Tuesday, 21 September 2010

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian+Zhilla&id=164
Shkruan:
Fabian Zhilla
16-09-2010 12:17

Krimi ekonomik dhe konflikti i interesit politik

Ndryshimet e koalicionit qeverisës hapën siparin e një diskutimi të ri në lidhje me brishtësinë e qeverisjes aktuale, duke asnjanësuar një aspekt pozitiv në këtë rokadë: Akuzat që lidhen me ish-ministrin e Ekonomisë, Prifti. Pra, nëse kjo lëvizje është bërë pikërisht për të pastruar koalicionin nga ’mëkate’ që lidhen me krimin ekonomik, atëherë duhet mirëpritur. Por nëse ato lidhen me trafik kontrolli brenda koalicionit qeverisës, atëherë analiza e ndryshimeve të fundit humbet çdo lloj interesi pozitiv. Është shumë e rëndësishme të evidentohet se krimi ekonomik është aktualisht një ndër krimet më problematikë në arenën ndërkombëtare. Vetë fakti që ai kryhet nga njerëz me pozitë dhe pushtet dhe jo vetëm, e bën luftën ndaj këtij krimi mjaft të vështirë.

Krimi ekonomik sot është një ndër krimet më shqetësuese edhe për vende me institucione tradicionalisht të konsoliduara siç janë ShBA dhe Komuniteti Europian. Vetëm në vitin 2004 në Mbretërinë e Bashkuar biznesi vendas do të humbte rreth 40 bilionë Paund ose rreth 100 milionë Paund në ditë nga krimi ekonomik (BBC 17/10/2004). Ekonomia gri në vende si Spanja dhe Italia përbën rreth 20 % të GDP-së. Ndërsa në ShBA vetëm vlera e aseteve të konfiskuara si rezultat i pastrimit të parave për vitin 2001 shkonte në rreth 386 milionë Dollarë. (Reuter dhe Truman 2004).

Për këtë arsye lufta ndaj krimit ekonomik kërkon mbi të gjitha një aksion politik dhe më pas institucional. Nuk mund të pretendosh që të drejtosh ekonominë e vendit sipas parimeve të tregut të lirë, kur vetë klasa politike është iniciuese e monopoleve apo oligopoleve. Kur shumica e bizneseve që kontrollojnë ekonominë e vendit kanë lidhje të forta me kastën politike. Kur për çdo ndërtim do të duhet të mendosh për taksën ‘politike’. Do të tregoheshim naivë nëse do ta quanim të fituar betejën ndaj krimit ekonomik dhe korrupsionit pa një angazhim të sinqertë të të gjithë klasës politike.

Krimi ekonomik në Shqipëri ka njohur një rritje shqetësuese pikërisht për vetë klimën korruptive që e karakterizon këtë shoqëri. Sipas statistikave më të fundit të Policisë së Shtetit, që datojnë vitin 2008, vetëm gjatë atij viti janë goditur 40 grupe, 11 grupe më shumë se në vitin 2006 dhe 29 më shumë se në vitin 2005. Është për t’u theksuar se ky është vetëm numri i organizatave të goditura dhe jo i atyre që operojnë në vend. Megjithatë, në të gjithë këtë bilanc të dhënash nuk figuron asnjë figurë e lartë publike qoftë nga pozita por dhe opozita. Me pak fjalë, nëse ka disa arritje modeste në luftën ndaj krimit ekonomik ‘jo politik’, kjo nuk ndodh në atë ‘politik’. Pse ndodh kjo?

Së pari, klasa politike është në konflikt të hapur interesi me çfarëdo lloj iniciative apo reforme që lidhet me luftën kundër krimit ekonomik. Nuk mund të presësh nga qeveritarë apo opozitarë, të cilët lakohen rëndom për përfshirje në biznese të dyshimta, që të ndërmarrin hapa konkretë në luftën kundër krimit ekonomik.

Së dyti, institucionet të cilat merren me luftën ndaj krimit ekonomik janë krejtësisht të varura nga ekzekutivi. Si Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave pranë Ministrisë së Financave dhe Drejtoria e Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë janë nën kontrollin e ekzekutivit. Edhe Task Forca e ngritur për këtë qëllim nuk ka infrastrukturën e duhur si në njerëz dhe mjete për të investiguar këtë krim kaq kompleks.

Për këtë shkak, ndryshimet e fundit qeveritare nuk përbëjnë ndonjë interes të veçantë nëse përfundojnë këtu. Ajo çfarë publiku pret me ngulm është se si do të përfundojnë çështjet e nisura për korrupsion dhe krim ekonomik. Sot ky është imperativi moral qeverisës. Ka një tregues për të kuptuar nëse ndryshimet e fundit kanë si qëllim luftën ndaj krimit ekonomik. Dhe ky do të ishte që këto ndryshime të vazhdonin edhe brenda kampit blu.

No comments:

Post a Comment