Friday, 3 December 2010


Shkruan:
Fabjan Zhilla
03-12-2010 10:35

Krimi dhe një plan për adoleshentët

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabjan%20Zhilla&id=434

Së fundmi, dhuna dhe krimi kishin një të veçantë shqetësuese - moshën. Ata në moshë ishin adoleshentë, por ajo që bënë ishte një krim i rëndë. Dikush qëlloi shokun e tij dhe një tjetër vrau një shofer taksie. Ky i fundit, duke imituar një film. Nën ombrellën e polemikave politike, pak vend u jepet problemeve sociale që kanë ngërthyer këtë vend. Sjelljet agresive dhe ato kriminale, të kryera nga adoleshentët, janë shumë shqetësuese. Ato lidhen me ndërtimin e një brezi dhe kanë lidhje me të ardhmen e vendit.

Ky fenomen, pak i artikuluar nga mediat, duhet analizuar me shumë kujdes. Sot në gjimnazet e Tiranës, sipas citimeve të mediave, konfliktet midis adoleshentëve janë në rritje. Jo vetëm kaq, por në këto ambiente duket se droga dhe alkooli frekuentohen haptazi. Sjelljet shqetësuese dhe në gjimnaze qendrore, dhe jo vetëm në ato periferike, tregon që problemi nuk është sporadik, por i përgjithshëm.

Ajo që është me problematike në fakt, është indiferentizmi ose rëndësia e pakët që i jepet këtij fenomeni nga institucionet përgjegjëse. Ndër masat e propozuara, që rëndom qarkullojnë nga burime gazetareske, është rritja e numrit të policëve nëpër shkolla dhe caktimi i patrullave specifike për çdo shkollë të mesme. Me pak fjalë, ky shtet apo dhe organet lokale, kanë menduar ta zgjidhin këtë problem duke i konsideruar gjimnazet si ‘institucione riedukimi’ të survejuara me policë. Kjo, padyshim, jo vetëm që nuk e zgjidh problemin por e intensifikon atë. Ajo denatyralizon qëllimin e shkollës si institucion edukues, por dhe rolin e atyre që edukojnë dhe edukohen. Kjo lloj qasje sipërfaqësore nuk bën gjë tjetër por vetëm se i bën adoleshentët të ndihen të steriotipizuar dhe të inkriminuar padrejtësisht.

Sot trajtimi i problemeve sociale që lidhen me rininë në përgjithësi dhe adoleshentët në veçanti është shumë periferik. Për këto dëgjohet rrallë në media. Ato trajtohen më së shumti në raporte OJQ-sh, pa asnjë peshë publike, pasi ato ju serviren vetëm donatorëve.

Nga ana tjetër, është e vështirë të gjesh ndonjë pasazh në projektet e forcave politike në këtë drejtim. Edhe organet lokale dhe drejtuesit e tyre nuk janë më pak fajtorë; madje ata duhet të ndihen deri diku më përgjegjës. Në rastin e gjimnazeve kryeqytetase, si qeveria qendrore ashtu dhe Bashkia e Tiranës duket se kanë dështuar haptazi. Kjo pasi politizimi frenetik dhe gati gjenetik u ka zënë frymën çështjeve sociale kaq akute sa kjo.

Është tronditës fakti që mosha e kryerjes së krimit, dhe përdorimit të drogës, të ulet në kufijtë e adoleshencës. Ky është një brez që po përgatitet për të qenë shtetas i Europës së Bashkuar. Nëse do të trajtohet me neglizhencë, ky brez do të jetë i paaftë për të përballuar problemet që lidhen me konkurrencën sa ekonomike por dhe sociale në BE. Ky brez i patrajtuar siç duhet, rrezikon të kthehet në një kontingjent kriminal për krimin e organizuar.

Cilët mund të ishin disa nga hapat më urgjente?

Së pari, do të ishte e nevojshme që qeveria të ngrinte një task forcë për ta analizuar këtë problem në rrënjë. Kjo, pasi qeveria përbëhet nga disa ministri, të cilat kanë lidhje direkte ose indirekte me këtë fenomen, si Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Turizmit, Rinisë, Kulturës dhe Sporteve. Kjo task force duhet të konkludojë me një raport të detajuar për shkaqet dhe faktorët që çojnë gjimnazistët në këto sjellje, duke ofruar dhe disa zgjidhje objektive.

Së dyti, bashkitë nuk mund të tregohen indiferente, por të hartojnë një plan të qartë për krijimin e programeve kulturore dhe sportive, në mënyre specifike për këtë moshë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Rinisë, Kulturës dhe Sporteve këto bashki do duhet që të inkurajojnë financiarisht federatat sportive dhe t’u krijojnë atyre infrastrukturën e nevojshme për të ushtruar aktivitete sportive në ambientet shkollore duke përfshire këtu dhe ciklin e ulët shkollor.

Së treti, çdo minibashki duhet të ngrejë një departament të veçantë në lidhje me çështjet e adoleshentëve me probleme. Dhe kjo duhet të jetë në sinkron me rajonet e policisë, shkollat e ciklit të ulët dhe të mesëm, që përfshihen në juridiksionin e tyre. Këto minibashki duhet të bashkëpunojnë me OJQ-të, por dhe institucionet fetare që operojnë në zonën që ato mbulojnë. Ky lloj koordinimi do të bënte që trajtimi i problemit të ishte me efikas dhe të shtrihej nga vendbanimi deri tek institucionet e edukimit. Pra, ky problem duhet trajtuar me një përfshirje sa më të gjerë komunitare.

Pa një program të detajuar dhe të sinkronizuar, ky problem rrezikon të kthehet në fenomen. Ata adoleshentë që kryen këto krime janë viktimat dhe si të tillë duhen trajtuar. Kjo shoqëri, e cila sot lëngon skajshëm nga kanceri politik, i cili po e diskrediton atë nga çdo aspekt tjetër shpirtëror, social apo kulturor, mëton të reflektojë thellë. Adoleshentët nuk duhen vetëm për të mbushur garat elektorale, mbajtur posterat, zbukuruar fotografitë e ‘udhëheqësve’, por mbi të gjitha duhen trajtuar si një ndër pjesët më vitale të shoqërisë. Ne duhet të kujdesemi që ata të mos jenë kontingjent i burgjeve, por i kulturës dhe zhvillimit. Vetëm atëherë do duhet të ndihemi si një shoqëri e realizuar. Ngjarjet aktuale fatkeqësisht nuk na bëjmë të ndihemi shumë optimist.

No comments:

Post a Comment