» Vendosur: 14/02/2009 - 09:21 |
|
|
Korrupsioni, reformat institucionale, zgjedhjet, apo dhe një mori termash tashmë rëndom në raportet e ndërkombëtarëve, por dhe në shtypin apo dhe retorikën politike zënë përqindjen më të madhe të konsumit verbal të së përditshmes shqiptare. Procesi i tranzicionit shqiptar përveç se politik apo ekonomik, mbi të gjitha duket se do të kërkojë kohë në ndjesinë e shqiptarëve ndaj institucioneve dhe rolit të tyre. Shumë analistë ndajnë mendime të ndryshme me proceset transformuese të institucioneve shtetërore në pjesën post-komuniste të Europës. Dhe tek gërmon ndër terma apo definicione, ajo që ndodh në Shqipërinë tonë luhatet midis revolucionit dhe evolucionit institucional, ose më saktë mbase diçka midis të dyjave. Nëse me revolucion strukturash shtetërore do të kuptonim një ndryshim thelbësor teorik, por dhe praktik të botëkuptimit dhe funksionimit të shtetit, evolucioni do t’i referohej më shumë një ndryshimi gradual pa ndërtime mbi gërmadha, por një rafiniturë e së djeshmes me një luk të ri. Tek ne i gjen të dyja, por ç’është më e keqja pjesa evoluese që do të duhej të ndodhte në procesin institucional ndodh me kastën politike, ku evoluimi është thjesht sipërfaqësor, jo i mbështetur në doktrina, por në retorika reklamash pragzgjedhjesh. Pra një proces gjysmak reformimi i botëkuptimit të klasës politike, reflektohet dërmueshëm në një shoqëri tek e cila sheh çdo gjë institucionale si politike dhe duke qenë se politika sot ekuivalentohet me përvetësim interesash apo korrupsion, çdo akt institucional apo me burim prej tij vihet në dyshim. Kështu dhe me gjyqësori. Ngjarja makabër e plumbave të zbrazur ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë ngre disa pikëpyetje të mëdha me atë se çfarë ndodh sot me drejtësinë dhe perceptimin e shoqërisë për rolin e saj. Këto plumba janë plumba mbi institucionet, janë plumba mbi shtetin ligjor, janë plumba arkaikë, janë plumba të cilët duhet të shqetësojnë thellë ndërgjegjen qytetare, lëre më atë politike. Ky akt tregon fatkeqësisht katandisjen e statusit të atyre që në shoqëritë moderne gëzojnë respektin maksimal për shkak të pozicionimit të tyre sa institucional, por dhe shoqëror. Është fatkeqësi sesi figura e gjyqtarit lakohet sot vetëm me terma tregu, sikur vendimet e gjykatës të jenë mall pazari dhe jo verdikte për përcaktimin dhe mbrojtjen e të drejtave të atyre që u është marrë apo përvetësuar padrejtësisht kjo e drejtë. Janë të dhimbshme kushtet në të cilat organizohet, funksionon dhe jepet e drejta në një vend që aspiron të jetë apo është pjesë e strukturave moderne institucionalë ndërkombëtare. Akoma dhe më e turpshme sesi negociohet e drejta dhe sesi manipulohet ajo. Pa hyrë në arsyet e kësaj ngjarje, gjë që do t’i takojë organeve përkatëse, kushdo të kenë qenë ato, ky akt na bën të ndihemi popull fatkeq. Zgjidhja personale apo vetëvendosja si formë e zgjidhjes së problemit në vend të zgjidhjeve institucionale, është sot reforma kryesore që duhet të ndërmarrë kasta politike e kujtdo spektri qoftë. Humbja e besimit të shoqërisë në institucionet e saj është thelbi i ngërçit më të madh të një zhvillimi sa social, por dhe kulturor në një shoqëri moderne. Kuptimi i shtetit ligjor do të ishte thjesht një frazë e përkthyer keq nëse institucionet do të ishin mjet shfrytëzimi dhe jo operimi në dinamikën e zhvillimeve ekonomike, por dhe politike të vendit. Duke qenë se politika shqiptare, procesin reformues të institucioneve në përgjithësi dhe atij të gjyqësorit në veçanti e sheh si një betejë interesash apo pushteti të politikbërësve, janë vetë gjyqtarët ata të cilët duhet të sigurojnë status quon e tyre nëpërmjet integritetit personal dhe ruajtjes së pavarësisë ndaj politikës apo dhe krimit të organizuar. Nga ana tjetër vetë shoqëria reagimin e saj duhet ta konturojë dhe drejtojë tek mjetet ligjore dhe jo në veprime banale apo kriminale.
Ajo që duhet kuptuar është se sa më të dobëta institucionet, aq më të pakta shanset për një shkëputje nga një tranzicion kaq afatgjatë. Dhe njëherë ajo shoqëri që derdh plumba ndaj institucioneve të saj tregon se është në krizë të lartë depresioni social, por dhe politik, fajtor për të cilat mbase jemi të gjithë.
http://www.panorama.com.al/index.php?id=24702
No comments:
Post a Comment