http://www.revistajava.al/kryesore/201341/fabian-zhilla-pazaret-e-gjyqesorit-me-krimin-dhe-eliten-politike
I shumëpërfoluri shtet i së drejtës, gati inekzistenca e plotë e tij,
gjykatat dhe vendimet e manipuluara që kanë marrë, gjyqtarët e
korruptuar e më tej akoma të paaftë e të përfshirë në afera kriminale,
janë bërë objekt i studimeve doktorate të juristit Fabian Zhilla në një
prej universiteteve më në zë britanike. Hallkë pas hallke, ai ka
trajtuar në tezën e tij të gjithë elementët që kanë ndikuar në krijimin e
asaj që quhet sot gjyqësori shqiptar dhe gjithë problematikës që ai
paraqet. Në një intervistë për java, të gjitha detajet e studimit dhe
konkluzionet e nxjerra
Pragmatistë ose jo, nga qytetari më i ndjeshëm e deri tek ai më
indiferenti ndaj asaj se çka ndodh brenda një habitati që është sa i të
gjithëve aq edhe i askujt, sidomos kohët e fundit, tema e mospavarësisë
së gjyqësorit dhe, më tej akoma, e korrupsionit gjithnjë e në rritje
brenda institucioneve që ngrenë kultin e së drejtës, ka qenë objekt i
bisedave të gjithkujt. Për të ardhur keq është që, më së shumti,
përtacia për të protestuar mbi mungesën e shtetit të së drejtës ecën
paralelisht me padrejtësitë dhe vendimet e padrejta e të turpshme të
dala nga gjyqësori shqiptar.
I gjithë ky sistem është vënë në fokus të studimeve nga juristi
Fabian Zhilla gjatë punimit të tezës së tij të doktoraturës në King’s
College University of London. Punimi me të cilin ai do të mbronte
titullin e PhD vetëm pak kohë më parë është përpjekur të hedh një
vështrim më të thellë të analizës mbi fenomenin duke mos u bazuar
thjesht mbi perceptimin e atyre që kanë marrëdhënie direkte më
gjyqësorin, por edhe ata që i ndjekin çështjet e institucionit të së
drejtës në një mënyrë më të distancuar.
Konkluzionet janë mbresëlënëse. Sipas Zhillës, marrëdhënia midis
krimit të organizuar dhe gjyqësorit ka qenë permanente përgjatë të
gjithë tranzicionit, paçka që dinamika ka njohur ndryshime sipas
situatave të ndryshme politike. “Grupime kriminale, të cilat kryejnë dhe
aktivitete të ligjshme dhe me lidhje të forta politike, përkrah
ryshfetit përdorin dhe influencat e tyre për të emëruar gjyqtarë në
gjykatat e larta. Mendohet që krimi i organizuar të ketë arritur deri
aty sa të investojë jo vetëm në rekrutimin e gjyqtarëve, por dhe të
investojë në diplomimin e tyre. Sot mund të ketë individë me precedent
kriminal të cilët janë diplomuar në drejtësi dhe të kanë krijuar
marrëdhënie shoqërore me gjyqtarë apo prokurorë të ardhshëm që në bankat
e shkollës...”, shprehet ai gjatë një interviste për “JAVA”.
Ju keni mbrojtur një tezë doktorature së fundi në King’s College University of London. Ku konsiston ky punim, shkurtimisht?
Fillimisht do doja t’ju falënderoja për intervistën, por dhe të
gjithë ata që bënë të mundur këtë studim, të cilët për arsye etike nuk
mund t’i përmend me emër. Një vend të veçantë zënë familja dhe
profesoreshat e mia, për mbështetjen e tyre të pakursyer në çdo drejtim.
Për t’iu kthyer pyetjes, studimi im lidhet me faktorët e nxitjes së
korrupsionit në gjyqësorin shqiptar dhe marrëdhëniet e tij me krimin e
organizuar gjatë periudhës së tranzicionit. Nga pikëpamja metodologjike,
ky punim u përpoq ta analizonte fenomenin duke mos u bazuar thjesht në
perceptimet e shoqërisë, apo dhe gjyqtarëve në mënyrë të përgjithshme,
por u rrek ta analizonte atë në mënyrë të thelluar. Kjo u arrit
nëpërmjet një kombinimi mbledhjesh të dhënash, si intervistat, kërkimi
në arkiva dhe observimi i seancave gjyqësore në të gjitha shkallët e
gjyqësorit dhe në të gjithë rajonet e vendit. Për të pasur një
konfigurim sa më të qartë analitik, grupi i të intervistuarve ishte i
kombinuar. Të intervistuarit nuk ishin vetëm ata të cilët kishin
marrëdhënie direkte me gjyqësorin (gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe
politikanë), por dhe ata të cilët ndjekin çështjet e gjyqësorit në një
mënyrë më të distancuar (akademikë, gazetarë, analistë dhe NGO).
A është korrupsioni në sistemin e drejtësisë një fiksion, apo
një realitet i prekshëm? Çfarë rezultatesh konkrete keni nxjerrë në
punimin tuaj në këtë aspekt?
Korrupsioni në sistemin gjyqësor tashmë është jo vetëm një perceptim i
konsoliduar në shoqëri por dhe brenda vetë radhëve të gjyqtarëve. Dhe
në këtë drejtim punimi im nuk sjell diçka të re. Prej vitesh ka punime
dhe statistika të nxjerra si nga organizatat kombëtare por dhe
ndërkombëtare të cilat e evidentojnë këtë fenomen. Korrupsioni në
gjyqësorin shqiptar është ndër më të lartët në rajon. Mbase ajo që
punimi im sjell si diçka të re në këtë studim është shtrirja e
korrupsionit në gjyqësor dhe arsyetimi për këtë përhapje. Sipas këtij
studimi, korrupsioni është më i përhapur në shkallët më të larta të
gjykatave, dhe kryesisht në ato gjykata ku volumi i çështjeve civile dhe
penale është më i lartë. Ky punim, gjithashtu, cilëson se sot ka një
treg informal të “drejtësisë”, ku gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët e
korruptuar janë aktorët kryesorë të cilët ndikojnë në çmimin që i është
vënë sot drejtësisë. Një konstatim tjetër interesant i këtij punimi
ishte dhe përcaktimi i pavarësisë së gjyqësorit. Në përgjithësi, edhe
për kapital politik, korrupsioni në gjyqësor lidhet shpesh me ndikimin e
ekzekutivit në sistemin gjyqësor. Ndërkohë që ky problem vazhdon të
jetë ende një shqetësim, në fakt, pavarësia në gjyqësor sot ndjehet më e
kërcënuar nga lidhjet shoqërore dhe familjare. Ky lloj ridimensionimi i
pavarësisë së gjyqësorit ka komercializuar dhe marrëdhëniet midis
gjyqësorit dhe elitës politike. Gjyqtarët duket të kenë bërë një pakt të
heshtur më këtë shtresë, ku të parët shkëmbejnë (trade off) favoret
ndaj politikanëve apo dhe aktorëve të tjerë me influencë (media,
biznesmen dhe krim i organizuar) me mbrojtjen që marrin prej tyre. Në
këtë drejtim gjyqësori ka fituar një farë pavarësie nga elitat, por kjo
pavarësi e ka zhytur atë më shumë në korrupsion. Pra, kjo pjesë e
korruptuar e gjyqësorit “negocion/tregton” drejtësinë dhe nuk e
zbaton/ekzekuton. Kjo lloj sjellje e gjyqësorit është kthyer në
“kulturë” dhe shoqëria duket se tashmë është akomoduar me këtë situatë.
Ky fakt shpjegon deri diku pse në përgjithësi çdo individ që i drejtohet
gjykatave është i prirur të sillet sikur po i drejtohet një tregu –
blej dhe shes “të drejtën e tij”. Megjithatë është për t’u cilësuar se
sot korrupsioni duket të ketë marrë një përshkallëzim të frikshëm edhe
në prokurori dhe polici.
A ka një lidhje mes korrupsionit të sistemit të drejtësisë
dhe krimit të organizuar? Nëse po, cilat janë mënyrat se si shfaqet kjo
simbiozë?
Korrupsioni është i lidhur ngushtësisht me krimin e organizuar dhe
kjo marrëdhënie është shumë evidente në vendet në zhvillim. Nga ana
tjetër, është shumë e vështirë që në një vend si Shqipëria, ku mungesa e
statistikave tashmë është kthyer në kulturë institucionale, të gjesh të
dhëna të shumta për lidhjen midis krimit të organizuar dhe gjyqtarëve
të korruptuar. Për më tepër, vetë natyra e korrupsionit në gjyqësor e
bën të vështirë evidentimin e kësaj lidhje. Sidoqoftë, nga të dhënat e
studimit tim, marrëdhënia midis krimit të organizuar dhe gjyqësorit ka
qenë permanente përgjatë të gjithë tranzicionit, paçka që dinamika ka
njohur ndryshime sipas situatave të ndryshme politike. Sot forma më e
përhapur e lidhjes midis gjyqtarëve të korruptuar dhe krimit të
organizuar është nëpërmjet ryshfetit, në shumicën e rasteve. Duhet
cilësuar se tipologjia e krimit të organizuar ka ndryshuar. Dhe kjo
përcakton dhe format e marrëdhënies midis tyre dhe gjyqësorit. Grupime
kriminale, të cilat kryejnë dhe aktivitete të ligjshme dhe me lidhje të
forta politike, përkrah ryshfetit përdorin dhe influencat e tyre për të
emëruar gjyqtarë në gjykatat e larta. Mendohet që krimi i organizuar të
ketë arritur deri aty sa të investojë jo vetëm në rekrutimin e
gjyqtarëve, por dhe të investojë në diplomimin e tyre. Sot mund të ketë
individë me precedent kriminal të cilët janë diplomuar në drejtësi dhe
të kanë krijuar marrëdhënie shoqërore me gjyqtarë apo prokurorë të
ardhshëm që në bankat e shkollës. Ajo që është për t’u evidentuar është
se lidhjet midis krimit të organizuar dhe gjyqtarëve të korruptuar sa
vijnë dhe sofistikohen.
Nëse do t’ju pyesnin sot, cila është rruga për të ndërtuar
një sistem drejtësie të imunizuar nga fenomeni i korrupsionit, cila do
ishte përgjigja juaj?
Kjo është një pyetje, përgjigja e të cilës nuk mund të përmblidhet në
pak rreshta. Megjithatë ajo që mund të them në vija të përgjithshme
është se politikat e luftës ndaj korrupsionit në sistemin gjyqësor janë
afatgjata dhe shumë komplekse, për vetë mbrojtjen kushtetuese që
gjyqtarët kanë. Është për t’u cilësuar se miratimi i ligjit për
Konferencën Gjyqësore dhe rritja e pagave të gjyqtarëve, përcaktimi i
një sistemi vlerësimi, janë hapa cilësorë. Megjithatë, reformat duhet të
shtrihen në masat parandaluese të korrupsionit, të cilat lidhen me
përmirësimin e statusit social të gjyqtarit i cili nuk lidhet vetëm më
një rritje rroge. Sidomos kur kjo rritje page mund të luajë rrol fare
minimal, duke pasur parasysh vetë vlerat e larta të mitmarrjes në
gjyqësor sot. Një rëndësi e veçantë i duhet kushtuar edhe kritereve të
pranimit të studentëve në Shkollën e Magjistraturës dhe përgatitjes se
tyre, sidomos nga ana etike, por dhe profesionale. Marrja e masave në
lidhje me një përzgjedhje sa më të mirë të studentëve të magjistraturës
që në “hyrje” në sistem, do ta bënte me të lehtë luftën ndaj
korrupsionit brenda gjyqësorit më pas. Është shumë më e vështirë të
largohet një gjyqtar kur ai është në sistem. Zgjatja e kohës nga
magjistrat në gjyqtar mund të rishikohet. Mbase magjistratët mund të
fillojnë si ndihmës gjyqtar për një farë kohe përpara se të marrin
detyrën e gjyqtarit. Sot kemi gjyqtarë në moshë shumë të re dhe pa
përvojën e duhur jetësore, kur dihet që këto elementë luajnë një rrol të
rëndësishëm, jo vetëm në cilësinë e gjykimit, por dhe besueshmërinë e
publikut tek gjyqtarët. Ndërkohë duhet parë mundësia që jo vetëm
gjyqtarët e shkallëve të larta të kenë asistentë, por dhe ata të
shkallëve të para. Me pak fjalë, reforma në gjyqësor, në kontektstin e
luftës së korrupsionit, duhet të konsiderojë si faktorët objektiv dhe
ata subjektiv, të cilët shtyjnë gjyqtarët të përfshihen në aferave
korruptive.