Friday, 17 January 2014

Gjoba apo një sistem i ri i taksash

Gazeta Panorama 16/01/2014

Gjoba apo një sistem i ri i taksash

Prej rreth dy muajsh policia e shtetit ka filluar një fushatë masash administrative (gjobash) ndaj shkelësve të qarkullimit rrugor.  Ministria e Rendit e konsideron si një arritje të padiskutueshme dyfishimin e masave administrative  “shoferëve të pabindur”.  Nga 20.051 gjoba që kanë qenë në dhjetor 2012 numri i tyre është dyfishuar në 58.848 në dhjetor 2013. Nga këto rreth 20,000 gjoba janë vendosur vetëm në Tiranë. Ndërkohë që është për tu përshendetur cdo politikë shtetërore e cila synon përmirësimin e zbatimit të ligjit, qasja aktuale duket se ka problemet e veta që lidhen me keq perceptimin dhe impaktin negativ në shoqëri.

Keq perceptimi. Forma e pa testuar e vënies se gjobave ka krijuar perceptimin se penalizmi me gjobë ka më shumë qëllim fiskal sesa social.  Fakti që sistemi nuk u provua fillimisht nëse mund ta përballonte këtë ndërmarrje tregon se kjo politikë  ka qënë deri diku e pa studiuar mirë. Nuk është bërë një fushatë e mjaftueshme sensibilizimi. Fillimisht mund të fillohej me “gjoba të bardha” (pra masa paralajmëruese).  Nga ana tjetër mund të ndiqeshin forma me karakter edukues. Psh gjobat e para për vepra si shkelja e normave të lejuara të shpejtësisë, kundrejt vlerës së gjobës të kryenin seminare trainuese/sensibilizuese për rezikun e shpejtesisë. Kjo praktike praktikohet në Britaninë e Madhe.
Menazhimi i procesit lë shumë hapsirë për të besuar se kjo politikë gjobash ka kontekst fiskal.  Ndërkohë që shumëkush ka mundësinë të apelojë gjobën në gjykatën administrative, vlera e padisë (3,000 lekë të reja) dekurajon qytetarin ti drejtohet gjykatës për një gjobë me vlerë 1,000 lekë të reja (kjo është vlera në shumicën e rasteve). Fare mirë mund të ishte menduar një mekanizëm i brëndshëm apelimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë me kosto 0.
Nga ana tjetër vërehet se policët janë të patrajnuar mjaftueshëm. Ka masa administrative në shkelje të ligjit. Gjobat në përgjithësi nuk plotësohen si duhet t duke e bërë të vështirë të evidentosh shkeljen e tyre. Psh nuk plotësohet vendi ku ndodhet makina në momentin e gjobitjes. Për të mos thënë që shkrimi është i palexueshëm.

Tani i kthehimi impakteve negative që ka keq perceptimi i zbatimit të ligjit.
Impakti i parë lidhet me efektin e kundërt. E  gjithë kjo fushatë “gjobëvenie”  rrezikon pikërisht atë për të cilën pretendohet të jetë nisur – rritjen e kulturës së zbatimit të ligjit. Sipas studiuesve të shkaqeve të aksidenteve rrugore, rritja e nivelit të gjobave nëse nuk shoqërohet me masa të tjera përmirësuese (edukimi, sensibilizimi, përmirësimi i infrastrukturës, përmirësimi i lëshimit të patentave etj), jep efektin e kundërt në plan afatgjatë.  Nga rreth 20,000 gjoba në muajin dhjetor gati 50% (9,916)e tyre ishin dhënë për parkim të gabuar, gjë e cila lidhet drejtpërsëdrejti me mungesën e infrastrukturës. Qytetari vendoset në një situatë të pandershme dhe pa mundësi të tjera alternative dhe kjo bën  që ashpërsimi  ligjit të rrisi kriminalizmin e shoqërisë.  Sic u cilësua dhe më sipër, në muajin janar, vetëm në një hark kohor të një dite, janë vendosur rreth 1,303 gjoba. Më këtë ritëm janari do të mbyllet me një rritje gati tre here me të lartë se muaji parardhës.

Impakti i dytë negativ lidhet me humbjen e besueshmërisë ndaj reformimit të institucioneve.  Qytetarët votuan për një ndryshim thelbësor. Shoqëria mund të ndihet e shfrytëzuar dhe e manipuluar.  Dikush  mund ta konsideroj politikën e “gjobëvënies”  si një formë të re shfrytëzimi të një sistemi të vjetër qeverisës i cili e sheh qytetarin si klient. Në këtë kontekst shoqëria sheh një farë ngjashmërie paradoksale  me politikat  që  votoi kundër.


“Ata” të parët aplikonin taksën e sheshtë por akuzoheshin se aplikonin  “gjobën progresive”.  Të sotmit aplikojnë taksë progresive por një “gjobë të sheshtë”. Shumica e gjobave të qarkullimit rrugor janë rreth 1,000 lekë.  Nga ana tjetër ngjarja e vendimeve me “bllok në dorë”  duket se kaloi nga një ish ministër tek policët rrugor. Atëherë më së shumti “gjobiteshin kompanitë”  tani gjobiten të gjithë.  Atëherë në emër të pushtetit tani në emër të shtetit. Atëhere përdoreshin disa standarte, tani kemi “gjobitje” kapilare. 
Me pak fjalë, është për tu përgëzuar cdo inisiativë për të vendosur rregullin dhe ligjin.  Por duhet kuptuar që forma më e mirë për ta bërë këtë është të ndryshosh kulturën nëpërmjet përmirësimit dhe parandalimit. Kjo nuk mund të bëhet duke përdorur vetëm forcën e ligjit dhe jo frymën e tij. Kultura ligjzbatuese nuk mund të instalohet në një shoqëri e cila edukohet duke u penalizuar.  Në një shoqëri moderne duhet ti shmangemi formave mesjetare ku rregulli, sic thote Fuko, vendosej nën  një festival dënimesh.

http://www.panorama.com.al/2014/01/16/gjoba-apo-nje-sistem-i-ri-i-taksash/


Monday, 27 May 2013

Demokracia në pazar





FABIAN ZHILLA
Me gjithë paradën mediatike të listave partiake në publik, pakkush i kushtoi vëmendje prezencës së rritur të numrit të kandidatëve që vijnë nga fusha e biznesit.  Referuar gazetës “Panorama” (9 maj 2013), lista e PS përfshin rreth 20 kandidatë nga 14 në vitin 2009 dhe PD 10. Më pas nuk mbeten dhe aleatët më të afërt të partive të mëdha, si PR, PDIU dhe LSI. Me pak fjalë, rreth 30% e deputetëve të  Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë pritet të vijnë atje për cilësi të cilat lidhen kryesisht më pushtetin financiar. Ajo që mund të konstatohet nga ky indikator është ndryshimi i tendencës në legjislaturën e ardhshme. Nga një Parlament me deputetë të “fortë” po kalojmë gradualisht në Parlament me deputetë kryesisht “biznesmenë”.  Pyetja që shtrohet është: pse është bërë kaq i kërkueshëm ky format deputeti sot dhe lidhja e tyre me “pazarin” e demokracisë?
Një nga faktorët është vetë sistemi zgjedhor (proporcional me lista të mbyllura), i cili prish lidhjen direkte midis të zgjedhurit dhe zgjedhësit. Ky disbalancim dobëson një ndër kriteret e demokracisë, siç është përgjegjësia e të zgjedhurit (deputetit) ndaj zgjedhësve. Në sistemin aktual deputeti është përgjegjës ndaj kryetarit të partisë (pasi ai bën “emërimin e tij”) dhe jo ndaj elektoratit. Sipas Ackerman dhe Kunicova, sistemi zgjedhor i një proporcionali me lista të mbyllura e bën shumë të vështirë për qytetarin të monitorojë politikanët dhe, nga ana tjetër, ul rëndësinë e rolit të performancës për ata politikan që duan të rikandidojnë. Ky sistem zgjedhor zhvlerëson profilin e kandidatit, ndaj dhe fushata elektorale fokusohet më shumë në projektet dhe CV-në e forcës politike, sesa të kandidatëve.
Kjo ka bërë që kryetarët e partive të kërkojnë kandidatë që “mbledhin” vota, dhe jo ata që gjenerojnë elektorat. Këta të fundit do të ishin kandidatë të lidhur ngushtësisht me komunitetin dhe me performancë pozitive dhe me profil publik. Do të ishin kandidatë të cilët përfaqësonin interesat e shoqërisë, të cilat i përpunonin ato sipas programeve politike dhe i konfiguronin ato në ligje.
Por, në një situatë kur besueshmëria ndaj klasës politike është shumë e ulët, kandidatët e llojit të dytë nuk përbëjnë siguri për kryetarët e partive politike. Dhe kjo ka sjellë nevojën e kandidatëve të llojit të parë, të atyre që sigurojnë “mbledhje” votash. Duke u nisur sidomos nga zgjedhjet lokale të 2011-s, shikojmë se fenomeni i blerjes së votës gradualisht po kthehet në institucion, duke ndryshuar kështu dhe kulturën e komunikimit midis elektoratit dhe të zgjedhurve të tij. Shoqëria, duke qenë e zhgënjyer nga premtimet e politikanëve, ka filluar të sillet krejtësisht në mënyrë pragmatiste, duke komercializuar votën (shitur partive politike), pra duke e nxjerrë në treg “përfaqësinë” e saj. Në këtë drejtim, forcat politike kanë nevojë për mekanizma të ndërmjetëm që “shitblerja” e demokracisë të jetë sa më likuide. Dhe për këtë arsye roli i deputetëve “biznesmenëve” është bërë i nevojshëm për vetë financat që ata emetojnë. Këta lloj deputetësh kanë marrë rolin e bankave në “tregun” e demokracisë shqiptare. Në njërën anë ata pranojnë “depozitat” (pastrojnë paratë) e politikanëve të korruptuar, dhe në anën tjetër ata japin “kredi” për blerjen e votave apo influencave në momentet e zgjedhjeve.
Kjo lloj marrëdhënie midis të përfaqësuarve dhe të zgjedhurve ka sjellë që forma e marrjes së pushtetit të marrë një deformim të ri nga ai nëpërmjet forcës (vjedhje votash, presion, përfshirja e krimit të organizuar) në blerje të tij.
Sot kemi një “pazar” të demokracisë ku partitë politike ua “blejnë” shtetasve të tyre pushtetin me shumicë për t’ua “shitur” më pas me pakicë, nëpërmjet ryshfeteve që u marrin për shërbimet publike që ofrojnë. Dhe ky lloj deformimi ka sjellë rritjen e kërkesës për deputet “biznesmen”.
Rrezikshmëria më e madhe që sjell dalja në “pazar” e demokracisë është ulja e reagimit të shoqërisë ndaj korrupsionit dhe mospërgjegjshmëria e klasës politike ndaj zgjedhësve të saj. Duke qenë se qytetari “përfaqësimin” e tij e ka shitur, ai ka humbur të drejtën për t’i kërkuar llogari klasës politike. Dhe kjo sjell një lloj legjitimimi të korrupsionit politik, e cila vërehet në apatinë në rritje të shoqërisë shqiptare ndaj fenomeneve korruptive.
Një anë tjetër negative e kësaj lloj demokracie është sofistikimi i korruptimit të procesit zgjedhor. Nëse vjedhja e votës, dhuna, presioni politik mund të ishin forma të cilat mund të evidentoheshin, blerja e votës e bën këtë proces të duket krejt normal dhe i qetë. Ky lloj sofistikimi është një alibi e fortë për elitën politike në marrëdhëniet me ndërkombëtarët, duke iu siguruar këtyre të fundit stabilitetin politik, për të cilin ndërkombëtarët duken të jenë më shumë të interesuar sesa cilësia e demokracisë.
Sidoqoftë, rreziku më i madh i daljes së demokracisë në “pazar” është rënia e shoqërisë në një rreth vicioz ku qytetari korrupton demokracinë nëpërmjet shitjes së votës dhe ku demokracia e korruptuar korrupton qytetarin. Duke qenë se ka ende kohë për të shmangur këtë fenomen, është imperative që të shmanget shitja e votës dhe demokracisë t’i ruhet përfaqësimi real. Në të kundërt, numri i biznesmenëve në Parlament do të rritet ndjeshëm duke e kthyer Parlamentin në një bursë interesash financiare dhe jo në një institucion që përfaqëson interesat e shoqërisë.

Doktoraturat shqiptare, mes sistemit evropian dhe anglo-sakson





 13 May 2013
FABIAN ZHILLA, Pedagog, Canadian Institute of Technology

 Doktoraturat në Shqipëri ndërtohen sipas sistemit amerikan dhe zbatohen si në Evropë. Ekziston një vakum konceptual që e bën sistemin të pazbatueshëm

http://www.gazetafenix.com/2013/05/doktoraturat-shqiptare-mes-sistemit-evropian-dhe-anglo-sakson/


Fabian ZhillaMegjithëse përfshirja e programeve doktorale duhet parë si një hap pozitiv në arsimin shqiptar, duhet cilësuar se një keqmenaxhim i tyre mund të sjellë efekte të kundërta në lidhje me qëllimet dhe objektivat e tyre duke sjellë zhvlersimin dhe komercializimin e tyre.
Studimet e ciklit të tretë, apo siç njihen ndryshe programet e doktoraturës, sipas ligjit aktual, janë një eksperiencë relativisht e re për institucionet e larta arsimore dhe si të tilla kanë problematika të cilat kërkojnë kohën e tyre të zgjidhen. Nëse i referohemi ligjit për arsimin e lartë ai është shumë i përgjithshëm në lidhje me organizimin e programit doktoral. Në ligj përcaktohet vetëm afati (i cili nuk duhet të jetë më pak se 3 vjet) dhe numri i kreditëve që një doktorant duhet të plotësojë në përgatitjen teorike (60 kredite).
Ligji iu lë dorë të lirë universiteteve të përcaktojnë kriteret e klasifikimit për ata studentë të cilët konsiderohen se kanë përmbushur pjesën teorike dhe janë të aftë të përgatisin tezën e tyre. Nga pikëpamja formale pra, universiteteve, iu kërkohet vetëm që të kenë një program teorik për çdo fakultet dhe një afat minimal për përfundimin e doktoraturës.
Struktura e programeve doktorale, sipas ligjit, është konfiguruar sipas programeve të universiteteve në Amerikën e Veriut (SHBA dhe Kanada). Duhet cilësuar se ky format është më i përshtatshmi për studentin shqiptar pasi ndjek dy faza, fazën përgatitore (teorike) dhe më pas atë praktike (përgatitja e tezës). Megjithatë, ajo që sot praktikohet në universitetet shqiptare i ngjan më shumë versioneve të programeve doktorale në Europë, ku doktoranti është krejtësisht i lirë dhe kontaktet me supervizorin janë shumë të rralla.
Në përgjithësi, sot doktorantët ndjekin thjesht disa kurse krejt formale metodologjike (shpesh janë të njëjtat kurse që bëhen në programin master), marrin një provim në fund të vitit të parë dhe më pas, në një vit ose dy vjet, përfundojnë tezën. Pra koha e shpenzuar për përgatitjen tezës është vetëm dy vjet, kur në Europë është minimumi tre. Ndërkohë studimet doktorale në Amerikën e Veriut shkojne mesatarisht nga 5 vjet, pasi dy vitet e para janë krejtësisht të lidhura me përgatitjen teorike dhe metodologjike. Megjithatë është krejt normale që një doktorant të mbarojë studimet doktorale në USA dhe në Kanada brenda një periudhe 7 vjeçare.
Pra nga pikëpamja teorike ne ndjekim sistemin e Amerikës së Veriut kurse nga ana praktike i afrohemi atij europian, përjashto Britaninë e Madhe.
Në këtë drejtim programet doktorale kanë një handikap konceptual. Dhe ky vakum vjen si rezultati i mungesës së të doktoruarve në Amerikën e Veriut apo dhe në Britaninë e Madhe (e cila ka ngjashmëri dhe ka filluar të adaptojë sistemin amerikan). Pjesa më e madhe e stafeve akademike të cilët mbajnë titujt Profesor apo Profesor i Asocuar (kjo dhe për shkak të kritereve të vendosura në ligj), kanë doktoruar sipas sistemit lindor, dhe nuk janë të familjarizuar me sistemin amerikan. Nga ana tjetër numri më i madh i doktorantëve, të cilët kanë doktoruar jashtë vendit, zakonisht vjen nga vende të cilat nuk kanë ngjashmëri me sistemin anglo-sakson siç janë Italia apo vendet e Europës Lindore.
Kjo mungesë e eksperiencës anglo-saksonë në stafet akademike, të cilat janë jo vetëm pjesë përbërëse e pregatitjes teorike të doktorantit por dhe ndjekës të tezës së tyre, bën që programet doktorale të vuajnë pikërisht në atë që është dhe mekanizmi kyç i tyre, profesoriati.
Nëse do të shtojmë këtu dhe numrin e madh të studentëve që po pranohen në programet e doktoraturës dhe kohën e shkurtër të përfundimit të tyre (rreth 3 vjet), këto programe humbin dhe qëllimin kryesor të tyre siç është kërkimi shkencor serioz.
Disa zgjidhje afatshkurtra do të ishin politika më atraktuese nga Ministria e Arsimit në lidhje me thithjen e individëve të cilët kanë doktoruar në Amerikën e Veriut dhe Britaninë e Madhe, duke ju përshpejtuar atyre marrjen e titujve akademikë, dhe mbi të gjitha, integrimin e tyre në programet doktorale në universitetet shtetërore.

Fabian Zhilla: Pazaret e gjyqësorit me krimin dhe elitën politike

http://www.revistajava.al/kryesore/201341/fabian-zhilla-pazaret-e-gjyqesorit-me-krimin-dhe-eliten-politike
I shumëpërfoluri shtet i së drejtës, gati inekzistenca e plotë e tij, gjykatat dhe vendimet e manipuluara që kanë marrë, gjyqtarët e korruptuar e më tej akoma të paaftë e të përfshirë në afera kriminale, janë bërë objekt i studimeve doktorate të juristit Fabian Zhilla në një prej universiteteve më në zë britanike. Hallkë pas hallke, ai ka trajtuar në tezën e tij të gjithë elementët që kanë ndikuar në krijimin e asaj që quhet sot gjyqësori shqiptar dhe gjithë problematikës që ai paraqet. Në një intervistë për java, të gjitha detajet e studimit dhe konkluzionet e nxjerra
Pragmatistë ose jo, nga qytetari më i ndjeshëm e deri tek ai më indiferenti ndaj asaj se çka ndodh brenda një habitati që është sa i të gjithëve aq edhe i askujt, sidomos kohët e fundit, tema e mospavarësisë së gjyqësorit dhe, më tej akoma, e korrupsionit gjithnjë e në rritje brenda institucioneve që ngrenë kultin e së drejtës, ka qenë objekt i bisedave të gjithkujt. Për të ardhur keq është që, më së shumti, përtacia për të protestuar mbi mungesën e shtetit të së drejtës ecën paralelisht me padrejtësitë dhe vendimet e padrejta e të turpshme të dala nga gjyqësori shqiptar.
I gjithë ky sistem është vënë në fokus të studimeve nga juristi Fabian Zhilla gjatë punimit të tezës së tij të doktoraturës në King’s College University of London. Punimi me të cilin ai do të mbronte titullin e PhD vetëm pak kohë më parë është përpjekur të hedh një vështrim më të thellë të analizës mbi fenomenin duke mos u bazuar thjesht mbi perceptimin e atyre që kanë marrëdhënie direkte më gjyqësorin, por edhe ata që i ndjekin çështjet e institucionit të së drejtës në një mënyrë më të distancuar.
Konkluzionet janë mbresëlënëse. Sipas Zhillës, marrëdhënia midis krimit të organizuar dhe gjyqësorit ka qenë permanente përgjatë të gjithë tranzicionit, paçka që dinamika ka njohur ndryshime sipas situatave të ndryshme politike. “Grupime kriminale, të cilat kryejnë dhe aktivitete të ligjshme dhe me lidhje të forta politike, përkrah ryshfetit përdorin dhe influencat e tyre për të emëruar gjyqtarë në gjykatat e larta. Mendohet që krimi i organizuar të ketë arritur deri aty sa të investojë jo vetëm në rekrutimin e gjyqtarëve, por dhe të investojë në diplomimin e tyre. Sot mund të ketë individë me precedent kriminal të cilët janë diplomuar në drejtësi dhe të kanë krijuar marrëdhënie shoqërore me gjyqtarë apo prokurorë të ardhshëm që në bankat e shkollës...”, shprehet ai gjatë një interviste për “JAVA”.

Ju keni mbrojtur një tezë doktorature së fundi në King’s College University of London. Ku konsiston ky punim, shkurtimisht?
Fillimisht do doja t’ju falënderoja për intervistën, por dhe të gjithë ata që bënë të mundur këtë studim, të cilët për arsye etike nuk mund t’i përmend me emër. Një vend të veçantë zënë familja dhe profesoreshat e mia, për mbështetjen e tyre të pakursyer në çdo drejtim. Për t’iu kthyer pyetjes, studimi im lidhet me faktorët e nxitjes së korrupsionit në gjyqësorin shqiptar dhe marrëdhëniet e tij me krimin e organizuar gjatë periudhës së tranzicionit. Nga pikëpamja metodologjike, ky punim u përpoq ta analizonte fenomenin duke mos u bazuar thjesht në perceptimet e shoqërisë, apo dhe gjyqtarëve në mënyrë të përgjithshme, por u rrek ta analizonte atë në mënyrë të thelluar. Kjo u arrit nëpërmjet një kombinimi mbledhjesh të dhënash, si intervistat, kërkimi në arkiva dhe observimi i seancave gjyqësore në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe në të gjithë rajonet e vendit. Për të pasur një konfigurim sa më të qartë analitik, grupi i të intervistuarve ishte i kombinuar. Të intervistuarit nuk ishin vetëm ata të cilët kishin marrëdhënie direkte me gjyqësorin (gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe politikanë), por dhe ata të cilët ndjekin çështjet e gjyqësorit në një mënyrë më të distancuar (akademikë, gazetarë, analistë dhe NGO).

A është korrupsioni në sistemin e drejtësisë një fiksion, apo një realitet i prekshëm? Çfarë rezultatesh konkrete keni nxjerrë në punimin tuaj në këtë aspekt?
Korrupsioni në sistemin gjyqësor tashmë është jo vetëm një perceptim i konsoliduar në shoqëri por dhe brenda vetë radhëve të gjyqtarëve. Dhe në këtë drejtim punimi im nuk sjell diçka të re. Prej vitesh ka punime dhe statistika të nxjerra si nga organizatat kombëtare por dhe ndërkombëtare të cilat e evidentojnë këtë fenomen. Korrupsioni në gjyqësorin shqiptar është ndër më të lartët në rajon. Mbase ajo që punimi im sjell si diçka të re në këtë studim është shtrirja e korrupsionit në gjyqësor dhe arsyetimi për këtë përhapje. Sipas këtij studimi, korrupsioni është më i përhapur në shkallët më të larta të gjykatave, dhe kryesisht në ato gjykata ku volumi i çështjeve civile dhe penale është më i lartë. Ky punim, gjithashtu, cilëson se sot ka një treg informal të “drejtësisë”, ku gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët e korruptuar janë aktorët kryesorë të cilët ndikojnë në çmimin që i është vënë sot drejtësisë. Një konstatim tjetër interesant i këtij punimi ishte dhe përcaktimi i pavarësisë së gjyqësorit. Në përgjithësi, edhe për kapital politik, korrupsioni në gjyqësor lidhet shpesh me ndikimin e ekzekutivit në sistemin gjyqësor. Ndërkohë që ky problem vazhdon të jetë ende një shqetësim, në fakt, pavarësia në gjyqësor sot ndjehet më e kërcënuar nga lidhjet shoqërore dhe familjare. Ky lloj ridimensionimi i pavarësisë së gjyqësorit ka komercializuar dhe marrëdhëniet midis gjyqësorit dhe elitës politike. Gjyqtarët duket të kenë bërë një pakt të heshtur më këtë shtresë, ku të parët shkëmbejnë (trade off) favoret ndaj politikanëve apo dhe aktorëve të tjerë me influencë (media, biznesmen dhe krim i organizuar) me mbrojtjen që marrin prej tyre. Në këtë drejtim gjyqësori ka fituar një farë pavarësie nga elitat, por kjo pavarësi e ka zhytur atë më shumë në korrupsion. Pra, kjo pjesë e korruptuar e gjyqësorit “negocion/tregton” drejtësinë dhe nuk e zbaton/ekzekuton. Kjo lloj sjellje e gjyqësorit është kthyer në “kulturë” dhe shoqëria duket se tashmë është akomoduar me këtë situatë. Ky fakt shpjegon deri diku pse në përgjithësi çdo individ që i drejtohet gjykatave është i prirur të sillet sikur po i drejtohet një tregu – blej dhe shes “të drejtën e tij”. Megjithatë është për t’u cilësuar se sot korrupsioni duket të ketë marrë një përshkallëzim të frikshëm edhe në prokurori dhe polici.

A ka një lidhje mes korrupsionit të sistemit të drejtësisë dhe krimit të organizuar? Nëse po, cilat janë mënyrat se si shfaqet kjo simbiozë?
Korrupsioni është i lidhur ngushtësisht me krimin e organizuar dhe kjo marrëdhënie është shumë evidente në vendet në zhvillim. Nga ana tjetër, është shumë e vështirë që në një vend si Shqipëria, ku mungesa e statistikave tashmë është kthyer në kulturë institucionale, të gjesh të dhëna të shumta për lidhjen midis krimit të organizuar dhe gjyqtarëve të korruptuar. Për më tepër, vetë natyra e korrupsionit në gjyqësor e bën  të vështirë evidentimin e kësaj lidhje. Sidoqoftë, nga të dhënat e studimit tim, marrëdhënia midis krimit të organizuar dhe gjyqësorit ka qenë permanente përgjatë të gjithë tranzicionit, paçka që dinamika ka njohur ndryshime sipas situatave të ndryshme politike. Sot forma më e përhapur e lidhjes midis gjyqtarëve të korruptuar dhe krimit të organizuar është nëpërmjet ryshfetit, në shumicën e rasteve. Duhet cilësuar se tipologjia e krimit të organizuar ka ndryshuar. Dhe kjo përcakton dhe format e marrëdhënies midis tyre dhe gjyqësorit. Grupime kriminale, të cilat kryejnë dhe aktivitete të ligjshme dhe me lidhje të forta politike, përkrah ryshfetit përdorin dhe influencat e tyre për të emëruar gjyqtarë në gjykatat e larta. Mendohet që krimi i organizuar të ketë arritur deri aty sa të investojë jo vetëm në rekrutimin e gjyqtarëve, por dhe të investojë në diplomimin e tyre. Sot mund të ketë individë me precedent kriminal të cilët janë diplomuar në drejtësi dhe të kanë krijuar marrëdhënie shoqërore me gjyqtarë apo prokurorë të ardhshëm që në bankat e shkollës. Ajo që është për t’u evidentuar është se lidhjet midis krimit të organizuar dhe gjyqtarëve të korruptuar sa vijnë dhe sofistikohen.

Nëse do t’ju pyesnin sot, cila është rruga për të ndërtuar një sistem drejtësie të imunizuar nga fenomeni i korrupsionit, cila do ishte përgjigja juaj?
Kjo është një pyetje, përgjigja e të cilës nuk mund të përmblidhet në pak rreshta. Megjithatë ajo që mund të them në vija të përgjithshme është se politikat e luftës ndaj korrupsionit në sistemin gjyqësor janë afatgjata dhe shumë komplekse, për vetë mbrojtjen kushtetuese që gjyqtarët kanë. Është për t’u cilësuar se miratimi i ligjit për Konferencën Gjyqësore dhe rritja e pagave të gjyqtarëve, përcaktimi i një sistemi vlerësimi, janë hapa cilësorë. Megjithatë, reformat duhet të shtrihen në masat parandaluese të korrupsionit, të cilat lidhen me përmirësimin e statusit social të gjyqtarit i cili nuk lidhet vetëm më një rritje rroge. Sidomos kur kjo rritje page mund të luajë rrol fare minimal, duke pasur parasysh vetë vlerat e larta të mitmarrjes në gjyqësor sot. Një rëndësi e veçantë i duhet kushtuar edhe kritereve të pranimit të studentëve në Shkollën e Magjistraturës dhe përgatitjes se tyre, sidomos nga ana etike, por dhe profesionale. Marrja e masave në lidhje me një përzgjedhje sa më të mirë të studentëve të magjistraturës që në “hyrje” në sistem, do ta bënte me të lehtë luftën ndaj korrupsionit brenda gjyqësorit më pas. Është shumë më e vështirë të largohet një gjyqtar kur ai është në sistem. Zgjatja e kohës nga magjistrat në gjyqtar mund të rishikohet. Mbase magjistratët mund të fillojnë si ndihmës gjyqtar për një farë kohe përpara se të marrin detyrën e gjyqtarit. Sot kemi gjyqtarë në moshë shumë të re dhe pa përvojën e duhur jetësore, kur dihet që këto elementë luajnë një rrol të rëndësishëm, jo vetëm në cilësinë e gjykimit, por dhe besueshmërinë e publikut tek gjyqtarët. Ndërkohë duhet parë mundësia që jo vetëm gjyqtarët e shkallëve të larta të kenë asistentë, por dhe ata të shkallëve të para. Me pak fjalë, reforma në gjyqësor, në kontektstin e luftës së korrupsionit, duhet të konsiderojë si faktorët objektiv dhe ata subjektiv, të cilët shtyjnë gjyqtarët të përfshihen në aferave korruptive.

Wednesday, 24 October 2012

Aisha e Nazimja, si duhet të reagojmë

Fabian Zhilla
Kulti i individit ka sjellë dobësimin e presionit shoqëror bazuar në institucionet sociale si familja, lidhjet farefisnore, shoqërore dhe institucionet fetare. Në momentin që morali komunitar në zonat rurale po dekonstruktohet nga efektet e modernizimit, apo izolohet si diçka e vjetër dhe e prapambetur, dhe nuk plotësohet nga një presioni modern konstruktiv (shoqëria civile), apo nuk trajtohet nga pikëpamja kulturore nëpërmjet shkollimit, pasojat janë këto që shohim. Është e disata vrasje me subjekt nderin: ajo e Aishes, por dhe të tjera së fundmi, në një hark të shkurtër kohor në zonat rurale me përmasa tragjike. Forma dhe shkaqet janë shprehje e një frustracioni kulturor që tashmë ka kapur përmasat e tragjedisë dhe po kthehet në fenomen mjaft shqetësues. Pyetja është si duhet të reagojmë, në mënyrë që të adresojmë si duhet problemet sociale pa hapur të tjera?
Protesta e shoqërisë civile në lidhje me aktin mizor ndaj Aishes ishte jashtëzakonisht pozitive, për faktin se më në fund solli një maturim të reagimit shoqëror. Kemi kaluar nga protesta me orientim politik në protesta që lidhen me motive sociale. Dhe kjo formë tashmë po kalon në prirje.
Megjithatë, edhe kjo protestë dhe trajtimi nga opinion publik në media, ishin deri diku të paqarta në adresimin e problemit. Kjo pa dyshim edhe për faktin se ngjarja ishte shumë emocionale. Nuk dilte shumë qartë nëse protestohej ndaj aktit vrasës, apo ndaj aktit të babait që ndihej i ofenduar nga lidhja e së bijës, që kishte ‘cenuar nderin e tij dhe familjes’. Pra shoqëria civile, me të drejtë protestoi ndaj krimit dhe jo viktimës, duke pasur parasysh Aishen. Megjithatë, trysnia mediatike dhe ajo e shoqërisë civile krijoji një viktimë tjetër, që ishte babai i Aishes. Përveç orëve të zgjatura pa shkak në polici, presionit psikologjik, atij i duhej të përballohej dhe me paragjykimin mediatik. Shumë nuk i kursyen dhe steriotipe si ‘taliban’ e të ngjashme. Dikush e pyeste dhe për ngjyrën e fustanit që Aishja kishte veshur atë natë dhe nëse ai do të hakmerrej me Kanun. A mund të quhen dhe këto lloj qasjesh të shoqërisë civile dhe medias në tërësi si akte që nuk dënojnë krimin por viktimën.
Nëpërmjet kësaj proteste, por dhe reagimit mediatik, padashur u krijua një konflikt midis dy faktorëve mjaft të rëndësishëm në parandalimin e krimit në shoqëri, siç janë shoqëria civile dhe institucionet sociale. Ai që ndryshe quhet dhe konflikt kulturor.
Sipas kriminologut të njohur Edwin Sutherland, konflikti kulturor sjell dobësimin e institucioneve sociale aq të rëndësishëm për shoqëritë në tranzicion. Kjo lloj situate i hap rrugë kriminalitetit. Sutherland cilëson se në rast të dobësimit të rolit të mekanzimave tradicionalë në shoqëri, individët kanë tendencën t’i drejtohen akteve të dhunshme për zgjidhjen e konflikteve, dhe kjo sjell krimin. Në vende ku ka një mosbesim të publikut ndaj shtetit situata bëhet dhe më problematike.
Thorsten Sellin, gjithashtu, argumenton që konflikti kulturor është një zhvillim natyral i procesit të diferencimit social për shoqëritë në tranzicion. Por ky i fundit gjeneron një numër të pakufizuar grupimesh sociale, ku secili përkufizon dhe interpreton në mënyrë të pavarur marrëdhëniet njerëzore, duke gjeneruar shpesh injorancë apo dhe keqkuptim të vlerave shoqërore të grupimeve të tjera. Transformimi pra nga një formë kulture homogjene dhe e mirëintegruar në një formë kulture heterogjene dhe të pa integruar, shoqërohet, sipas Sellin, me situata konfliktuale dhe keqkuptimesh. Dhe në rastin konkret kjo mund të rrisë distancimin kulturor dhe konflikt të kodeve të sjelljes midis zonave rurale dhe atyre urbane.
Në ngjarjen e Aishes, shoqëria civile dhe mediat përkufizuan sipas interpretimit të tyre se çfarë është krim dhe viktimë, pa marrë parasysh kontekstin rural të ngjarjes, duke prodhuar një dëm kolateral, ose një farë dënimi kolektiv të të gjithë komunitetit në Xhafzotaj apo të të ngjashmëve.
Në këtë lloj konteksti mbase do duhet që reagimet civile dhe ato të opinionit publik në përgjithësi të jenë më të sofistikuara dhe më të mirorientuara. Një përplasje kulturore në emër të ‘modernitetit’ midis formave urbane të të kuptuarit të marrëdhënieve njerëzore me ato rurale mund të sjellë izolimin dhe margjinalizimin e këtyre të fundit. Kjo do sjellë padyshim një emancipim të çorientuar që i përket konteksteve të tjera kulturale. Modele që po e konfuzojnë më shumë shoqërinë. Pra kodet e sjelljes urbane të transplantuara artificialisht në ato rurale mund të sjellin rritjen e konfuzionit, frustracionit dhe si rrjedhim rritjen e kriminalitetit në këto të fundit.
Një qasje e shoqërisë civile dhe mediave pa marrë parasysh kontekstin rural, mund të sjellë dhe izolimin e formave reaguese në zonat rurale sipas traditave të mira për shkak të paragjykimit. Si në rastin e Nazmije Vishës dhe të Aishe Vatës, komuniteti ishte në dijeni të marrëdhënieve të tyre, por nuk reagonte. Ky fakt tregon se edhe në zonat rurale ka një farë hutimi dhe apatie. Presioni social është deformuar dhe tradita zbatohet dhe interpretohet në mënyre individuale dhe jashtë institucioneve tradicionale shoqërore (familja, lidhjet farefisnore, shoqërore, institucionet fetare, doket dhe zakonet). Gjë të cilën e shohim dhe te gjakmarrja apo hakmarrja. Pra informaliteti ka prekur dhe traditat. Po formohet një individ konfuz, i cili nuk njeh mirë as institucionet moderne, por as ato tradicionale. Në zonat rurale ky fenomen është edhe me alarmant.
Në këtë kontekst, ndërkohë që kemi një avancim mjaft pozitiv të shoqërisë civile në lidhje me reagimin ndaj problemeve sociale, ajo që meriton vëmendje në protesta që lidhen me ngjarje të ngjashme me atë të Aishes është konstruktiviteti i mesazheve që përcillen prej saj. Duhet pasur kujdes nga efektet anësore të këtyre protestave dhe reagimeve mediatike, të cilat mund të sjellin krijimin e steriotipeve, rritjen e frustracionit dhe izolimin kulturor të komuniteteve në zonat rurale. Gjithashtu, duhet treguar vëmendje që këto protesta apo opinioni publik të promovojë integrimin kulturor të këtyre komuniteteve, duke ruajtur kohezionin nëpërmjet rolit të institucioneve shtetërore dhe mbrojtjes së institucioneve sociale dhe traditave të mira.
*Doktorant në King’s College-Britani.http://www.mapo.al/2012/10/23/aisha-e-nazimja-si-duhet-te-reagojme/http://www.mapo.al/2012/10/23/aisha-e-nazimja-si-duhet-te-reagojme/

Tuesday, 3 July 2012

Kur Gjyqësori vepron si “korporatë”





FABIAN ZHILLA
Para disa ditësh, në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Ina Rama bëri një deklaratë gati tronditëse për korrupsionin në Drejtësi, ku siç ajo shprehej, tashmë ky është një “fenomen korporativ”. Ka kohë që organi i Prokurorisë ngre një shqe-tësim gati permanent në lidhje me problemet që has në luftën kundër korrupsionit në Gjyqësor.
Më të spikaturat janë ato që lidhen me pengesat procedurale që sjell imuniteti i gjyqtarëve apo deri diku dhe sjellje gati arrogante të sistemit gjyqësor për t’i marrë seriozisht çështjet që lidhen me korrupsionin e zyrtarëve të profilit të lartë apo dhe të atyre që vijnë nga rrethi i gjyqtarëve. Por në këtë prononcim të fundit, Ina Rama ishte edhe më e drejtpërdrejtë, duke lënë të nënkuptohej se tashmë korrupsioni në Gjyqësor ka marrë përmasa të frikshme, duke u bërë kështu më i organizuar.
Termi “korporativ” në literaturën që lidhet me studimet e korrupsionit në përgjithësi, nënkupton një fazë jashtëzakonisht të avancuar të korrupsionit në një institucion publik. Ai ndodh atëherë kur institucioni, në rastin tonë sistemi gjyqësor, krijon një farë autonomie që vjen si rezultat i ligjit, por dhe i pushtetit që gjeneron vetë institucioni për shkak të funksionit të tij. Ky i fundit e keqpërdor këtë lloj pushteti  për qëllime jo legjitime. Në përgjithësi, kur institucioni publik merr trajtat e një sistemi korporativ, ai funksionon në një mënyrë gati hierarkike dhe të organizuar. Është atëherë kur, në rastin konkret, sistemi gjyqësor mund të kontrollohet nga një elitë gjyqtarësh që kanë lidhje të forta brenda sistemit por dhe jashtë tij, me elitën politike, ekonomike, por dhe atë kriminale. Fatkeqësisht, në Shqipëri, është shpesh e vështirë të dallosh një elitë kriminale nga ajo ekonomike apo politike, ndaj kjo e bën më të lehtë për elitën e korruptuar brenda Gjyqësorit të krijojë lidhjet e ngushta me “aktorët” e duhur jashtë sistemit.
Pra, sistemi korporativ në Gjyqësor mund të ndodhë atëherë kur elita drejtuese e administron atë për interesa të korporatës, e cila merr përsipër të mbrojë punonjësit e saj (gjyqtarët) për qëllime përfitimi të paligjshme në shkëmbim të solidaritetit dhe besnikërisë që këta të fundit i ofrojnë korporatës. Sistemi gjyqësor mund të marrë, pra kështu, përmasat e një korporate private në kuptimin e korrupsionit, në ato raste kur shërbimet publike apo vendimet e gjykatës trajtohen si shërbime private dhe hidhen në treg si të tilla në përfitim të korporatës dhe punonjësve të saj dhe jo në shërbim të publikut. Pra, gradualisht mund të krijohet një kulturë ose një marrëveshje e pashkruar midis anëtarëve të korporatës, të cilët përfitojnë prej saj mbrojtjen në shkëmbim të fitimit të paligjshëm. Kjo sigurisht u sjell “përfitime” të dyja palëve.
Ky lloj dimensioni i frikshëm i korrupsionit në Gjyqësor duket se del qartë nga definicioni që Ina Rama i bëri së fundi termit “korporativ” në deklaratën e saj. Ajo cilëson se “gjyqtarët nuk japin vendime për kolegët e tyre apo dhe për përfaqësues të tjerë të sistemit të Drejtësisë, me logjikën se po dënuan ata, do të dënojnë dhe veten e tyre”.
Në literaturë, ndryshe ky lloj korrupsioni njihet edhe si korrupsion institucional “institutional corruption”. Një ndër karakteristikat më të spikatura të korrupsionit institucional, qoftë ky publik apo privat, është se në pamje të parë veprimet apo masat e tij duken të ligjshme, kur në fakt qëllimi final i tyre është përfitimi jo i ligjshëm. Mbrojtja pra, që sistemi gjyqësor i bën gjyqtarit, është krejtësisht një veprim normal pasi lidhet me mbrojtjen e pavarësisë së Gjyqësorit nga influencat e legjislativit, ekzekutivit apo dhe të elitave kriminale dhe ekonomike. Megjithatë, kjo lloj mbrojtjeje, sipas nënkuptimit të deklaratës së Ina Ramës, duket se ka marrë përmasa kriminale, të cilat e kanë nxjerrë sistemin gjyqësor jashtë funksionit të tij.
Pra, sot është e vështirë të besohet se një gjyqtar që procedohet për korrupsion, të gjykohet i fajshëm nga kolegët e tij, të cilët pluskojnë brenda një rrethi tashmë vicioz korruptiv. Korporatizmi i Gjyqësorit rrezikon të ridimensionojë gjithashtu dhe solidaritetin e gjyqtarëve, të cilët mund të unifikohen jo për të mbrojtur pavarësinë e Gjyqësorit, por për të mbrojtur korporatën dhe punonjësit e saj përballë përgjegjësisë publike, por dhe detyrimit ligjor. Korporatizmi pra rrezikon ta kthejë sistemin e Drejtësisë, fatkeqësisht, në një sistem që legjitimon padrejtësinë. Dhe kjo, pa dyshim sjell humbjen e besimit të shoqërisë ndaj Gjyqësorit dhe e shtyn atë t’u drejtohet formave të dhunshme të zgjidhjeve të konflikteve, duke rritur kështu konfliktin social në shoqëri. Ndaj nuk është më surprizë pse gjakmarrja apo hakmarrja vazhdojnë të jenë ende prezente si në zonat rurale, por dhe ato urbane.
Me pak fjalë, dimensioni “korporativ” tregon se korrupsioni në sistemin gjyqësor sot nuk duket të jetë një korrupsion banal. Ai nuk duket të lidhet thjesht me një ryshfet të rëndomtë apo bakshish, që dikush i jep një gjyqtari meqë ky i fundit i mbaroi një hall. Me sa duket, ai shkon përtej këtyre përmasave. Korrupsioni në Gjyqësor sot duket të lidhet me trajta të mirorganizuara dhe shumë të sofistikuara. Dhe ky konstatim nuk vjen nga një qytetar apo gazetar i thjeshtë, por vjen nga drejtuesja më e lartë e institucionit, direkt përgjegjëse për luftën ndaj korrupsionit, siç është edhe Prokurorja e Përgjithshme.
Përfundimisht, deklarata e fundit e Ina Ramës nënkupton se niveli i korrupsionit në Gjyqësor jo vetëm është rritur, por ai tashmë e ka konvertuar sistemin e Drejtësisë në një sistem që jo vetëm nuk e lufton korrupsionin, por e stimulon atë në formë të organizuar, në një formë “korporative”.


Thursday, 3 November 2011

Tre argumente pro rishikimit të ligjit të ‘plehrave’



Fabian Zhilla

Gazeta Mapo 03-11-2011 12:04

Ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, apo i njohur ndryshe në publik si ligji i ‘plehrave’, risolli edhe njëherë në vëmendje një problematikë që tashmë shfaqet rëndom te ne, siç është edhe amullia ligjore që shpesh shoqëron procese shumë të rëndësishme për zhvillimin social si administrimi i mbetjeve urbane. Neni më i kontestuar i këtij ligji është neni 49, i cili lidhet me importimin e mbetjeve urbane në Shqipëri nga vendet e huaja. Shqetësimi i ngritur është se ky nen është i parakohshëm, pasi vendi ynë nuk jep siguri institucionale dhe ligjore që procesi i mbetjeve urbane do menaxhohet mirë. Do të ishin tre argumentet kryesore pse neni 49 duhet rivlerësuar. Argumenti ligjor, institucional dhe ai që lidhet me sigurinë kombëtare.
I
Aktualisht menaxhimi i mbetjeve urbane është larg standardeve të BE-së. Mjafton t’i referohesh Strategjisë Kombëtare për Mbetjet (SKM), të përgatitur nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit te Ujërave më 25 maj 2010, për të vënë re se Shqipëria, në shumicën e rasteve, praktikon formën e fundit të menaxhimit të mbetjeve urbane në hierarkinë e mbetjeve sipas Direktivës 2008/98/ KE (neni 4) atë të asgjësimit, dhe shumë pak atë të riciklimit.
Sipas SKM, “Sistemi i menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme është shumë i dobët dhe pjesa më e madhe e grumbullimit të mbetjeve kryhet nga sektori privat, gjithashtu edhe impiantet e riciklimit janë në pronësi të sektorit privat. Sigurimi i këtyre aktiviteteve dhe sistemi i menaxhimit janë akoma në fillimet e tyre dhe varen nga disponueshmëria e materialeve të riciklueshme me një cilësi të mirë. Në shumicën e rasteve industria e riciklimit varet nga lëndët e para të riciklueshme që importohen në Shqipëri.” (Paragrafi ndodhet në pikën 1 Administrimi i Mbetjeve në Shqipëri - i gjithë dokumenti nuk ka nr. faqesh në fund). Sipas të njëjtit dokument aktualisht ‘mbetjet e rrezikshme depozitohen në të njëjtin vend me ato të parrezikshme’, edhe pse kjo ndalohet me ligjet aktuale. Shqipëria momentalisht është në një rrezik ekstrem ambiental në shkelje flagrante edhe të ligjeve në fuqi.


Duhet cilësuar se në tërësinë e tij ky projektligj përpiqet të rregulloj menaxhimin e mbetjeve urbane dhe të vendosë standardet e kërkuara nga BE-ja në lidhje me to. Por nga ana tjetër duhet pranuar se neni 49 është evaziv dhe i paqartë. Një ndër ekspertët e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave sqaronte në mënyrë të detajuar se importi i mbetjeve të riciklueshme është përbërës thelbësor për zhvillimin e industrisë së riciklimit (‘Panorama’, 2 nëntor 2011). Dhe për këtë jepte një seri argumentesh. Megjithatë, në asnjë nen të projektligjit nuk e gjejmë fjalën ‘mbetje të riciklueshme’. Projektligji jep një sërë definicionesh për tipet e mbetjeve, por nuk ka në të asnjë për mbetjet e riciklueshme. Nëse ky është një term teknik i fshehur diku midis rreshtave të ligjit, ai duhet t’i bëhet i qartë sa komunitetit të biznesit, por dhe publikut më gjerë në një material shoqërues në formë sqaruese, që ndryshe njihet ‘guidance’.


Nëse i kthehemi nenit 49 vërejmë se shprehja e përdorur është ‘importimi i mbetjeve’ dhe jo ‘importimi i mbetjeve të riciklueshme’. Sipas projektligjit ‘mbetje’ definohet si çdo substancë ose objekt të cilin mbajtësi e hedh ose ka ndër mend që ta hedhë, ose i kërkohet që ta hedhë. Në këtë kontekst, termi ‘mbetje’ është gjithë përfshirës dhe forma sesi neni është ndërtuar mund të lërë hapësira interpretimi për importimin edhe të mbetjeve jo të riciklueshme.

II
Mungesa e infrastrukturës dhe kapaciteteve njerëzore është një tjetër problem që shoqëron problematikën që mund të prodhojë eksportimi i mbetjeve në përgjithësi (kjo sipas nenit aktual). Sipas SKM më sipër, në lidhje me mbetjet urbane, deri në vitin 2010 ishin rreth 60 kompani private që merreshin me riciklimin e mbetjeve, por jo të gjitha të licencuara nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Parimet e tregut të lirë nuk duhen ngatërruar me parimet e një tregu të shthurur. Në këtë drejtim roli negociues i ministrive të linjës është shumë i rëndësishëm, duke u kërkuar fillimisht firmave aplikuese të plotësojnë standardet teknike dhe potencialet njerëzore përpara se të aplikojnë. Është e çuditshme të dëgjosh se këto firma gjenden përballë një situate të vështirë, pasi nuk sigurojnë lëndë të parë për riciklimin e mbetjeve. A nuk duhej marrë parasysh prej tyre ky handicap në tregun shqiptar qysh në krye të herës? Nga ana tjetër, qeveria shqiptare fare mirë mund të jepte me pak licenca dhe t’ua jepte atyre kompanive që mund të siguronin teknologjinë e duhur në këtë drejtim. Nuk duhet të harrojmë se është po problem i ministrive përkatëse apo bashkive që sot qytetarët nuk janë të edukuar me ndarjen e mbetjeve në të ciklueshme dhe të pa ciklueshme. Sot mungojnë kontenierët e veçuar të cilët do t’u mundësonin atyre ta bënin këtë ndarje praktikisht. Kjo mundej fare mirë t’u caktohej kompanive të cilat do të merrnin përsipër menaxhimin e mbetjeve, e cila është një industri goxha fitimprurëse.

Ajo që është shqetësuese dhe që është vënë re në raste projektesh të ngjashme si ajo e minierës së Bulqizës, është se niveli i inspektimeve të ministrive të linjës lë shumë për të dëshiruar. Dhe kjo nënvizon një fakt shumë të rëndësishëm, siç është ai se ky treg është ende i pa rregulluar mirë, duke krijuar kështu hapësira për element korruptiv në procesin e licencimit apo dhënë mundësi përfshirjes së mafies italiane, që njihet tashmë si një ndër ‘investitorët’ më të fuqishëm në këtë biznes. Dhe këtu dalim në argumentin e tretë që lidhet me sigurinë kombëtare.


III
Tashmë përfshirja e mafies italiane në projekte që lidhën me mbetjet urbane dhe ato toksike është kthyer në shqetësim në të gjithë BE-në dhe kjo nuk është më një legjendë urbane apo subjekt i filmave. Ajo që tashmë quhet eko-mafia, ka kohë që është përfshirë në projekte të kësaj natyre. Mafia italiane fiton rreth 20 miliardë Euro në vit nga biznesi i ‘menaxhimit’ të mbetjeve urbane. Këtu duhet sjellë në vëmendje dhe skandali i njohur në Itali në vitin 2008, me emrin skandali ‘Mocarela’, ku sipas analizave të bëra djathit italian më të njohur të picave, ‘mozzarella di bufala’ , u gjetën sasi të larta dioxine dhe kjo si rrjedhojë e qumështit të ndotur nga mbetjet toksike në Campania, Napoli.



Gjurmët e përfshirjes së mafies italiane në këtë lloj ‘biznesi’, duke shfrytëzuar fondet e BE-së, është kthyer së fundi në një shqetësim publik në Rumani. Ndotja në zonat rurale si Glina (Rumani), ku mbetjet urbane janë groposur, është shumë herë më e lartë se edhe në metropolin rumun, Bukureshtin. Sot kompani të ‘njohura’ ndërkombëtarisht në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane dyshohet të kenë lidhje të forta me mafien italiane. Çdo investitor i huaj do të hezitonte të investonte në projekte të cilat lidhen me prodhimet bujqësore, aq oportune për tregun shqiptar, nëse do të vlerësonte riskun ambiental apo dhe riskun e sigurisë kombëtare si rreziqe me një kosto të pallogaritshme. Këto janë risqe që çdo investitor strategjik i vlerëson me përparësi të jashtëzakonshme.







E parë si në pikëpamjen ligjore, institucionale, por dhe në këndvështrimin e mbrojtjes së sigurisë kombëtare, neni 49 i këtij ligji duhet të amendohet. Në të njëjtën kohë, ekzekutivi duhet të nisë një seri inspektimesh dhe të bëjë më transparent dhënien e licencave në lidhje me administrimin e mbetjeve urbane. Lëshimi i licencave në këtë sektor duhet të përfshijë një gamë të gjerë institucionesh të cilat merren me investigimin e krimit të organizuar dhe pastrimin e parave.



Monday, 17 October 2011

Organised crime and judicial corruption in the Western Balkans: Are customary norms playing any role?





Journal of Financial Crime
ISSN: 1359-0790
Online from: 1993
Subject Area: Accounting and Finance
Content: Latest Issue
Latest Issue RSS
Previous Issues
Document Information: Title: Organised crime and judicial corruption in the Western Balkans: Are customary norms playing any role?

Author(s): Fabian Zhilla, (School of Law, King's College London, London, UK)

Citation: Fabian Zhilla, (2011) "Organised crime and judicial corruption in the Western Balkans: Are customary norms playing any role?", Journal of Financial Crime, Vol. 18 Iss: 4, pp.387 - 404

Keywords: Albania, Corruption, Customary norms, Judicial corruption, Law enforcement, Legal personnel, Money laundering, Organized crime, Western Balkans

Article type: Research paper

DOI: 10.1108/13590791111173713 (Permanent URL)

Publisher: Emerald Group Publishing Limited

Acknowledgements: The author thanks Dr Mary Vogel, Reader in Law and Democratic Transformation, School of Law, King's College, for her comments and fruitful suggestions on the structure of the paper and the line of argument. This paper would have not been completed without her commitment and encouragement.

Abstract:

Purpose – The purpose of this paper is to explore the interplay between customary norms and organised crime and consider their implications for judicial corruption.



Design/methodology/approach – This paper analyses the links between judicial corruption and organised crime in the Western Balkans generally, and focuses on the role of customary norms in Albania in particular. The paper takes stock from secondary sources and a series of semi-structured expert interviews with judges, prosecutors, and lawyers in Albania.



Findings – This study explains that the impact of customary norms in the interplay between organised crime and judicial corruption in the Western Balkans generally, and in Albania more specifically, although not frequently used, is real and that it carries significant consequences.



Research limitations/implications – Due to differences among cultures in the Western Balkans, findings based on Albania are suggestive only for similar societies and indicate areas for future research.



Originality/value – The paper demonstrates that mechanisms of customary norms such as vendetta and blood feud killings can neutralise the judiciary and law enforcement agencies when they have been manipulated by organised crime out of their social context for criminal purposes.





Tuesday, 4 October 2011

Reforma në Gjyqësor duhet të fillojë nga Magjistratura



Fabian Zhilla

04-10-2011 11:48
http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla&id=1474

Rreth dy javë më parë (13 shtator) u zhvillua konkursi për pranimin në Shkollën e Magjistraturës për gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm. Si shumë lajme të rëndësishme, por të cilat nuk janë për konsum politik, edhe kjo ngjarje kaloi pa u evidentuar në shtypin e ditës. Në fakt, në vetvete, mosdhënia rëndësi një ngjarjeje të tillë nga opinioni publik është një tjetër tregues i ndjeshmërisë së ulët publike ndaj gjyqësorit.



Për t’iu kthyer problematikës, ka kohë që në qarqet e gjyqtarëve qarkullon ideja se Magjistratura nuk po rekruton juristët më të mirë në vend. Miti se magjistratët janë gjyqtarët më të kualifikuar dhe më të pakomprometuarit në sistem duket se tashmë ka rënë. Nëse dje kishte një shpresë se me futjen e magjistratëve sistemi gjyqësor do të pësonte një ndryshim pozitiv, kjo hipotezë tashmë duket se është vështirë të provohet. Sot më shumë se 1/3 e gjyqtarëve janë magjistrat. Ata kanë mundësi të jenë një masë kritike e mjaftueshme për të dhënë disa sinjale të forta në publik, se gjyqësori ka nisur të përmirësohet. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur, duke ngritur kështu pikëpyetje të mëdha në atë nëse projekti i Shkollës së Magjistraturës ka funksionuar si duhet ose jo.



Raportet e fundit në lidhje me gjyqësorin, siç është Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA ) 2010, tregojnë se besimi i publikut në gjyqësor sa vjen dhe bie. Korrupsioni në gjyqësor shihet të jetë shumë problematik dhe kjo e konfirmuar dhe nga vetë gjyqtarët, sipas të njëjtit vëzhgim. Në raportin analitik të Komisionit të Europës për Shqipërinë në vitin 2010 nënvizohet se gjyqësori ende vuan nga problemet e pavarësisë, transparencës dhe korrupsionit të lartë. Gjithashtu, pritet që edhe raporti i fundit i vlerësimit për marrjen e statusit në Bashkimin Europian (BE) të nënvizojë të njëjtën problematikë.



Ndër shumë faktorë për korrupsionin në gjyqësor, një ndër ta është edhe niveli i ulët profesional, por dhe cilësia e juristëve të rekrutuar për të qenë gjyqtarë dhe prokurorë. Dhe në këtë drejtim roli i Shkollës së Magjistraturës është mjaft kritik, pasi pranimi i juristëve defektozë, si nga pikëpamja profesionale por dhe etike në sistemin gjyqësor, e bën shumë të vështirë largimin e tyre më pas, kjo për vetë imunitetin e zgjeruar që gëzon gjyqtari sot.



Në një shkrim të botuar në Facebook disa ditë ma parë, një ndër konkurrentët e këtij viti për pranimin në Shkollën e Magjistraturës, do ta niste ‘denoncimin’ e tij me fjalët ‘Përshëndetje! "KORRUPSIONI në MAGJISTRATURË ndryshon formë, por jo përmbajtje me KORRUPSIONIN E ADMINISTRATËS PUBLIKE".



Duke qenë se shkrimi është anonim dhe vjen nga dikush që ka një konflikt interesi me problematikën që ngre, sigurisht faktet e paraqitura prej tij duhen marrë me rezervë, por nga ana tjetër kjo s’do të thotë të neglizhohen. Për këtë qëllim po paraqesim vetëm disa nga problematikat e këtij denoncimi, duke shmangur emrat e përveçëm, për të ruajtur kështu etikën gazetareske dhe për t’u dhënë mundësi strukturave drejtuese të Shkollës së Magjistraturës, por edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, të mbajnë shënimet e tyre. Është në detyrën tonë si komentatorë dhe studiues t’u gjejmë ‘veshë’ dhe ‘sy’ problemeve të këtij karakteri, kur ato lihen në heshtje.



‘Denoncimi’ në fjalë nxirrte në pah se në provimin e fundit procesi u shoqërua nga probleme të shumta që linin të kuptohej se ky proces ishte i komprometuar. Aty thuhej se në vlerësimin e tezave të provimit personat e caktuar kishin konflikt interesi, pasi ndër konkurrentët kishte nga ata që kishin lidhje të afërta familjare me vlerësuesit e tezave, si p.sh një vlerësuesi i binte të gjykonte dhe tezat e ‘vajzës dhe nipit të tij’. Një problem tjetër i nënvizuar ishte se për vlerësimin e tezave nuk ishin caktuar ekspertët e fushës. P.sh për teza që kishin të bënin me të Drejtën Kushtetuese ishin caktuar pedagogë të specializuar p.sh në të Drejtën Familjare. Një problem tjetër i ngritur ishte edhe kufizimi i pjesëmarrjes së studentëve konkurrues deri në tri herë dhe jo në mënyrë të njëpasnjëshme (Rregullore e Brendshme e Shkollës së Magjistraturës neni 5). Kjo, sipas ‘denoncuesit’, është diskriminim, në shkelje të Kushtetutës, shkelje e të drejtës themelore të arsimit të lartë dhe studimeve pasuniversitare mbi bazën e aftësive dhe konkurrencës së ndershme.



Duhet përmendur se Komisioni i Vlerësimit i Magjistraturës, i ngritur për provimin aktual, u ka dhënë mundësinë konkurrentëve të skualifikuar të paraqiten dhe të tërheqin përgjigjet dhe procesverbalet e çdo anëtari të komisionit me vlerësimet përkatëse. Gjithashtu, konkurruesve jo fitues u është dhënë e drejta për ankim vetëm për procedurën e provimit. Me pak fjalë, të paktën në dukje, Shkolla e Magjistraturës u ka vënë në dispozicion konkurrentëve të gjitha instrumentet e nevojshme për të verifikuar shqetësimet e tyre. Mbetet për t’u parë sa transparent është ky proces, kur vetë administrimi i provimit duket se ka lënë hapësira serioze për të dyshuar.



Sidoqoftë, ajo që është për t’u evidentuar është se Shkolla e Magjistraturës ka nevojë për një rikonceptim të organizimit të saj, duke filluar që nga procedurat e rekrutimit të stafit pedagogjik, por dhe ndërtimit të kurrikulumit të ‘Trajnimit Fillestar’ (programi 3-vjeçar), por dhe ‘Trajnimit të Vazhdueshëm’. Në politikën e tij arsimore ky institucion duhet të shkëputet nga kontrolli i politikës dhe të krijojë një pavarësi akademike dhe profesionale. Sipas ligjit nr.8136 i vitit 1991, i ndryshuar, me ligjin nr.9414 në vitin 2005, kjo shkollë drejtohet nga Këshilli Drejtues, ku rreth 60-70% e anëtarëve janë funksionarë të zgjedhur duke kaluar nga filtri politik, si p.sh Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm apo funksionarët e zgjedhur nga Ministria e Drejtësisë etj. (Ligji për Shkollën e Magjistraturës neni 6). Vetë drejtori i shkollës zgjidhet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) me propozimin e Këshillit Drejtues të shkollës, duke formuar kështu një qark të mbyllur, ku kriteret e përzgjedhjes, shumë të përgjithshme, i referohen më shumë anës praktike të kandidatit sesa asaj akademike. Duhet pasur parasysh që Shkolla e Magjistraturës në një të tretën e saj ka një dimension akademik, i cili duke parë nivelin e ulët profesional të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të nënvizuar thuajse në çdo raport ndërkombëtar, ka nevojë të zgjerohet.



Përveç një pavarësie institucionale, Shkolla e Magjistraturës duhet të rishikojë kriteret e përzgjedhjes së pedagogëve të brendshëm por dhe të jashtëm. Nuk është ende e qartë nëse stafi pedagogjik i zgjedhur përfaqëson juristët më cilësor ndër juristët shqiptarë. Sot ka shumë akademikë shqiptarë të cilët kanë doktoruar në universitete mjaft prestigjioze në Perëndim, të cilët mundej fare mirë të ishin pjesë e stafit në mënyrë të përhershme apo dhe të pjesshme. Këtu duhen përfshirë edhe ekspertë të cilët kanë një eksperiencë të konsiderueshme pune në institucionet ndërkombëtare.



Kriteri i gjuhëve europiane është një tjetër mungesë e rëndësishme për stafin pedagogjik. Nëse është bërë një hap cilësor te studentët, ku gjuhët si anglishtja dhe frëngjishtja janë futur si kriter pranimi vetëm në provimin e këtij viti, ky kriter duket se nuk figuron për pedagogët e brendshëm apo dhe të jashtëm (Rregullore e Brendshme e Shkollës së Magjistraturës neni 5). Duhet pasur parasysh që për të gjithë magjistratët e sotëm, gjyqtarë dhe prokurorë aktualisht në sistemin gjyqësor, kriteri i gjuhës së mësipërme ka munguar, duke krijuar kështu një handikap të rëndësishëm në përgatitjen e tyre profesionale në lidhje me trendin e zhvillimit të së drejtës shqiptare drejt harmonizimit më të drejtën evropiane, por dhe atë ndërkombëtare me gjerë. Nga ana tjetër edhe kriteri aktual i gjuhës nuk përcakton nivelin e notës apo nuk specifikon llojin e testit kombëtar apo ndërkombëtar.



Për më tepër, është e pakuptueshme pse një gjyqtar apo prokuror nuk ka nevojë të konkurrojë për t’u pranuar si pedagog (Ligji për Shkollën e Magjistraturës neni 8), kur dihet fare mirë se sot standardet e eksperiencës praktike në gjykata lënë shumë për të dëshiruar. Tashmë dihet se gjyqtarët dhe prokurorët në praktikën e tyre të punës zhvillojnë më shumë aftësi të karakterit praktik sesa akademik apo analitik.



Një tjetër element që kjo shkollë duhet të rishikojë në mënyrë urgjente, është kurrikulumi dhe materialet mësimore të përdorura aktualisht. Shumë gjyqtarë pranojnë se tekstet e përdorura janë po ato të përdorura në fakultetin juridik shtetëror dhe magjistratët thjesht bëjnë një rifreskim mekanik në mënyrë të përshpejtuar të dijeve të marra në shkollën e lartë. Literatura e përdorur është e pa përditësuar dhe në shumë libra të saj ilustrimet i referohen shembujve të marra nga një kontekst tjetër juridik, siç ishte ai i periudhës komuniste. I njëjti shqetësim është edhe me pedagogët të cilët i përkasin një metodologjie dhe arsimi tashmë të vjetruar për kohën.



Edhe vetë programi i ‘Trajnimit të Vazhdueshëm’ duket se ka humbur eficencën e tij. Në kushtet kur KLD nuk i jep peshën e duhur trajnimeve apo progresit profesional në lidhje me promovimet, kjo ka bërë që gjyqtarët dhe prokurorët të humbur interesin. Shpesh edhe cilësia e trajnimit të ofruar është jashtë kontekstit dhe nuk u përgjigjet kërkesave të gjyqtarëve, pasi këto programe nuk mbështeten mbi analiza dhe statistika studimore. Shkolla e Magjistraturës duhet të ngrejë një departament kërkimor i cili duhet të merret me sondazhe dhe kërkime të vazhdueshme në bashkëpunim me gjyqtarët, prokurorët por dhe avokatët, në lidhje me atë se çfarë janë nevojat e tyre dhe çfarë aftësish kanë nevojë të përditësohen. Shpesh trajnuesit janë nën nivelin dhe eksperiencën e gjyqtarëve.



Nga ana tjetër, Shkollës së Magjistraturës i mungon një program i qartë në lidhje me zhvillimin e aftësive kërkimore, aq të rëndësishme për gjyqtarët dhe prokurorët e një shteti që aspiron t’i përshtatet një konteksti juridik shumë të larmishëm, siç është ai i BE-së. Sot çdo shkollë normale juridike në Perëndim ka në kurikulumin e saj metodologji kërkimore si lëndë të detyrueshme. Këto lëndë trajtohen sipas shkallës së formimit që nga arsimi i lartë deri në programet pas universitare apo dhe ato të një natyre specifike. Është e vështirë të imagjinohet që gjyqtarët shqiptarë, të cilët do marrin nesër kompetencat e një gjyqtari europian, t’i përgjigjen me profesionalizëm sfidave juridike të këtij standardi (BE) pa pasur aftësitë e duhura kërkimore. Edhe në lidhje me të Drejtën Europiane sot si teksti por dhe niveli i mësimdhënies kanë nevojë të shihen.



Dhe përfundimisht, Shkolla e Magjistraturës duhet të analizojë me kujdes mënyrën e provimit të pranimit. Disa sugjerime mund të ishin rifutja e provimit me gojë, verifikimi më i kujdesshëm i integritetit të kandidatëve dhe rritja e kritereve që lidhen me aftësitë kërkimore dhe analitike. Aktualisht, nga 450 pikë të mundshme eseja vlerësohet vetëm me 40 pikë dhe testi i inteligjencës me 30 pikë. Pjesën më të madhe e zë ana teorike me 350 pikë (Rregullore e Brendshme e Shkollës së Magjistraturës neni 10). Procedura e administrimit të provimit duhet të jetë gjithashtu më transparente, duke përfshirë në proces dhe personalitete jashtë stafit akademik të përhershëm por dhe atij të jashtëm. Një formë mund të ishte vlerësimi i provimeve nga dy komisione të pavarura. Rritja e transparencës, por dhe përfshirja e sa më shumë ekspertëve të tretë në procesin e vlerësimit, do të shmangte mundësitë e korrupsionit apo ndërhyrjeve informale.



Duhet cilësuar se në fillimet e saj Shkolla e Magjistraturës solli një hap cilësor në ngritjen profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke sjellë një frymë të re në stilistikën e argumentimit të çështjeve ligjore. Por tashmë duket se kjo strukturë arsimore është konsumuar dhe nuk po i përgjigjet më sfidave të kohës. Shqetësimi i ngritur është se edhe ky institucion, si shumë të tjerë në Shqipëri, ka filluar të pësojë një erozion i cili rrezikon ta dëmtojë seriozisht që në gjenezë sistemin gjyqësor. Për këtë qëllim reformat në gjyqësor duhet të përfshijnë dhe Shkollën e Magjistraturës. Një mungesë vëmendjeje ndaj këtij institucioni do të bënte që, siç do të thoshte një gjyqtar, ‘të binte dhe kalaja e fundit e gjyqësorit’.



*Doktorant King’s College-London.



Monday, 19 September 2011

Mbrojtja e Gjyqtarëve, jo vetëm fizike

Gazeta Mapo
Shkruan:  Fabian Zhilla

19-09-2011 10:51

Vrasja e gjyqtarit Konomi risolli në vëmendje edhe njëherë dobësinë e shtetit përballë krimit të organizuar, por nga ana tjetër tregoi edhe njëherë sesa i pambrojtur është gjyqësori shqiptar. Në përgjithësi kjo vrasje e kanalizoi problemin te mungesa e sigurisë fizike të gjyqtarëve. E gjithë polemika publike duket se është fokusuar në këtë drejtim. Por a e zgjidh vetëm siguria fizike problemin e mbrojtjes së gjyqtarëve?



Në fakt kjo ngjarje e dhimbshme rikonfirmoi se gjyqtarët janë krejtësisht të ekspozuar ndaj krimit të organizuar. Kjo problematikë vërehet në vonesën e zbardhjes së çështjeve të kësaj natyre, duke pasur parasysh këtu vrasjen e deputetit Xhindi, të pazgjidhur tashmë që nga viti 2009. Ka kaluar më shumë se një javë nga vrasja e gjyqtarit Konomi dhe akoma nuk ka një pistë apo emra konkret të dyshuar për krimin.



Një tjetër tregues negativ në lidhje me mbrojtjen e gjyqtarëve është dhe reagimi i vakët institucional dhe publik ndaj një fenomeni të tillë. Ndërkohë që opinion publik ka qenë mjaft aktiv, ai institucional lë shumë për të dëshiruar. Ashtu siç tashmë është kthyer në modë, në raste vrasjesh të tilla, deklaratat post mortum të qeveritarëve, me një refren të huazuar nga fushatat elektorale, thjesht ngelen boshe dhe pa substancë. Akoma më patetike janë dhe deklaratat e njëpasnjëshme të aktorëve me lidhje të drejtpërdrejtë me gjyqësorin, si Presidenti i Republikës, ministri i Drejtësisë, dhe zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD). Nga ana tjetër, edhe më skandaloz është reagimi i vetë komunitetit të gjyqtarëve. Përveç një reagimi të kuruar mirë teknikisht të Kryetarit të gjykatës së rrethit Vlorë, ende nuk kemi një reagim të Kryetares së Konferencës së Gjyqtarëve, si një ndër forumet më të larta përfaqësuese të gjyqtarëve. Ky lloj reagimi apatik i vetë aktorëve të prekur drejtpërsëdrejti nga kjo ngjarje tregon se gjyqësori shqiptar fatkeqësisht ka kohë që është lënë në mëshirë të fatit.



Në fakt kjo sjellje u duk edhe në mbledhjen e fundit të KLD-së, kryetar i së cilës është President i Republikës dhe ku një ndër anëtarët e saj është dhe ministri i Drejtësisë. Sipas asaj që raportohet në media rreth kësaj mbledhjeje, KLD ka vendosur se duhet ‘kërkuar më shumë siguri për jetën e gjykatësve’, pasi në një vit e gjysmë rreth 10 gjyqtarë kanë kërkuar mbrojtjen e jetës dhe 15 janë kërcënuar fizikisht (Gazeta ‘Shqip’ 17 shtator 2011). Dhe për të arritur deri në këtë vendim, KLD-së do t’i duhej që një gjyqtar të vritej në mënyrë spektakolare nga krimi i organizuar, për të kuptuar që gjyqësori ka nevojë të mbrohet.



Si duket, KLD-së nuk i ka mjaftuar fakti se për rreth 20 vite shumica e gjyqeve në gjykatat kryesore si ajo e Tiranës dhe Durrësit zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve dhe ku ata kanë një ekspozim të drejtpërdrejtë me palët. Pothuajse çdo raport vëzhgimi nga ndërkombëtarët në mënyrë të përsëritur e ka vënë në pah këtë lloj problematike. Sot gjyqtarët mundet fare lehtë të ofendohen, por dhe sulmohen fizikisht gjatë apo jashtë seancës gjyqësore, pa pasur asnjë mundësi sigurie fizike.



Akoma dhe me problematike është situata me ata gjyqtarë që detyrohen të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin. Në mungesë të një transporti të veçantë për këtë kategori gjyqtarësh, dhe në mungesë të fondeve në këtë drejtim, shumica e tyre përdor transportin publik, ku nuk është çudi të ndajë rrugën me familjarët apo miqtë e dikujt që e ka dënuar më burgim të përjetshëm.



Nga ana tjetër, ta përkufizosh sot sigurinë e gjyqtarëve vetëm në sigurinë e tyre fizike, është jo vetëm jo profesionale por tallëse. Mbase siguria fizike e tyre mund të renditet si një ndër pikat e fundit në listën e gjatë të problemeve që lidhen me sigurinë e gjyqtarëve. Gjyqtarët fillimisht janë të pasiguruar nga klasa politike, e cila prej 20 vitesh u cakton një buxhet qesharak, i cili nuk kalon 1% të buxhetit të shtetit. Rrogat e gjyqtarëve shqiptarë, sipas një raporti vlerësimi të Transparency International 2011, janë më të ulëtat në rajon. Një gjyqtari shqiptar sot nuk i ofrohet as siguria sociale që u afrohet atyre dhe në vende të ngjashme me problematikat tona si Argjentina, ku gjyqtarëve u ofrohen kredi të buta, bursa studimi për familjarët, asistencë dhe asistenca profesionale. Edhe në vende si Gana apo Kenia statusi i gjyqtarit është më i lartë se në Shqipëri, vend ky i yni dhe anëtar i NATO-s.



Siguria e gjyqësorit nuk duhet nisur thjesht nga siguria fizike, por nga sigurimi i një statusi dinjitoz social në shoqëri. Kjo do t’u mundësonte gjyqtarëve shqiptarë komfortin e duhur për dhënien e drejtësisë dhe fitimin e respektit dhe mbrojtjes nga shoqëria. Një status social i garantuar do të konsolidonte sistemin gjyqësor, duke i dhënë atij mundësinë për të qenë më efikas ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.



Me pak fjalë, siguria e gjyqtarëve nuk fillon me sigurinë fizike të tyre, por mbase mbaron me të. Siguria e gjyqësorit duhet të jetë një reformë e cila duhet të fillojë që nga rritja e profesionalizmit, përmirësimi i infrastrukturës, rritja e rrogave, promovimi i bazuar në meritokraci, dhe siguria fizike. Kjo paketë masash duhet të shoqërohet me qëndrime sa më aktive të organizmave përfaqësues në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të gjyqtarëve, si Konferenca e Gjyqtareve apo dhe dy shoqatat joqeveritare përkatëse. Në mungesë të një reforme të thellë në lidhje me gjyqësorin, rritja e sigurisë fizike nuk do të arrijë t’u sigurojë dot gjyqtarëve mbrojtjen e duhur nga krimi i organizuar dhe jo vetëm.


http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla &id=1414

Monday, 18 July 2011



Tuesday, 31 May 2011

Zgjidhja: Rikthimi nga Republikë “Kryeministrore” në Parlamentare


http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla&id=1030


Fatkeqësisht, vëmendja e forcave politike për trazirat post-zgjedhore është fokusuar vetëm te vendimi përfundimtar i Kolegji Zgjedhor në lidhje me Tiranën. Megjithatë, ky nuk është aspak problemi kryesor, por thjesht një ndër pasojat e shumta. Sot problemi kryesor janë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Opozita duhet të iniciojë një aksion politik dhe të kërkojë rishikimin e Kushtetutës dhe përmirësimin e saj, të paktën në cilësinë juridike të vitit 1998. Çfarëdolloj aksioni tjetër opozitar do të ishte i komprometuar politikisht dhe do të ishte thjesht demagogjia e radhës.


Në fakt problematika e ndryshimeve kushtetuese nuk është e re. Polemikat në lidhje me pasojat e jashtëzakonshme, në kuptimin konstitucional por dhe për handikapet politike që ato do të prodhonin, janë trajtuar qysh në krye të herës. Ndryshimet e kryera në vitin 2008 u miratuan me 115 vota pro dhe 17 vota kundër. Ndër të tjera, kryeministri Berisha do të shprehej se ‘ndryshimet në Kushtetutë do të shmangin, njëherë e përgjithmonë, krizat në Shqipëri’ ndërsa Ilir Meta nënvizonte se këto ndryshime nuk do të prodhonin gjë tjetër, por ‘Kushtetutën Sali-Rama’. Rama, duke i kthyer përgjigje Metës, e konsideronte çështjen e ndryshimeve kushtetuese një ‘çështje të mbyllur...[pasi votimi nga Parlamenti] është shprehje e popullit sovran’. Por, siç e gjithë historia politike nga viti 2009 e në vazhdim tregon, krizat politike nuk janë shmangur dhe kjo çështje jo vetëm që nuk është mbyllur, por sa vjen dhe shpërfytyrohet më tej.


Pse ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dështuan të shmangin destabilizimin politik, duke tronditur rëndë edhe atë stabilitet politiko-juridik të krijuar nga kjo Kushtetutë deri në vitin 2008? Përgjigjja është e thjeshtë: ato e çdemokratizuan sistemin qeverisës, duke e kthyer atë nga një republikë parlamentare në “republikë kryeministrore”. Të dyja palët, dhe kryesisht Partia Socialiste, nga ku kishin burimin propozimet, kanë përgjegjësi të padiskutueshme ligjore dhe politike. Ato u nisën thjesht nga interesa të ngushta partiake, pakti i të cilave ishte që pushteti absolut do t’i transferohej asaj force politike që do të merrte shumicën. Gjë e cila rezultoi të jetë fatale për socialistët si “pësonjës” dhe, mbi të gjitha, për demokracinë në Shqipëri.


Cilat ishin pra, këto ndryshime që e shndërruan regjimin qeverisës nga parlamentar në “kryeministror”?


Së pari, ndryshimi i vetë sistemit zgjedhor nga një sistem miks në proporcional rajonal, duke i ligjëruar kryetarit të partisë mundësinë për të propozuar listën emërore të deputetëve në listat zgjedhore. Kjo manovër rriti autoritetin e kryetarit të partisë dhe prishi balancat demokratike brenda saj, duke i dhënë de jure këtij të fundit (pasi kryetarët e partisë dhe me sistemin miks e kishin këtë kontroll de fakto) rol gati monarkik në parti. Kjo lloj qasje bie në kundërshtim edhe me nenin 9/1 të Kushtetutës, i cili parashikon që ‘Organizimi i tyre (partive politike) duhet të përputhet me parimet demokratike’. Pra, fuqizimi i pushtetit të Kryeministrit të ardhshëm filloi që në qelizë, që në partinë e tij politike.


Së dyti, forcimi i rolit të Kryeministrit filloi brenda legjislativit dhe për këtë, qeverisja e tij, duhet të sigurohej në dy aspekte; a) qoftë nga ndonjë ndryshim i papritur brenda grupit të shumicës së tij parlamentare apo dhe b) nga ndonjë goditje frontale që mund t’i bëhej atij nga opozita. Për të shmangur këto dy momente u ndryshuan nenet 104 dhe 105.


Në nenin 104 Kushtetuta kishte krijuar një mekanizëm parlamentar (mocionin e besimit), ku Kryeministri në raste pakënaqësie, provonte apo testonte legjitimitetin e tij në Kuvend. Neni 104, i pandryshuar, vinte në rrezik çdo tentativë të Kryeministrit për të testuar veten, pasi, në rast se nuk miratohej, qeveria e tij rrëzohej dhe Presidenti emëronte një kryeministër të ri. Kjo e bënte Kryeministrin shumë vulnerabël në raste krizash politike, pasi balancat brenda koalicionesh mund të ndryshoheshin shpejt. Kujtojmë se ndër 17 deputetët që kundërshtuan ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, 9 prej tyre ishin të koalicionit të djathtë. Ky mekanizëm kontrolli i Kuvendit mbi Kryeministrin dhe qeverinë, është element i mirënjohur në sistemet e qeverisjes të republikave parlamentare. Në fakt, neni 104, i ndryshuar, e deformoi këtë mekanizëm duke e kthyer në armën më të fortë të Kryeministrit, si ndaj deputetëve të tij ashtu edhe ndaj aleatëve të vegjël. Ndryshimet kushtetuese, në mënyrë të paprecedentë për një republikë parlamentare, i dhanë kompetencën Kryeministrit për të shpërndarë Kuvendin. Konkretisht, Kryeministri, në rast se do të dojë të provojë besimin e tij në Kuvend, dhe nuk votohet/pëlqehet nga më shume se gjysma e gjithë deputetëve (71 deputetë), është ai që brenda 48 orëve i kërkon Presidentit shpërndarjen e Kuvendit. Pra, ky mekanizëm parlamentar nga një instrument kontrolli i Kuvendit ndaj Kryeministrit është kthyer në një instrument kontrolli të tij ndaj Kuvendit.


Neni 105 ka të bëjë me mocionin e mosbesimit dhe është një mjet i cili zakonisht u krijon mundësi koalicioneve opozitare për të kontrolluar ose balancuar pushtetin qeverisës. Nëse në rastin e parë opozita ishte në pozicion pasiv, mocioni i mosbesimit e vë atë në pozita aktive, duke shmangur mundësinë e varësisë ndaj aksioneve politike të Kryeministrit. Sipas nenit 105, para ndryshimeve, nëse mocioni i mosbesimit i paraqitur nga një e pesta e deputetëve miratohej nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri bashkë me qeverinë binte, dhe Kuvendi në një fazë të dytë, brenda 15 ditëve, zgjidhte një Kryeministër tjetër. Në nenin 105, të ndryshuar, kjo mundësi është zhdukur, duke përfshirë dy fazat e mësipërme politiko-juridike krejt të veçanta, në një të vetme. Sipas ndryshimeve, propozimi për mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit dhe qeverisë së tij, është bashkuar me propozimin për Kryeministrin e ri. Pra, ‘Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri’. Bashkimi i të dy proceseve, krejtësisht të ndarë para ndryshimeve kushtetuese, në një të vetëm, në fakt, e neutralizon mocionin e mosbesimit si mekanizëm parlamentar për të rrëzuar një qeveri, si dhe mandej për t’i lënë kohë Kuvendit, 15 ditë, për të krijuar një tjetër mazhorancë, sepse ajo gjë i kërkohet atë ditë, madje me të njëjtin votim. Nga ana tjetër, kjo është e pamundur të kryhet, si juridikisht ashtu edhe politikisht, në të njëjtin Kuvend, pasi, siç e përmendëm dhe më sipër, Kryeministri ka të drejtën që të kërkojë një mocion besimi (qoftë me parë, qoftë edhe atë ditë), dhe nëse ai nuk miratohet nga më pak se gjysma e deputetëve, atëherë Kuvendi shpërndahet automatikisht. Siç shikohet, pas ndryshimeve kushtetuese, edhe me këtë instrument juridik, nuk është Kuvendi që kontrollon Kryeministrin por, çuditërisht për një republikë parlamentare, është Kryeministri që e kontrollon atë, madje duke pasur mundësinë edhe për ta shpërndarë.


Së treti, këtyre ndryshimeve iu shtuan edhe ndryshimi i nenit 87, që lidhet me zgjedhjen e Presidentit duke dobësuar një tjetër mekanizëm kontrolli të opozitës ndaj Kryeministrit. Kështu, në rast se opozita nuk bie dakord për zgjedhjen e Presidentit, shumica mund ta zgjedhë atë me shumicë të thjeshtë votash. Ndryshimi i këtij neni jo vetëm solli dobësimin e kontrollit të legjislativit ndaj ekzekutivit, por eliminoi edhe një “valvul shkarkuese” që mbetej për bashkëpunim politik midis shumicës dhe opozitës, sepse qeveria mund të rrezikohej me anën e zgjedhjeve të parakohshme, nëse nuk arrihej në zgjedhjen e Presidentit konsensual. Ndërsa më parë, Presidenti duhet të zgjidhej me 84 deputetë, ndryshe Kuvendi shpërndahej, tani mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë (71 deputetë). Pra, ai numër votash që i duhen qeverisë që të qeverisë. Pas zhdukjes nga Kushtetuta të të gjithë këtyre instrumenteve për të kontrolluar qeverinë, ajo çfarë i ka mbetur sot opozitës është vetëm të pengojë votimin e cilësuar për disa ligje specifike sipas nenit 81 të Kushtetutës. Në këtë situatë, ky mekanizëm, duke qenë i vetmi mjet bllokues politik për opozitën, në fakt s’bën gjë tjetër, veçse shkatërron funksionin legjislativ të Kuvendit.


Me pak fjalë, opozita duhet të angazhohet për rikthimin e sistemit qeverisës shqiptar nga një “republikë kryeministrore” në republikë parlamentare. “Republika kryeministrore” e instaluar sot në Shqipëri, nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ka shkatërruar jo vetëm parimin e “kontrollit dhe balancimit midis tre pushteteve”, por ka ‘minuar’ tërësisht edhe themelet e shtetit të së drejtës. Për ta kryer këtë mision, Opozita duhet të ulet, në negociata me shumicën, me propozime konkrete. Përfundimisht, nëse ky sistem kushtetues nuk ndryshon, opozita e sotme por dhe ajo e nesërmja, nuk ka asnjë mundësi për të bërë një opozitë institucionale, dhe si rrjedhim format e saj do të ngelen primitive, pa rezultat, dhe aspak të denja për një vend që aspiron integrimin europian.

Tuesday, 22 March 2011

OMGJ-të politike dhe zgjedhjet vendore në Tiranë

Shkruan:
Fabian Zhilla
22-03-2011 17:03

OMGJ-të politike dhe zgjedhjet vendore në Tiranë

http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fabian Zhilla&id=791

Mënyra e zgjedhjes së kandidatëve për drejtimin e Tiranës është një tjetër tregues i kontrollit patriarkal të partive politike, i cili shprehet dhe në institucionet publike, qofshin ato në nivelin qendror por dhe lokal. Në kushtet e një normaliteti politik, kandidaturat për drejtimin e Tiranës nga të dy krahët do të duhet të ishin ndryshe për një vend që aspiron Bashkimin Europian. Edhe kësaj here kandidaturat janë një konstrukt personalitetesh që ndërthuren në interesa politike dhe shumë pak në ato komunitare. Me pak fjalë, komunitetit tiranas i ngelet të shohë që do të drejtohet përsëri nga individë me staturë më shumë politike sesa administrative. Tirana edhe në mandatin e ardhshëm do të administrohet më shumë për interesa politike sesa për interesa lokale. Ky lloj formati/drejtimi i panatyrshëm i ngjan një OMGJ (organizma të modifikuar gjenetikisht), e cila të gënjen me formën dhe substancën e saj. Ai është plot look, por pa shije dhe si rrjedhim pa asnjë vlerë ushqyese dhe ndërtuese. Ai rrezikon ta shformojë edhe më tej konceptin e drejtimit e Tiranës nga drejtimi i një qyteti/ metropoli vlerash në një konstelacion interesash politike dhe biznesi. Tirana, pra, ka kohë që është kthyer në një habitat politik më shumë sesa në një ambient civil dhe qytetar. Ky qytet ka një amnezi të thelle në lidhje me një administrim lokal, i cili mendon për qytetarin dhe jo për politikën e ditës. Me kandidaturat e shfaqura aktualisht, tërësisht politike nga të dy krahët, Tirana, në çdo rast, është e destinuar të ngelet ‘qytet-kolateral’, i cili përdoret për të garantuar borxhet politike dhe borxhet e lobit të biznesit. Tirana tashmë është një qytet i cili qëndron peng në bankën e politikës dhe ku në çdo zgjedhje, politike apo vendore, nxirret në ankand. Një kulturë kjo e instaluar tashmë me shumë sukses nga drejtimi OMGJ-ist i Edi Ramës, që me shumë gjasa do të vazhdojë të funksionojë si i tillë në të dy rastet, si nga të majtët, por edhe në rast se ky qytet do të fitohet nga të djathtët. Ky lloj konstatimi shqetësues shihet qartë në shumë analiza që bëhen sot në media, dhe me të drejtë.

Pse kaq skeptikë? Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, sepse sot ka një denatyralizim të koncepteve të funksionimit politik në kontekstin lokal, por dhe në mënyrën sesi zgjidhen kandidatët në këtë kontekst. Hobsi, Loku dhe Ruso do të trembeshin teksa shikonin sesi konceptet e tyre të ‘kontratës sociale’ zbatoheshin në vende si Shqipëria. Në vend që këto ‘kontrata’ kandidatët përkatës t’i lidhnin me qytetarin, ata i lidhin me lidershipin e tyre. Në zgjedhjet vendore të radhës në Tiranë, megjithëse dinamika është pak e ndryshme, thelbi është po i njëjtë - jo natyrshmëria e kandidatëve.

Në rastin e kandidatit të djathtë, ka dy elemente të panatyrshme në figurën e tij. Së pari, karriera e tij politike është e katapultuar nga lidershipi aktual që drejton të djathtën, duke bërë që ai të mos ketë lidhje të fortë më strukturat bazë të forcës politike që ai përfaqëson në nivel lokal. Kjo bën që ai të ketë mangësi në njohjen e problemeve të komunitetit. Ministri Basha nuk ka qenë drejtues i strukturave lokale që lidhen me Tiranën, duke filluar që nga forumi rinor dhe deri te dega e PD-së për Tiranën. Edhe funksionet e tij administrative kanë qenë të nivelit qendror, duke drejtuar ministritë më të mëdha të vendit, siç janë ato të Transporteve apo, së fundi, Ministria e Brendshme. Në këtë kuptim, ministri Basha, me gjithë avantazhet që mund të paraqesë individualisht, është një kandidaturë jo fort e përshtatshme, pasi është tërësisht politike dhe jo me eksperiencë administrative të nivelit lokal. Karriera e tij është shumë e shkëputur nga çështjet thelbësore të komunitetit kryeqytetas në përgjithësi dhe me administrimin lokal në veçanti. Së dyti, ka dhe një tjetër element jo të natyrshëm në këtë kandidaturë, siç është dhe karriera politike e zhvendosur nga lart poshtë, pra nga qeverisja qendrore në atë lokale. Zakonisht, eksperiencat politike ndërtohen duke ndjekur një qasje të kundërt, ku individë të cilët kanë qenë të suksesshëm në administrimin lokal kalojnë në atë qendror. Pra kandidatura e Bashës, në fakt, është një kandidaturë OMGJ, e cila duket të jetë më shumë në funksion të lidershipit të pozitës sesa qytetarit. Pra, kjo kandidaturë nuk është një sjellje e cila premton administrim origjinal, të pavarur dhe me interesa të cilat lidhen vetëm me komunitetin tiranas, por një kandidaturë tërësisht politike dhe mbi këto premisa do t’i ndërtojë edhe politikat e zhvillimit.

Përsa i përket kandidaturës së majtë, analiza është edhe më e thjeshtë. Nëse në rastin e të djathtëve kandidati është OMGJ politike e Berishës, kandidatura e Edi Ramës është OMGJ e ‘berishizmit’. Edhe Rama erdhi në drejtimin e Tiranës pak a shumë në të njëjtën formë që po promovohet dhe Basha. Rama, sikurse Basha, u katapultua politikisht. E filloi karrierën në institucionet qendrore për të zbritur më pas në drejtimin e baskisë, duke e kthyer atë në një burim personal të forcës së tij politike. Duke e përdorur Tiranën si mekanizëm politik, Rama arriti të shartojë disa pushtete në një pushtet të vetëm, siç është dhe drejtimi politik si në nivel lokal por dhe qendror. Ai sot drejton opozitën e bashkuar -në kuptimin politik qendror-, por drejton dhe bashkinë më të madhe në vend -në kuptimin lokal. Kjo lloj kulture hibride, ku administrimi lokal përzihet me atë politik, rrezikon të kthehet në traditë dhe imitohet edhe nga drejtues lokal të tjerë, siç edhe ka filluar.

Pra, formati qeverisës i Ramës është krejtësisht i panatyrshëm për shoqëri që ndërtohen mbi parimin e ndarjes së pushteteve. Mbajtja dhe kontrolli i disa pushteteve nga një individ, e bëjnë Edi Ramën kandidatin më të panatyrshëm tashmë për të riadministruar Tiranën. Edhe beteja elektorale e Ramës i ngjan me shumë betejës për zgjedhje politike sesa atyre lokale, duke demonstruar kështu që ai ka kohë që nuk është më kryebashkiaku i Tiranës. Nuk mund të pretendohet që e gjithë fushata elektorale për zgjedhjet lokale të mbështetet vetëm në shkaqe politike. Administrimi lokal lidhet mbi të gjitha me faktorë të tjerë socialë dhe ekonomikë, të cilët kanë të bëjnë me problemet urbane. Tirana gjithnjë e më shumë po i ngjan lagjeve të tipit China-town, me shumë ngjyra, por të asfiksuara në infrastrukturë dhe të shkatërruara nga ana ambientale. Dhe për këtë Edi Rama nuk mund të akuzojë askënd. Mentaliteti totalitarist i frikës së pushtetit dhe pasigurisë që fatkeqësisht duket se e ka karakterizuar Ramën në riparaqitjen e tij për të disatën herë si kandidat për Tiranën, nuk e bën atë aspak më të ndryshëm nga ‘berishizmi’. Rama ndjek të njëjtin mentalitet qeverisjeje me Berishën, por në nivel lokal dhe partiak. Pra, fatkeqësisht, edhe rikandidimi i Ramës nuk është gjë tjetër veçse një OMGJ e berishizmit. Kandidimet e reja për Tiranën nxjerrin në pah pikërisht një element shumë problematik të politikës shqiptare - imitimi i modeleve negative në politikë. Sot shohim që Rama po ndjek deri diku ‘berishizmin’, duke konvertuar disa pushteteve në një; por dhe Basha nga ana tjetër duket se po imiton modelin e Ramës në karrierën e tij politike. Politika shqiptare ka filluar të prodhojë OMGJ-të e saj.

Me pak fjalë, qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të ndihen skeptikë për këto dy kandidatura. Si Rama apo dhe Basha, nuk pritet të sjellin diçka të re, pasi të dy janë të njëjtë në substancë dhe formë, megjithëse të ndryshëm në ngjyrë. Këto kandidatura janë thjesht disa OMGJ politike të një modeli qeverisës tashmë tejet të konsumuar. Mbase ka ardhur koha për kandidatë të pavarur, për kandidatë bios.