Revista mapo
Jasin Kadi “përplas” BE-në me OKB-në
31.10.2010 09:20
http://revistamapo.com/forum.php?id=2594
Jasin Kadi, ky emër mjaft i lakuar nga media dhe drejtësia shqiptare, dhe jo vetëm prej tyre, fiton pas më shumë se tetë vjetësh çështjen në Gjykatën e Përgjithshme të Bashkimit Evropian ose e njohur ndryshe dhe si Shkalla e Parë (The General Court). Kjo gjykatë, me vendimin e saj, një muaj më parë i njohu të drejtën Jasin Kadit për të hequr sekuestron preventive të vendosur ndaj pronave të tij. Ai fitoi, gjithashtu, të drejtën e nxjerrjes së emrit të tij nga lista e personave të lidhur me terrorizmin. Kjo gjykatë kërkoi mosaplikimin e vendimeve përkatëse të Komisionit Evropian nr. 1190/2008 dhe të Këshillit të Evropës nr. 881/2002 ndaj Jasin Kadit dhe bizneseve të tij. Të dyja këto vendime janë dhënë në zbatim të Rezolutës nr. 1390/2002 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që lidhen me ngrirjen e aseteve të bashkëpunëtorëve me grupet terroriste. Lista bashkëngjitur kësaj rezolute, identike me atë të SHBA-së, u bë e aplikueshme dhe në juridiksionin e Bashkimit Evropian (BE), gjithashtu, dhe për çdo vend anëtar të OKB-së, ku bën pjesë dhe Shqipëria.
Kjo Gjykatë, pas një analize prej më shumë se 30 faqesh, cilëson se pronat e Jasin Kadit janë “ngrirë” pa pasur asnjë provë bindëse. Kjo ka bërë që këtij individi t’i cenohet e drejta e gëzimit të pronës në mënyrë të lirë. Nga ana tjetër, sipas kësaj Gjykate, Jasin Kadit nuk i është vënë në dispozicion asnjë nga provat që ai të kishte mundësinë për të bërë një mbrojtje efektive. Në vendimin e saj, kjo Gjykatë cilëson se vendosja e emrit të Jasin Kadit në listën e OKB-së është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara. Provat e përdorura janë bazuar në artikuj gazetash të dorës së dytë si USA Today, të shkruara nga Jack Kelley, person të cilit kjo gazetë në vitin 2004 i kërkoi të jap dorëheqjen, pasi akuzohej se “kishte fabrikuar një sërë historish me profile të larta”.
Vendimi i Gjykatës Europiane nuk gjeti asnjë hapësirë në mediat shqiptare, megjithë kompleksitetin e saj sa akademik, por dhe politik që mbart. Cili është interesi i kësaj çështjeje për realitetin akademik dhe politik shqiptar?
Nga pikëpamja akademike, ky vendim gjykate i njohur ndryshe dhe si Kadi 2, pasi Jasin Kadi është gjykuar nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (The European Court of Justice) në vitin 2008, ka hapur një debat të konsiderueshëm akademik në lidhje me një “përplasje” të mundshme të kompetencave të OKB-së dhe të BE-së. Thënë me fjalë më të thjeshta, me këtë vendim, institucionet e BE-së mund t’i njohin të drejtën vetes për të kontrolluar ligjshmërinë e rezolutave të OKB-së ose vendimeve të institucioneve që në “hierarkinë” e ligjeve, sipas së drejtës ndërkombëtare, qëndrojnë me lart se ato. Nga ana tjetër, kjo Gjykatë, nëpërmjet këtij vendimi, bën një kontroll juridik të sanksioneve të OKB-së në lidhje me përputhshmërinë e tyre me të drejtat e njeriut sipas Traktateve të BE-së për këtë qëllim. Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian, në çështjen e parë për Jasin Kadin, cilësoi se pretendimi i këtij të fundit në lidhje me procesin e ndjekur nga Këshillit i Sanksioneve të OKB-së ishte në shkelje me parimin themelor të të drejtave të njeriut. Parimi i shkelur, sipas kësaj Gjykate, ishte e drejta që i ishte mohuar Jasin Kadit për t’u dëgjuar në një gjykatë të pavarur, si dhe për një proces të rregullt ligjor/gjyqësor. Me një gjuhë të artikuluar, Gjykata e Përgjithshme e BE-së është përpjekur ta arsyetojë “përplasjen” midis BE-së dhe OKB-së. Dhënia të drejtë Jasin Kadit, nuk ka bërë gjë tjetër, por ka sjellë në vëmendje se rezolutat e Kombeve të Bashkuara mund të kontrollohen juridikisht nga gjykatat kombëtare apo rajonale. Çdo shtet anëtar, aktualisht, gëzon të drejtën e implementimit të këtyre rezolutave sipas ligjeve të brendshme. Sipas zërave akademikë, gjykatat e shteteve anëtare, duke u mbështetur në këtë vendim, mund të kontestojnë rezolutat e Kombeve të Bashkuara apo dhe institucioneve superiore si organet e BE-së, me arsyetimin se këto vendime janë dhënë në kundërshtim më standardet e të drejtave të njeriut të këtyre vendeve. Nga ana tjetër, çdo shtet mund të pretendojë se ka standarde të ndryshme të të drejtave të njeriut ose më superiore se ato të këtyre institucioneve. Sidoqoftë, këto shqetësime mund të kenë më shumë implikime jashtë BE-së sesa brenda saj. Çdo vendim apo ankim i bërë në gjykatat kombëtare të shteteve anëtare të BE-së do të duhet t’i referohet Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian (Gjykata e Lartë). Vendimet e kësaj të fundit janë detyruese për vendet anëtare, e cila është dhe shkalla e fundit e gjykimit në lidhje me të drejtën europiane.
Nga pikëpamja juridike, në Shqipëri, ndaj shtetasit Jasin Kadi ka ende çështje që janë në gjykim, thuajse për të njëjtat arsye juridike dhe fakte. Në këtë drejtim, duket se ky vendim i Gjykatës së BE-së ka vlerë të veçantë, pasi i vendos qartësisht “piketat” juridike mbi të cilat duhet të mbështetet edhe gjyqësori shqiptar në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe të ngjashmeve me të.
Nga pikëpamja politike, ky vendim mund të ketë pasoja për ligje si ai i tipit “Anti-Mafia”. Sikurse dhe rasti Kadi 2 tregon, se çdo individi apo subjekti që i janë sekuestruar pronat bazuar në supozime apo indice të paprovuara mundet fare mirë t’i godasë ato në gjykatë me pretendimin se ato janë lëshuar në shkelje të së drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe konkretisht të së drejtës për t’u dëgjuar në një gjykatë të pavarur. Vendimi i Gjykatës së Përgjithshme Evropiane ( Shkalla e Parë) mund të shërbejë si arsyetim në këtë drejtim dhe mund t’i hapë hapësira një trupi gjykues për ta çuar këtë ligj përpara Gjykatës Kushtetuese, si një ligj jo në përputhje me parimet bazë të të drejtave kushtetuese. Ky vendim shfaq edhe një herë së BE-ja ka mekanizmat e nevojshëm ligjor për të kontrolluar ligjshmërinë e vendimeve politike që merren jo vetëm nga institucionet brenda saj, por dhe nga institucione ndërkombëtare. Institucionet shqiptare duhet ta lexojnë drejt këtë vendim dhe të kuptojnë rëndësinë e kontrollit të ligjshmërisë të çdo lloj vendimi politik, qoftë ky edhe nga institucionet ndërkombëtare.
Sidoqoftë, është për t’u cilësuar se vendimi i Gjykatës së Përgjithshme pritet të apelohet në Gjykatën e Drejtësisë. Nëse kjo ndodh, vendimi përfundimtar do të jetë ai, i cili juridikisht do të ketë forcën e precedentit. Megjithatë, çështja Kadiu 2 arriti të ngrejë një polemikë të rëndësishme juridike dhe politike. Ai arriti të përballë BE-në me OKB-në në të dyja këto dimensione. Ky vendim, nga ana tjetër, pritet të ketë pasoja sa juridike dhe politike edhe në vendet anëtare të BE-së, por dhe në shtete si Shqipëria.
No comments:
Post a Comment