Tuesday, 21 September 2010

Sinqeriteti Presidentit

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian%20Zhilla&id=181
Shkruan:
Fabian Zhilla
21-09-2010 12:39

Sinqeritet i Presidentit

Nё takimin e tij tё radhës nё Kёshillin e Lartё tё Drejtёsisё, Presidenti Topi do tё risillte nё vёmendje problematikёn qё ka ngёrthyer gjyqёsorin shqiptar. Ai do tё pёrdorte disa fjalё kyçe tё cilat herё tё duket sikur tingёllojnё individualisht pёr gjyqtaret dhe herё pёr tё gjithё sistemin. Fjali si “sistemi i drejtёsisё duhet të jetë më i vëmendshëm, më i kujdesshëm, më profesional, duhet të demonstrojë më shumë protagonizëm … [dhe se ] “sistemi i drejtësisë nuk mund të rrijë si spektator”, janё padyshim fraza tё cilat nёnvizojnё pёr tё disatёn herё nё gojёn e Presidentit se ku ёshtё situata e gjyqёsorit sot.

Megjithatё, ajo qё zakonisht i mungon retorikёs sё institucionit qё ky President përfaqëson, ёshtё se nuk mjafton vetёm identifikimi i problemit por dhe i mbajtjes sё pёrgjegjёsisё pёr tё. Nё shumicёn e prononcimeve tё kёtij insitucioni tё krijohet ideja se ai nuk ёshtё njё institucion publik, por njё shoqatё jo-qeveritare qё monitoron gjyqёsorin. Presidenti nё shumё raste merr dhe karakter akademik, duke i trajtuar gjyqtarёt si studentё tё cilёt kanё nёvojё tё mёsojnё sesi duhet tё sillen me publikun dhe si tё mbrojnё veten e tyre ndaj sulmeve politike. Por, a duhet edhe Presidenti tё ndihet fajtor pёr kёtё situatё? Pa dyshim qё po dhe ato janё sa institucionale por dhe morale. Lex non distinguitur nos non distinguere debemus (ligji nuk favorizon dikё prandaj dhe ne jemi tё detyruar tё mos favorizojmё).

Sё pari, ligjёrisht Presidenti ka tё gjitha mundёsitё pёr tё ushtruar njё kontroll nё strategjitё e sistemit gjyqёsor. Sipas Kushtetutёs, Presidenti emёron anёtarёt dhe kryetarin e Gjykatёs Kushtetuese dhe atё tё Gjykatёs sё Lartё; Gjykata Kushtetuese nuk mund tё vihet nё lёvizje pa kёrkesёn e Presidentit; Ai ёshtё gjithashtu kryetar i Kёshillit tё Lartё tё Drejtesisё (KLD); ky Kёshill me propozimin e Presidentit zgjedh zёvendёskryetarin, i cili dhe e menaxhon atё praktikisht; Presidenti emёron gjithashtu dhe Prokurorin e Pёrgjithshёm (nenet 125-149). Pra nёpёrmjet emёrimeve nё gjykatat mё tё larta, Institucioni i Presidentit i ka tё gjitha mundёsitё pёr tё ushtruar politikat apo vizionet e tij nё sistemin e drejtёsisё. KLD-ja, e cila drejtohet prej tij, ka jo vetёm rol organizativ, por dhe inspektiv. Pra, Presidenti ligjёrisht dhe institucionalisht ka mundёsi objektive pёr tё ndryshuar diçka nё mёnyrё themelore nё sistemin e drejtёsisё.

Sё dyti, koha nё dispozicion qё ka pasur ky President ka qenё plotёsisht e mjaftueshme pёr tё realizuar tё paktёn njё politikё rrёnjёsore nё lidhje me luftёn ndaj korrupsionit dhe instalimin e meritokracisё nё drejtёsi. Janё rreth 4 vjet qё Presidenti Topi kryeson KLD-në dhe nё mandatin e tij numri i emёrimeve tё gjyqtarёve, por dhe ndryshimet nё sistemin gjyqёsor nё pёrgjithёsi, kanё qёnё nga mё dinamiket. Kujtojmё kёtu mbylljen dhe hapjen e disa gjykatave nё vend si dhe emёrimet sё fundi nga KLD tё shumё gjyqtarёve nё disa gjykata apeli tё rёndёsishme apo dhe ato tё karrierёs. Nёn mandatin e kёtij Presidenti ende nuk ёshtё arritur tё pёrfundohet njё sistem vlerёsimi pёr gjyqtarёt, i ngelur nё faza eksperimentale. Ende KLD-ja e kryesuar prej tij i emёron gjyqёtarёt nё kushte anonimiteti. Megjithёse Konferenca Gjyqёsore Kombёtare ka dёshtuar nё funksionimin e saj, ende nuk ka njё ndryshim nё ligjin e saj pёrkatёs. Mungon njё strategji e qartё nё lidhje me luftёn ndaj korrupsionit nё sistemin e drejtёsisё, e cila tё jetё e iniciuar nga Presidenti me ndihmёn e komunitetit tё gjyqtarёve. Me pak fjalё, Presidenti nuk mund tё shfajësohet publikisht duke kritikuar gjyqtarёt nё mbledhjet e KLD-së apo sa herё pёruron ndonjё ambient tё ri gjykate. Ky institucion duhet tё pranojё pёrgjegjёsitё e tij pёr dёshtimin e sistemit tё drejtёsisё dhe tё tregohet i sinqertё. Nuk mund tё mёsosh gjyqtarёt si tё sillen me politikanёt, kur vetё Presidenti bёn politikё me ta. Pёr atё qё sot ndodh nё gjyqësor, Presidenti duhet tё marrë pёrgjegjёsitë e tij.

No comments:

Post a Comment