon të kalojë në kolaps. Viti 2010 mund të konsiderohet një vit problematik në lidhje me funksionimin disporpocional të tre pushteteve. Madje, ajo që duhet cilësuar është se në periudhën më intensive të këtij viti (janar – korrik), demokracia institucionale ka funksionuar vetëm në aspektin administrativ. Dy pushtetet e tjera sikurse legjislativi dhe gjyqësori kanë qenë thuajse të sfazuar. Për këtë qëllim shteti ligjor për këtë periudhë ka funksionuar me 1/3 e tij, dhe me shumë gjasa dhe kështu do të vazhdojë dhe në periudhën e mbetur.

Ku qëndron problemi?

Së pari, pushteti legjislativ, i bojkotuar nga opozita ka qenë thuajse inegzistent dhe pa frymëmarrjen e duhur të debatit. Zigzaget politike të lidershipit të së majtës, duke mos përcaktuar një strukturë të qartë aksioni politik, bën që institucionalizimi debatit parlamentar të jetë ineficient. Forca maxhoritare e kartonit ishte thjesht një element procedural dhe e ktheu parlamentin në një aneks të ekzekutivit. Diskutimi, cilësojmë diskutimi dhe jo zhurma në sensin opozitar, mungonte dhe oferta politike gjithashtu. Legjislativi për një kohë relativisht të gjatë u komportua nën tenda populiste. Recetat opozitare ishin teatrale dhe me shumë dietë politike. Shumica e ligjeve kaluan pa një opozitë në parlament. Por dhe kur kjo e fundit ishte prezent, mungonte analiza, kritika dhe së fundi dhe zgjidhja për problemet që prekeshin. Nga ana tjetër ekzekutivi duke shfrytëzuar maxhorancën politike arriti të sfumoj numerikisht çdo përpjekje opozitare. Në këtë mënyrë parlamenti doli thuajse jashtë funksionimit. Çdo iniciativë ligjorë që në disa raste nuk mbante as markën e ekzekutivit, do të përballej më një opozitë parlamentare të improvizuar në zyra partish apo bashki opozitare. Në këtë mënyrë dhe modeli ‘quasi’ revolucionar i parlamentarizmit që opozita u përpoq të promovonte, rezultoi aspak serioz. Me pak fjalë pushteti legjislativ në sesionin e parë parlamentar të këtij viti iu dha me ‘qera’ atij ekzekutiv nga forcat opozitare.

Së dyti, pushteti gjyqësor, një pushtet aq i rëndësishëm në lidhje me drejtësinë sociale është thuajse në prag kolapsi. Organet të cilat vënë në lëvizje pushtetin gjyqësor siç janë Konferenca Gjyqësore, Këshilli i Lartë i Drejtësisë(KLD) dhe Institucioni Presidentit janë krejtësisht në një mungese konvergimi me njëri tjetrin. Pra, sot i gjithë sistemi që vë në lëvizje dhe menaxhon gjyqësorin është tërësisht poroz. Thuajse në çdo hallke ai funksionon me mungesa të theksuara. Është për t’u cilësuar se Konferencës Gjyqësore i mungon një ligj rregullues. KLD-së i mungojnë 5 anëtare, Gjykatës së Larte 4 dhe Gjykatës Kushtetuese po aq duke shtuar këtu dhe problemin e drejtuesit të saj. Një nga problematikat kryesore është roli sfazues që ka marrë Institucioni i Presidentit në lidhje me gjyqësorin. Ky i fundit duhet të kishte marrë të gjitha masat që gjyqësori të ruante qëndrueshmërinë numerike, aq i rëndësishëm për fuqinë dhe eficencën e këtij të fundit. Mos propozimi në kohë i emrave, mungesa e elasticitetit në negociatat me dy forcat politike, por dhe shkelja e afateve kushtetuese, ka çuar që problemet në gjyqësor te jenë permanente. Nga ana tjetër përplasjet e personalizuara të presidencës me maxhorancën në lidhje me rrëzimin e 50% të gjyqtarëve të propozuar nuk ishin pa kosto për gjyqësorin. Kjo si në aspektin financiar, nëpërmjet shkurtimit të buxhetit por dhe në shijen e hidhur që lanë seancat dëgjimore në publik. Me pak fjalë edhe gjyqësori iu dha kryesisht me ‘qera’ ekzekutivit nga Institucioni i Presidentit.

Ky vit në të shumtën e tij tregoi se demokracia institucionale lë ende shumë për të dëshiruar. Shoqëria shqiptare shpenzon për institucionet e saj që ato të funksionojnë. Nëse ndër parimet themelore të shtetit ligjor është dhe ndarja dhe balancimi pushteteve, ky mekanizëm duket te ketë çaluar në fazën e parë të 2010-ës. Si rrjedhim legjislativi dhe gjyqësori nuk arritën të luajnë rrolin balancues që pritej. Ato, fatkeqësisht duket se janë lëshuar me qera nga opozita dhe Presidenca.

Nga Fabian Zhilla

Botouar ne Gazeten Mapo Korrik 2010

No comments:

Post a Comment