Gazeta Panorama 16/01/2014
Gjoba
apo një sistem i ri i taksash
Prej rreth dy muajsh policia e shtetit ka filluar një
fushatë masash administrative (gjobash) ndaj shkelësve të qarkullimit rrugor. Ministria e Rendit e konsideron si një
arritje të padiskutueshme dyfishimin e masave administrative “shoferëve të pabindur”. Nga 20.051
gjoba që kanë qenë në dhjetor 2012 numri i tyre është dyfishuar në 58.848 në
dhjetor 2013. Nga këto rreth 20,000 gjoba janë vendosur vetëm në Tiranë. Ndërkohë
që është për tu përshendetur cdo politikë shtetërore e cila synon përmirësimin
e zbatimit të ligjit, qasja aktuale duket se ka problemet e veta që lidhen me
keq perceptimin dhe impaktin negativ në shoqëri.
Keq perceptimi. Forma e pa testuar e vënies se gjobave ka krijuar
perceptimin se penalizmi me gjobë ka më shumë qëllim fiskal sesa social. Fakti që sistemi nuk u provua fillimisht nëse
mund ta përballonte këtë ndërmarrje tregon se kjo politikë ka qënë deri diku e pa studiuar mirë. Nuk është
bërë një fushatë e mjaftueshme sensibilizimi. Fillimisht mund të fillohej me
“gjoba të bardha” (pra masa paralajmëruese).
Nga ana tjetër mund të ndiqeshin forma me karakter edukues. Psh gjobat e
para për vepra si shkelja e normave të lejuara të shpejtësisë, kundrejt vlerës
së gjobës të kryenin seminare trainuese/sensibilizuese për rezikun e shpejtesisë.
Kjo praktike praktikohet në Britaninë e Madhe.
Menazhimi i procesit lë
shumë hapsirë për të besuar se kjo politikë gjobash ka kontekst fiskal. Ndërkohë që shumëkush ka mundësinë të apelojë
gjobën në gjykatën administrative, vlera e padisë (3,000 lekë të reja) dekurajon
qytetarin ti drejtohet gjykatës për një gjobë me vlerë 1,000 lekë të reja (kjo është
vlera në shumicën e rasteve). Fare mirë mund të ishte menduar një mekanizëm i
brëndshëm apelimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë me kosto 0.
Nga ana tjetër vërehet
se policët janë të patrajnuar mjaftueshëm. Ka masa administrative në shkelje të
ligjit. Gjobat në përgjithësi nuk plotësohen si duhet t duke e bërë të vështirë
të evidentosh shkeljen e tyre. Psh nuk plotësohet vendi ku ndodhet makina në
momentin e gjobitjes. Për të mos thënë që shkrimi është i palexueshëm.
Tani i kthehimi impakteve negative që ka keq perceptimi
i zbatimit të ligjit.
Impakti i parë lidhet
me efektin e kundërt. E gjithë kjo
fushatë “gjobëvenie” rrezikon pikërisht
atë për të cilën pretendohet të jetë nisur – rritjen e kulturës së zbatimit të
ligjit. Sipas studiuesve të shkaqeve të aksidenteve rrugore, rritja e nivelit të
gjobave nëse nuk shoqërohet me masa të tjera përmirësuese (edukimi,
sensibilizimi, përmirësimi i infrastrukturës, përmirësimi i lëshimit të
patentave etj), jep efektin e kundërt në plan afatgjatë. Nga rreth 20,000 gjoba në muajin dhjetor gati
50% (9,916)e tyre ishin dhënë për parkim të gabuar, gjë e cila lidhet drejtpërsëdrejti
me mungesën e infrastrukturës. Qytetari vendoset në një situatë të pandershme
dhe pa mundësi të tjera alternative dhe kjo bën
që ashpërsimi ligjit të rrisi
kriminalizmin e shoqërisë. Sic u cilësua
dhe më sipër, në muajin janar, vetëm në një hark kohor të një dite, janë
vendosur rreth 1,303 gjoba. Më këtë ritëm janari do të mbyllet me një rritje gati
tre here me të lartë se muaji parardhës.
Impakti i dytë negativ
lidhet me humbjen e besueshmërisë ndaj reformimit të institucioneve. Qytetarët votuan për një ndryshim thelbësor. Shoqëria
mund të ndihet e shfrytëzuar dhe e manipuluar. Dikush
mund ta konsideroj politikën e “gjobëvënies” si një formë të re shfrytëzimi të një sistemi të vjetër
qeverisës i cili e sheh qytetarin si klient. Në këtë kontekst shoqëria sheh një
farë ngjashmërie paradoksale me politikat
që
votoi kundër.
“Ata” të parët
aplikonin taksën e sheshtë por akuzoheshin se aplikonin “gjobën progresive”. Të sotmit aplikojnë taksë progresive por një “gjobë
të sheshtë”. Shumica e gjobave të qarkullimit rrugor janë rreth 1,000 lekë. Nga ana tjetër ngjarja e vendimeve me “bllok në
dorë” duket se kaloi nga një ish ministër
tek policët rrugor. Atëherë më së shumti “gjobiteshin kompanitë” tani gjobiten të gjithë. Atëherë në emër të pushtetit tani në emër të
shtetit. Atëhere përdoreshin disa standarte, tani kemi “gjobitje” kapilare.
Me pak fjalë, është për tu përgëzuar cdo inisiativë
për të vendosur rregullin dhe ligjin. Por duhet kuptuar që forma më e mirë për ta bërë
këtë është të ndryshosh kulturën nëpërmjet përmirësimit dhe parandalimit. Kjo
nuk mund të bëhet duke përdorur vetëm forcën e ligjit dhe jo frymën e tij.
Kultura ligjzbatuese nuk mund të instalohet në një shoqëri e cila edukohet duke
u penalizuar. Në një shoqëri moderne
duhet ti shmangemi formave mesjetare ku rregulli, sic thote Fuko, vendosej nën një festival dënimesh.
http://www.panorama.com.al/2014/01/16/gjoba-apo-nje-sistem-i-ri-i-taksash/