Wednesday, 10 November 2010

Shkruan:
Fabian Zhilla
10-11-2010 13:58

Reforma në Gjyqësor

Komisioni parlamentar i Ligjeve, i dominuar nga mazhoranca, vazhdon të rrëzojë kandidaturat e propozuara nga Presidenti për në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese. Kjo këmbëngulje prej më shumë se 6 muajsh shfaq disa probleme politike. Problemi i parë lidhet me individualizmin e konfliktit midis mazhorancës dhe institucionit të Presidentit. Problemi tjetër është sjellja indiferente e opozitës në këtë drejtim. Kjo e fundit është mjaftuar me polemika jo konstruktive në Komisionin e Ligjeve dhe me deklarata sporadike thuajse në zhdukje në publik. Pra, në fakt, megjithëse në opozitë, kjo e fundit duket se e ndien veten të shfajësuar nga ajo që ndodh, duke përdorur të njëjtën alibi që përdor edhe për apatinë e saj në rastin e reformave të tjera të rëndësishme ligjore.

Por problemi më i madh në të gjithë këtë ‘telenovelë’ është kompleks dhe bashkëfajësues për të dy kahet politikë. Kjo klasë e sheh pushtetin gjyqësor si ‘fëmijën e njerkës’. Ka ngelur në mëshirën e dëshirave momentale dhe pragmatiste të liderëve të partive. Është kthyer në një pronë politike që merr dhe humbet vlerë vetëm kur ‘pronarët’ e saj duan.

Në këtë drejtim, për sa kohë gjyqësori, de fakto, do të ngelet në pronësinë e politikës, shoqëria shqiptare do të duhet të përgatitet për t’u ballafaquar me një gjyqësor apatik në vazhdimësi. Shqiptarët do të duhet që, fatkeqësisht, të besojnë se gjyqtarët janë thjesht disa punonjës administrate pa status dhe në kërkim të ryshfeteve. Kur në fakt gjyqtarët duhet të jenë ushtrues të njërit prej pushteteve më të rëndësishme në shtetin e së drejtës-atij të dhënies së drejtësisë. Shqiptarëve nuk u ngelet gjë tjetër vetëm se ta shohin drejtësinë si mall dhe sistemin gjyqësor si treg, ku oferta më e mirë është ajo që përcakton kahun e të drejtës.

Pra, zgjidhja e problemit të gjyqësorit duhet të filloj pikërisht nga ndryshimi i konceptit që ka sot politika në lidhje më të. Sistemi gjyqësor nuk është as pronë e ekzekutivit por dhe as e legjislativit. Sistemi gjyqësor duhet të drejtohet dhe administrohet vetëm në bazë të parimeve kushtetuese, të cilat garantojnë një pavarësi juridike, organizative, funksionale por dhe financiare të tij. Megjithëse Kushtetuta ka një sërë nenesh të rëndësishme në këtë drejtim, ajo që vërehet praktikisht është se e drejta e disponimit dhe e shfrytëzimit të gjykatave të larta është në duart e ekzekutivit.

Cilat do të ishin atëherë disa nga reformat afatshkurtra që do ta bënin gjyqësorin de fakto të pavarur? Reforma të cilat do t’i kthenin atij dinjitetin dhe pushtetin real që i takon.

Idetë për to mund të jenë të shumta, por duke qenë se formati i këtij shkrimi nuk na lejon shumë hapësirë në këtë drejtim, ato do të përqendrohen vetëm te dy. Kjo do të bëhet duke hedhur ide të bazuara në përvojat më të mira ndërkombëtare në lidhje me reformat e sistemit gjyqësor për shoqëritë në tranzicion. Duke u nisur nga eksperienca jo e mirë aktuale e marrëdhënieve të gjyqësorit me dy pushtetet e tjera, dy do të ishin reformat që sugjerohen, të cilat në një situatë afatshkurtër do të jepnin efekte pozitive.

Së pari, gjyqtarët (përfshi këtu dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese) duhet të zgjidhen nga një trupë e cila në përbërjen e saj nuk duhet të ketë asnjë përfaqësues politik. Në këtë mënyrë shmangen problemet si ky që po ndodh aktualisht midis Presidentit dhe mazhorancës. Dy pushtetet e tjera mund ta kontrollojnë gjyqësorin nëpërmjet ligjeve organike për këtë qëllim, dhe jo nëpërmjet kontrollit administrativ që i bëhet këtij të fundit thuajse në çdo hallkë të tij. Ky proces duhet të fillojë që nga ligji për organizmin e Konferencës Kombëtare të Gjyqtareve (në rastin e gjykatave të ulëta) dhe deri tek amendimet përkatëse, kur është rasti i ligjeve që lidhen me Këshillin e Lartë të Drejtësisë (KLD-në), apo zgjedhjen e gjyqtarëve në gjykatat e larta. Ky hap nuk i lë hapësirë asnjë force politike në të ardhmen të shprehë rezervat e veta, siç po ndodh rëndom. Vërtet ka aspekte ku sistemi gjyqësor mund të përdorë mekanizma të tjerë vetërregullues, siç është dhe rasti i Kodit të Etikës. Megjithatë, në shoqëritë në tranzicion, pa eksperiencë në çështjet e vetërregullimit, e mira është që instrumentet e përzgjedhjes, emërimit dhe organizimit të gjyqtarëve të jenë të përcaktuara me ligj. Nga ana tjetër, gjyqtarët duhet të jenë patjetër pjesëmarrës në bërjen e këtyre ligjeve, përndryshe, sipas teorive bashkëkohore, ligji nuk gëzon legjitimitet dhe mund të jetë lehtësisht i cenueshëm.

Së dyti, duhet minimizuar kontrolli politik në lidhje me buxhetin që u caktohet gjykatave, e sanksionuar kjo e drejtë fare qartë edhe nga Kushtetuta. Sot ka një institucion i cili pretendon se e mbulon këtë funksion, siç është dhe Zyra për Administrimin e Pushtetit Gjyqësor (ZAPGJ). Por asaj duhet që fillimisht t’i jepen më shumë kompetenca dhe të jetë realisht e pavarur në çdo drejtim. Zgjedhja dhe emërimet për këtë institucion duhet të bëhen nga Konferenca Kombëtare e Gjyqtarëve, që për fat të keq, edhe pse institucion Kushtetues, ende nuk ka mundur të funksionojë normalisht për shkak të mungesës së ligjit. Nga ana tjetër, buxheti i përcaktuar për gjyqësorin nuk duhet të kalojë nëpërmjet Ministrisë së Financave, por të paraqitet në Parlament drejtpërsëdrejti nga Zyra e mësipërme. ZAPGJ duhet të jetë institucioni që të gëzojë të drejtën jo vetëm për të paraqitur, por dhe për të mbrojtur buxhetin në Kuvend. Po ashtu, edhe ekzekutimi i këtij buxheti më pas, duhet të autorizohet dhe administrohet vetëm nga ZAPGJ dhe nga asnjë institucion tjetër.

Reformat e mësipërme, por dhe të tjera, duhet të jenë prioritet i ekzekutivit. Dhe në mungesë të tij duhet të jetë opozita ajo që duhet t’i shfaqë dhe t’i mbrojë ato nëpërmjet aksioneve konkrete politike. Beteja për votën e lirë dhe ajo kundër korrupsionit, nuk do të fitoheshin plotësisht nëse nuk fitohet beteja për një gjyqësor të pavarur. Në këtë drejtim, asnjë kah politik nuk mund të ketë një alibi të besueshme.

No comments:

Post a Comment